Vëzhgim/Analizë

Rast Studimor | Labirinti i advokimit në Shqipëri: Histori suksesi nga mekanizmi i granteve LevizAlbania.

1. Konteksti

Përpjekjet për ndryshime legjislative dhe ndikimit në politikat publike janë komplekse dhe të paparashikueshme, por OSHC-të dhe grupet informale mund të arrijnë rezultate të rëndësishme nëse kuptojnë strategjitë e advokimit. Termi “advokim” i referohet përpjekjeve që synojnë të ndikojnë politikat publike, ligjet dhe proceset e tjera vendimmarrëse në fusha të ndryshme, nëpërmjet përdorimit të analizave të bazuara në të dhëna, medias, rrjetëzimit dhe trysnisë konstruktive. Ka lloje të ndryshme të advokimit dhe secila prej tyre përdor një strategji ndryshe për të sjellë ndryshime në shoqëri. Sipas  Cohen de la Vega and Watson (2001), advokimi i referohet një sërë aktivitetesh që synojnë transformimin e “atë që është” në një “çfarë duhet të jetë”, duke pasur parasysh se “ajo që duhet të jetë” e bën shoqërinë më të drejtë. Të gjitha këto veprime marrin një kuptim akoma mtë rëndësishëm kur bëhet fjalë për kontekstin e Shqipërisë ku, mjedisi politik, ekonomik dhe shoqëror është i ndryshueshëm dhe i paparashikueshëm. Kështu, gjatë tetë viteve të fundit, LevizAlbania ka kontribuar në rritjen e përfshirjes së shoqërisë civile dhe grupeve informale në të gjitha nivelet për të zgjedhur siç duhet çështjet dhe për të advokuar për ndryshimin nga “çfarë është” në “çfarë duhet të jetë”. Gjatë këtij rrugëtimi, ka pasur ulje dhe ngritje. Megjithatë, ky udhëtim ka prodhuar disa histori suksesi që do të shtjellohen në paragrafët vijues.

2. Qasja e LevizAlbania

LevizAlbania është një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, i zbatuar nga një konsorcium i tre organizatave shqiptare, Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Partners Albania dhe Co-Plan. LevizAlbania i është përkushtuar forcimit të demokracisë vendore në Shqipëri duke u dhënë aktorëve të hapësirës qytetare fuqinë për të qenë agjentë të ndryshimit të cilët ushtrojnë trysninë e nevojshme për të siguruar që qeveritë vendore të funksionojnë në interesin më të mirë të qytetarëve.

Rrugëtimi i LevizAlbania po përfundon pas dy fazave ku u zhvilluan, 9 Thirrje për Aplikime, 12 Projekte Strategjike, janë mbështetur 23 projekte të Reagimit të Shpejtë, 362 individë, grupe joformale dhe OSHC dhe u përfshinë më shumë se 75,000 qytetarë. Nëpërmjet mbështetjes financiare të LevizAlbania, rreth 40% e palëve të interesuara qytetare vazhdojnë të punojnë në projekte ku përfitues janë komunitetet e tyre, duke demonstruar një ndikim të qëndrueshëm dhe afatgjatë. LevizAlbania ka mbledhur një numër të konsiderueshëm të qytetarëve të angazhuar, organizatave advokuese dhe OSHC-ve që kanë marrë pjesë dhe kanë ndikim në politikat kombëtare dhe lokale. Të gjitha këto nisma kanë nxitur gjithsej 212 veprime dhe reagime nga pushteti vendor në përgjigje të kërkesës së shtuar për një qeverisje më të mirë vendore. Më konkretisht, përmes instrumenteve të ndryshme të LevizAlbania, qytetarët kanë nxjerrë 669 kërkesa dhe propozime konkrete. LevizAlbania ka publikuar nëntë thirrje për aplikim. “Thirrja për Aplikim nr 7” ishte më e përqendruar në advokim, krahas faktit që aplikimet në lidhje me advokimin ishin të mirëseardhura edhe në thirrjet e mëparshme.

3. Nga analiza në veprim: roli i LevizAlbania

Shoqëria civile luan një rol jetik në përmirësimin e transparencës dhe qeverisjes së mirë duke rritur diskursin publik dhe duke ndikuar në procesin e qeverisjes për ta bërë atë më të përgjegjshme.

Që ligjet, politikat dhe nismat t’u përgjigjen nevojave dhe qëllimeve të qytetarëve, OSHC-të duhet të marrin pjesë dhe të përfshihen në vendimmarrje si në nivel qëndror ashtu edhe në atë lokal. Pavarësisht përmirësimit të kapaciteteve të OSHC-ve,  shoqëria civile në Shqipëri është ende e pazhvilluar Aktivitetet e tyre mbështeten kryesisht  nga projektete të financuar nga doanatorë kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Shumë OSHC në qytete të ndryshme janë tepër aktive dhe kanë arritur rezultate të mira, por në izolim të plotë nga organizatat e tjera të shoqërisë civile. Për të mundësuar përfshirjen e tyre në politikëbërje dhe për të krijuar politika dhe procese më transparente, të parashikueshme dhe me cilësi të lartë, duhet të forcohet rrjetëzimi dhe duhet të zhvillohen aftësitë e tyre advokuese. Pavarësisht përmirësimeve që sektori i shoqërisë civile në përgjithësi ka pasur në advokim, OSHC-të jashtë kryeqytetit kanë vështirësi që i atribuohet kryesisht mungesës së strukturave organizative dhe kapaciteteve financiare. Kështu, kapacitetet advokuese lokale janë ende të dobëta dhe kanë nevojë për mbështetje të vazhdueshme. Për t’iu përgjigjur këtyre sfidave, LevizAlbania u ka dhënë një sërë mbështetjesh OSHC-ve dhe grupeve informale shqiptare gjatë tetë viteve të fundit. Mbështetja e LevizAlbania është shtrirë në dy këndvështrime të ndryshme. Së pari, LevizAlbania ka dhënë drejtpërdrejt grante për OSHC-të, individët dhe grupet informale, në mënyrë që ata të mund ta përdorin këtë mbështetje financiare për të advokuar për ndryshime në problematika të veçanta. Së dyti, duke marrë parasysh kapacitetin e ulët të OSHC-ve dhe grupeve informale se si të advokojnë, LevizAlbania ka ofruar një mbështetje dhe udhëzim të vazhdueshëm se si të advokohet për ndryshim. Të gjitha këto përpjekje advokuese kanë prodhuar disa histori suksesi në nivel lokal dhe kombëtar. Megjithatë, përkundër përpjekjeve të advokimit që deri më tani kanë qenë të suksesshme, ka shumë të tjera që nuk kanë prodhuar akoma rezultate pozitive. Për t’i analizuar më mirë historitë e suksesshme të advokimit, është bërë një vlerësim i komponentëve të mëposhtëm: (i) Ndryshimi në përkufizim – palët e interesuara kanë një kuptim më të mirë dhe tablo të qartë të çështjes së trajtuar; (ii) Ndryshimi në sjellje – palët e interesuara dhe komuniteti lokal në përgjithësi, janë më mendjehapur në lidhje me çështjen e trajtuar; (iii) Ndryshimi në angazhim – veprime konkrete të ndërmarra në adresimin e çështjes; (iv) Ndryshimi në politika – ndryshime ose modifikime të propozuara në kuadrin ligjor dhe/ose të politikave; (v) Ndryshim në praktikë – përmirësime konkrete, kryesisht të lidhura me ndryshimet sistemike.

