15 dhjetor 2022/Marinela Dushi/Porta Vendore/ Durrës
Mijëra familje, fëmijë, e të moshuar kanë kaluar 3 dimra të ftohtë në çadra, kontejnerë, apo në banesa me qira, të cilët janë ende në pritje të përmbushjes së premtimit të qeverisë, për rindërtimin e shtëpive të tyre që u shembën nga tërmeti.
“Kam 3 vjet që jetoj në kontejner, nuk kam shpresë që të ma ndërtojnë shtëpinë time as për këtë fundvit”, thotë një banore në Durrës, e cili rrëfen për Portën Vendore në kuadër të 3 viteve nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, se ndjehet e lodhur dhe po i humb shpresat çdo ditë tek bashkia për të pasur një përgjigje lidhur me strehimin e saj.

Porta Vendore udhëtoi drejt zonës së Plepave në qytetin e Durrësit, aty ky prej 3 vitesh jeton një familje më dy fëmije të mitur në kontejner.


Kryefamiljarja Shpresa Guce nuk ndodhej në strehën e saj, por sapo mësoi praninë e medias, vrapoi së bashku me mbesën 3 vjeçe për të ndarë me ne dhimbjen e shpirtit të saj që po kalon, duke rritur fëmijët në një kontejner të ngushte e më lagështirë. Problemin e saj e ka ngritur shpesh herë në media, si dhe ka tentuar të takojë kryetaren e bashkisë së Durrësit, por deri tani pa sukses. Ky institucion duket se është treguar indiferent përballë vuajtjes së këtij prindi që shqetësohet që fëmijët të jetojnë në kushte normale. 59 vjeçarja, Shpresa Guce jetonte një një shtëpi dy katëshe, në katin e dytë të saj. Por tërmeti e shkatërroi duke e bërë të pabanueshme.

Sipas ekspertëve, dëmtimi i shtëpisë nga lëkundjet e tërmetit, është në shkallën DS5, për tu shembur, por pavarësisht se kanë kaluar 3 vjet banesa e saj e shkatërruar vijon ende në këmbë, duke i kujtuar tronditjen që pësoi atë mbrëmje nëntori. Me lot në sy, Shpresa tregon se kryetarja e bashkisë Sako i ka premtuar se do ja ndërtojë shtëpinë, por deri tani nuk e ka realizuar premtim e saj, madje refuzon ta pres në takim, kur ajo shkon në bashki për të pyetur se çfarë po bëhet lidhur me këtë premtim.
Pas tërmetit, Shpresa u strehua në një çadër ku qëndroi për 1 vit, të cilën e kishte siguruar nga administratori i Rrashbullit, ndërsa kontejnerin nga kisha katolike, kurse bashkia sipas saj nuk I ka ofruar asnjë ndihmë.

Por kontejneri është I pamjaftueshëm për 4 anëtarët e familjes. Brenda ka hapësirë vetëm për dy krevate teke, që nuk mjaftojnë për të gjithë pjesëtarët. Llamarinat e kontejnerit janë të prishur, me lagështirë dhe të çarë, ku i gjithë i ftohi dhe shiu bie brenda. “Unë jetoj në këtë kontejner, deri dje kam jetuar në çadër. Kam dy fëmijë të vegjël një 3 vjeçe, një 7 vjeçe, një 30 vjeçe. Jetoj me ndihmën ekonomike, tani po vjen dimri i katërt, unë akoma jetoj në kontejner”. Shpresa, e përlotur, ka një thirrje për kryebashkiaken: “ lutem kryetares, mos më tregoj mua, vajta dje në takim, nuk më doli, me nxori sekretaren, më dha një letër për të bërë disa letra, unë do ti bëj, aman te përroi i Agait unë nuk do shkoj. Unë jetoj me ndihmë ekonomike, 40 mijë lekë të vjetra, jam i vetë i 4, në gjendje civile jam vet i 3, por kam edhe një fëmijë të braktisur, që po e rrit vet gjyshja, unë, që jam e sëmurë. Të lutem shumë kryetare, më ke dhënë fjalën. Ma ke nxjerrë DS5 banesën që u dëmtuar nga tërmeti, për tu prishur, dhe që do të më ndërtoni banesën këtu”, thotë ajo, ndërsa tregon edhe vështirësitë e të jetuarit në kontejner.
“Ujë jo, banjë jo, gjë jo. Është shumë keq të jetosh në këtë kontejnerë që ma dha kisha katolike, vjen një erë shumë të keqe këtu, është plot lagështirë. Ka 3 vjet që uji rrjedh në kontejnerë. E mbuloj me plastmasa, sa herë rrjedhë”, shprehet Shpresa për Portën Vendore.
Por rindërtimi i pallateve deri tani ka ecur me ngadalë dhe bashkia nuk u jep informacion banorëve se çfarë do bëhet për rikonstruksionin e godinës. Shpesh herë banorët e pallateve të dëmtuara nga tërmeti kanë protestuar përpara bashkisë por ende nuk kanë marrë në zgjidhje.
Në lagjen numër 12 në Durrës, pranë tregut industrial janë dy pallate të cilat janë dëmtuar nga tërmeti dhe ende nuk janë rregulluar nga bashkia.

