Ngjarje/Personazhe

Rindërtimi në Rrogozhinë, banorët e pakënaqur për cilësinë e punimeve.

11 shkurt 2023/Marinela Dushi/Porta Vendore/Rrogozhinë

Kanë kaluar 3 vjet dhe ende banorët e Rrogozhinës presin rindërtimin e banesave të tyre. Ndërsa për ata banorë të pakët që u është përfunduar banesa në kuadër të 3 vjetorit të tragjedisë, shprehen të pakënaqur nga punimet dhe shprehen të zhgënjyer. Sipas Bashkisë së Rrogozhinë, kanë përfunduar punimet për 102 banesa, ndërsa 206 familje kanë firmosur kontrata pranë institucionit për të tërhequr grantin e rindërtimit.  39 të tjerë janë në pritje kur do të vij fondi i ri për rindërtimin. Ndërkohë janë 248 familje që po trajtohen me bonusin e qirasë. Pra janë në pritje të rindërtimit dyfishi i  banesave që janë rindërtuar gjatë 3 viteve. Bashkia bën me dije se këta 248 familje do të marrin grantin dhe do ta ndërtojnë dhe  riparojnë  vetë banesat e tyre. 

Porta Vendore udhëtoi në Rrogozhinë ku pa nga afër si ka ecur procesi i rindërtimit. Edhe këtë vit Caush Mece, ishte ashtu sikurse 2 vite më parë i pastrehë, teksa vijon të jetojë në kushte ekstreme.

Caush Mece, prej 3 vitesh është i pastrehë, jeton në gërmadhat e shtëpisë së prishur nga tërmeti në Rrogozhinë

Caush Mece, prej 3 vitesh është i pastrehë, jeton në gërmadhat e shtëpisë së prishur nga tërmeti në Rrogozhinë

Përgjatë një viti nuk ka patur asnjë ndryshim apo masa nga bashkia për rindërtimin e banesës së tij. I lodhur teksa ka pritur 3 vite dhe ka kaluar 3 dimra të ftohtë në mbetjet e godinës së banesës së tij, e cila u shemb nga tërmeti në 2019, 70 vjeçari tregon me lot në sy se ndihet i pashpresë dhe i braktisur nga bashkia. Ai i frikësohet se nuk do të mundet të jetë më në një shtëpi si më parë, dhe të mbyllë sytë përgjithmonë në këtë ambient. 70 vjeçari prej 3 vitesh jeton në parabanjon e cila ka mbetur e pa rrënuar nga tërmeti. Në një hapësirë as 1 metër katrore, është vendosur një krevat, një tavolinë e vogël, dhe gjithë muret dhe jorgani mbi krevat janë plot më lagështirë.

“Bashkia më ka thënë që unë duhet të marrë inxhinier privat që të bëj projektin, por unë nuk kam lekë të paguaj 1 milion leke inxhinierin. Ndihem si njëri pa zot, pa kushte, nuk kam përkrahje, njëri që të më ndihmojë. Unë kërkoj nga bashkia që të vijë dhe të bëjë shtëpinë, vendin e ka gati. Nuk kam shpresa që bashkia do ma bëjë shtëpinë, ka kaluar 3 vjet. Këtu do jetoj derisa të vdes, dhe do u jap numrin fqinjëve dhe do lajmërojnë fëmijët kur të jem në gjendje të rëndë. Kam batanije, kam jorgan por nuk ka kush t’mi lajë, se Tavani kullon. I gjithë uji i reshjeve të shiut bie brenda, dhe rri me çadër në krevat sa të pushojnë. Nuk kam ujë të ngrohtë. Lahem me ujë të ftohtë, kam disa kazane me ujë që i mbush . Nuk kam ku të gatuaj, ha buke me djath, marr ndonjëherë një qumësht kur më shkon mendja të ha bukë me qumësht”, tregon Caushi.

Me në periferi të qytetit, në zonë kodrinore, përtej shinave të trenit, ndodheshin disa shtëpi një katëshe të cilat ishin rindërtuar.

Shtëpitë private të rindërtuara në një zonë periferike në Rrogozhinë

Shtëpitë private të rindërtuara në një zonë periferike në Rrogozhinë

Shtëpitë private të rindërtuara në një zonë periferike në Rrogozhinë

Shtëpitë private të rindërtuara në një zonë periferike në Rrogozhinë

Në pamje të jashtme, ato ishin tërësisht të evidentueshme, pasi nga struktura e banesave të rindërtuara, dukeshin të ngjashme. Këto banesa sapo ishin përfunduar, ishin bosh pa mobilie dhe banorët ende nuk kishin hyrë për të jetuar. Në këtë lagje ishin rindërtuar 3-4 banesa  ndërsa po kaq ishin ende në pritje për tu rindërtuar vetëm në këtë zonë. Me orientimin e një banori të lagjes, takohemi me Vjollca Deda. Ajo u shpreh e pakënaqur për cilësinë e punimeve. Ende pa hyrë në shtëpinë e rindërtuar, muret ishin të plasaritura.

Vjollca Deda, e pakënaqur nga rindërtimi i shtëpisë

Vjollca Deda, e pakënaqur nga rindërtimi i shtëpisë

Ajo tregon se punimet janë të dobëta, jo cilësore dhe në rast se bie sërish tërmet, banesa prapë do të shkatërrohet. Një tjetër problem është edhe që bashkia ende nuk u ka dhënë tapinë e shtëpisë, të cilën nuk mund ta shesë pa këtë dokumentacion.

“Shtëpia ime u dëmtua nga tërmeti, kemi pritur 3 vjet për rindërtimin e shtëpisë. Më në fund është rindërtuar, na kanë dorëzuar çelësat. Por jemi të pakënaqur, punimet janë shumë të dobëta. Muret në të gjitha dhomat kanë plasaritje. Në rast se bie sërish tërmeti, ne nuk kemi garanci, këto sërish do të  prishen me lëkundje e para. Muret kanë krisje, sepse janë themelet e dobëta. Shtëpia është rindërtuar në të njëjtin vend ku kisha shtëpinë e parë. Kemi jetuar prej 3 vitesh me qira, bonusin e kemi marrë 1 here në 3 muaj, me vonesa. Burrin e kam sëmurë, si do e sjell atë në shtëpi më këto mure të krisura. Nuk na i  kanë dhënë akoma tapinë e shtëpisë”, tregon për Porta Vendorë Vjollca Deda.

Ndërsa një tjetër banor të lagjes mbi hekurudhat, të cilin e gjejmë pranë banesës së tij duke u marrë me të mbjellat dhe pemët tregon se ka investuar edhe vetë në mënyrë që çatia të mos pikonte.

“Kam investuar disa milion lekë sepse çati nuk ishte bërë mirë dhe i gjithë uji që binte rridhte nga çatia e binte në dritare. Për këtë rregullova pjesën e çatisë, si dhe ngrita pjesën e betonit që mos të futet uji brenda në banesë, nëse ka përmbytje”, tha banori.