26 janar 2023/Eliza Gjediku/Porta Vendore/Tiranë
Zhvillimi ekonomik, infrastrukturorë dhe social, në vitet e fundit në Shqipëri është shoqëruar me kosto jo vetëm financiare por edhe me dëme sociale, pasi me dhjetëra qytetarë janë bërë kurban i këtyre investimeve. Tre nga projektet madhore të qeverisë dhe pushtetit vendor në Tiranë, si ndërtimi i Unazës së Madhe, Rikualifikimi Urban dhe Rindërtimi. Projekte ambicioze të trumbetuara nga qeveria që do të sjellin zhvillim ekonomik, kulturor e social, në të vërtetë kanë lënë pa strehë shumë familje, që ende enden nëpër apartamente me qira, e pa asnjë afat kur mund të hyjnë në shtëpinë e re.
Në listën e investimeve publike të viteve 2022-2024 që bëri Ministria e Financave, vlerën e projektit të Unazës së Re të Tiranës e korrigjoi në 35.6 miliardë lekë ose në total 290 mln euro nga të cilat 7,8 miliardë janë paguar deri në fund të vitit 2020, rreth 13,5 miliardë lekë do të paguhen në 4 vitet në vijim dhe 14 miliardë lekë. Praktikisht për ndërtimin e unazës, shteti po paguan 10.7 milionë euro për 1 kilometër. Rruga prej 27 kilometrash ka përfunduar në disa segmente, por projekti pritet të finalizohet plotësisht në vitin 2024.
Ky projekt i iniciuar që në vitin 2013, ka shkaktuar debat të madh politik për transparencën në përdorimin e fondeve dhe kompanitë që po zhvillojnë projektin, për hijet e korrupsionit për skandalin me DH Albania por nga ana tjetër hasi në kontestime e protesta nga banorët të cilët mbetën të pastrehë, derisa të strehoheshin në banesa sociale ata që nuk ishin të legalizuar dhe morën dëmshpërblim financiar një pjesë tjetër e familjeve të zonës së Astirit që kishin legalizimin e banesës.
I njëjti debat që ka shkaktuar dëme sociale po ndodh edhe me banorët e Paskuqanit dhe Kodrës së Priftit, që preken nga vijimi i punimeve të Unazës së Madhe. Nga segmenti Shkozë-Kodra Priftit, Loti 4 preken 40 shtëpi. Banorët thonë se projekti ka pasur devijime nga ai fillestar që është hartuar në 1989, por që ndryshoi pas vitit 2013, pas problemeve të konstatuara në projektim.
Banorët thonë se për të ndërtuar shtëpitë e tyre, ata kanë marrë informacion në Bashkinë e Tiranës dhe janë informuar se projekti nuk prekte banesat e tyre, ndërkohë që me devijimet që
pësoi projekti fillestar ata dalin pa banesë, dhe duhet të presin nëse përfitojnë apo jo shpronësim, apo do të strehohen në banesat sociale. Pikëpyetja që ngrihet në këtë pikë është nëse ndërtimi i një rruge përpos rëndësisë së saj, e justifikon faktin që banorëve tu shembet mundi i tyre, dhe të marrin një banesë jo më të madhe se 2+1, pavarësisht ndërtesës që kanë pasur?
E njëjta situatë është edhe me banorët e Paskuqanit apo Shkozës, që preken nga ky projekt. Janë 100 familje që dalin në qiell të hapur, pasi preken nga rrugët lidhëse të Unazës së Re të Tiranës.
“Djersa, mundi dhe puna e bërë në dekada, na shkoi dëm! Ky nuk është shtet”, këto ishin frazat më të shpeshta që dëgjoje nga banorët e Paskuqanit teksa protestonin për banesat të cilat ju shembën përpara syve nga IKMT.
Por për qeverinë interesi për këtë projekt është tepër i madh, pasi ndërtimi i Unazës së Tiranës, është zgjidhje për trafikun, dhe që do të ndikojë në zhvillimin e kryeqytetit.
Duke lënë pas projektin e Unazës së Tiranës, për të ardhur tek rikualifikimi urban e rindërtimi pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.
