Ngjarje/Personazhe

Magazinat dhe fabrikat e braktisura në Elbasan, të kthyera në burim infeksioni dhe hot spote droge

6 mars 2023/ Ina Allkanjari / Dallandyshe Xhaferri/Porta Vendore/Elbasan

Magazinat dhe fabrikat e ndërtuara gjatë periudhës së monizmit në lagjen e njohur si “Stacioni i Trenit” në Elbasan janë kthyer në pika ku shpërndahen dhe konsumohen lëndët narkotike. “F*ck rojet” dhe simboli i një lagjeje problematike turke, ku kryhen veprimtari të jashtëligjshme, kanë zënë vendin e mbishkrimeve të propagandës së dikurshme.

Vëzhgimet në terren e realizuara nga “Porta Vendore” gjatë vitit 2022 dhe gjatë këtij viti 2023, tregojnë se brenda njërës prej magazinave gjenden shenja të drogave të rënda, pasi janë lehtësisht të dallueshme mbetje dhe shiringa të shumta. Ky fakt është pohuar dhe nga banorët e zonës të cilët kanë bërë të ditur se edhe pse nuk kanë munguar kontrollet e policisë në atë zonë, asnjëherë nuk është marrë masë konkrete për largimin përfundimtar të shpërndarësve dhe përdoruesve të lëndëve narkotike në atë pikë.

“Kur vjen policia ata dalin nga ana tjetër e magazinës. Kastile e kanë çarë murin edhe nga kjo anë (tregon pjesën e pasme të godinës) që të kenë ku t’ia mbathin kur dëgjojnë policinë”, tregon me kushtin e anonimatit një i moshuar, banor i zonës.

Gjatë mbledhjes së Këshillit Vendor për Sigurinë Publike të mbajtur në muajin shkurt të vitit 2022 Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledis Llatja u ndal tek pikat e qytetit të cilat janë kthyer në “hospot-e” të drogërave të ndryshme, mes tyre dhe magazinat tek lagjja e “Stacionit të Trenit”.

“Ajo që është më e rëndësishme është evidentimi dhe marrja e masave të përhershme tonat si komunitet me faktorët. Nuk mundet që ne thjesht… komuniteti, shoqëria civile, bashkia, strukturat tona komunitare, të rrinë e të shohin dhe të presin që strukturat policore apo strukturat përkatëse ligjzbatuese të marrin masa dhe ne të rrimë indiferent ndaj këtyre fenomeneve”, u shpreh Llatja në muajin shkurt.

Bashkia Elbasan nuk plotëson kushtet për përmirësimin e gjendjes

Porta Vendori iu drejtua Bashkisë së Elbasanit nëpërmjet një kërkese për informacion, për të mësuar më shumë rreth masave të marra nga ky institucion për të përmirësuar situatën në fjalë, si dhe nëse është ndërmarrë ndonjë plan i cili do t’i kthejë këto magazina në funksionale.

Bashkia Elbasan si Organ i Vetëqeverisjes Vendore është një ndër Bashkitë e para që ka ngritur Këshillin Vendor të Sigurisë Publike, mekanizëm konsultativ gjithëpërfshirës, ndër-institucional. Synimi ynë, ka qenë dhe mbetet mirëkoordinimi me të gjithë aktorët lokal në identifikimin, vlerësimin, zbatimin dhe monitorimin e politikave që ndikojnë te siguria publike, në të gjithë territorin tonë administrative”, thuhet në përgjigjen zyrtare të këtij institucioni për “Portën Vendore” duke shtuar më pas se “magazinat nuk janë pronë e Bashkisë Elbasan, por janë në pronësi të Drejtorisë së Hekurudhës”.

Në përgjigje Bashkia ka listuar disa nga masat, të cilat sipas këtij institucioni janë ndërmarrë për t’i dhënë zgjidhje situatës.

“Për t’i dhënë zgjidhje situatës kemi realizuar disa ndërhyrje që kanë konsistuar në:

-Përmirësim të ndriçimit të zonës, duke ndërhyrë për mirëmbajtjen e sistemit elektrik

-Pastrimin nga mbetjet urbane

-Ndërgjegjësimin e ndërlidhësave komunitar të zonës për të mbajtur kontakte të vazhdueshme me komunitetin e zonws”, mbyllet përgjigja e këtij institucioni, i cili vendos në dispozicion edhe disa fotografi ku shihet Kryebashkiaku me punonjës të Bashkisë Elbasan duke pastruar mjedisin përreth magazinave.

Screenshot përgjigja e Bashkisë Elbasan për Portën Vendore

Nga vëzhgimet e kryera në terren nga “Porta Vendore” në janar të 2023-shit rezulton se këto magazina ende rrethohen nga ferra të shumta dhe plehra, ndërkohë që banorët ankohen se numri i koshave në këtë lagje nuk është i mjaftueshëm, duke numëruar vetëm dy të tillë. Gjithashtu, gjatë natës pranë kësaj lagjeje ndriçimi nuk është i mjaftueshëm.

Fëmijët luajnë mes plehrave dhe pikave ku konsumohen lëndë narkotike

Vetëm pak metra larg këtyre fabrikave ndodhen banesa private, në të cilat jetojnë qytetarë të Elbasanit dhe shprehen tejet të shqetësuar për sigurinë e tyre dhe të fëmijëve.