RASTI 1

Aleatët në Advokim: Një Faktor Kyç Suksesi

Një nga rastet që nxjerr në pah suksesin e advokimit në nivel kombëtar, por me ndikim të madh edhe në nivel lokal është ai i Institutit Shqiptar për Zhvillimin e Sistemit të Zgjedhjeve (INSIZ). Nëpërmjet mbështetjes së instrumenteve të granteve strategjike të LevizAlbania, INSIZ filloi në shkurt 2021, angazhimin e tij aktiv në zbatimin e një nisme legjislative qytetare për të kërkuar ndryshime konkrete në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë. INSIZ është një fondacion i krijuar në vitin 1999. Ai synon të ofrojë shërbime që do të mundësojnë zhvillimin social dhe politik të Shqipërisë, si dhe integrimin e saj në kornizat ndërkombëtare dhe në familjen evropiane, duke iu përmbajtur të drejtave ndërkombëtare të njeriut dhe vlerave të shtetit të së drejtës. INSIZ dhe organizatat[1] e tij partnere filluan të trajtojnë një problem të vazhdueshëm që po dobësonte demokracinë lokale në Shqipëri. Konkretisht, në nivel vendor, Kodi Zgjedhor parashikon zgjedhjen e Kryetarit të Bashkisë dhe të Këshillit Bashkiak. Kryetari i bashkisë zgjidhet duke përdorur sistemin e votave të shumicës në vetëm një raund votimi. Për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Bashkiak përdoret sistemi proporcional. Subjektet zgjedhore, partitë politike apo koalicionet e tyre, konkurrojnë me një listë të mbyllur kandidatësh. Kodi zgjedhor i jep çdo zgjedhësi të drejtën të zgjedhë për të votuar për një nga kandidatët, i cili mund të jetë edhe i pavarur. Duke qenë se sistemi kërkon përdorimin e një liste të mbyllur, zgjedhësi nuk ka mundësi të shënojë një preferencë për kandidatin që do të donte ta përfaqësonte në Këshillin Bashkiak. Në këtë mënyrë, metoda aktuale për zgjedhjen e anëtarëve të këshillit bashkiak i jep vullnetit dhe vendimeve të partive politike një prioritet shumë më të lartë se vullnetit dhe vendimeve të votuesve. Duke marrë parasysh këtë, është e thjeshtë të nxirret përfundimi se demokracia përfaqësuese në nivel bashkiak ka probleme. Komunitete të ndryshme vendore nuk janë të përfaqësuara në këshillat bashkiakë, të cilët janë subjekte vendimmarrëse kolegjiale.

INSIZ mendoi për këtë çështje dhe paraqiti një zgjidhje. INSIZ krijoi një projektligj. Në këtë projektligj janë përfshirë dispozita në Kodin Zgjedhor të Republikës, të cilat do të bëjnë të mundur dhe efektive votimin e këshilltarëve bashkiakë me lista të hapura. Sipas këtij propozimi, ky projektligj do iu ofrojë qytetarëve mundësinë që, në zgjedhjet për organet e pushtetit vendor të votojnë jo vetëm për subjektin politik por edhe për një nga kandidatët për këshilltar në Këshillin Bashkiak që është në listën e këtij subjekti. Ndryshe e thënë, ndryshimi parashikon votimin me lista të hapura për anëtaret e këshillit bashkiak. Në këtë mënyrë bëhet i mundur materializimi i plotë i vullnetit të zgjedhësve, i shprehur përmes votës preferenciale. Zbatimi i nismës legjislative qytetare për votim me lista të hapura për anëtarët e këshillit bashkiak është një kontribut i rëndësishëm dhe i drejtpërdrejtë i qytetarëve. Kjo do të krijojë kushte shumë më të mira për funksionimin e demokracisë përfaqësuese në nivel vendor.

Bazuar në të drejtën e parashikuar nga Kushtetuta, sipas së cilës 20, 000 zgjedhës kanë të drejtën legjislative për të paraqitur një projektligj në Kuvendin e Shqipërisë, INSIZ dhe partnerët e tij nisën procesin për realizimin e kësaj nisme. Në përgjigje të kërkesës së INSIZ-it, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi fletën model për mbledhjen e nënshkrimeve mbështetëse të qytetarëve me të drejtë vote. INSIZ mblodhi më shumë se 20,000 nënshkrime votuesish dhe ky ishte një sukses i madh. Megjithatë, ka pasur përpjekje të panumërta advokuese pas kësaj arritjeje të madhe.

“Qëllimi ynë kryesor ishte të hartonim rrugën që duhej ndjekur për të arritur rezultatin. Kjo rrugë do të ishte e suksesshme vetëm nëse përfshiheshin qytetarët.” Prof.Dr. Kristaq KUME, Drejtor Ekzekutiv i INSIZ.

Fillimisht INSIZ synonte të mblidhte 20, 000 qytetarë duke mbledhur nënshkrimet e tyre për një periudhë tre mujore. Ligji është i qartë në këtë drejtim, duke thënë se grupet që do të mbledhin nënshkrimet duhet të vendosen në zona të veçanta të bashkisë. Rezultati ishte dukshëm më i ulët nga ç’priste aleanca dhe ajo kishte mbledhur vetëm 3–4% të nënshkrimeve. Kjo metodë e përfshirjes së qytetarëve nuk ishte e suksesshme.