Më 31 janar 2020 Këshilli i Ministrave shpalli për rindërtim lagjen “5 Maji”, duke caktuar Bashkinë Tiranë si njësi zbatuese të projektit. Janë 580 mijë metra katrorë sipërfaqe ndërtimore, ku përfshijnë 51 godina banimi me 3500 apartamente për 11 mijë banorë. Në këtë projekt përfshihen 5 institucione, 3 godina arsimore, 2 godina sociale dhe 13 terrene sportive, dhe zhvillimi i zonës ishte projektuar nga arkitekti Italian Stefano Boeri. Fillimisht projekti ishte për rikualifikimin urban, por pas tërmetit, ndërtimet në 5 maj u përqendruan në kuadër të rindërtimit.
Tenderat e hapura për ndërtimin e pallateve në zonën e 5 Majit pritet të kushtojnë në total rreth 6.1 miliardë lekë pa TVSH.

Argumenti i qeverisë për këtë projekt që ka nxitur protesta nga qytetarët që janë kundër shembjes së banesave të tyre, do e kthejë 5 Majin në një pikë të rëndësishme për Tiranën, pasi do të ketë disa institucione, dhe do të ketë më shumë vëmendje për zhvillimin ekonomik.
Shembjet e shtëpive për të vënë në jetë projektin e rindërtimit, nisën në muajin tetor të vitit 2021. Në total, për zonën e re për zhvillim preken 222 prona private dhe shtetërore. Sa i takon ndërtimeve private një pjesë prej tyre ishin pa dokumente pronësie. Revolta dhe kundërshtimi i banorëve ishte i madh, dhe shkaku kryesor ishte mungesa e konsultimeve për projektin, mbetja të pastrehë, mungesa e një kontrate për shtëpitë e tyre e deri tek pasiguria nëse në të ardhmen do të kenë një strehë.
E njëjta gjë ka ndodhur edhe me rindërtimin në Kombinat, ku shembjet e pallateve nisën pa siguruar strehim të qytetarëve, dhe pa caktuar afate për kthimin e tyre në banesat e reja. Por banorët e kësaj zone, banesat e të cilëve u dëmtuan nga tërmeti, pretendonin se dëmet ishin për ristrukturim dhe jo shembje, por ky pretendim ra në vesh të shurdhët pasi pallatet u shembën.
Projekti i strehimit në Kombinat parashikon të strehojë mbi 20 mijë qytetar, të reja 4 institucione të reja arsimore, 9 pikave sociale e kulturore dhe 5 sheshe publike. Projekti i Kombinatit pritet të kushtojë në total 76 milionë dollarë, por ai s’do të përfundojë këtë vit.
Por pse e kundërshtuan banorët këtë projekt qeveritar?
Vendimi për të shembur shtëpitë e qytetarëve, u bë pa një diskutim paraprak me ta. Pa një garanci që banorët do të marrin shtëpi dhe pa një afat të caktuar se kur do të futen në shtëpitë e tyre, dhe vetëm me një marrëveshje ku Bashkia zotohet që do ju jap shtëpi kur të mbaroj projekti, qytetarët u ngritën në protesta.
“Nuk jemi dakord sepse nuk kanë ber asnjë dëgjesë publike për të na shpjeguar se kush janë të mirat e komunitet dhe çfarë përfitimi kemi ne si banor dhe ku do sistemohemi dhe ku do marrin pronën tonë të shkëmbyer, përcaktimin e njollës së ndërtimit dhe sipërfaqen sipas ligjeve të shtetit shqiptar dhe përse, për në vetëm shkëmbim kur në si banor dhe pronar mund të përfitojmë metra ndërtim njësi si dyqane bare apo tjetër pasi aty në katin e parë të gjitha godinat kanë njësi shërbimi. Pra në ketë kontekst do ishin banoret të parët përfituesit, si dhe garazhe gjë që nuk përmenden askund këto dy pika pasi këto janë për njerëzit e miqtë e Bashkisë dhe përfitime personale te këtij projekti në dëm të qytetarëve dhe në favor të kryetarit Bashkisë me njerëzit e vet”, thotë Vlash Marku, që ka mbetur pa strehë pasi i shembën shtëpinë.
