Ngjarje/Personazhe

Premtimet për tkurrjen e lejeve të ndërtimit, u harruan, INSTAT zbulon 16,4 % më shumë leje se një vit më parë

20 mars 2023/A. Pali/Porta Vendore/ Tiranë

INSTAT tregon se tremujorin e katërt të 2022-it, u dhanë 16.4% më shumë leje ndërtimi se në të njëjtën periudhë vitin e kaluar. Bashkitë që dhanë më shumë leje ndërtimi janë Tirana, me 68% të totalit të lejeve që jepen në të gjithë vendin, duke u pasuar nga Durrrësi, Vlora, e Korça.

Nga lejet e dhëna 82% e tyre janë për banim, ndërsa pjesa tjetër për hotele, ndërtesa tregtare ose industriale. Edhe pse janë dhënë më shumë leje, sipërfaqja e ndërtimit është  rreth 9% më e ulët se vitin e kaluar.

Tirana vijon të zërë vendin e parë për sipërfaqe ku janë dhënë 1.8 milion metra katrorë sipërfaqe ndërtimi. Në krahasim me një vit më parë, ky tregues u rrit me rreth 10%, ndërsa ka shënuar nivelin më të lartë historik, të paktën që nga viti 2005.

Gjatë gjithë vitit 2022 ishin 1.7% më shumë leje ndërtimi të dhëna, ndërsa sipërfaqja 15% më shumë se një vit më parë. Ndërtimi dha një kontribut me 11.4% në rritjen ekonomike të vendit 9 mujorin e 2022, ndërsa aktivitetet e pasurive të paluajtshme me 13,3%, duke u kthyer në lokomotivë, përpara industrisë.

Sa i përket bashkive në vitin 2021, të ardhurat nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme dhe transaksionet e kryera me to ishin rreth 6.1 miliardë lekë, në rritje me rreth 20% në terma vjetorë, përfaqësuan rreth 34% të të ardhurave nga taksat vendore dhe rreth 21% ndaj të ardhurave nga burimet e veta vendore.

Në ndarjen sipas bashkive, rreth 46% e të ardhurave nga taksa për pasuritë e paluajtshme mblidhet në bashkinë Tiranë, Bashkia Durrës renditet e dyta për nga pesha me rreth 7% ndaj totalit për vitin 2021, ndjekur nga bashkitë Fier, Elbasan dhe Vlorë.

Qytetarët ankohen për hapësirat e pakta publike

Shumë nga qytetarët e kryeqytetit e pëlqejnë ndryshimin që po ndodhin në Tiranë, e sidomos ato të 5 viteve të fundit, por mes tyre ka edhe skeptik mbi planin e urbanizimit dhe sidomos të ndërtimeve vend e pavend siç i quajnë ata.

Do të doja si banor autokton ta shihja kryeqytetin me më shumë hapësira të gjelbërta, dhe më me pak qiellgërvishtës e pallate që janë bërë ngjitur me njeri tjetrin e që po na marrin frymën. Modernizimi jo gjithnjë është i bukur dhe efekt pasi ka edhe kosto, dhe mesa duket kostot po i paguajnë ne por do ti paguajnë edhe brezat në vijim”, tha një banor i rrugës së Elbasanit, në kushtet e anonimatit.

“Shifrat e INSTAT na bëjnë pesimist, pasi në krye të herës u tha që do të ishin dorështrënguar me lejet e ndërtimit, por në fakt nuk ndodhi kështu. Më vjen keq që kjo po ndodh jo vetëm në zona periferike, por edhe në zemër të Tiranës”, tha Shaqja, e cila tregoi se ishte me profesor teknike ndërtimi por tanimë ka dalë në pension prej vitesh.

Ndërsa qytetarët e Vlorës i thanë Portës Vendore se në shumë zona po ndërtohej pa kriter, duke cenuar hapësirat e gjelbërta të dikurshme.

“Viteve të fundit po ndërtohet anembanë dhe s’më duket normale, se edhe ato dy metra lulishte që mund të kishim na i kanë hequr. Po na merret fryma nga ndërtimet, më duket sikur është ende një efekt tranzitor ndërtime pa hesap në Vlorë. S’ka asnjë kriter përcaktues, nuk e di por jam shumë e zhgënjyer”, tha Aida. Ndonëse për Janin i cili është taksixhi në qytetin bregdetar, Vlora ka ecur shumë në turizëm duke pasur mundësi akomodimi, sërish mendon se çështja e ndërtimit duhet të ishte më e mirëmenduar, kjo pasi ka shumë stoqe ende.

Tregu është i mbingopur dhe s’më duket fortë e mirë që ndërkohë që ka ende stoqe të ndërtohet pa fund, pasi kaq i bie janë kërkesat për çfarë po mbingarkohemi me ndërtime. Fajin e ka edhe bashkia që ka premtuar se do të kishte një sitë më të mirë mbi kualifikimin e lejeve dhe projekteve të caktuara, gjë që s’ka ndodhur”, tha ai.