Kështu, INSIZ krijoi një strategji të re duke u fokusuar në palën më të rëndësishme të interesit në këtë projekt, “QYTETARIN”.

“Gjithçka që kemi arritur është themeluar mbi kushtin paraprak “TAKO QYTETARIN.” Objektivi kryesor i takimit individual me qytetarin ishte informimi i qytetarit për nismën, marrja e mendimit të qytetarit, ndarja e mendimit për disa zgjidhje të problemit kryesor të nismës dhe më pas marrja e mendimit të qytetarit për zgjidhjen. ” Prof.Dr. Kristaq KUME, Drejtor Ekzekutiv i INSIZ.

Megjithatë, kjo ishte e pamjaftueshme. Qytetarët nuk ishin në dijeni të qëllimit të nismës. Kjo e bëri aleancën të besonte se, përveç ndërveprimit të drejtpërdrejtë, kërkohej një përpjekje agresive dhe kapilare për të rritur ndërgjegjësimin. Kjo u realizua përmes një sërë mënyrash.

Së pari, INSIZ dhe partnerët e tij mblodhën grupe qytetarësh që kishin më shumë njohuri dhe ishin më të informuar për këtë çështje. Këta ishin anëtarët e këshillit bashkiak. Brenda një muaji u mbajtën 14 takime me këshillat bashkiakë në bashki të ndryshme për të përshkruar qëllimin e nismës, si do ta zgjidhte ajo këtë problem dhe çfarë duhej bërë.

Së dyti, INSIZ besonte se të rinjtë (studentët universitarë) ishin ndër kategoritë më efektive që mund ta nxisnin këtë përpjekje. U zhvilluan takime me studentë në nivel kombëtar, ku kërkohej angazhimi i tyre. Ata u bënë pjesëmarrës në nismë si dhe zbatues të saj.

Së treti, INSIZ angazhoi stafin akademik të universiteteve për të ndihmuar në këtë nismë. Disa profesorë nga universitete të ndryshme të Shqipërisë kontribuan për suksesin e kësaj nisme.

Së katërti, INSIZ përfitoi nga mbështetja dhe mundësia e ofruar nga LevizAlbania për të bashkuar OSHC-të, për të formuar Aleancat Qytetare për Demokraci. Si rezultat, INSIZ ndërtoi lidhje me OSHC-të e tjera, veçanërisht ato që përfaqësojnë grupet e margjinalizuara (romët dhe egjiptianët). Këta aleatë të rinj punuan shumë për mbledhjen e firmave të qytetarëve për nismën e INSIZ-it. Së fundi, grupet e margjinalizuara si romët dhe egjiptianët u përfaqësuan me rreth 10% të formularëve të plotësuar në mbështetje të nismës së INSIZ-it. Aktualisht, projekt-ligji i ka kaluar  Kuvendit të Shqipërisë për shqyrtim nga Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore.

Ky projekt i zbatuar nga INSIZ-i dhe organizatat e tij partnere, solli ndryshime në sjelljen e qytetarëve, ndryshime në angazhimin e palëve të interesuara, ndryshime në politika dhe në fund ndryshime sistemike. Sjellja e qytetarëve lidhur me rolin e tyre në proceset demokratike lokale ka ndryshuar dukshëm si rezultat i kësaj nisme. Nëpërmjet qasjes “Tako qytetarin” që ndoqi INSIZ, njerëzit, ndryshe nga më parë, filluan të mendojnë për rolin e tyre kritik në përzgjedhjen e këshilltarëve me lista të hapura. Në këtë nismë morën pjesë 22,666 votues me të drejtë vote, të cilët shprehën mbështetjen e tyre për ndryshimin e situatës nga një “listë e mbyllur” në “listë të hapur”. Përveç kësaj, ky projekt ndryshoi rrënjësisht mënyrën se si aktorë të ndryshëm u angazhuan në të gjitha fazat e zbatimit të projektit. Tetë OSHC u përfshinë në mënyrë aktive në nivel lokal, për të ndikuar dhe ndryshuar sjelljen e qytetarëve ndaj kësaj çështjeje. Së bashku me tetë organizatat partnere, OSHC-të që përfaqësojnë grupet e margjinalizuara treguan interes të konsiderueshëm (romë dhe egjiptianë). Këta aleatë të rinj bënë shumë përpjekje për të marrë firmat nga qytetarët që mbështesnin nismën e INSIZ-it. Së fundi, rreth 10% e formularëve të paraqitur në favor të nismës INSIZ ishin nga komunitete të margjinalizuara si romët dhe egjiptianët. Krahas angazhimit aktiv të OSHC-ve, studentë nga universitete të ndryshme në Shqipëri demonstruan gjithashtu një nivel të konsiderueshëm angazhimi. Ky angazhim vullnetar sinjalizoi pozitivisht rolin kritik të të rinjve në proceset e demokratizimit lokal. Së treti, profesorë nga universitete të ndryshme shqiptare punuan vullnetarisht për krijimin e rekomandimeve të veçanta për çështjen e ngritur dhe ndihmuan në mbledhjen e firmave të votuesve. Së fundi, anëtarët aktualë të këshillit bashkiak ishin mjaft aktivë në mbledhjen e firmave. Pjesëmarrja e të gjitha këtyre palëve ishte e papritur dhe pothuajse nuk ka ndodhur ndonjëherë në projekte të kësaj natyre. 

Ky projekt doli me propozime ligjore shumë konkrete në amendimin e Kodit Zgjedhor. Më konkretisht, INSIZ me mbështetjen dhe angazhimin e të gjithë aktorëve të treguar, doli me projekt-ligjin “Mbi ndryshimet dhe shtojcat në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë”. Qëllimi kryesor i këtij projekt-ligji ishte të siguronte lista të hapura të kandidatëve për këshilltarët vendorë. Projekt-ligji i paraqitur aktualisht është duke u shqyrtuar dhe miratuar në punime parlamentare. Përfshirja e tij në planin e punës së Kuvendit për javët 22 nëntor – 23 dhjetor 2022, u miratua nga Konferenca e Kryetarëve më 15 nëntor 2022. Vlerësimi i tij është përgjegjësi e Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore.

