3 prill 2023/ Erjola Azizolli/Porta Vendore/Berat
Dy elementët kryesor siç janë druri dhe guri lidhen drejtpërsëdrejti me ekzistencën e lagjeve muze të Beratit, por jo vetëm. Specialistët e ushtrimit të tyre, por dhe shumë mjeshtërive të tjera kanë nisur të mungojnë në qytet, duke vënë në rrezik jo vetëm traditën, por mbajtjen në këmbë të qindra objekteve muzeale.
Me ardhjen e stinës së pranverës dhe ngrohjes së motit në lagjen simbolike “Kala” të qytetit të një mbi një dritareve, nis dhe sezoni i punimeve. Mirëmbajtje çatish, rregullim muresh, suvatime, riparime portash, etj. Këto dhe shumë punë meremetuese të tjera kryen çdo vit pas shirave të dimrit.
“Banesat e vjetra i kanë këto halle. Ne çdo vit duhet të kryejmë ndonjë punim, herë të vogël, herë të madh, por çdo vit duhet ti kryejmë nga një shërbim shtëpisë”, thotë Sotirica, banore e lagjes “Kala” për Porta Vendore.

Ngjashëm të njëjtat shqetësime ndajnë dhe banorë të tjerë të lagjeve muzeale në qytet. Banesat kanë nevojë të herëpashershme për riparime dhe në lagje të tjera si “Goricë” dhe “Mangalem”.
Por, shqetësimi në qytet është gjetja e një mjeshtri. Është shumë e vështirë të gjesh në qytet një specialist guri, ndërsa me drurin duket se është pak më e lehtë dhe pse dhe ata janë të pakët.
“Tani në këtë periudhë të vitit nuk dal dot që të bëjë një pazar për shtëpinë, apo një shëtitje, pasi të gjithë më kërkojnë për punë”, thotë Isa Avduli, mjeshtër guri për Porta Vendore.
Avduli është 68 vjeç dhe nuk i ndahet punës. Jo vetëm se ka ende nevoja familjare, por për shkak të mungesës së mjeshtwrrve të rinj.
“Kemi të njohur. Miq, të afërm, njerëz tek të cilët kam punuar prej vitesh dhe nuk mund tu kthejë kërkesat që ata kanë”, thotë ai.
Avduli e shikon me shumë shqetësim mungesën e specialistëve të gurit, drurit dhe mjeshtërive të tjera.
“Më shumë është e vështirë që të gjesh mjeshtra guri. Pak më lehtë është për ata të drurit, por mjeshtrit e gurit janë shumë të pakët dhe një ditë nuk do të ketë se kush do ti kryejë punët e shumta ” thotë ai.

Si qytet muze, i mbrojtur nga UNESCO për pasurinë materiale Berati ka një numër të konsiderueshëm të objekteve muzeale, monumente kulture, objekte fetare e banesa karakteristike.
Nga të dhënat zyrtare të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Berati ka 481 monumente kulture, nga të cilat 122 janë monumente të kategorisë së parë dhe 359 të kategorisë së dytë.
Në monumentet e kulturës së kategorisë së parë, pronarët e kanë të ndaluar që të ndërhyjnë si në mjediset e brendshme, ashtu edhe në ato të jashtme, ndërsa në monumentet e kategorisë së dytë, qytetarët mund të kryejnë punime që konsistojnë kryesisht në riparime, meremetime të mjediseve të brendshme.

