20 shkurt 2023/Marinela Dushi/Porta Vendore/Kavajë
Rindërtimi në Kavajë ka ecur deri diku, duke strehuar në lagjen e re një pjesë të banorëve që u dëmtuan nga tërmeti. Por edhe këta që kanë hyrë në apartamentet e reja, kanë pakënaqësi. Porta Vendori intervistoi disa banorë në Kavajë të cilët kishin pritur pothuajse 3 vjet për të hyrë në shtëpitë e tyre. Ata shprehin shqetësim faktin se lagjja e re është larg qendrës dhe shërbimet kryesore i kanë larg. Ndërsa një tjetër problem për ta është edhe mosdhënia e tapisë së shtëpisë së re.
Pallati i ndërtuar për të strehuar banorët që humbën shtëpitë nga tërmeti tragjik
Rexhep Mullaliu akuzon bashkinë për abuzime në lidhje me procesin e rindërtimit. Ai thotë për Porta Vendore se pallati ku ai jetonte pranë stacionit të trenit, nuk ishte dëmtuar por e shembën pasi sipas tij qeveria kërkon tokë të lirë dhe atje trualli ka vlerë më të madhe se këtu. Ai thotë gjithashtu se më fondet e rindërtimit janë bërë më shumë apartamente se shtëpitë e banorëve të cilët u dëmtuan realisht nga tërmeti, për ti shitur dhe përfituar vet institucionet shtetërore.
“Unë shtëpinë time e kam patur në pallat, atje tek stacioni i trenit. Atje ishin 4-5 pallate. Tërmeti dëmtoi disa prej tyre, por pallati im nuk ishte dëmtuar aq sa për tu shembur. Por ata i fshinë të gjitha, i shembën. Unë e kam kundërshtuar disa herë që mos ta shembnin pallatin ku jetoja,, por nuk u mor parasysh nga institucioni lokal. E shembën sepse qeverisë i intereson të ketë toka të lirë, dhe atje trualli është në qendër që ka shumë vlerë. Këtu janë më shumë apartamente sesa numri i banorëve të dëmtuar nga tërmeti. Më fondet e rindërtimit ndërtuan më shumë seç duhej dhe i shesin pastaj pjesën tjetër”, tha Mullaliu.
Pas disa vitesh në pritje e duke jetuar në banesa me qira, tashmë Mullali ka marrë shtëpinë e tij në kuadër të procesit të rindërtimit. Por ai sërish nuk është i kënaqur, pasi lagja e re ku qeveria ka ndërtuar pallatet e reja për banorët e dëmtuar nga tërmeti, është në periferi të qytetit.
Lagjja e re e pallateve të rindërtuara në Kavajë
“Si shtëpi nuk jemi keq, si largësi na kane çuar larg. Nga stacioni i trenit na çuan në periferi fare duke na i humbur vlerën pronës. Këtu duhet të paktën gjysmç ore për të shkuar në qendër, problem është se duhet të shkosh për të marrë pensionin”, argumenton ai për Portën Vendore.
Rexhep Mullaliu pretendon se ka marrë më pak seç i takon. Sipas tij duhej të merrte dy apartamente por i dhanë vetëm një. “Mua më takojnë dy hyrje, paraqiti problemin e tapisë së gocës, me kredi goca, por ishte ne emrin tone gjoja, dhe nuk përfiton, dhe thanë që nëse do marrësh dy hyrje, le të rrijë goca pa shtëpi. Dhe unë u detyrova mora dhomë e kuzhinë unë e dhomë e kuzhinë goca”, rrëfen ai.
Përveçse shtëpitë nuk ishin të mobiluara dhe ju desh ti blinte pak e nga pak orenditë shtëpiake, ai shpreh pakënaqësi dhe shqetësim lidhur me tapinë e banesës të cilën nuk e ka marrë ende.
“Nuk na kanë dhënë tapinë akoma, na kanë dhënë sigurie por jo letra. Por unë nuk e shes dot shtëpinë nëse do më duhet në këto kushte pa marrë atë copë letre ku të shkruhet e zeza mbi të bardhë”, tha Mullaliu.
