Ngjarje/Personazhe

Banorët e pastrehë të shtëpisë së Oficerëve, “rreken” për një zgjidhje.

6 shkurt 2023/Edi Ruci/Porta Vendore/Vlorë

Prej më tepër se 10 vite, godina e cila më parë ka shërbyer për strehimi e oficerëve të qytetit, nga ku mori edhe emrin e “Godinës së Oficerëve” ka shërbyer si godinë strehimi për dhjetëra familje të komunitetit rom dhe egjiptian por jo vetëm. Në të gjithashtu ndër vite janë strehuar familje në pamundësi ekonomike, të cilat nuk kanë patur mundësi që me të ardhurat familjare të përballonin jetën diku tjetër. Familjet në godinën në fjalë janë strehuar pa paguar qira për banimin në të, por edhe ujin e pijshëm dhe energjinë elektrike. Kushtet në të cilat kanë jetuar banorët në fjalë kanë qenë vërtet mizore. Banorët në të ndër vite kanë jetuar mes lagështisë, mureve të rrëzuara përtokë, pa dyer dhe dritare, por i kanë pranuar këto kushte për shkak të pamundësisë ekonomike.

Së fundmi në godinën në fjalë kanë qenë të strehuara 8 familje, 7 prej tyre të komunitetit rom dhe egjiptian ndërsa 1 familje nuk i përkiste këtij komunitetit. Në godinën e oficerëve duke marr në fokus vitin 2022 janë strehuar në total 25 banor mes tyre 3 fëmijë deri në moshën 10 vjeç, 2 të rinj nën 18 vjeç, 6 pensionistë dhe 14 persona mbi 25 vjeç. Mes personave të strehuar në të kanë qenë gra të dhunuara me status mbrojtjeje të cilat janë ndarë nga bashkëshorti dhe kanë patur urdhër mbrojtje nga ky i fundit, persona me probleme të shëndetit fizik dhe mendor, persona me probleme të mëparshme me ligjin ose drejtësinë etj.

Në Janar të 2020, 12 familje që jetonin aso kohe në godinën në fjalë u nxorën me forca nga shtëpia e oficerëve, pasi kjo e fundit do ti nënshtrohej rehabilitimit total të saj. Godina e oficerëve më parë ka qenë nën administrimin e ministrisë së mbrojtjes, por nevoja në qytet për një zyrë të re kadastrale, ka bërë që ministria e mbrojtjes të gjejë dakordësinë me agjencinë shtetërorë të kadastrës për ta kaluar godinën nën juridiksion të kësaj të fundit, për të zbatuar në terren projektin për rikonstruksionin e saj dhe rikthimin në zyrë kadastrale për qarkun e Vlorës. 

Projekti për rikonstruksionin e shtëpisë së oficerë u lancua fillimisht në janar të 2020 por më pas çdo gjë u pezullua si rrjedhojë e periudhës pos tërmetit dhe mes pandemisë. Nga 12 familje që jetonin në të 8 prej tyre do të riktheheshin sërish për strehim në shtëpinë e oficerëve ndërsa 4 të tjera do të gjenin strehim në qytet.

Punimet për rehabilitimin total të godinës në fjalë, do të nisnin zyrtarisht në terren në korrik të 2022, ku firma zbatuese e projektit nisi edhe punimet e para në godinën. Prej korrikut të 2022 deri në fillim të muajt shtator, 8 familjet e strehuara në shtëpinë e oficerëve kanë qëndruar po në të njëjtën godinë, pasi firma zbatuese e projektit i ka lejuar këto të fundit të strehohen në vendin ku punohej. Në fillim të shtatorit si rrjedhojë e punimeve, firma ndërtuese ka mbyllur çdo kalim në godinë, me përjashtim të ditëve me reshje shiu, teksa 8 familje janë nxjerr në rrugë duke jetuar në trotuarin pranë godinës së oficerëve në qiell të hapur. Familjet në fjalë kanë marr me vetë rrobat dhe orenditë shtëpiake që posedonin, i kanë vendosur në trotuarin aty pranë dhe prej dy muajve tashmë po jetojnë në të. Gjatë mbrëmjes banorët lejohen në disa raste, që kur punonjësit mbarojnë turnin, të rikthehen për të kaluar natën në godinë.

