Ngjarje/Personazhe

Fshatrat e Krujës presin ende rindërtimin e banesave.

27 dhjetor 2022/ Krujë/Porta Vendore

Porta Vendore në fund nëntor kreu një vëzhgim në disa zona të Krujës për të kuptuar më shumë se si po shkon procesi i rindërtimit të bënesave individuale, por në bazë të asaj që faktohet duket se procesi është ende i largët e sidomos kur bëhet fjalë për zonat periferike.

Udhëtimi drejt fshatit Mafsheq të Malësisë së Krujës, s është fare i lehtë. Rruga nis nga qyteti i Krujës në drejtim të zonës turistike Qaf Shtamë, një aks rrugor me kthesa të forta, ndërsa pas disa kilometrash, duhet të shkëputesh doemos nga rruga e asfaltuar dhe të nisesh drejt një rruge e cila përshkohet nga pak mjete, kryesisht nga ato 4×4, posaçërisht për zona të tilla.

Fshati i vendosur në faqen e malit, i shtrirë me një sipërfaqe të madhe bën që ato pak banorë të mbetur këtu, të ndodhen në vështirësi ekstreme ekonomike.

Në këtë fshat të harruar nga institucionet por jo nga tërmeti ,duket se dëmet janë ende të freskëta, sikurse të kishte qenë dje.

Nga sa mësuam 42 vjeçari Bujar Karraci me tre fëmijët, dy prindërit, babain të rënduar nga sëmundja, jetonin në një shtëpi thuajse të rrënuar. Bujari detyrohej të qëndronte në shtëpi, pranë babait Vadiut i cili kishte kaluar paralizë.

Bashkëshortja na tregoi Bujari punonte në fasoneri, ndonëse ishte në muajin e tetë të shtatzënisë dhe priste fëmijën e katërt.

Me lot në sy Bujari tregon kalvarin e vuajtjeve, thuajse shpresëhumbur. Në një shtëpi të vjetruar e cila u rëndua nga tërmeti nëntorit të 2019, çuditërisht mbahej në këmbë dhe ishte rrezik permanent të rrëzohej tërësisht, por ata në atë banesë jetonin dhe flinin plot shtatë familjare.

Si Bujari janë dhe disa familje të tjera me banesa të shkatërruara, janë në pritje nga institucionet në rindërtimin e banesave të shkatërruara, ndonëse familjet nuk tregojnë optimizëm nga bashkia ne rindërtimin e banesave.

Panorama e këtij fshati është shumë e zbehtë, pa shkollë dhe vetëm me një infermiere e cila kryen ndonjë injeksion, në raste të rënda banorët i transportojnë të sëmurët me mjetet e tyre private, në të tilla rrugë të amortizuara.

Nezir Kabili 65 vjeçari nga fshati Mafsheq në Malësinë e Krujës tregon një histori të trishtë. Jeton i vetuar në një shtëpi thuajse të rrënuar, ndërsa 15 vite të jetës së tij i ka kaluar në burg, i akuzuar për vrasje dhe plagosje, ndërkohë ai pranon se vrasjen nuk e ka kryer plagosjen po. Edhe shtëpia e tij është prekur nga tërmeti por askush nuk është kujtuar që ta vizitojë. I rënduar financiarisht dhe psikologjikisht ai shtyn ditët me pak shpresa se e nesërmja do të sjell ndryshimin.

Po afrohen tre vite nga momenti i tërmetit shkatërrues në zonën e Bubqit, ndërsa ende disa familje jetojnë në kushte të vështira, në kasolle dhe kontejnerë. Kryeministri i vendit një vit më parë inauguroj kompleksin e ri të ndërtimeve në Bubq, disa familje i janë gëzuar shtëpive të reja, një pjesë e tyre ende janë në vështirësi ekstreme, dhe akoma më keq ndodh me të moshuarit.

Fatushe Masha 75 vjeçare vuan nga disa sëmundje, por jeton vetëm me nipin e saj në një kasolle. U vijnë në ndihmë njëra nga vajzat e cila ndodhet në fshatin fqinjë.