Banorët ndjehen të mashtruar nga pushteti, pasi nuk janë dëgjuar asnjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve të 25 prillit.
“Ne nuk mund të jemi dakord për diçka që ndoshta do të jetë shumë mirë, por ne nuk na pyet njeri dhe nuk konsultohet. Prandaj nuk jam dakord. Nuk ka pasur asnjë lloj diskutimi me ne për projektin, ne kemi pasur vetëm një diskutim me deputetin e dhomës, që na tha se do të marrin shtëpitë të gjitha dhe ato që i kanë të pa-legalizuara. Në fakt ishte një mashtrim para zgjidhjeve, më pas kemi kërkuar takim me të gjitha institucionet, por Bashkia është treguar shumë arrogante s’ka pranuar të na takonte asnjëherë por e kishte bërë fakt të kryer”, thotë Gjin Nikolli.
Sot është 64 vjeç, dhe jetonte në shtëpinë e tij përdhese që prej vitit 1993. Gjin Nikolli tregon për Portën Vendore, se u zhvendos në Tiranë në 1991, dhe prej 29 vitesh jetonte me familjen e tij në shtëpinë prej 182 metër katror.
“Jam vendosur tek 5 maj që në qershor të vitit 1991-it, shtëpinë e kam ndërtuar në vitin 1993. Shtëpinë e kam të legalizuar, ndërsa truallin nuk e kisha legalizuar. Truallin e bleva me lekë në dorë por jo me dokumente. Aty jetonim 4 pjesëtar të familjes tonë. 182 metër katror ishte shtëpia ime”, tha Nikolli.
Ekspertja: Impakti social ekonomik, duhet të jetë prioritet i investimeve
Ekspertja e ekonomisë Elona Shehu thotë se përpos rëndësisë së investimit, pikë së pari projektet duhet të marrin në konsideratë impaktin social dhe atë ekonomik, që në rastin e Unazës së Re të Tiranës janë tepër të debatueshme.
“Lidhur me Investimet Publike mund të themi që fillimisht orientohen mbi bazën e interesit të përfitimit social dhe ekonomik pa marrë në konsideratë kostot me të cilat realizohen këto investime përkundrejt përfitimit social që sjell ky investim”, thotë Shehu pë r Portë n Vendore.
Por përpos debateve sociale, me rëndësi sipas saj janë edhe kostot që fshihen pas këtyre projekteve, duke pasur parasysh që për të gjitha projektet e lartpërmendura ka pasur hije dyshimi për korrupsion e mungesë transparence në tendera.
“Investimet duhet të orientohen mbi bazën e disa kritereve bazë siç janë analiza kosto përfitim (edhe pse flasim për njësi jo fitimprurëse, duhet të shqetësohemi për koston që i shkaktojmë buxhetit dhe brezave që vijnë), prioritetit dhe emergjencës si dhe aftësia e tatimpaguesve për të kontribuar dhe paguar në kohe detyrimet tatimore. Në situata krizash të njëpasnjëshme, pasigurish të shtuara, rritje çmimesh dhe pamundësi për të kredituar dhe për tu kredituar situata bëhet ende më e vështirë. Pa dashur të shikojmë të gjithë situatën e errët investimet në infrastrukture janë një domosdoshmëri për vendet në zhvillim, por duhet pasur parasysh se problematikat me pronësinë dhe shpronësimet janë probleme të trashëguara në ekonominë tonë”, pohon Shehu.
Kur do të strehohen të pastrehët e projektit qeveritar?
Rindërtimi u premtua se do të mbyllej këtë vit. Por për shkak të kundërshtimit të banorëve për shembjen e banesave projekti për 5 majin dhe kombinatin shtyhet.
“Dy zonat që do vazhdojnë përtej vjeshtës janë 5 Maji dhe Kombinati për shkak të problemeve të pronësisë apo vendimeve gjyqësore”, tha Ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj, pas mbledhjes së qeverisë më 18 maj.