” Kur na kanë nxjerr që këtej na kanë thënë se nga ministria e mbrojtjes do kaloj në hipotekë. Ne nuk jemi pronar të kësaj godine. Ne kërkojmë nga institucionet zgjidhje. Përse shteti duhet të merret me njerëz pa mbrojtje. Ne shkojmë në institucione si polici, gjykatë prokurori, zvarritemi dhe na mbyllet dera. Unë kam një djalë 21 vjeç pa punë, jam edhe vetë pa punë burri merr pension invaliditeti” , thotë Greta Shabani për Portën Vendore.

Ndërkohë që edhe Pëllumbesha Brace jeton këtu vetë i dytë, prej dy vitesh. Ajo apelon që shteti ti kthejë sytë nga ata pasi nuk ka ku të shkojë.

“Nuk kam ku jetoj tjetër, burri më ka vdekur jam vetëm me djalin 26 vjeç. Do të jetoj në rrugë, me bidona punoj. Jemi ankuar në cdo vend, institucionet nuk kanë ardhur fare. Nuk marr mbështetje financiare. Kërkoj një strehë ku të fusë kokën. I lutem Edi Ramës të vejë dorën në zemër. Jam e prekur shumë, Edhe djali me bidona punon”, tha ajo.

Të gjithë të strehuarit në këtë godinë të cilët tani kanë mbetur me sytë nga qielli vijnë nga probleme social-ekonomike të thella, çka i kanë detyruar të jetojnë një jetë të tillë.

“Erdhën punëtorët e bashkisë na thanë se duhet të dilni nga godina. Na thanë se do ju gjejmë shtëpi do ju strehojmë. Për momentin asgjë. Jemi paraqitur në bashki, asgjë nuk kanë bërë. Për momentin po fle përjashta me një plak të sëmurë. Jam vetëm un me nënën time. Nuk kam shpresë se do na ndihmoj bashkiak. Na kanë thënë gjeni ju shtëpi se do ju paguajmë në shtëpinë për 1 vit. Nga momenti që i shkon dikujt dhe i kërkon shtëpi me qira nuk na i japin se mbledhim bidona dhe kanaçe”, rrëfen Flavio Brace.

Duke filluar nga Janari 2020, familjet në fjalë kanë kërkuar strehim në bashkinë e Vlorës, por mbështetja nga institucioni i qytetit sipas tyre nuk ka qenë e duhur. Banorët thonë se me bonusin e qirasë prej 10 mijë lekësh të reja nuk mund të gjejnë shtëpi me aq qira, por edhe këto të ardhura sipas tyre nuk mjaftojnë që më pas të paguajnë ujë dhe drita. Banorët tregojnë se duke i parë si pjesëtarë të komunitetit rom dhe egjiptian por njëkohësisht duke parë se punojnë çdo ditë duke mbledhur plastikë dhe hekura, nuk i japin shtëpitë me qira.

“Un jam me 5 fëmijë, burrë e grua, kam edhe një mama 85 vjeçe. Nuk kam ku shkoi. Këtu tek rruga jam, bashkë me gruan dhe nënën. Jemi ankuar. Na thonë ik gjeni shtëpi, nuk na kanë dhënë mbështetje. Të ardhurat janë pensioni 100 mijë lekë i mamasë. Unë dal mbledh bidona, nusen e kam me të meta mendore del lyp rrugëve. Nëse na ndjekin edhe na këtu në rrugë do fle. S’kam ku gjejë shtëpi“, tregon Romeo Salai.

E duket se në të tilla kushte është tanimë edhe Laureta Salai. ” Kërkoj shtëpi, një dhomë një dhomë. Djali ka 5 fëmijë dhe fle në mes të rrugëve, pa punë është del tek kazanët e plehrave, gruan e ka gjysmë robi. Kemi 1 muaj e gjysmë flemë në rrugë. Mendoni për fëmijët për popullin. Bashkia erdhi 1 muaj para tha për një muaj do t’ju rregullojmë, asnjë gjë nuk bëri. Rrobat i kemi ende në godinë. Policia ka ardhur na tha kur të mbarojnë punëtorët rini brenda në godinë. Kaq zgjidhje na dhanë”, tha ajo për Portën Vendore.