Një nga ndikimet më të mëdha që prodhon kjo iniciativë e cili do të garantojë qëndrueshmërinë e proceseve të demokratizimit në nivel lokal janë ndryshimet sistemike. Me projekt-ligjin e ri të propozuar, ndryshimet do të prodhojnë një ndikim afatgjatë në nivel lokal. Qytetarët do të munden të zgjedhin këshilltarët e tyre të parapëlqyer në vend se të votojnë për partinë politike dhe kjo e fundit përzgjedh këshilltarët.

Suksesi i INSIZ-it tregon se nuk mjafton një strategji e mirë për të arritur qëllimin. Në vend të kësaj, ishin aleatët në përpjekjet e advokimit që u bënë faktorët kryesorë të suksesit për këtë rast.

RASTI 2

Kapitulli 1 i një historie suksesi: Advokimi për ndryshime ligjore për një mjedis më të favorshëm për vullnetarizmin.

Përtej Barrierave (PB) u themelua në vitin 2004 si një organizatë jofitimprurëse e shoqërisë civile. PB promovon përfshirjen dhe aftësitë e të rinjve në nivel kombëtar, rajonal dhe evropian përmes edukimit joformal. PB ka punuar në mënyrë gjithnjë e më shumë në rritje për një çështje shumë të ndjeshme për OSHC-të në Shqipëri – vullnetarizmin. Në vitin 2016, Shqipëria miratoi Ligjin 45/2016, i cili rregullon vullnetarizmin. Përveç përfitimeve të një legjislacioni të tillë, dispozitat e tij kanë dhënë të kundërtën e ndikimit të dëshiruar. Gjatë hartimit të ligjit të vullnetarizmit, u përdor qasja nga lart-poshtë, e cila nga ana tjetër ka çuar në një zvogëlim të mundësive të vullnetarizimit në Shqipëri. Përveç kësaj, ky ligj imponon një barrë financiare – të paktën për OSHC-të – mbi organizatorët vullnetarë për t’i pajisur vullnetarët me sigurime. Aktet nënligjore të parashikuara nga ky ligj janë miratuar vetëm në vitin 2018 (Regjistri i kontratave të vullnetarëve dhe libreza e vullnetarëve) dhe (Kodi i Etikës) 2019. Përveç Kodit të Etikës, dy aktet e tjera nuk u bënë të disponueshme online në faqen zyrtare të Qendrës Kombëtare të Burimeve, gjë që la pa informacion OSHC-të – kryesisht organizatat jofitimprurëse të Shqipërisë përgjegjëse për organizimin e punës vullnetare. Gjashtë vjet pas miratimit të Ligjit 45, një përqindje e madhe e OSHC-ve ende nuk kanë njohuri konkrete nëse institucionet e nevojshme kanë marrë masa koordinuese dhe zbatuese për këtë ligj. Ata gjithashtu nuk janë në dijeni se ligji u kërkon atyre të paguajnë sigurimin e secilit vullnetar, të mbajnë një regjistër vullnetarësh dhe t’i sigurojnë secilit vullnetar një librezë në Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive. Për më tepër, gjashtë vite që nga miratimi i ligjit nuk ka asnjë investim në infrastrukturën e vullnetarizmit në nivel lokal apo qëndror nga strukturat e qeverisë. Këto ishin problemet kryesore me të cilat po përballet ky sektor në Shqipëri sipas  Drejtorit Ekzekutiv të Përtej Barrierave. Për ta trajtuar këtë problem, Përtej Barrierave është mbështetur nga LevizAlbania për të propozuar një zgjidhje. Për këtë qëllim, Përtej Barrierave filloi punën për projektin “Vullnetarizmi.Al”, i cili synonte krijimin e një mjedisi mundësues ku, vullnetarizmi inkurajohet, mbështetet dhe njihet si një mekanizëm kyç për nxitjen e qytetarisë aktive, solidaritetit dhe kohezionit social në Shqipëri. Kjo nismë kishte tre shtylla kryesore në fokus të saj.

  • Së pari, rekomandime konkrete për të zgjeruar fushën e veprimit të ligjit ekzistues për vullnetarizmin dhe për të hequr pengesat që ai u ka vënë atyre që kryejnë shërbime vullnetare.
  • Së dyti, mbledhja në nivel kombëtar dhe analiza e të dhënave me komponentë kyç që mbështesin idenë e vullnetarizmit dhe krijimin e bashkëpunimit ndër-sektorial.
  • Së treti, zhvillimi i kornizave të besueshme organizative me standarde të larta për administrimin e veprimtarisë vullnetare, si dhe futja e një strategjie të re duke fuqizuar vullnetarizmin nëpërmjet një platforme digjitale që inkurajon diskutime të hapura për të gjitha palët e interesuara.

Ana flet me shumë pasion për këtë fushë dhe thekson se i gjithë ky rrugëtim filloi të jepte frytet e veta. Komisioni Parlamentar për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë zhvilloi një seancë dëgjimore për zbatimin e ligjit “Mbi vullnetarizmin” më 21 Janar 2022. Përmbledhja e politikave me rekomandimet dhe publikimet kryesore nga Studimi Kombëtar për Vullnetarizmin në Shqipëri u cituan nga folësit gjatë gjithë seancës. Aktualisht janë duke u zhvilluar projekt-amendamentet e ligjit 45/2016 “Mbi Vullnetarizmin”, ku përfshihet edhe rekomandimi konkret i projektit. Megjithatë, sipas Anës, ky është vetëm kapitulli i parë i një rrugëtimi të gjatë që do të pasojë në vijim. Për ta bërë këtë kapitull një histori suksesi Përtej Barrierave dhe Qendra Kombëtare e Burimeve për Shoqërinë Civile (Partners Albania) advokuan duke përdorur strategjitë e mëposhtme.