Porta Vendore intervistoi disa nga familjarët që kanë shtëpinë në këto pallate të dëmtuara. Ata shprehen të irrituar nga zvarritje e riparimit të pallatit të tyre, ndërsa theksojnë se nuk do të presin më për do të hyjnë në banesa edhe pse janë të prishur. Por gjatë ndërhyrjes në objekt, janë gjetur probleme të tjerë që duhej ribërë projekti. Për të bërë këto rregullimet shtesë, kompanisë I duhej fonde të tjera nga bashkia, të cilat ende nuk janë alokuar. Për këtë shkak punimet për riparimin e pallatit, janë ndërprerë sipas banorëve para disa muajve, dhe nuk kanë rifilluar. Ata shprehen se nuk kanë asgjë përgjigje nga bashkia se kur firma do të rifillojë punimet që ata të hyjnë në shtëpitë e tyre. Bëhet fjalë për riparimet e ambienteve te përbashkëta të pallatit si kolonat, shkallët, muret e përbashkëta, ashensor, pasi apartamentet janë riparuar nga vet banorët, pasi kanë marrë grante nga bashkia.
Tomorr Spahiu, me profesion inxhinier është një nga banorët e këtij pallati 10 katësh. Ai tregon problemin pse kane ngecur punimet. “Pallati ynë është dëmtuar nga tërmeti i nëntorit të 2019. Pallati ynë pësoi dëmtime që duhej riparuar. Kompania tenderuese, pasi bëri projektin, nisën punimet për riparimet. Rikonstruksioni vijoi, por rrugës punëtorët dhe inxhiniere u përball me problematike të tjerë që duhet ribërë projekti i ndërhyrjes nga e para. Por shpenzimet shtesë sipas projektit të dytë, e kalonin fondin limit që bashkia ua kishte dhënë kompanisë. Në këtë rast duhej që bashkia të hapte nq tender tjetër për alokuar fondet shtesë kompanisë ndërtuese për të vijuar me rikonstruksionin e pallatit. Tani problem është se procesi i rindërtimit po zvarritet, firma ndërtuese ka ndërprerë punimet që në qershor dhe nuk dihet kur do të rifillojnë. Kryetarja e bashkisë nuk na pret. Ne jemi më bonus, e marrim më vonesë, një herë në 3 muaj. Është viti i 3 që jetojmë me qira, dhe nuk besoj që do hyjnë as këtë vit ne banesat tona. Problemi është fondi i pamjaftueshëm. Në ekspertizën e parë nisën rikonstruksionin, por rrugës u gjetën probleme dhe u kërkuar që projekti të ribëhej dhe duheshin më shumë fonde. Në Durrës nuk ka hyrë asnjë në shtëpitë e tyre të rindërtuar. Procesi i rindërtimit nuk ka ecur fare, lërë çfarë mburret kryeministri”, tha ai Për Portën Vendore.
Një tjetër banore e këtij pallati, Linda shprehet se asnjë përfaqësues i bashkisë nuk i ka sqaruar se çfarë po bëhet më rikonstruksionin. “Ka që në muaji maj që janë ndërprerë punime në pallatin tonë, dhe nuk ka fonde. Inxhinierja na tha që në 1 tetor do fillonin punimet por ka kaluar afati edhe ende nuk kanë nisur punimet. Asnjë përfaqësues i bashkisë nuk ka sqaruar se çfarë po bëhet më rikonstruksionin e pallatit. Në fillim i përcaktuan DS3, shkalla e dëmtimit, por më pas në ekspertizën e dytë u vlerësuar ds4. Tani kanë që mbetur pa rregulluar shkallët e pallatit, ashensorin, dhe dritat që të hyjmë në shtëpi. Janë bërë shumë abuzime me pallatin. Shtëpinë e kam bërë me gjak, dhe mërzitem kur shikoj disa padrejtësi që bëhen. Jam mërzit që prej 3 vitesh po jetoj në shtëpinë e huaj. Bonusin e marrim por vonon aman qiramarrësi do pagesën çdo muaj”, shprehet Linda.
Ndërsa në pallatin tjetër 12 katësh ngjyrë jeshile, nuk është bërë asnjë ndërhyrje.

