10 maj 2023/Brikena Metaj/Porta Vendore/Përmet
“Lëviz për mjedisin” ishte forumi që bëri së bashku aktorë të shoqërisë civile, përfitues të granteve të dhëna nga LëvizAlbania përgjatë gjithë viteve të veprimtarisë së saj. Eventi dyditor që u zhvillua në qytetin e Përmetit me një format që gërshetonte analizën, diskutimin, prezantimin e praktikave të mira, informimin dhe shkëmbimin e ndërsjelltë të njohurive mes organizatave dhe grupeve informale pjesëmarrëse në forum, kishte në fokus mbrojtjen e mjedisit, me qëllim vijimin e punës së nisur edhe pas përfundimit të mbështetjes nga LëvizAlbania.
LëvizAlbania ka pasur në fokus çdo fushë të vetëqeverisjen vendore, ndaj projekti ka mbështetur një sërë nismash dhe veprimesh mjedisore që kanë kontribuar në rritjen e ndërgjegjësimit qytetar për mbrojtjen e mjedisit dhe veprimeve konkrete në ruajtjen e natyrës nëpërmjet nxitjes së aktivizimit qytetar. LëvizAlbania është shndërruar në një zë të fuqishëm qytetarësh dhe ka nxitur një ndryshim të rëndësishëm në kulturën e mbrojtjes së mjedisit dhe promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm në vend.
Situata mjedisore në Shqipëri është ende sfiduese dhe kërkon vëmendjen dhe veprimet e nevojshme për ta përmirësuar. Një ndër problemet kryesore është ndotja e ajrit dhe e ujit, me ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin e qytetarëve dhe biodiversitetin.
Case Study mbi nismat mjedisore
Mbi 70 projekte që janë zbatuar nga organizata të shoqërisë civile, grupe informale dhe individë, në më shumë se 50 bashki të vendit, janë mbështetur përgjatë tetë (8) viteve që LëvizAlbania ka ushtruar aktivitetin e vet, si një kontribuese e ndjeshme në fuqizimin e lëvizjes mjedisore në Shqipëri.
Me qëllim zvogëlimin e ndotjes së mjedisit dhe promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm në vend, LëvizAlbania ka krijuar një trashëgimi të rëndësishme në fushën e mjedisit.
Në studimin e vet “Mbrojtja e Mjedisit – Mbështetja e LevizAlbania” eksperti Olsi Nika tregon përmbledhtazi raste suksesi të nismave dhe arritjeve të LA në fushën e mjedisit. Në këtë studim, ai paraqet disa raste studimore në të cilat LëvizAlbania ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Nika thekson se “fillimisht mbështetja kishte një shtrirje të vogël gjeografike dhe mbulim sporadik të çështjeve mjedisore, por nevoja për disa ndërhyrje përmes advokimit dhe fushatave ndërgjegjësuese për çështje shumë të mprehta mjedisore, ndërthurur me një paketë procedurash për grantdhënie inovative, transparente, dhe mjaft lehtësuese nga LA, kanë bërë që gjithnjë e më shumë organizata mjedisore të aplikojnë për mbështetje nga LA”.
Një rast studimor është fushata për mbrojtjen e Parkut Kombëtar Lurë-Mali i Dejës. Fushata ishte një kundërshtim i ndërtimit të Hidrocentraleve në Zall-Gjoçaj. Zona ishte përfshirë zyrtarisht në Parkun Kombëtar të Lurës, me Vendimin e Qeverisë shqiptare të 2018 – ës për zgjerimin e saj.
LëvizAlbania ka luajtur një rol kyç në protestën e kundërshtimit të HEC-eve duke u bërë zëri I komunitetit dhe duke e mbështetur lëvizjen në shumë mënyra.
“Fushata ishte një kombinim i suksesshëm i aksionit në terren, veprimeve ligjore dhe një qasje pozitive on-line, duke pasur këmbënguljen si shtyllë kryesore mbështetëse. Kjo fushatë ndryshoi qasjen e komunitetit në lidhje me angazhimin e tij në çështje mjedisore. Ky rast në studim mund të mbahet si një prej rasteve më të plotësuar, sa i takon përdorimit të arsyeshëm të instrumentave të ndryshëm të demokracisë, siç janë: protestat, presioni mediatik, ankimimet administrative dhe gjyqësore. Fushata është një model reference për ndryshimin e mendësisë dhe për reagimin ndaj vendimmarrjes që kërcënon të mirat publike”, pohon Olsi Nika në studimin e tij.
Dy rastet e tjera studimore kishin si synim të nxirrnin në pah ndryshimin e mendësisë në sjellje të shoqërisë kundrejt mbrojtjes së mjedisit dhe sjelljen e shembujve të mirë të nxitjes së lëvizjes qytetare.
“Projektet e mbështetura nga LëvizAlbania kanë sjellë ndryshim në qasjen për përfshirjen e komuniteteve të vogla vendase për zgjidhjen e problematikave mjedisore. Duke thyer apatinë dhe duke u organizuar për zhvillimin e fushatave pozitiviste, komunitetet kanë sjellë një model të ri të ndërveprimit qytetar. Bashkëpunimi dhe koordinimi në përdorimin e mjeteve të ndryshme, si protestat, fushatat publike, fushatat mediatike, proceset gjyqësore, kanë çuar po ashtu në zgjidhjen e plotë të problematikave mjedisore” , thekson Nika.