Të njëjtin problem për mos dhënien e tapisë së shtëpisë, ka edhe një tjetër banor.
“Unë jam shumë i kënaqur me shtëpinë sepse tërmeti e shembi, nuk e shembi dikush, dhe qeveria na ka dhënë falas. E kam patur shtëpinë te stacioni i trenit, kat të dytë atje, kat të dytë këtu, me short, ndërsa hapësira është gati e njëjta. Kam hyrë në shtëpi që në mars. E kam mobiluar vet shtëpinë, ishte vetëm banjo me dushin dhe rubinetet e vendosura. Këtu është bërë lagje e re ndaj na duhet një administrator i ri”, tha Yzeiri.
Ndërsa një tjetër banor i cili kaloi me biçikletë pranë lagjes së re, tha se shtëpia e tij në fshatin Synej vijon të jetë e dëmtuar dhe nuk i kanë dhënë asnjë zgjidhje, duke shtuar edhe më shumë dyshimet se procesi i rindërtimit në fakt është fokusuar si fillim në qytete pastaj në fshatra.
“Unë nuk e kam shtëpinë këtu, por në Synej. Kam shtëpi private, w tërmeti ma shkatërroi në shkallën DS4. Unë prej 3 vitesh jetoj herë te shtëpia e gocës e herë të tjera në shtëpinë time të dëmtuar. Nuk më është dhënë asnjë ndihmë nga bashkia. Nuk e di kur do ma rregullojnë banesën. Janë edhe 4-5 banesa të tjera në fshatin tim që di unë që janë dëmtuar nga tërmeti dhe ende nuk janë rindërtuar”, tha banori i cili donte të mbetej anonim.
Por në lagjen e re takojmë edhe banorë të cilët shprehen shumë të kënaqur që më në fund kanë hyrë në shtëpitë e tyre duke mirëkuptuar vonesën e rindërtimit.
“Unë jam 16 vjeç, kam hyrë në banesën e re prej 6 muajsh. Jam i kënaqur. Shtëpia e re ka dy dhoma e kuzhinë. Është më e madhe se shtëpia që kishim, pasi në pallatin që jetoja i cili u prish nga tërmeti, kisha një dhomë e një kuzhinë. Pra morëm më shumë se kështu është ligji që e cakton hapësirën në bazë të numrit të anëtarëve të familjes. Jemi 4 veta.. Jemi stresuar pak që na u desh të prisnin gati 2 vite e gjysmë, por me shpresë te zoti e durim e morëm e tani jetojmë në shtëpinë e re. Kemi marr bonusin e qirasë nga bashkia çdo muaj dhe u ndërpre kur hymë në shtëpitë e reja”, rrëfeu për Portën Vendore Marko Rapushi i cili punon DJ.
Edhe Baftjar Allaj, 78 vjeç shprehet i kënaqur që ka hyrë në shtëpinë e re dy muaj përpara 3 vjetorit nga tragjedia e tërmetit.
Baftjar Allaj, banor i pallateve të rindërtuara nga tërmeti në Kavajë
“Shtëpia ime është dëmtuar nga tërmeti. Shtëpinë e kam patur një pallat, përballë fabrikës së qelqit. Kam marrë shtëpinë e re në pallatin e rindërtuar. Kam hyrë para 1 muaji, dy muaji. Kam pritur gati 3 vjet për të hyrë në shtëpinë e re, ku gjatë këtyre viteve kam jetuar me qira, e kam marrë bonusin nga bashkia. Jemi kënaqur me shtëpinë e re, pasi ishte kaq e vështirë që të rrinim në shtëpi të huaj me qira, por ça të bënim, nuk bëhen të gjitha gjërat njëherësh, bëhen avash avash”, tha Allaj.
Porta Vendoi i dërgoi kërkesë për informim dy herë Bashkisë Kavajë e cila deri në publikimin e shkrimit nuk ka kthyer përgjigje. Kërkesa për informim konsistonte në vënien në dijeni të ecurisë së procesit të rindërtimit, se sa banorë dhe shtëpia apo pallate janë rindërtuar deri në momente dhe sa të tjera janë ende ne proces apo për tu rikonstruktuar.