Banor në zonën e 5 majit që prej vitit 1998, Vlash Marku, tregon për Portën Vendore stresin që po kalon familja e tij, pasi nuk din se çfarë do të ndodhë me të ardhmen e tyre. Shembja e banesës, nxori të pastrehë 4 kurorë.
“Nuk kam nënshkruar asnjë kontratë edhe pse kemi bërë shumë herë kërkesë për pritje nga kryetari i Bashkisë për të na dëgjuar mbi hallet tona. Shtëpia ime është prishur në 22 shkurt 2022 dhe nga ky moment bashkia nuk ka bërë asnjë tentativë apo nuk do t’ia dijë për fatin e familjes time edhe pse në disa kërkesa kemi shprehur se në atë banesë jetojmë 4 kurorë, pra unë me 3 djemtë e mi bashkë me familjet e tyre”, thotë Marku.
Ndërsa Gjin Nikolli shprehet se janë në mungesë informacioni plotësisht, sepse në asnjë dokument nuk ka afat për pajisjen me shtëpi.
“Nuk na kanë dhënë asnjë afat kur do marrim shtëpinë. Na kanë thënë që do të marrim aq metër katror sa kemi pasur. Akt marrëveshja që sjellin ata që është e njëanshme, vetëm thonë se do ta japim shtëpinë në të ardhmen. Pra duhet të dhuroj unë shpinë për të marrë një tjetër”, thotë Nikolli.
Shpresat e banorëve janë tek drejtësia!
Disa prej banorëve të 5 majit kanë refuzuar të firmosin aktin e dhurimit të pronës, që ju është dërguar nga bashkia, në të cilën nuk ka asnjë afat për shtëpinë, por vetëm një zotim bashkiak që do marrin shtëpi kur të mbaroj ndërtimi.
“Bashkia në kundërshtim me ligjet e shtetit, thotë firmos kontratë dhurimi pra pronaret t’ja dhurojnë pronën Bashkisë dhe bashkia të premton se në të ardhmen dot dhuroje pronën. Në VKM nr 533 thotë qeveria 100% te metrave katror sa është ndërtesa bashkia të sjell akt marrëveshjen me pak se sa metrat reale që ne kemi. Siç është rasti im ku ne reale kam 115 m2 ndërtesë dhe 229 m2 truall mua më thotë hajde dhe firmos aktin e dhurimit dhe do shkëmbehesh ne te ardhmen 80,9 m2 ndërtesë. Pra kjo është një vjedhje e hapur!”, thotë Vlash Marku.
Ndërsa Gjin Nikolli thotë se kontratën nuk e ka firmosur sepse pret që ta kallëzojë Bashkinë nëse nuk i jepet banesa me sipërfaqen e premtuar.
“Nuk kam firmosur dhe as nuk e firmos atë akt marrëveshje. Porsa kohë ajo marrëveshje nuk ka asnjë afat. Nuk kam firmosur sepse nëse firmos nuk mund ti kallëzoj në të ardhmen”, shprehet Gjin Nikolli.
Marku thotë se ka bërë padi dhe shpreson që drejtësia do ti japë të drejtë akuzës së tij për shkatërrim prone.
“Kemi bërë kallëzim në Prokurori për shkatërrim prone dhe i jemi drejtuar gjykatës. Shpresojmë tek gjykata për drejtësi”, thotë banori Vlash Marku.
Ende asnjë pagesë qiraje për kritikët e projektit të Bashkisë!
Banorët e intervistuar nga Porta Vendore, thonë se ende nuk kanë marrë asnjë pagesë për qiranë. Madje kanë rezerva edhe për fondin e vënë në dispozicion nga bashkia për këstet e qirasë.
“Unë e kam nënshkruar kontratën e qirasë me 29 prill, na thanë që do na i jepnin por deri më tani nuk kam marrë kurrgjë. Bashkia ka bërë një gabim, sepse tha në fillim që do keni pagesë me çmim tregu dhe më pas të shpërblen me persona. Dhe i bie për 4 persona 220 mijë lekë të vjetra. Unë kam marrë një shtëpi me qira, edhe pse me çmimet që thonë ata nuk mund ta gjesh kurrë, edhe larg Tiranës është vështirë të gjesh shtëpi me 220 mijë lekë, por të paktën 350 mijë lekë, ose 400 mijë lekë”, pohon Nikolli.