Case Study mbi nismat advokuese dhe mjedisi mundësues
Prej themelimit të saj në vitin 2002 Lëviz Albania ka patur si qëllim promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm në Shqipëri dhe mbrojtjen e mjedisit. Nismat e saj kanë ndihmuar në mbrojtjen e biodiversitetit dhe në përmirësimin e gjendjes së mjedisit në vend. Në studimin e Anila Dollanit, “Mundësimi i ndryshimit të politikave vendore përmes lëvizjeve qytetare” merren parasysh parimet më të rëndësishme të demokracisë, si: transparenca dhe sundimi i ligjit, llogaridhënia dhe pjesëmarrja, efektiviteti dhe efiçenca, llogaridhënia dhe angazhimi e pjesëmarrja qytetare. Përmirësimi i qasjes në të dhëna forcon jo vetëm transparencën dhe llogaridhënien, por edhe veprimet dhe angazhimin e përbashkët qytetar. Veprimi i përbashkët dhe angazhimi publik ndikojnë për një vendimmarrje në përputhje me interesat e qytetarëve, si dhe rritjen e kapitalit social, konsensusin dhe legjitimitetin e vendimmarrjes. “Përfshirja e qytetarëve, sektorit privat dhe bashkësisë së organizatave joqeveritare në proceset vendore vendimmarrëse, si dhe zotërimi i mekanizmave të llogaridhënies është parakusht për një demokraci vendore funksionale”, thekson Dollani .
Në përgjithësi, Dollani vlerëson se lëvizjet qytetare janë një forcë e rëndësishme në ndryshimin e politikave vendore në Shqipëri dhe se duhet të inkurajohen dhe mbështeten. Në këtë drejtim, ajo propozon krijimin e rrjeteve të ndryshme të lëvizjeve qytetare dhe organizatave që bashkëpunojnë me administratën vendore dhe qeverinë për të ndryshuar politikat dhe praktikat në nivel lokal. Në studimin e saj Dollani rendit disa ide dhe sugjerime se si lëvizjet qytetare mund të ndryshojnë politikat vendore në Shqipëri. Studimi veçon përshpejtimin e procesit të demokratizimit në nivel lokal duke u përqendruar në forcimin e rolit të qytetarëve në procesin vendimmarrës përmes ndryshimit të ligjeve dhe politikave që rregullojnë këtë proces; inkurajimin e pjesëmarrjes aktive të qytetarëve në debatet publike dhe konsultimet në nivel lokal si dhe ngritjen e mekanizmave të kontrollit të veprimeve të qeverisë dhe administratës vendore përmes krijimit të organeve të veçanta që monitorojnë veprimtarinë e qeverisjes dhe raportojnë publikisht për atë.
Synimi i LA ka qenë forcimi i demokracisë vendore për të rritur kërkesat në nivel vendor në Shqipëri.
LA nëpërmjet veprimtarisë dhe mbështetjes së saj ka kontribuar në fuqizimin e qytetarëve për veprime të përbashkëta, për të kërkuar dhe forcuar transparencën dhe llogaridhënien e qeverisjes vendore në përputhje me programin e transparencës dhe ligjin për të drejtën e informimit, për vendosjen e mekanizmave funksionalë të pjesëmarrjes, përmirësimin e shërbimeve publike për komunitetet, përfshirjen sociale të grupeve të ndjeshme, rritjen e vullnetarizmit dhe aktivizmit mes të rinjve, si dhe nxitjen e krijimin e debatit publik dhe protestave për çështje me rëndësi për publikun e gjerë.
Gjatë tetë viteve të fundit, LevizAlbania ka kontribuar në rritjen e përfshirjes së shoqërisë civile dhe grupeve informale në të gjitha nivelet për të zgjedhur siç duhet çështjet dhe për të advokuar për ndryshimin nga “çfarë është” në “çfarë duhet të jetë”. LëvizAlbania ka patur nisma advokuese të rëndësishme që përfshijnë monitorimin e ndotjes së ajrit dhe ujit, mbrojtjen e pyjeve dhe hapësirave të hapura, dhe nxitjen e përdorimit të mjeteve të rikthjellueshme.
Kapacitetet advokuese lokale janë ende të dobëta dhe kanë nevojë për mbështetje të vazhdueshme. Për t’iu përgjigjur këtyre sfidave, LëvizAlbania u ka dhënë një sërë mbështetjesh OSHC-ve dhe grupeve informale shqiptare gjatë tetë viteve të fundit. Së pari, LevizAlbania ka dhënë drejtpërdrejt grante për OSHC-të, individët dhe grupet informale, në mënyrë që ata të mund ta përdorin këtë mbështetje financiare për të advokuar për ndryshime në problematika të veçanta. Së dyti, duke marrë parasysh kapacitetin e ulët të OSHC-ve dhe grupeve informale se si të advokojnë, LevizAlbania ka ofruar një mbështetje dhe udhëzim të vazhdueshëm se si të advokohet për ndryshim. Të gjitha këto përpjekje advokuese kanë prodhuar disa histori suksesi në nivel lokal dhe kombëtar.