Së pari, ishte me rëndësi themelore të bëhej një studim gjithëpërfshirës mbi vullnetarizmin në Shqipëri në mënyrë që të përfshihej opinioni i gjerë publik. PB paraqiti Studimin Kombëtar mbi Vullnetarizmin në Shqipëri – një studim që ofron një analizë sasiore dhe cilësore të perceptimeve, sfidave dhe preferencave të qytetarëve ndaj angazhimit vullnetar, duke shqyrtuar gjithashtu sfidat dhe mundësitë e ofruesve të vullnetarizmit në Shqipëri si dhe institucionet politikëbërëse në vend. Ky studim shërbeu si një mjet advokimi në drejtim të institucioneve publike. Gjetjet dhe rekomandimet e studimit u diskutuan në një dialog të strukturuar në Konferencën Kombëtare të Vullnetarizmit, ku të gjithë aktorët u mblodhën për të hapur një forum diskutimi për përmirësimin e fushës së vullnetarizmit në Shqipëri. Së dyti Përtej Barrierave vlerëson se sektori i vullnetarizmit është një temë shumëplanëshe që ndërhyn në fusha të ndryshme. Infrastruktura e vullnetarizmit formohet nëpërmjet një sërë aktorësh të ndryshëm në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë. Shoqëria civile, sektori publik dhe sektori privat luajnë një rol të rëndësishëm në edukimin e vullnetarizmit. Pra, Përtej Barrierave solli në një tryezë të vetme të gjitha palët e interesuara që kishin lidhje me temën, përmes zhvillimit të një konference kombëtare. Në këtë aktivitet, të gjithë aktorët e përfshirë ndanë komentet dhe propozimet e tyre. Kjo shërbeu si një platformë me shumë palë pjesëmarrëse për të diskutuar mbi çështjet aktuale dhe zgjidhjet e mundshme që lidhen me vullnetarizmin. Së treti, studimi dhe konferenca nuk ishin të mjaftueshme, sipas Përtej Barrierave.

“Studimi ishte një mjet i besueshëm. Megjithatë, na duhej të hartonim rekomandime shumë konkrete për përmirësimin e kuadrit ligjor. Mund të ishim më bindës nëse do të ishim më të qartë.” Znj. Ana Mullanji, Drejtore Ekzekutive, Përtej Barrierave.

Kështu u bë. Duke u mbështetur në studimin kombëtar dhe të gjitha të dhënat e mbledhura gjatë konferencës, Përtej Barrierave paraqiti një përmbledhje politikash me propozime konkrete për të përmirësuar ligjin mbi vullnetarizmin, duke inkurajuar kështu ndryshime në politika.

Së katërti, organizata nisi një sërë takimesh me persona teknikë në institucionet përkatëse.

“Studimi, analizat ligjore, analizat krahasuese sociale dhe juridike me dokumentin e vendeve evropiane dhe dokumenti me rekomandime ishin mjete të fuqishme që kishim për advokim. Megjithatë, në thelb ne po i mbanim në dorë të dy, pa mundur t’ua komunikonim siç duhet të gjitha problemet dhe sugjerimet institucioneve përkatëse, përkatësisht Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Ministrit të Shtetit për Rininë dhe Fëmijët dhe Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive.” Znj. Ana Mullanji, Drejtore Ekzekutive, Përtej Barrierave.

Të gjitha këto përpjekje, kanë çuar në ofrimin e përmirësimeve konkrete në lidhje me ndryshimet sistemike. Vetëm ndryshimet në sistem do të prodhojnë rezultate të qëndrueshme.

Së pesti, një fushatë kombëtare ndërgjegjësimi ishte e nevojshme për të informuar më mirë publikun e gjerë mbi vlerën e vullnetarizmit dhe çështjeve aktuale. Prandaj, Përtej Barrierave dhe Partners Albania ndërmorën një fushatë të gjerë publike duke përdorur median si një mjet për të ndarë dhe për t’u “ushtruar trysni” aktorëve të ndryshëm për të marrë vendimet e duhura. Si rezultat i rritjes së njohurive të tyre për vullnetarizmin në Shqipëri, sjelljet e qytetarëve kanë ndryshuar, veçanërisht përsa i përket problemeve dhe vlerave që fshihen pas vullnetarizmit në Shqipëri.

Paralelisht, u zhvillua një bashkëpunim i ngushtë me mediat dhe gazetarët për të theksuar çështjet e vullnetarizmit dhe për të mbështetur kauzën dhe debatin përmes kanaleve të tyre të komunikimit, me qëllim që të ndikohet në një ndryshim në perceptimet dhe qasjet e aktorëve kryesorë në afat të gjatë. Së fundi, PB krijoi platformën e parë kombëtare digjitale ëëë.vullnetarizmi.al, si një mjet ndërveprues për të gjithë aktorët e interesuar të sektorit. Platforma ndihmoi në dy drejtime; (i) nëpërmjet përdorimit të teknologjisë digjitale, platforma sjell jo vetëm një mjet lehtësues dhe të organizuar për rekrutimin e vullnetarëve (realizimit të lidhjeve), duke lejuar pjesëmarrjen e qytetarëve të interesuar, por edhe një risi në mbledhjen e statistikave dhe informacionit cilësor dhe sasior në këtë fushë, (ii) ngritjen e kapaciteteve të drejtpërdrejta të ofruesve të vullnetarizmit nëpërmjet trajnimit dhe këshillimit të tyre në përdorimin e Protokollit të Standardeve të Menaxhimit të Vullnetarëve dhe përdorimin e platformës.

Ky projekt ka prodhuar disa ndryshime, duke filluar me ndryshimin në përkufizimin e vullnetarizmit. Legjislacioni aktual (Ligji 45/216) e konsideron vullnetarizmin sporadik ose afatshkurtër në të njëjtën mënyrë si vullnetarizmin e strukturuar afatgjatë. Kjo vendos një barrë të konsiderueshme administrative për organizatat që kryejnë vullnetarizëm afatshkurtër. Për shembull, nëse një OSHC dëshiron të organizojë një ditë pastrimi dhe kështu ka nevojë për shumë vullnetarë për t’u angazhuar në të, kjo është një formë e vullnetarizmit afatshkurtër. Në këtë mënyrë, një ditë e vetme e këtij lloj vullnetarizmi nuk mund të shihet në të njëjtën mënyrë si vullnetarizmi disa mujor. Në një situatë të tillë, ofruesit e vullnetarizmit janë nën presion të madh për të komunikuar, rekrutuar, orientuar, trajnuar dhe kontraktuar me një numër të madh vullnetarësh, gjë që mund të jetë përtej kapacitetit të OSHC-ve dhe demotivon ofruesit e vullnetarizmit për të kryer aktivitete të tilla. Thënë kjo, Përtej Barrierave ka propozuar konkretisht një ndryshim në këtë përkufizim, duke i ndarë dhe trajtuar ndryshe këto dy lloje të vullnetarizmit.

