Ngjarje/Personazhe

Bashkia Kukës, në 4 vite rikonstruktoi vetëm dy shkolla. 4 tendera për sektorin e arsimit me flamur të kuq

10 prill 2023/Xhesian Shazimani/Porta Vendore/Kukës

Në vëzhgimin e bërë nga Porta Vendore në Bashkinë e Kukësit për investimet e kryera gjatë 4 viteve të fundit në sektorin e arsimit, rezulton se në total janë kryer 16 procedura tenderuese me vlerë 154 585 139 lekë, ose rreth 1.3 milionë euro.

Bashkia e Kukësit shumicën e investimeve për sektorin e arsimit i ka në shërbime, pra shpenzime që janë të detyrueshme për plotësimin e nevojave të objekteve arsimore, ndërsa për rikonstruksion shkollash ka bërë vetëm 2 prokurime. Nuk mungojnë as tenderët me flamur të kuq në këtë bashki, që janë 4 në total. Sipas ekspertit të ekonomisë Zef Preçi, prokurime të tilla janë raste të dyshuara për korrupsion që duhen të shoqërohen me ankesa apo hetime.

Sipas openprocurment.al, Bashkia Kukës ka bërë tender për rindërtimin e shkollës së mesme te bashkuar “Havzi Nela”, e cila zë 78.9% e të gjithë fondit të Bashkisë Kukës që është shpenzuar për sektorin e infrastrukturës arsimore në 4 vite. Në prokurimin me vlerë 106 555 570 lekë janë interesuar 4 kompani dhe dy ofertat më të arsyeshme janë skualifikuar nga gara ndërsa fituese është shpallur subjekti “CURRI”. Subjekti kishte kërkuar sa 99.5% të vlerës së tenderit për të realizuar punimet për 12 muaj që nga nënshkrimi i kontratës.

Tenderi për hartimin e projektit për rindërtimin e shkollës së mesme “Havzi Nela”, është hapur në datën 5 gusht të këtij viti dhe ka fondin limit prej 4 296 070 lekë. Prokurimi tjetër që ka për qëllim mbikqyrjen e punimeve për këtë projekt, është në vlerën e 1 230 000 lekëve. Kështu në total janë shpenzuar për rindërtimin e shkollës së mesme “Havzi Nela”, 112 081 640 lekë.

Prokurimi i parë për sektorin e arsimit që është realizuar nga Bashkia Kukës nën drejtimin e kryebashkiakut Safet Gjici, rezulton në datën 9 gusht 2019. Tenderi është hapur për blerje materialesh për lyerjen e objekteve arsimore që janë nën varësinë e këtij institucioni dhe fondi limit i tij është 2 809 000 lekë. Në këtë prokurim kanë marrë pjesë 3 kompani, ku 2 prej tyre janë skualifikuar nga gara ndërsa fituese është shpallur subjekti me emër personi “NAZMI DIDA”. Oferta e paraqitur nga kompania fituese ëshhtë 2 398 350 lekë, ose sa 85% e vlerës së tenderit. Ndërkohë një nga kompanitë e skualifikuara është subjekti me emër personi “Denisa Beshaj”, e cila kishte ofruar 13 600 lekë më pakë se kompania fituese.

Në datën 20 shtator 2020, Bashkia Kukës ka mbyllur tenderin e radhës për këtë sektor, ku kësaj radhe është për mbikqyrjen e punimeve për ndërtimin e terreneve sportive në shkollën Shtiqën. Fondi limit i këtij tenderi është 254 926 lekë dhe fitues është shpallur subjekti me emër personi “XH & MILER”.

Më tej në datën 16 korrik 2020, është mbyllur tenderi i radhës i Bashkisë Kukës me objekt blerjen e ushqimeve për konviktin “20 dëshmorët”. Vlera e tenderit është 3 000 000 lekë, ndërsa në të kanë marrë pjesë 2 operatorë ekonomik. Kompania që kishte ofruar më pak është skualifikuar nga gara dhe fituese është shpallur “Kadra“ Sh.p.k e cila kishte ofruar 2 848 510 lekë që i bie sa 94.9% të vlerës së tenderit. Ndërkohë kompania e skualifikuar kishte ofruar 239 110 lekë më pak se kompania fituese. Ky prokurim është futur në kategorinë e flamurit të kuq, me arsyetimin e skualifikimit të opeatorëve ekonomik përveç fituesit.

Në datën 28 maj 2020, është shpallur fituesi i tenderit tjetër të kësaj bashkie me objekt blerjen e ushqimeve për kopshte dhe çerdhe. Në prokurimin me fond limit prej 4 050 000 lekë, kanë marrë pjesë 2 kompani, ku edhe në këtë tender është skualifikuar një nga kompanitë dhe fituese është shpallur sërish subjekti “Kadra“ Sh.p.k. Oferta e paraqitur nga kompania fituese është 3 399 708 lekë, ose sa 83.9% të vlerës së tenderit.

Edhe në datën 29 mars 2021 Bashkia Kukës ka shpallur fituesin e tenderit tjetër për blerjen e ushqimeve për kopshte dhe çerdhe. Fondi limit i tenderit ka qenë 6 228 015 lekë dhe në të kanë marë pjesë 2 kompani. Fitues është shpallur subjekti “SEAD- SGS” Sh.p.k me ofertën prej 6 190 797 lekësh, osa sa 99.4% të vlerës së tenderit.

Për blerje materialesh dhe mirëmbajtjen e objekteve arsimore, ka qenë edhe tenderi i shpallur në datën 3 shtator 2021 nga ky institucion. Fondi limit i këtij prokurimi është 4 100 000 lekë dhe në këtëtender kanë paraqitur interes 5 kompani. Fitues është shpallur subjekti me emër personi “Nazmi Dida”, i cili ka ofrur 3 608 550 lekë, ose sa 88% të vlerës së tenderit për të kryer punën.