Banorët këtu duket se janë ndarë në dy grupe, një pjesë duan të shembet ndërsa të tjera duan rikonstruksionin e pallatit.

“Pallati ynë ka 3 vitesh që është dëmtuar nga tërmeti. Ne kemi bërë protesta që ky palla të rindërtohet. Janë rregulluar pallatet e Durrësit që kanë patur kolona të thyera e nuk është rregulluar pallati ynë që nuk ka dëmtime seriozë. Në kemi bërë protesta për rikonstruksion, ndërsa kryetarja e bashkisë na tha që ju keni kërkuar për ta shembur. Erdhën inxhinierët të huaj dhe e vlerësuan pallatin tonë shkalla e dëmtimit DS3, për tu rregulluar shteti dha grantet për tu rregulluar. Vetëm 3 kate janë të prishur, janë vetëm tullat kurse pallati është gati që të hyjnë brenda që sot. Tani morën një inxhinier privat. Morën vesh që u caktuar ds3, u mor një inxhinier privat. Se kush e mori atë inxhinier privat unë nuk e di. Dhe ai inxhiniere e ka nxjerrë 78% të dëmtuar pallati, që pallati nuk kishte shkallë, po pse më çfarë i ngjisnim shkallët ne, me teleferik në 20 vjet. Version që dha inxhinier i dytë nuk qëndron, ka renë, s’ka asnjë kolonë të thyer. Ne prej 3 vitesh jetojmë nga zona e Kënetës me qira. Bonusin e marrim 1 herë ne 3 muaj”, tha Fatime Zani, 62 vjeçe.
Edhe në lagjen numër 5 në Durrës janë dëmtuar shuma pallate nga tërmeti. Godinat e shkatërruara e të braktisura gjendjen në këtë lagje. Porta Vendore pa nga afër 3 pallate në këtë zonë të cilat ishin braktisur nga banorët pasi do të shemben.

Fillimisht pikasim pallatin ngjyrë gri 10 katësh. Godina të braktisur, pa dyer e dritare, muret e jashtme të shkatërruar me tulla të copëtuar. Në përpjekje për të pyetur për fatin e banorëve të këtij pallati, Porta Vendore gjeti dy nga banorët e këtij pallati. Lana, kishte marrë një dyqan me qira në zonën ku jetonte duke shitur produkte ushqimore. Ajo tregoi se në pallatin gri, ka patur dyqanin e saj i cili u dëmtuar nga tërmeti. “Unë kam patur dyqanin te ai pallati. I gjithë mundi ynë u shkatërruar. Tani paguaj çdo muaj qiranë e dyqanit. Nuk kam marrë asnjë shpërblim nga bashkia për dyqanin. Banorët e pallatit, mora nga 2.5 mln leke të vjetra për të riparuar apartamentet e tyre ndërsa unë asnjë gjë, pasi më thanë që nuk përfitoj. Por kjo nuk është e drejtë. Nuk kemi informacion se çfarë po bëhet për pallatin e dëmtuar, thuhet se do të shembet dhe banorët do dërgohen në pallatet e ndërtuar në Spitallë. Por aty është shumë larg, nuk do asnjë njëri të shkojë atje, ne jemi ne qendër këtu, si mund të ikim atje aq larg”, tha banorja.
Banorët e pallateve janë larguar nga banesat dhe jetojnë më qira në lagje të ndryshme të Durrësit. Gjithsesi Porta Vendore arriti të gjendet njërën nga banorët e pallatit që ka patur shtëpinë. Disa metra larg lagjes, gjejmë Vjollcën, afro 65 vjeçe. Atë e gjetëm në vendin e saj të punës e cila tregton rroba të përdorura. “Në fillim pallati u vlerësuar se ishte dëmtuar në shkallën ds2 për tu riparuar. Bashkia na tha nga 2.5 mln lekë të vjetra dhe të gjithë në rregulluam apartamentet tona. Teksa prisnin që të riparohej pallati, dhe ambientet e përbashkëta, si muret apo shkallët, vjen një tjetër vendim ku na thonë se pallati do të shembet. Në këtë moment të gjitha banorët u larguan nga pallati dhe u zhvendosën në shtëpi me qira, ashti sikurse unë. Që nga ai momenti nuk është bërë asgjë për ne, ai pallat do ishte shembur dhe ndërtuar përgjatë 3 viteve, por ça të bësh, nuk duan, po e lënë pas dore duke e zvarritur. Na kanë thënë që lekët që morën 2.5 mln lekë që rregulluam apartamentet do ja kthejmë bashkisë kur të marrim shtëpinë e re”, tha Vjollca.
Ajo tha se kanë bërë shpesh protesta para bashkisë por nuk u kanë dhënë asnjë zgjidhje.
“Pallati që në ndërtim ka patur një problem, ka qenë i anuar e kjo pasi ndërtuesi ka bërë disa kate shtese duke anuar pallatin”, shtoi Vjollca.


