Ngjarje/Personazhe

Investimet në infrastrukturat shkollore të pakta, Shkodra probleme me tenderat reflag

12 mars 2023/Xhesian Shazimani/Porta Vendore/Shkodër

Porta Vendore ka kryer një vëzhgim në Bashkinë e Shkodrës sa i përket investimeve që janë bërë në sektorin e arsimit për katër vitet e fundit. Nga vëzhgimi, rezulton se Bashkia Shkodër në 4 vitet e fundit ka zhvilluar 20 procedura prokurimi për infrastrukturën arsimore dhe vlera totale e shpenzuar është  138 474 694 lekë, ose rreth 1.1 milionë euro. Nga 27 procedura, 6 prej tyre hyjnë në kategorinë “RedFlag” (flamur i kuq), sipas udhërrëfyesit të BE-së mbi Mashtrimet me Prokurimet Publike, për shkak të informacioneve që sjellin dyshime për realizimin e tyre. Nga 27 prokurime, 12 tendera janë bërë për rikonstruksione të objekteve arsimore me një fond limit prej 95,214,275 lekë.

Sipas openprocurement.al Bashkia Shkodër ka rikonstruktuar shkollën “Jordan Misja”.  Tenderi për këtë shkollë është hapur në datën 27 gusht 2019 dhe për të është shpenzuar 28 331 597 lekë. Në këtë tender kanë marrë pjesë 15 kompani, ku 6 ofertat më të mira janë skualifikuar nga tenderi, ndërsa fituese është shpallur kompania “Kevin Construksion” e cila kishte ofruar 26 milionë lekë më shumë se oferta më e ulët. Ndërsa kompania fituese kishte kërkuar sa 77% të vlerës së tendeit për të kryer punën.

Për rikonstruksionin e shkollës “Jordan Misja”, ka pasur edhe një fazë të dytë të punimeve. Në fazën e dytë tenderi ka fondin limit prej 14 249 996 lekë. Në të kanë marrë pjesë 2 operatorë, ku kompania që kishte ofertën më të mirë është skualifikuar nga gara dhe fituese është shpallur bashkimi i operatorëve “BLINISHTA”sh.p.k dhe “NDERTUESI 2014 ”sh.p.k, e cila kishte ofruar 3 451 106 lekë më shumë se oferta me e ulët. Ndërkohë kompania fituese ka kërkuar sa 98% të fondit limit për të kryer punën. Ky tender është futur në katëgorinë e flamurit të kuq me arsyetimin e skualifikimit të operatorëve konkurrues përveç fituesit.

Janë rikonstruktuar fasadat e shkollës “Seit Tagani” në fshatin Trush. Ky tender është hapur në 3 gusht 2020 me fond limit prej  2 006 983 lekë. Në këtë prokurim kanë marrë pjesë 3 kompani, ndërsa fituese është shpallur kompania “Martini Konstruksion dhe Real Estate”, e cila kishte ofruar sa 74% të vlerës së tenderit.

Është rikonstruktuar tarraca e shkollës “Mehmet Shpendi” dhe vlera e saj 3 597 047 lekë. Në këtë tender kanë marrë pjesë 5 kompani, ku dy kompani që kishin paraqitur ofertën më të ulët janë skualifikuar ndërsa fituese është shpallur bashkimi i operatorëve ”Blinishta”sh.p.k. dhe “Ndërtuesi 2014“ shpk edhe pse ishte oferta e tretë më e mirë. Tenderi është shënuar me “RedFlag” (flamur i kuq), me arsyen e skualifikimit të të gjithë operatorëve konkurrues përveç fituesit. Gjithashtu kompania ka kërkuar sa 77.7% të fondit limit të tenderit.

Rikonstruksion i pjesshmë është bërë edhe në kopshtin “Haxhi Hajdari”, Golem. Në këtë tender, Bashkia Shkodër ka shpenzuar 2 446 982 lekë, ndërsa kanë marë pjesë 7 kompani. Fituese është shpallur subjekti “Kadia shpk”, me ofertën prej 1 913 616 lekë, që i bie sa 78% të vlerës së tenderit.

Gjithashtu është rikonstruktuar objekti i ish-shkollës Veterinare e cila në total ka kushtuar 11 739 787 lekë. Për këtë shkollë janë zhvilluar tre tendera. Njëri është për projektimin e rikonstruksionit të shkollës me vlerë 791 666 lekë. Në këtë tender kanë marrë pjesë dy kompani, ku kompania që kishte ofrur më pak është skualifikuar nga gara dhe fituese është shpallur bashkimi i operatorëve “InfraKonsult”sh.p.k & dhe “HMK-Consulting” sh.p.k. Ky tender është shënuar me flamur të kuq me arsyetimin e skualifikimit të të gjithë operatorëve ekonomik përveç fituesit. Tenderi i dytë është për rikonstruksionin e këtij objekti dhe fondi limit i tij është 10 990 639 lekë. Në këtë prokurim kanë paraqitur oferta 12 kompani, ndërsa fituese është shpallur kompania “Curri” sh.p.k, e cila kishte ofruar 8 380 578 lekë, ose sa 76% të vlerës së tenderit. Dhe prokurimi i fundit për këtë objekt është pas përfundimit të punimeve, për kolaudimin e punimeve të rikonstruksionit të ish-shkollës Veterinare me vlerë 39 615 lekë, ku fituese është shpallur kompania “Novatech Studio”.