Sikurse është deklaruar më shumë se 1 herë nga Kryebashkiaku Veliaj, Tirana thjesht po i përgjigjet kërkesës për më shumë pallate të reja, për shkak të densitetit të lartë të popullsisë që ka tanimë kryeqyteti, duke vijuar ndërtimi dhe zgjerimi i saj në shumë zona.

Ekspertët: Shtimi i lejeve të ndërtimit lidhet me fushatën elektorale

Ekspërtët e lidhin të gjithë këtë shtim të lejeve të ndërtimit e sidomos në qytetet kryesore me vitin elektoral të zgjedhjeve vendore.

“Nëse do të jemi një vend që ndjek rregulla dhe parime, përgjigje do të ishte e thjeshtë: jepen shumë leje ndërtimi pasi  kemi rritja të popullsi, ka rritja interesi për akomodim më të mirë, kemi rritje të numrit të familjeve, etj. Por problemi qëndron se ndërtimet nuk i përgjigjen këtyre rregulla dhe parimeve që përmenda. Pse? Sepse të dhënat tregojnë që popullsia në këto bashki dhe tërë Shqipërinë la një rrudhje të frikshme. Mjafton ky fakt për të kuptuar që edhe numri i familjeve është në rënie. Shumë të ri dhe të reja po largohen nga vendi- kjo do thotë që  ato ndërtojnë jetën e tyre diku tjetër, pra e ulin presionin për ndërtime. Por sërish ndërtohet? Kjo duhet parë në aspekte të tjera që lidhen me burimet dhe mjetet financiare që qarkullojnë, investitorët dhe fuqi vlerësimi apo konservimi.

Edhe pse trendi ka qenë rritës çdo vit, përsëri mendoj që në vitin para dhe zgjedhor kjo rritje përshpejtohet dhe stimulohet. Kjo ndodh për dy arsye ndër të tjera: BASHKIA mbush Arkën, investitori mbush arkën e vete.”, tha Agron Haxhimali, ekspert i pushtetit vendor. Sa i takon premtimeve të kryebashkiakëve që do të rrudhen lejen e ndërtimit, Haxhimali argumentoi për Portën Vendore se

 dinamika e zhvillimit mbi ndërtimin për strehim, ka fshirë premtimet për qytetet të mirëjetueshme, me hapësira e me norma ndërtimi dhe urbanizimi si dhe zhvillimin e qëndrueshëm në përputhje me objektivat e mijëvjeçarit.

“Premtimet më shumë se politike janë çështje që ndikojnë në jetën e qytetarëve jo vetëm për sot por për të ardhmen e brezave. Nëse e shikojmë thjesht si premtim të një apo dy mandate bashkie, atëherë qytetaret janë ato që duhet ti thërrasin memories. Pasi çështje të tilla janë para së gjithash çështje të vizionit për qytetin, çështje të përshtatshmërisë me kontekstin dhe kulturën e qytetit.

Çfarë dhe si e duan qytetarët qytetin e tyre: vertikal apo horizontal”, tha eksperti.

Ndërkohë që agjentët imobiliar flasin për një rritje të konsiderueshme të çmimeve të apartamenteve në kryeqytet në raport me të ardhurat mujore të shumicës prej familjeve shqiptare.

“Aktualisht mund të themi që është rritur çmimi i apartamenteve në raport me të ardhurat mujore që kanë pjesa më e madhe e Shqiptarëve. Mund të themi që tregu është në favor të shitësve, jo blerësve. Çmimi për m2 është rritur në çdo zonë të Tiranës pasi ecën paralel rritja. Por mund të specifikojmë zonat më të preferuara të Tiranës që janë ish- Blloku, Pazari i ri, Rruga Kavajës  dhe Komuna e Parisit ku çmimet variojnë nga 1500-3500€ m2. Aktualisht nuk besoj se kemi stok se duke qenë se është rritur dhe vlera e qirasë, blerësit mendojnë që më mirë të blejnë pronën e tyre me kredi se të paguajnë një qira mujore dhe në fund të mbeten pa shtëpi. Mendoj që nuk do kemi rënie çmimesh për momentin edhe pse numri i pallateve që ndërtohen rritet çdo ditë”, tha Diana Syla agjente imobiliare.

Ajo shtoi gjithashtu se shumica e çifteve të reja ose familjeve që blejnë një apartament i drejton ende pallateve të vjetra për shkak të buxhetit të tyre.

“Klientët më së shumti preferojnë apartamente në pallate të reja për shkak të faciliteteve që të ofrojnë si ashensor , administrim, cilësi më e mirë punimesh. Në pallate të vjetra detyrohen të blejnë ato blerës që nuk kanë buxhetin e duhur për të blerë në një pallat të ri duke qenë se pallatet e vjetra kanë çmim më të ulët”, përfundon Syla.