Pak metra më tutje ndodhet një tjetër e moshuar. Sabje Bega, jeton prej 3 vitesh ditë e natë në këtë kontejner të dhuruar nga një shoqatë bamirësie, pa mundur të përfitojë asnjë ndihmë tjetër.

Sabija thotë se askush nuk i jep informacion se kur do të ndërtohet shtëpia e saj, megjithëse familje të tjera në këtë zonë kanë plotësuar një sërë dokumentacioni që janë dorëzuar në institucionin vendor, ndërsa Sabija nuk i ka bërë të gjitha këto, duke rrezikuar të mbetet në të tilla kushte ku është sot

Një tjetër e moshuar është edhe Fatime Hoxha nga fshati Mazhë e Vogël, në shtëpinë që tërmeti ia rrënojë ishin disa kurorë, ndërsa sot fëmijët e saj janë ndarë, ca jetojnë me familjet e tyre në kontejner e ca në kasolle.

“Shtëpia është tërësisht e rrënuar. Pas tërmetit jemi strehuar në çadra, tani që fillon dimri do kthehemi në banesë, le të na rrezikohet jeta, se s’ja dalim dot më”, thotë ajo e trishtuar.

E moshuara teksa tregon për vështirësitë që përjeton kjo familje, thotë se premtimet për banesa të mëdha kanë qenë të shumta por mesa duket ato janë sfumuar.

Më shumë se 15 familje në fshatin Mukje të Krujës jetojnë prej 3 vitesh në çadër. Fati i tyre ngjason me atë të shumë familjeve të tjera, në këtë zonë periferike dhe jo vetëm, shtëpia e të cilëve u shemb ose pësojë dëme serioze nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Shkolla e fshatit Mukje ndodhet e mbuluar nga ferrat, ajo u dëmtua nga tërmeti i nëntorit 2019, megjithëse ka një numër nxënësish sa gishtat e njerës dorë, një mësues në prag pensioni, ndërsa procesi mësimor zhvillohet në një banesë private tanimë prej 3 vitesh.

Mësimi në këtë shkollë të improvizuar bëhet në mënyrë kolektive, përkatësisht me dy nxënës në klasën e parë, dy në të pestën dhe një në të dytën, këta janë nxënësit e fshatit Mukje me vetëm 16 familje nga 46 të disa viteve më parë.

Disa fëmijë të tjerë nga fshati kanë zgjedhur të ndjekin mësimet në shkollën e fshatit fqinjë rreth 30 minuta larg në këmbë teksa i duhet të përballen në fakt me një infrastrukturë rrugore të dëmtuar.

Me sa kemi vëzhguar, nxënësit e shkollës në Mukje kishin vështirësi në ndjekjen e mësimit në ambientet e banesës private të dhuruar nga një banor në fshat.

Por megjithatë pavarësisht bujarisë së treguar nga dhuruesi duket se nxënësit janë shumë larg realitetit nga të nxënit mësimor.

Në një dhomë të kësaj banese ku janë akomoduar nxënësit janë të afishuara një pjesë e vogël e materialeve shkollore, dhe duke parë gjendjen e vështirë të kërkosh apo të flasësh për laboratorë apo kabinete . Mësuesi në prag pensioni tregon se duhet të investohet në rikonstruksionin e shkollës, një apel Bashkisë Krujë dhe institucionit arsimor.

Në fshat disa familje jetonin në çadra në kushte mizerabël. Një 86 vjeçare me 8 anëtarë të tjerë të familjes jetonin në çadra, aty ku hanin aty flinin, ndërkohë dhe çadrat te amortizuara .

Në Mukje prej mungesës së investimeve dhe rrugës së amortizuar nga 46 familje që kanë jetuar deri dy dekada më parë, tani kanë mbetur vetëm 16 te tilla, disa familje jetojnë dhe në çadra, nga dëmet e shkaktuara nga tërmeti i nëntorit të 2019. Më e rëndë është situata në familjen e Agron Mukës, aty ku dhe banon edhe nëna e tij 86 vjeçare.