Të gjithë kanë diçka për të rrëfyer, mbi të gjitha për këtë vendim të papritur që duket se jo vetëm i ndryshojë rrjedhën e jetës por i ka futur në një siklet dhe gjendje tipike kolapsi njerëzor dhe ekzistencial.

“Ka ardhur një urdhër nga bashkia, të zbarkojnë gjithë familjarët në rrugë dhe detyrohemi rimë këtu. Këtu do vazhdojmë të rimë, kemi një muaj këtu. Ne nuk po bëjmë lëvizje, po rimë kastile të shohim çfarë po bënë kryetari bashkisë për ne. Ka mbetur vetëm të bëjmë grevë përpara bashkisë. Këta bëjnë një sy qorr dhe një vesh shurdhë. Ajo bëhet aty ku duhet jo tek fëmijët e vegjël dhe familjarët. Unë kam 2 fëmijë, kam gruan, mamanë dhe vëllanë.2 veta të sëmurë në familje. Djalin e vogël me vrimë në zemër vëllain me të meta mendore. Fëmijët e mi po flenë në shesh, nëpër kartona. Marrin 1 miliardë lekë për të pastrehët dhe nuk dihet çfarë po i bëjnë këto para. Nuk kam shpresë se do bëhet më mirë pasi këtu është korrupsion i gjallë. Turp më të madh ka në botë sesa të qëndrojnë fëmijët në rrugë“, sqaron Emanuel Rasa. Madje bashkëshortja e tij shkon edhe më tej, me 1001 hallet që i kanë rënë kësaj familjeje.

“Nuk kam ku shkoj për të jetuar. Kam djalin me vrimë në zemër, e kam me dokumenta është sëmurë. Jemi 6 veta në familje. Jetojmë çdo ditë duke mbledhur kanace dhe bidona. Jetesën e përballojmë me vështirësi. Pres mbështetje nga shteti për strehim se jam me dy fëmijë. Fëmija ime që është sëmur merr 100 mijë lekë në muaj që si dalin as për bebelina as për qumështin që e merr për ta pirë“, tha Brixhilda Rasa.

E teksa duket se e gjithë beteja bëhet për një strehë ku të mund të fusin kokën, ata ende i luten shtetit, bashkisë dhe qeverisë për një zgjidhje, për aq kohë sa nuk e kanë një të tillë vetë.

“Unë marrë një ndihmë sociale 18 mijë lekë. Unë jam kryefamiljare duhet të më ndihmojnë. I lutem shtetit, Edi Ramës, bashkisë të na ndihmoj se jemi shumë keq. Jam një grua 64 vjeçe. Jam në rrugë. Kam shkuar të ankohem më thonë se duan lekë. Unë nuk kam ku ti gjejë lekët t’jua jap. Përpara bashkisë do vemi të shtrihemi në rrugë sepse s’kemi ku vemi “, rrëfen Shabane Cela