Strategjia e advokimit e ndjekur nga PB për t’i bazuar kështu propozimet e saj në analiza të bazuara në prova, solli një ndryshim në angazhimin e aktorëve kryesorë në fushën e vullnetarizmit. Kjo ishte hera e parë që një organizatë e shoqërisë civile inkurajoi aktorë të ndryshëm të angazhohen në një platformë të vetme, në këtë temë shumë të ndjeshme dhe të rëndësishme për OSHC-të shqiptare.

Përtej Barrierave kanë propozuar një sërë ndryshimesh në politika të cilat nisin me ndryshimet ligjore të Ligjit Nr. 54/2016. Për shembull, Përtej Barrierave propozoi një sqarim të nenit 9 të këtij ligji. Sipas nenit 9 të këtij ligji, organizatat që ofrojnë shërbime vullnetare duhet të jenë ose OSHC ose biznese (persona juridikë). Shqetësimi më i madh me këtë koncept është se mund të çojë në ngatërresa në lidhje me mënyrën se si ndërmarrjet dhe organizatat jofitimprurëse duhet të trajtohen financiarisht. Është tepër e rëndësishme që fillimisht të përkufizohet vullnetarizmi i biznesit, sepse është e qartë se bizneset nuk mund të konsiderohen të njëjta me organizatat e shoqërisë civile. Gjithashtu, PB propozon ndryshime shumë specifike për nenet 16 dhe 22 të këtij ligji.

Ky rast tregon se nuk ka një “shkop magjik” për të zgjidhur çështje të tilla. Përveç faktit që PB ndoqi me kujdes të gjitha hapat e një strategjie të suksesshme advokuese, u desh ende shumë kohë për ta kthyer këtë çështje në një pikë të rendit të ditës të vendimmarrësve. Ky rast na tregon se  këmbëngulja, rrjetëzimi dhe aleancat, si dhe një mbulim dhe angazhim i gjerë i palëve të interesuara, ndihmojnë në vendosjen e një çështje të tillë në qendër të vëmendjes së politikëbërësve.  Aktualisht ka nisur puna për ndryshimet në ligjin nr. 45/2016, duke përfshirë rekomandimet konkrete të projektit.

RASTI 3

Trekëndëshi i advokimit “vlera e komunitetit, legjitimiteti dhe mbështetja si dhe kapaciteti organizativ”.

Vendet bregdetare shqiptare janë më të zhurmshmet, sidomos gjatë sezonit turistik. Atyre u mungojnë plane lokale veprimi për ndotjen akustike, e cila nuk monitorohet vazhdimisht, dhe nuk zbatojnë kontrolle për aktivitetet që gjenerojnë zhurmë. Vendndodhjet bregdetare rreth Vlorës dhe Himarës janë zona të njohura gjatë sezonit turistik. Sipas Raportit më të fundit të Gjendjes Mjedisore për vitin 2020, mes 43 stacioneve për matjen e niveleve të zhurmës në të gjithë Shqipërinë, janë vetëm katër në qytetin e Vlorës dhe asnjë për Himarën. Për më tepër, nga ky raport është e qartë se pragu i zhurmës është tejkaluar në të gjitha vendndodhjet gjatë ditës. Niveli më i madh u mat në stacionin “Uji i Ftohtë”, ku vlera e monitoruar ishte 13.7% më e lartë se kufiri (55dB), ndërsa niveli më i ulët u mat gjatë gjithë ditës në stacionin “Hyrja e Qytetit”, ku e kaluam normën me 1.7%. Këshilli i Ministrave nxori vendimin nr. 587 për monitorimin dhe kontrollin e zhurmave në datën 7 korrik 2010. Gjithashtu, ligji nr.9774, datë 12.07.2007 “Për vlerësimin e ndotjes akustike” vendos në përgjegjësi të bashkive hartimin e planeve të veprimit. Megjithatë, ka ende çështje që lidhen me mungesën e planeve lokale të veprimit për zhurmën, mungesën e monitorimit të vazhdueshëm të niveleve të zhurmës dhe mungesën e kufizimeve në aktivitetet që gjenerojnë zhurmë.

Ndotja akustike është një problem në rritje në këto zona dhe komunitetet në këto zona nuk janë në dijeni të rolit që luan pushteti vendor në administrimin dhe reduktimin e zhurmës. Ndërkohë, organizatave të shoqërisë civile në këto zona u mungon ekspertiza për të analizuar nivelet e zhurmës, si dhe mungon bashkëpunimi me komunitetet për ngritjen, trajtimin dhe advokimin e çështjeve në pushtetin vendor. Mungesa e një plani veprimi /harte/masash të përcaktuara të nivelit të zhurmës nga ana e bashkive ka krijuar një boshllëk në ofrimin e informacionit për komunitetet dhe organizatat lokale. Prandaj, Milieukontakt Albania, me mbështetjen e LevizAlbania vendosi të punojë në këtë drejtim dhe të gjejë zgjidhjen më të përshtatshme. Milieukontakt Albania ka 22 vjet përvojë pune me shoqërinë civile për mjedisin, natyrën dhe zhvillimin e qëndrueshëm si dhe me autoritetet që merren me këto çështje në Shqipëri. Organizata punoi në tre drejtime: (i) identifikimi i situatës aktuale përmes një analize të plotë të kryer duke ndjekur një metodologji të besueshme (ii) duke inkurajuar pjesëmarrjen e qytetarëve në monitorimin e zhurmës përmes metodave alternative të monitorimit dhe (iii) forcimin e bashkëpunimit përmes palëve të interesuara në advokimin dhe adresimin e çështjeve në pushtetin vendor. Qëllimi kryesor ishte që këto bashki të hartonin planet e veprimit dhe të ndihmonin në përgatitjen e metodologjive të monitorimit të ndotjes akustike.

“Ne u përpoqëm të bashkonim aktorët kryesorë që kanë lidhje me temën dhe të krijonim “trekëndëshin” i cili mund të punonte mbi këtë çështje dhe ta monitoronte atë për periudha afatgjata. Ky trekëndësh u krijua duke bashkuar shoqërinë civile, bizneset dhe pushtetin vendor. Menduam se sa më i fortë të ishte trekëndëshi, aq më efektive mund të ishte zgjidhja”. Arion Sauku, Menaxher Projekti.

