6 janar 2023/Porta Vendore/ Elbasan
Gjithnjë e më e vështirë duket të jetë mbijetesa në treg e fermerëve, të cilët nisur nga kriza e çmimeve, shtrenjtimi i produkteve bujqësore si edhe mungesa e vëmendjes së instancave shtetërore, janë duke braktisur prodhimet dhe tokat e tyre. Vit pas viti ata konstatojnë vetëm humbje të parikuperueshme, e në të tilla kushte, e vetmja zgjidhje që u vjen ndërmend është të mos i mbjellin më arat, duke i lënë djerrë.
Qarku i Elbasanit e veçanërisht zonat e Sulovës, Gostimës, Shtërmenit dhe Floqit, të Bashkisë Cërrik, mbahen si prodhuesit më të mëdhenj të rrushit, ullirit dhe nënprodukteve të tyre. Zona fushore dhe tokat pjellore kanë nxitur banorët e këtyre fshatrave të merren që herët me bujqësi, si një mënyrë e mirë për të rritur të ardhurat e për ta ndërtuar jetesën në vendin e tyre. Por nga viti në vit shihet se interesi është duke u zbehur, dhe kjo si pasojë e rritjes së kostove të produkteve bujqësore (plehra, spërkatje e helme të ndryshëm), të cilët nuk mbulojnë koston e prodhimit të këtyre varieteteve.
Sezoni i rrushit këtë vit sipas fermerëve, ka qenë ndër më të vështirit, prej ngritjes së çmimeve të inputeve bujqësore, dhe daljes së produktit të treg me çmim tejet të ulët. Fermeri 62 vjeç ar Besim Ago ia ka dedikuar gjithë jetën e tij parcelave. Tashmë ai zotëron rreth 22 dynym vreshta rrushi në fshatin Floq të Bashkisë Cërrik, dhe pohon se ky vit ka qenë më i vështiri me të cilin ai është hasur në kaq vite. “Plehrat janë trefishuar dhe ndërkohë në treg çmimi i rrushit shkoi me 15-20 lekë. Paradoksale që teksa rritja e çmimeve vijon, produkti dhe puna ime shumëzohet me zero. Deri sot unë kisha rrush pa vjelë në parcelat e mia, siç e pe. Pse ta mbledh kot, kur nuk kam treg që të paktën të nxjerr lekët e helmeve, pa lodhja ime u pa kjo punë.”
I pyetur se nëse nënprodukti i saj ka një çmim më të mirë në treg, ai përgjigjet se situata është edhe më keq. “Rakia që unë prodhoj rri me vite në magazine. S’ka treg fare, dhe kur më del mundësia ta shes, çmimi nuk shkon më shumë se 350-400 lekë për litër. Është qesharake duke marrë parasysh se sa lodhemi dhe harxhojmë ne për ta bërë rakinë. Vetëm zierja e një fucie shkon rreth 2 mijë lekë të rinj. Kam bërë 50 kuintal raki këtë vit, ndërkohë që kam ende pa shitur atë të vitit të shkuar,” tregon më tej ai për Portën Vendore.
Fermeri e sheh të pamundur mbijetesën në treg, dhe i keqardhur tregon se e kanë ndihmuar fëmijët që punojnë në emigracion ta mbledhë dhe të mos e lërë prodhimin të kalbet në pemë, si shumica e fermerëve të tjerë. “Mua më kanë ndihmuar fëmijët këtë vit të vështirë, se prodhimi im do ishte i gjithi në arë sot. Ky lloj rrushi duhet ta kishte mbi 60 lekë për kg çmimin, ndërsa ne kemi shitur me 15 lekë për kg. S’kemi mbuluar asnjë kosto. Shteti duhet të ndërhyjë sa më parë, që edhe fermerët të vijojnë të prodhojnë. Në të kundërt, askush nuk do dojë më të merret me këtë zanat,” tregon ndër të tjera Besimi.
Një tjetër produkt i cili nuk po gjen treg për tu shitur me çmimin e tij normal është ulliri. Për Porta Vendore, Qamil Boja me profesion ekonomist, por që prej vitesh ka hyrë në zanatin e fermerit, tregon vështirësitë e gjetjes së tregut dhe garantimit të shitjes së vajit me një çmim që mbulon shpenzimet e tij. “Me rritjen e çmimeve të produkteve bujqësore kryesisht plehrave, kosto e produkteve del shumë e lartë, kështu që edhe fermerët nga viti në vit janë drejt humbjes. Pra kosto e një litri vaj del e lartë në raport me çmimin që ka sot në treg,”shprehet ai
I pyetur se a ka përfituar nga skema e subvencionimit, Qamili tregon se ka një problem. “Skema e subvencionimit të fermerëve është tërësisht e dështuar për faktin se fermerët kanë shumë pak tokë bujqësore. Kriteri i subvencionimit në Shqipëri është me limit, ndaj shumica e fermerëve nuk përfitojnë për shkak të sipërfaqes së pakët. Duhet ndryshuar metoda, të bëhet subvencionimi bazuar tek njësitë e prodhimit. Pra sa prodhon, aq edhe përfiton,” shpjegon Qamili.
Sipas tij kjo skemë do të rrisë prodhimin dhe do bëjë që çdo fermer ta zgjerojë aktivitetin e tij në disa sfera, pasi puna e tij do të vlerësohet. I këtij mendimi është edhe Besimi, dhe shumë fermerë të tjerë të zonës të cilët sugjerojnë këtë metodë për të dalë nga vështirësia në të cilën gjenden momentalisht.
Nga një vëzhgim i thjeshtë në tregje, çmimi i një litri vaj luledielli sot varion nga 300-390 lekë. Ndërkohë që prodhuesit e vajit të ullirit shpjegojnë se litri i tij edhe këtë vit mbetet i ulët në raport me shpenzimet vjetore. “Këtë vit e shoh shumë të zymtë situatën. Në treg litri i vajit të ullirit nuk i kalon 500 lekë, ndërkohë që me gjithë rritjen e inputeve bujqësore, ky mim do duhej të ishte minimalisht 800-900 lekë për litër. Në këtë situatë shumica janë dorëzuar, mbase edhe unë këtë do bëj,”rrëfen me dëshpërim fermeri.
Mbi këtë problematikë, Porta Vendore u interesua pranë Bashkisë Cërrik për ti pyetur lidhur me mbështetjen që ata u kanë dhënë fermerëve të zonës, por deri në publikimin e këtij artikulli, nuk u mor një përgjigje. Kërkesat e fermerëve të kësaj zone nuk janë shumë: një pikë grumbullimi dhe subvencionim në bazë të njësive të prodhimit. Kaq u duhet fermerëve që të mos heqin dorë nga prodhimet e tyre…