Ndërhyrje është bërë edhe në shkollën “Mehmet Shpendi” në njësinë administrative Shalë, ku është rikonstruktuar tarraca e kësaj shkolle. Fondi limit në këtë prokurim është 3 598 333 lekë, ndërsa 6 kompani kanë marrë pjesë, ndërsa fituese është shpallur “Martini Konstruksion dhe Real Estate” sh.p.k. Oferta e paraqitur nga kompania fituese është 2 687 337 lekë, ose sa 74.6% të vlerës së tenderit.

Bashkia Shkodër gjithashtu ka ndërhyrë edhe në shkollën “Branko Kadia”, ku ka rikonstruktuar tualetet e kësaj shkolle. Tenderi është hapur më 30 shtator 2022 dhe fondi limit ka qenë 2 235 679 lekë. Në këtë prokurim kanë marë pjesë 2 kompani, ndërsa fituese është shpallur “K.M. KONSTRUKSION”sh.p.k me ofertën e paraqitur prej 2 010 675 lekë, ose sa 89.9% të vlërës së tenderit.

Tender është hapur edhe për ndërtimin e fushave të sportit në shkollën 9-vjeçare “Gjergj Vat Martini”, në njësinë administrative Velipojë. Tenderi është hpur në 12 qershor 2020 dhe fondi limit i tij është 6 321 624 lekë. Në këtë tender kanë marrë pjesë 9 kompani, ndërsa fituese është shpallur “Rroku GUEST” me ofertën e paraqitur prej 4 467 406 lekë, ose sa 70.6% të vlerës së tenderit.

Sa i përktë kopshteve, Bashkia Shkodër ka ndërhyrë në dy prej tyre. Ndërhyrje ka pasur në kopshtin “Ton Alimhilli”, ku janë rikonstruktuar tualetet e këtij kopshti. Tenderi është hapur në 31 gusht 2022 me fond limit prej 1 545 653 lekë. Në këtë prokurim kanë marrë pjesë 2 operatorë, ku kompania me ofertën më të ulët është skualifikuar nga gara dhe fituese është shpallur “MARTINI CONSTRUKSION dhe REAL ESTATE”shpk. Kompania fituese ka kërkuar 1 540 000 lekë për të kryer punën, që i bie sa 99.6% të vlerës së tenderit. Ndërkoh ktenderi është futur në kategorinë e flamuit të kuq me arsyetimin e skualifikimit të të gjithë operatorëve konkurrues, përveç fituesit.

Është rikonstruktuar pjesërisht edhe kopshti “Bep Tusha”. Për rikonstruksionin e tij është shpenzuar 1 614 136 lekë, ndërsa në tender ka marrë pjesë vetëm një kompani e cila është shpallur dhe fituese pa garë. Kompania fituese është ”Delia Impex”shpk me ofertën e araqitur prej 1 603 602 lekë, ose sa 99.3% të vlerës së tenderit. Edhe ky tender është shënuar me flamur të kuq me arsyetimin e mungesës së konkurrencës.

Ndërsa në tre shkolla të tjera, Bashkia Shkodër ka hapur tendera për instalimin e kaldajave për ngrohje dhe në të tre tenderët fituese është shpallur e njëjta kompani. Në shkollën “Ismail Qemali”, tenderi për instalimin e ngrohjes ka pasur fondin limit prej 7 164 873 lekë dhe në të kanë marrë pjesë dy kompani. Fituese është shpallur subjekti “ERXHEN“sh.p.k, me ofertën e paraqitur prej 6 976 505, ose sa 97% të vlerës së tenderit.

Në shkollën “Arif Selimi” në Vukatanë të Gurt të Zi, tenderi për instalimin e ngrohjes në shkolla kishte vlerën prej  2 998 715 lekë. Edhe në këtë tender kanë marrë pjesë 2 kompani dhe fituese është shpallur sërish kompania “ERXHEN“sh.p.k, me ofertën e paraqitur prej 2 839 750 lekë, ose sa 94.6% të vlerës së tenderit.

Tenderi tjetër për instalimin e kaldajave për ngrohje është për shkollën “Martin Camaj”, i cili ka fondin limit prej 4 999 943 lekë. Edhe në këtë tender kanë marrë pjesë 2 kompani, dhe fituese është shpallur sërish subjekti “ERXHEN“sh.p.k, me ofertën e paraqitur kësaj radhe prej 4 823 260 lekë, ose sa 96.4% të vlerës së tenderit.

Ndërsa 6 tendera të tjerë janë bërë nga kjo bashki për mirëmbajtjen e objekteve arsimore dhe blerjen e materialeve pë çerdhet dhe kopshtet, me fond limit prej  25 053 682 lekë. Një nga 6 tenderët futet në kategorinë “RedFlag” (flamur i kuq), pasi janë skualifikuar të gjithë operatoët konkurrues përveç fituesit.