Pas kaq shumë përpjekjesh, kjo iniciative nisi të japë frutet e para në bashkinë e Himarës. Kryetari i kësaj bashkie mirëpriti dhe ftoi organizatën që të jepnin mbështetjen e tyre në hartimin e planeve të veprimit dhe mbështetjen e seancave dëgjimore publike në nivel komuniteti. Vlen për t’u shënuar se, përgatitja e këtyre plan-veprimeve është detyrim ligjor i bashkisë. Megjithatë, atyre u mungojnë kapacitetet, infrastruktura dhe ndonjëherë edhe vullneti për ta bërë këtë. Sapo të caktohen planet e veprimit, kërkohet monitorim nga afër i zbatimit të tyre.

Në arritjen e këtij suksesi, organizata advokoi duke përdorur strategjinë e mëposhtme.

Së pari, ishte tepër e rëndësishme të kryhej hulumtimi profesional në mënyrë që të tregoheshin të gjitha problemet që këto zona kanë në lidhje me ndotjen akustike. Për të qenë një mjet i besueshëm, ky hulumtim është zhvilluar duke përdorur metodologjitë më të fundit. Për të matur në mënyrë të përshtatshme nivelin e zhurmës në këto zona, organizata përdori parametrin Laeq, i cili përdoret gjerësisht nga anëtarët e BE-së, në përputhje të plotë me Direktivën 2002/49/EC. Organizata ofroi teknologji që shfaq nivelin e zhurmës në kohë reale në mënyrë që niveli i zhurmës të mund të matet me saktësi.

Në vijim të fazës së sipërpërmendur, organizata bëri përpjekje për të përfshirë sa më shumë teknikë të pushtetit vendor, qytetarë dhe aktorë të tjerë përkatës gjatë gjithë fazës së matjes dhe monitorimit të zhurmës në këto vendndodhje. Megjithatë, organizata zbuloi se vetëm një numër i vogël njerëzish kishin njohuri për këto matje teknike gjatë kësaj procedure.

“Palët e interesuara nuk do të angazhoheshin plotësisht në proces pa njohuritë e nevojshme nga ana teknike.” Arion Sauku, Menaxher Projekti.

Për rrjedhojë, organizata mori vendimin për të krijuar seanca të caktuara trajnimi në bashkëpunim me Institutin e Menaxhimit të Mjedisit dhe Territorit. Ky ishte një mjet i rëndësishëm advokues. Nën trekëndëshin e krijuar, këtij trajnimi iu bashkuan OSHC-të, qytetarët, pjesëtarët e bashkive dhe bizneset. Një nga efektet më domethënëse të këtyre seancave të trajnimit ishte rritja e kapacitetit të stafit bashkiak, i cili do të ishte pjesë e ekipit për të hartuar plane veprimi dhe për të vazhduar monitorimin e niveleve të zhurmës për bashkinë e tyre. Si rezultat, rritja e kapaciteteve të stafit të bashkisë ishte e rëndësishme për adresimin e boshllëqeve të komunikimit profesional.

Pas zhvillimit të veprimeve të sipërpërmendura, faza përfundimtare kishte për qëllim advokimin me bashkitë për t’i inkurajuar ato të shkruanin plane veprimi për ndotjen akustike. Për ta bërë këtë, grupi organizoi një sërë takimesh me përfaqësuesit bashkiak dhe personelin teknik, të cilët morën pjesë në seancat e trajnimit. Angazhimi i trekëndëshit për të nxitur zhvillim të mëtejshëm ishte një qasje kritike për suksesin e iniciativës.

Si rezultat, bashkia Himarë ftoi organizatën të prezantojë hulumtimin dhe sugjerimin për planin e veprimit. Sipas rregulloreve bashkiake, një seancë dëgjimore me anëtarët e këshillit kërkohet përpara se, ata të mund të votojnë nëse, do ta miratojnë ose jo këtë plan. Ky hap u përfundua me sukses nga organizata dhe tashmë po bashkëpunojnë ngushtë me bashkinë Himarë për përgatitjen e këtij plani veprimi. Kjo arritje e madhe kërkon përpjekje të shumta, duke përfshirë pjesëmarrjen, komunikimin dhe gjetjen e njerëzve të duhur për t’u bashkuar me trekëndëshin.

Kjo nismë ndryshoi si sjelljen ashtu edhe angazhimin e aktorëve të ndryshëm në nivel lokal. Për sa i përket ndryshimeve të sjelljes, kjo përpjekje përmirësoi të kuptuarit e palëve të interesuara për efektet e dëmshme që ndotja akustike ka në shoqëri. Më parë, disa aktorë lokalë e konsideronin këtë si një shqetësim periferik. Megjithatë, me trajnimin për rritjen e kapaciteteve të aktorëve lokalë dhe gjithë advokimin e gjerë publik që zhvilloi organizata, perceptimi i qytetarëve ndryshoi. Ata tani janë më të informuar dhe të gatshëm për t’u angazhuar aktivisht në këtë çështje. Për sa i përket ndryshimit në angazhim, ky projekt ndryshoi thellësisht atë se, si aktorë të ndryshëm u përfshinë në të gjitha fazat e ekzekutimit të projektit. Ky projekt mblodhi së bashku qytetarë, OSHC, biznese dhe përfaqësues të pushtetit vendor për të bashkëpunuar për problemin e ndotjes akustike dhe për të vendosur masa monitoruese për të ardhmen. Angazhimi i këtyre aktorëve solli rekomandime specifike dhe veprime konkrete për dy nga bashkitë e përzgjedhura.

Ky rast tregon se advokimi dhe partneriteti ecin së bashku. Faza më e rëndësishme është shndërrimi i një mesazhi advokues në aleanca dhe partneritete me autoritetet lokale dhe qytetarët.

4. Mësimet dhe përfundimet kryesore

Mekanizmi i granteve LevizAlbania ka qenë i dobishëm në shumë drejtime dhe ka hedhur bazat për rezultate të mëtejshme pozitive. Nëpërmjet përfituesve të saj, LevizAlbania ka ndryshuar mënyrën se si qytetarët mendojnë dhe e perceptojnë përfshirjen e tyre në proceset e demokratizimit dhe si të advokojnë në mënyrë efektive për ndryshimet e politikave.