“Aktualisht jetoj në një shpi me qira të marre vet personalisht me 25.000 lekë të dhe pjesa tjetër e familjes prej 3 kurorë tjera me qira edhe ata 25000 mi lekë”, thotë banori Vlash Marku.
“Rindërtimi”, projekti që do ti kthente sadopak shpresën familjeve të dëmtuara, për shumë familje të tjera u kthye në një projekt me pasoja të tjera sociale negative.
Shtëpia mu shemb me 22 shkurt 2022. Si mund ta harroj këtë datë? Do të mbetet e stampuar në jetën time. Na njoftuan se do na e shembnin në orën 10 të mëngjesit dhe erdhën në orën 06.30 të mëngjesit na hodhën gaz”, kështu e përshkruan Gjin Nikolli momentin kur u detyrua të largohet nga banesa e ndërtuar me mundim e sakrifica, pasi mbi themelet e saj do të niste puna për ndërtimet e pallateve në kuadër të rindërtimit.
Të parët që mbetën në qiell të hapur ishin familjet e komunitetit rom dhe egjiptian
Rreth 60 familje egjiptiane dhe rome u dëbuan me forcë nga banesat e tyre në proces legalizimi. Thënë kjo që, gjithmonë projektet infrastrukturore fillojnë duke prekur fillimisht këto dy minoritete, duke qenë se nga ana institucioneve shihen si më të pambrojturit. Gentian Serjani avokat dhe drejtues i organizatë s Drejtë si Sociale tha për Portën vendore se në të 5 zonat ku po ndërtohet ka pasur abuzime.
“Nisur nga informacioni që kam, mund të them që në të gjitha zonat ka pasur abuzime, por mund të themi që më së shumti abuzim po ndodh tek zona 5 Majit, pasi po fshihet pas interesit publik një investim privat. Kjo, nën petkun e rindërtimit.
Por, tashmë tre nga ato familje me ndihmën tonë kanë fituar me vendim gjykata dëmshpërblim nga ana institucioneve përgjegjëse. Kemi vendime pozitive nga ana e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, ku shohim shume të konsiderueshme dëmshpërblimi për shkelje të kritereve ligjore nga ana e institucioneve përgjegjëse. Për mua këto gjyqtarë ndryshe nga politikanët që flasin për një sistem drejtësie pa integritet, kanë treguar se sistemi drejtësisë funksionon dhe jep drejtësi.”, sqaron Serjani duke vendosur theksin tek procedurat e organeve shtetërore.
“Këto familje duhet të ishin pajisur të gjithë me certifikatat e pronësisë, pasi institucioni përgjegjës ka tejkaluar çdo afat ligjor për përfundimin e procesit të legalizimit të objekteve të deklaruara nga qytetarët. Ndaj, ato familje duhet të trajtohen si pronarë dhe jo si zaptues tokash sepse është faji shtetit që ata gjenden në situatë të tillë”, tha avokati për Portë n Vendore.
Lidhur me dilemë n e madhe që e kanë shumë familje të cilat janë prekur nga ky proces ose jo, por edhe ekspertë të fushës, a po prishim punë ne ndërkohë që po ndreqim rrugët dhe po modernizojmë sistemin infrastrukturor nëpër lagje dhe zona të ndryshme të kryeqytetit, Serjani përgjigjet se:
“Askush nga familjet nuk është kundër zhvillimit të qytetit, por nuk mund të shkatërrosh jetën e qindrave qytetarëve në këtë mënyrë, pasi banesa është investimi jetës së tyre. Ne e dimë shumë mirë rëndësinë që ka banesa dhe pasojat psikologjike dhe sociale që sjell prishja e saj pa dhënë një zgjidhje të qëndrueshme strehimi për familjet që preken. Nuk mund të mos marrësh parasysh situatën e familjes duke pasur në vëmendje vetëm zbatimin e projekteve infrastrukturore. Aq më shumë kur shohim shuma abuzuese për zbatimin e tyre”, përfundon ai.