Të pyetur përfaqësues të bashkisë së Vlorës shprehen se: ” Familjet në fjalë janë përfshirë në bonusin e qirasë i cili u jepet familjeve të pastreha. Familjeve ju jepet ndihmesë financiare si bonus qiraje prej 10 mijë lekësh në muaj, teksa nga programet mbështetëse të bashkisë së Vlorës, banorët përfitojnë gjithashtu përkrahje ekonomike prej 1800 lekësh të reja në muaj si mbështetje bazë për ushqime. Disa prej banorëve janë të përfshirë në skemën e ndihmës ekonomike ku përfitojnë 3000 lekë të reja në muaj teksa disa përfitojnë pension pleqëria apo kemp për pamundësinë për punë. Pjesa më e madhe e familjeve duke parë edhe të ardhurat që përfitojnë nga puna e përditshme mund ta përballojnë jetën e qytetit. Këto janë programet që ofron institucioni i qytetit dhe shumica e familjeve në fjalë i përfitojnë ato. Për banesa strehimi të dhëna nga bashkia e Vlorës, banesa këto të cilat po ndërtohen në zonën e “Ish frigoriferit” familjet në fjalë si punonjës në të zeza, pa sigurime shoqërore dhe pa të ardhura të larta nuk mund ti përfitojnë ato. Familjeve ju është kërkuar të gjejnë shtëpi banimi, të sjellin kontratën e qirasë në bashki, dhe bashkia do përpiqet t’ju rimbursojnë plotësisht qiranë me fondet e veta. Diçka e tillë është aplikuar në periudhën 2 vjeçare për 4 familje që strehoheshin më parë që tashmë kanë gjetur strehim .Nuk është në juridiksionin e bashkisë ti gjejë familjeve shtëpi ose të luaj rolin e negociatorit. Sipas bashkisë banorët që strehohen në të, duhet të luajnë edhe ato rolin e vetë, nëse duan strehim për ta siguruar një të tillë. Gjithashtu banorët janë përfshirë edhe në skemën e punësimit, ku emrat e tyre janë shënuar në zyrën e punësimit Vlorë, si punëkërkues, por megjithëse i janë paraqitur oferta për punësim, këta të fundit i kanë refuzuar pasi duan të bëjnë çdo ditë punën e mbledhësit të plastikës dhe hekurave nga e cila kanë edhe përfitime ekonomike “.

Edlira Kapllanaj përfaqësuese e komunitetit rom dhe egjiptian për Vlorën por njëkohësisht anëtarë e këshillit bashkiak për përfaqësimin e interesave të këtij komunitetit e kontaktuar për porta vendore tregon se ” Si përfaqësuese e komunitetit e njoh mjaftë mirë këtë problematik. I tillë shqetësim është ngritur edhe si çështje në këshillin bashkiak të Vlorë. Ky i fundit ka rënë në dakordësi me bashkinë e Vlorës sipas Kapllanajt që zgjidhja më e mirë për banorët e qyteti është të qëndrojnë tek kabinat e plazhit të vjetër. Shtëpi pa qira ku strehohen edhe shumë të pastrehë të tjerë. Disa prej familjeve sipas Kapllanajt nuk e kanë pranuar këtë zgjidhje duke zgjedhur që megjithëse shirat kanë nisur të flenë sërish në rrugë, ndërsa disa të tjera janë strehuar tek kabinat në zonën e plazhit të vjetër. Sipas Kapllanajt edhe përfaqësues të këshillit bashkiak janë angazhuar për tu gjetur banorëve shtëpi në qytet, por problematika e racizmit sipas saj ekziston. “Shumë administrator banesash refuzojnë t’ju japin banorëve të shtëpisë së oficerave banesë vetëm se i përkasin komunitetit ose për shkak të punës që bëjnë.. Duke parë kushtet e tyre dhe pamundësinë për të gjetur shtëpi, deri në momentin që do t’ju vij një zgjidhje më e mirë, ose Bashkia Vlorë do të ketë një program të gatshëm strehimi ju është ofruar strehimi falas për një periudhë të pacaktuar tek kabinat e qytetit. Për ta deri më tani kjo është zgjidhja perfekte”.

Të kontaktuar sërish nëpërmjet telefonit, banorët të cilët kanë refuzuar qëndrimin tek kabinat në plazhin e vjetër tregojnë arsyet. “Sipas tyre banesat në kabinat e plazhit të vjetër sipas banorëve janë pa mobilie, plotë lagështi, me mure të rrëzuara dhe pa uji të pijshëm dhe drita pasi kanë qenë banesa për vite me radhë të braktisura. Gjithashtu ata banorë që janë strehuar në këto të fundit tregojnë se kanë konflikte me administratorët e mëparshëm të tyre që bashkia i ka detyruar të lirojnë godinën pasi i kërcënojnë dhe i kërkojnë të largohen prej andej. Disa prej banorëve kanë konflikte edhe me fqinjët aty pranë. Pas strehimit në kabinat e qytetit dy prej familjeve që e kanë pranuar si zgjidhje nuk kanë përfituar ende asnjë mbështetje financiare ose bonuesin e qirasë Pra sipas tyre këto familje ende po jetojnë në kushte mizore dhe qiell të hapur”, përfunduan ata.