E teksa gjurmët e tërmetit në Durrës janë të pranishëm në çdo lagje, tregohet qartë që qeveria ka dështuar të përmbushë edhe kësaj radhe premtimin se në pranverën e vitit 2022 nuk do të kishte asnjë shenjë nga tërmeti dhe të gjithë do ishin rehatuar në shtëpitë e tyre.
Porta Vendore udhëtoi edhe drejt lagjes së re të rindërtimit në zonën e Spitallës. Dhjetëra blloqe pallatesh po ndërtoheshin. Pallatet ishin 4 katësh. Disa prej tyre sapo u ishin hedhur themelet, disa të tjera në proces ndërtimit të kateve. Kishte edhe disa pallate që dukeshin se ishin pothuajse gati, të cilat ishin lyer me bojë dhe u kishin vendosur dyer dhe dritare.


Në lidhje se si po ecën procesi i rindërtimit, Porta Vendore i dërgoi në 3 nëntor 2022, një kërkesë për informim Bashkisë Durrës. Bashkia Durrës bën me dije se aktualisht kanë përfunduar punimet e riforcimit për 10 objekte me nivel dëmi DS4, 431 banesa individuale , 9 pallate në sitin e Manzës dhe 3 pallate në qytet. ‘Janë 2700 familje që po trajtohen me bonus qiraje. Aktualisht Bashkia Durrës është në fazën e përforcimit të disa objekteve pallat dhe shtëpive individuale. Ndërkohë nga ana jonë është kërkuar fond për projekt për 43 pallate me nivel dëmi ds4, me miratimin e të cilit, institucioni zhvillon procedurën e prokurimit publik për përzgjedhjen e subjektit i cili do të hartojë projektin e përforcimit”, thuhet në njoftimin e bashkisë Durrës.
Përsa i përket rindërtimit në zonën e Spitallës, sipas bashkisë, projekti është i ndarë në 7 lote. “Aktualisht po punohet për të gjitha lotet. Loti i parë ku janë gjithsej 15 pallate dhe 156 apartamente në fazë rifiniturash. Në tre lotet e tjera janë në fazën kontruksion betonarme dhe ndërtim murature, janë 40 godina dhe 444 apartamente. Në tre lotet e tjera jemi në fazën kontruksion themeli plus strukturë janë 30 godina dhe 396 apartamente. I gjithë siti i ri do të ketë 85 pallate të reja 4 katësh me 996 apartamente gjithsej. Qëllimi është që punimet të përfundojnë brenda pranverës së vitit 2023”, tha bashkia në përgjigjen e saj zyrtare referuar kërkesës së Portës Vendore.
Kujtojmë që Durrësi është një nga qytetet që ka pësuar dëme të shumta nga goditja e tërmetit të 26 nëntorit 2019. Dhjetëra banesa dhe pallate u shkatërruan, e mijëra familje mbetën pa strehë.