Kanë disa muaj që vijnë vetëm hera-herës, por më përpara rrinin grupe-grupe. Vinin një grup çunash, merrnin e pinin drogë dhe pastaj largoheshin. Pas atyre vinin të tjerë. Nuk është se ka qenë zonë e vetëm një grupi dhe nuk hyje dot, por ishte frikë sidomos pasditeve. Aty, përballë magazinës luanin fëmijët, kurse aty brenda pihej dhe pihet drogë akoma”, tregon Miranda, banore e zonës e cila shprehet e shqetësuar për sigurinë e fëmijëve.

“Tani nuk i lëmë fëmijët të luajnë nga ajo anë e Rrugës së Trenit, por as nuk i kontrollon dot çdo orë të ditës. Por prapë, aty dhe po s’pati më të droguar ka shiringa, ka pisllëk, plehra ngado. Ky t’i lësh fëmijët aty? Por prapë aty ikin se s’kanë ku të luajnë s’kanë faj”,përfundon ajo, ndërkohë që një tjetër banore ka folur për “Portën Vendore” me kushtin e anonimatit.

“Policia ka ardh disa herë aty, te magazinat, dhe tani sikur janë rralluar, por nuk është se banorët janë më të qetë. Magazinës nuk i është vendosur një derë, madje vetëm një herë që ia bllokuan hyrjen këta të policisë, prapë e shembën dhe prapë filluan të pinin drogë po tek ajo magazine. Kështu ndodh dhe me magazinat e tjera, shiringa sheh kur kalon rrugës, por tek kjo ndodh brenda dhe nuk i sheh njeri aty. Mblidhen në grup. Nuk është se kanë shkaktuar ndonjë problem, por prapë është frikë. Një ditë njeri po rrinte te ajo si tip dere dhe po i dilte shkumë nga goja. Ne nuk e morëm ne telefon urgjencën, s’kemi pse të ngatërrohemi me ata. As nuk i njohim, as nuk na njohin. Erdhën dhe e morën shokët e vetë”,- ka thënë ajo.

“Porta Vendore” i dërgoi një kërkesë për informacion Drejtorisë Vendore të Policisë së Elbasanit përsa i përket masave të marra prej saj për të parandaluara shpërndarjen e lëndëve narkotike në këtë zonë të banuar.

“Strukturat e DVP Elbasan e kanë një ndër prioritetet e saj goditjen e veprimtarisë kriminale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve. Në këtë kuadër, duke u mbështetur edhe nga inteligjenca informative, shërbimet e Policisë kanë kryer vazhdimisht kontrolle në të gjithë qarkun, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e kësaj veprimtarie kriminale”,thuhet në përgjigjen zyrtare të këtij institucioni, ku theksohet se shërbime vëzhguese në terren janë kryer edhe në këtë zonë të qytetit të Elbasanit.  

“Nuk mund të themi që situata nuk ka ndryshuar. Kohët e fundit nuk ka patur më ankesa nga banorët e zonës dhe rastet e konstatuara nga Policia, kanë qenë të pakta”,- thuhet më tej duke shtuar se gjatë periudhës 2020-qershor 2022 vetëm në lagjen e njohur si “Stacioni i Trenit” janë “evidentuar dhe goditur 12 raste të veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve”.

“Për këto raste janë arrestuar 14 shtetas dhe proceduar penalisht në gjendje të lirë 10 të tjerë, të moshave 25-45 vjeç”,- thuhet më tej, duke shtuar,- “Theksojmë faktin se nisur nga analizat e riskut, që zhvillon vazhdimisht Policia, dhe informacionet e marra nga institucionet e tjera, situata ka ndryshuar, falë goditjeve të njëpasnjëshme të realizuara nga Policia, gjatë këtij viti”,-  thuhet në përgjigje duke theksuar se nuk kanë munguar as bashkëbisedimet e kryera nga Policia e Shtetit me nxënësit e shkollave 9-vjeçare të qarkut të Elbasanit “për pasojat që sjellin konsumimi i lëndëve narkotike dhe përfshirja në veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve”.

Përdorimi i lëndëve narkotike, pasojat në shëndet

Mjekja toksikologe addiktologe, Suela Xhufi thotë për “Portën Vendore” se përdorimi i drogës është një nga problemet që po haset gjithnjë e më shpesh tek të rinjtë e vendit tonë.

“Drogat më të përdorura janë alkooli, nikotina ose  duhani, marjuana, kokaina, heroina , methamfetamina etj. Efektet që ato shkaktojnë janë akute dhe kronike. Në ato akute futen efektet ne zemër , mushkëri , tru , duke shkaktuar infarkte ose tension të lartë, temperaturë të lartë, në rastet e overdozave dhe ulje të respiracionit (frymëmarrjes) , konvulsione, komë, gjendje ankthi, paniku, halucinacione, depresion, deluzione”, thotë ajo duke numëruar pasojat e përdorimit të lëndëve narkotike në organizëm.

“Në lidhje me shiringat e hedhura në rrugë unë do të thoja se dëmtimi që ato shkaktojnë është si çdo plastikë e lënë në tokë, ndërsa nga ana tjetër mundësia e infektimit me sëmundje si HIV, HBV, HCV është e lartë sepse në gjak të tharë hepatitet jetojnë 7 dite ndërsa HIV shkatërrohet”,- përfundon ajo.