LevizAlbania ka siguruar pjesëmarrje të gjerë qytetare në ndërhyrjet e grantmarrësve. LevizAlbania ka përkrahur gjithsej 362 persona, grupe informale dhe OSHC në fund të vitit të tretë të zbatimit të fazës së dytë, duke formuar një masë kritike të aktorëve aktivë qytetarë që marrin pjesë dhe ndikojnë në politikat e qeverisjes vendore. Nëpërmjet sistemit të tij të monitorimit dhe vlerësimit, projekti ka mbledhur të dhëna se nismat e palëve të interesuara qytetare të mbështetur nga LevizAlbania, çuan në 212 veprime dhe reagime të pushtetit vendor në përgjigje të një kërkese më të fortë për një qeverisje më të mirë vendore. Si rezultat, 669 kërkesa dhe propozime konkrete janë ngritur nga vetë qytetarët dhe janë mobilizuar përmes LevizAlbania. Palët e interesuara qytetare të mbështetura nga LevizAlbania kanë dorëzuar të paktën 85 kërkesa dhe peticione në Këshillat Vendorë të nënshkruara nga mbi 6000 qytetarë. LevizAlbania gjurmon sistematikisht qëndrueshmërinë e aktivizmit dhe të iniciativave, pas përfundimit të mbështetjes. Bazuar në dy matjet e kryera deri më tani, rreth 40% e palëve të interesuara qytetare të mbështetura, vazhdojnë të jenë aktivë në komunitetet e tyre lokale pas përfundimit të mbështetjes prej 12 muajsh, duke treguar për qëndrueshmërinë e iniciativave.

LevizAlbania ka inkurajuar OSHC-të që të bëhen elastike. Pasiguria në lidhje me mbylljet e reja të mundshme dhe masat kufizuese gjatë pandemisë COVID-19, “u mësuan” aktorëve të shoqërisë civile të eksplorojnë taktika dhe metoda inovative të advokimit. Ata përdorën peticionet elektronike, përdorimin e medias si mjet advokues, mediat sociale etj., për të ndikuar në veprimet e pushtetit vendor.

Pavarësisht nga të gjitha zhvillimet pozitive që sollën përpjekjet advokuese të grantmarrësve, përsëri LevizAlbania dhe grantmarrësit janë përballur me sfida të shumta. Së pari, advokimi është një strategji e re, e pa hulumtuar si duhet nga OSHC-të dhe grupet informale në Shqipëri. Thënë kjo, LevizAlbania është përballur me vështirësi në futjen e mekanizmave efektivë të advokimit në aktivitetin e OSHC-ve. Kjo ndodh pjesërisht për shkak të kapacitetit të kufizuar të OSHC-ve për të zhvilluar strategji advokuese. Së dyti, mjedisi politik në të cilin operojnë OSHC-të nuk i përgjigjet përpjekjeve të advokimit. Kështu, këmbëngulja dhe përpjekjet e dyfishta kanë qenë të nevojshme për të “shtyrë” për ndryshime politikash. Së treti, ka një nivel të ulët të angazhimit të qytetarëve, edhe në çështje të ndjeshme publike të cilat ndikojnë gjerësisht në të gjithë shoqërinë. Mungesa e besimit në institucionet publike e bën këtë një sfidë edhe më të madhe. Prandaj, angazhimi i qytetarëve për t’i bërë ata pjesë të ndryshimit, ka qenë mjaft sfidues.

I gjithë procesi i advokimit, veçanërisht sfidat e hasura gjatë rrugës, dhanë mësimet e vlefshme si më poshtë:

  • Bashkëpunimi është çelësi i advokimit të suksesshëm. Për të përmirësuar ndikimin dhe shtrirjen e veprimit të advokimit, është e rëndësishme të zhvillohen partneritete dhe bashkëpunime me organizata të tjera, duke përfshirë OSHC-të, agjencitë qeveritare dhe ministritë, kompanitë private dhe agjencitë ndërkombëtare të zhvillimit.
  • OSHC-të mund të konsiderojnë përdorimin e mediaas për të tejçuar mesazhin e advokimit. Si pjesë e veprimit të tyre advokues, është thelbësore për OSHC-të të ndërtojnë strategji të përshtatshme komunikimi që përfshijnë forma të ndryshme të mediave si media sociale, shtyp, TV dhe radio.
  • OSHC-të duhet të përfshijnë ngritjen e kapaciteteve në përpjekjet e tyre advokuese. Për të mbështetur ndryshimet e dëshiruara në sjellje ose praktikë, palët e interesuara duhet të informohen rreth praktikave dhe burimeve më të mira në dispozicion.
  • Krijimi i një rrjeti partneriteti të fortë, të larmishëm dhe aktiv do të shumëfishojë ndikimin e advokimit. Kjo do t’i ndihmojë OSHC-të të ftojnë aleatët për të mbështetur argumentet që ata ngrenë për të ndikuar në politikëbërje.
  • Vlerësim i vazhdueshëm i përpjekjeve të advokimit. Rishikimi i strategjive dhe përpjekjeve të mëparshme të advokimit, kryerja e rishikimeve të nevojshme, zbatimi i një procesi të ri advokimi janë thelbësore për të materializaur përpjekjet advokuese.

Kjo përvojë e gjatë e LevizAlbania në mbështetjen e përpjekjeve të advokimit tregoi se nuk ka një formulë të vetme për ta bërë advokimin të suksesshëm. Këmbëngulja, fleksibiliteti, aleancat dhe analizat e mbështetura në të dhëna, ndihmojnë që procesi i advokimit të bëhet i suksesshëm.

[1] 8 partnerët e INSIZ në zbatimin e këtij projekti janë: 1) Qendra Tamara, 2) Qendra Multimediale ‘Shteg’, 3) Forumi i Mendimit të Lirë (Tiranë); 4) Qendra për Zhvillimin e të Rinjve (Kukës); 5) Shoqata “Zëri Qytetar” (Lushnje, Fier dhe Vlorë); 6) Shoqata “Hapa të Lehtë” (Shkodër); 7) Shoqata “Bashkësia Malazeze në Shqipëri” (Elbasan), 8) Qendra e Zhvillimit të Shoqërisë Civile (Durrës dhe Kavajë).