E ndërsa në rastet e monumenteve të kulturës së kategorisë së parë është Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore që me specialistët e saj sipas një programi kryen restaurimet, sfida mbetet për banesat e kategorive të tjera, por jo vetëm.
Berati ka ansambël banesash të vjetra dhe në lagjet jo muze si në atë “Dëshmorët e Kombit”, “Çlirim” etj.
Në këto lagje jo muze, në rrugët dytësore me kalldrëm, ndihet nevoja për specialist.
“Na ka rënë muri rrethues i banesës gjatë shirave të dimrit, që në fund të janarit. Tani që u ngroh koha po kërkojmë murator, por nuk po gjejmë. Na ngeli muri ashtu”, thotë Myrvetja banore në lagjen “Çlirim” për Porta Vendore.
Sot, janë të paktë mjeshtrit e gurit në qytet dhe të gjithë janë në moshë të thyer, ndaj sfidë mbetet se çfarë do të ndodh nesër.
“Mjeshtrit e gurit janë mbi të 60-tat. Ata të vjetrit që i kanë dhënë jetën gurit, që njohin çdo cep e shtëpi të qytetit, sot i numëron me gishta, por nesër çfarë do të ndodh”, pyet me shqetësim Isai.
Ymer Kordha, ish mësues historie e studiues në Berat, kujton se sa të vjetra janë traditat në qytet. Ai sjellë shembullin e traditës së drurit, pasqyruar sot në qindra monumente kulture me një stil të adhurueshëm dhe teknikë mjaft të lartë pune.
“Punimet e drurit janë shumë të njohura në Berat, thuajse në çdo banesë të vjetër. Mjeshtrat më të mirë i përkasin viteve 1700-1800”, thotë Kodha për Porta Vendore.
Sipas tij edhe sot në Berat janë shumë të kërkuar mjeshtrit e atyre viteve, pasi edhe ata pak specialist që janë nuk janë në nivelin e mjeshtreve të vjetër, por bëjnë përpjekje pozitive.
Kordha shikon si zgjidhje të problemit hapjen e degëve pranë shkollës profesionale.
“Mendoj që ky profesion të jetë i suksesshëm duhet të hapet pranë shkollës artistike, profili i punës me dru. Megjithëse shumë të rinjë po largohen, mendojë se mund të funksionoj me grupe të caktuar”, thotë ai.
Mjeshtëria e drurit për faktin se është punë më e lehtë fizikisht krahasuar me atë të gurit, duket se ka tërhequr disi vëmendjen ndaj të rinjve.
“Puna me gurin nuk është e lehtë, ndaj dhe ata që e mësojnë e braktisin shpejtë. Ato të drurit që janë disi më të lehta dhe pse dhe ato kanë teknikat e tyre”, thotë usta Isai, siç e njohin të gjithë.
Edhe për mjeshtërinë e drurit studiuesi Kordha, thotë se do të jetë shumë e vështirë të arrijmë tek mjeshtrit e vjetër, nëse nuk hapen kurse të reja.
“Punuesit e drurit në gdhendje për punimin e tavaneve, dollapeve të mureve, mafilit dhe zbukurimeve të tjera, janë të paarritshme në ditët tona”, shprehet ai.
Me vlera të papërsëritshme në objekte muzeale, kulti, Beratit ka nevojë për një shkollë të vërtetë të mjeshtërive, sa janë ende gjallë mjeshtrit e mbetur.
“Në ish Ndërmarrjen e Ndërtimit, apo Ndërmarrjen e Prodhimit Artizanal mësoje nga supermjeshtrit e artizanatit në qytet. Veç nxënësve që dilnin nga shkolla Profesionale e Ndërtimit dhe punonjësit e këtyre ndërmarrjeve që mësonin në to, kishte një numër të madh specialistësh nga të cilët sot kanë mbetur shumë pak”, shton Avduli.
E ndërsa mjeshtrit i numëron me gishta, nevojat për ta janë të mëdha, profesionet që ata ushtrojnë nesër do të jenë krejtësisht në mungesë.
Berati ka dhe 80.649 metra katrorë rrugë të kalldrëmta, që gjenden thuajse në të gjitha lagjet e tij, të cilat kanë nevojë herë pas here për mirëmbajtje.
Në lidhje me mbështetjen e artizanatit në Berat burime nga Bashkia e Beratit bën me dije se me anë të donatorëve gjatë vitit 2022 janë mbështetur financiarisht dy punishte guri, për përgatitjen e të rinjve.
Por, për usta Isain shqetësim është fakti se dhe kur pwrgatiten të rinjtë largohen sepse nuk inkurajohen dhe paga përballë punës fizike të rëndë nuk është e duhura.
“Në punishtet e gurit dekorativ janë pwrgatitur 7-8 të rinj. Janë shumë pak në krahasim me nevojat, por dhe ata kam frikë se do të largohen ashtu siç ka ndodhur me të rinjtë që ne kemi pwrgatitur më parë”, përfundon ai.