Në datën 1 tetor 2021 Bashkia Kukës ka shpallur fituesin e tenderit të radhës, me objekt blerjen e ushqimeve për konviktin “20 Dëshmorët”. Fondi limit i tederit është 1 950 000 lekë dhe në të ka marrë pjesë vetëm kompania “Kadra” shpk e cila është shpallu automatikisht fituese pa garë. Oferta e paraqitur nga kompania është 1 931 900 lekë, që i bie sa 99% të vlerës së tenderit. Ky tender është shënuar me flamur të kuq me arsyetimin e mungesës së konkurrencës.

Blerjen e ushqimeve për kopshte dhe çerdhe është edhe tenderi i shpallur me fitues në datën 21 shkurt 2022. Fondi limit i këtij prokurimi është 7 350 000 lekë, ku në të ka marrë pjesë vetëm një kompani, “GERTI – 1987” e cila është shpallur fituese pa garë. Kompania ka ofruar 7 213 450 lekë, ose sa 98% të vlerës së tenderit për të kryer punën. Edhe ky tender është shënuar me flamur të kuq me arsyetimin e mungesës së konkurrencës.

Në datën 10 tetor 2022 është shpallur fituesi i tenderit për blerjen e paleteve për çerdhen numër 2 në qytetin e Kukësit. Fitues është shpallur subjekti “MARJO – MONDI” me ofertën e paraqitur prej 134 000 lekë. Gjithashtu në datën 10 tetor është shpallur edhe fituesi i tenderit tjetër, me objekt rehabilitimin e oborrit dhe këndit të lojërave për kopshtin numër 2 në qytetin e Kukësit. Fituesi i këtij tenderi është shpallur kopmania “RAMALLARI”, me ofertën e paraqitur prej 760 000 lekë.

Një tjetër tender është shpallur në datën 22 korrik 2022 nga kjo bashki, për blerjen e materialeve për lyerjen dhe mirëmbajtjen e objekteve arsimore. Në tenderin me vlerë 3 700 000 lekë, kanë marrë pjesë 5 operatorë ekonomikë, ku 3 prej tkompanive që kishin paraqitur oferta më të ulëta janë skualifikuar dhe fituese është shpallur subjekti me emër personi “Nazmi Dida”. Kompania fituese ka paraqitur ofertën 3 317 100 lekë, ose sa 89.6% të vlerës së tenderit për të kryer blerjet.

Në datën 10 qershor 2022 Bashkia Kukës ka hapur një tender për rikonstruksionin e godinës së kopshtit numër 2 në lagjen numër 3 në Kukës. Ky prokurim ka fondin limit prej 7 277 558 lekë dhe në të kanë marrë pjesë dy subjekte, ku kompania që kishte ofertën më të mirë është skualifikuar nga gara. Fituese është shpallur “DENOLT” shpk i cili kishte ofruar 7 200 372 lekë, osa sa 98.9% të vlerës së tenderit. Ndërsa kompania e skualifikuar kishte ofruar 1 205 339 lekë më pak se kompania fituese për të realizuar punën. Ky tender është shënuar me flamur të kuq me arsyetimin e skualifikimit të të gjithë opëratorëve konkurrues përveç fituesit.

Ndërsa tenderi i fundit i bërë nga Bashkia Kukës për sektorin e arsimit deri në publikimin e këtij shkrimi, është shpallur në datën 5 tetor 2022 për rikualifikimin e terreneve sporive në shkollën 9-vjeçare “Lidhja e Prizrenit”. Tenderin e ka fituar subjekti me emër personi “Oltjan Dautaj” me ofertën e paraqitur prej 890 000 lekë.

Eksperti: Tenderët me mungesë konkurrence raste dyshimi për korrupsion

Eksperti i Ekonomisë Zef Preçi, i pyetur për numrin e ulët të tenderimeve për këtë sektor në Bashkinë Kukës, shprehet se fokusi i investimeve varet nga këshilli bashkiak.

“Buxheti i Bashkisë miratohet nga këshilli bashkiak dhe ai ka autoritetin të përcaktojë edhe përparësitë dhe shumat e parave për zërat e veçantë, edhe se ku duhen shpenzuar ato para publike” , shprehet Preçi.

Ndërsa për dhënien e tenderave në mungesë të konkurrencës dhe duke skualifikuar ofertat më të arsyeshme, eksperti shprehet se janë raste që ngrenë dyshime për korrupsion dhe që duhen denoncuar në institucionet përkatëse.

“Janë disa mundësi njëkohësisht: ndarje e informacionit (specifikave teknike) paraprakisht me kompani të paracaktuara, negocim informal me kompanitë e paracaktuara, mungesë gare (nuk paraqitet një numër i mjaftushëm pjesmarrësish). Nëse nuk ka ankesë në KPP, vështirë të jepet opinon, mbetet në kuadrin e thashethemeve. Të gjitha risqet e mundshme duke përfshirë korruopsionin e dyshuar, shkeljen e ligjit, abuzimin në detyrën etj. Nëse nuk ka ankesë dhe hetim, mbetet në kuadrin e llafeve”, tha Zef Preçi.

Gjithashtu edhe për faktin që në shumë prokurime fituesi është me ofertë sa 99.9% të vlerës së tenderit, Preçi tha se është përdorim jo efektiv i fondeve.

“Situatë shqetësuese për institucionet përgjegjëse, përdorim jo efektiv i fondeve në dispozicion, keqpërdorim i burimeve buxhetore” , tha më tej Zef Preçi.