21 dhjetor 2022/ Ahmet Zani/Porta Vendore/ Kurbin
Në zonat periferike të Kurbinit ende ka familje që jetojnë në qiell të hapur pas tërmetit të tre viteve më parë. Shtëpitë që kanë rezultuar me një dëmtim themelor ds4 dhe ds5 në shumë fshatra dhe jo vetëm nuk kanë nisur të rindërtohen sikurse ishte premtuar nga bashkia dhe qeveria, duke i lënë këto familje me gjithnjë e më pak shpresa për një jetë dinjitoze. Teksa kalojnë dimrin e katërt në çadra ose kontejner ata vijojnë të apelojnë për ndihmë e që shteti të mund ti kthejë sytë nga ata.
Ky është Ndue Gjini 66 vjeç nga fshati Mali Bardhë Kurbin, e gjetëm teksa ngrohej nën rrezet e diellit, pranë kontejnerit të dhuruar nga një fondacion bamirës. Temperaturat e larta gjatë ditës, i mundësojnë të ngrohet në diell, ndërsa gjatë natës erërat e fuqishme e stërmundojnë këtë të moshuar, i cili vuan nga disa sëmundje.
“Jam invalid. Këtu prej 3 vitesh nuk ka ardhur njeri të më pyes se si jam, ku po jetojë e si po jetojë. Lahem në oborr turp i zotit. Këtu jashtë i kemi krejt të gjitha, rrobat, ushqimet, gazin se s’kemi ku ti çojmë”, thotë Ndue Gjini duke shtuar se para ca kohësh kisha i sigurojë edhe një kontejner përveç çadrës.
Ai lutet ti ndërtohet shtëpia, apelon strukturave të shtetit, të kthejnë sytë nga kjo familje. Ky i moshuar tregon se ka humbur tërë shpresat në ndërtimin e banesës së dëmtuar nga tërmeti nëntorit të 2019. Bashkëshortja e tij ka trokitur në dyert e bashkisë më shumë se qindra herë tanimë dhe përcjellë vetëm me fjalë, dhe premtime.
“Jemi ankuar në bashki, kemi shkuar shumë shpesh por na kanë lënë në harresë. Në fillim na than ë se kur të shkojmë tek të tjerët do vijmë edhe tek ju, se ke njerëz të sëmurë dhe invalid i thanë. Pastaj shkojë gruaja prapë pas nja një muaj, i thanë që e kemi nisur procesin e rindërtimit tek disa shtëpi të tjera, prisni ju se ka kohë 2 vite e gjysmë për këtë që të mbarojmë shtëpitë. Vetëm këtu tek ne bën vaki që invalidi është hallka e fundit për ti hedhur sytë shteti. Unë nuk durojë dot kam dhimbje koke, tension gjaku e s’di ku të jetojë e rri. Gjithë verës kam ndenjur tek mani jashtë, kam shkuar 3-4 herë në urgjencë për dy muaj vere. Nuk e di si po veprohet kështu, nuk e di”, tha Gjini për Portën Vendore.
Konsiderohet ndër familjet e harruara nga institucionet, përveçse faktit që po ka përfituar bonusin e qirasë, por vetëm kaq, pasi askush nuk ka dhënë asnjë ndihmë për dy të moshuarit.
“Unë marrë 150 mijë lekë pension. 50 i dua për ilaçe. Edhe bonus qiraje marrim, por unë s lëviz dot nga këtu 1 orë, se të tillë e kam sëmundjen”, rrëfen ai për Portën Vendore.
Dy të moshuarit kanë dhe një djalë 20 vjeçar i cili pak ditë më parë është larguar si emigrant, të ndihmojë dy prindërit e tij të moshuar.
Ata tregojnë se nuk donin të largonin birin e tyre , por pamundësia dhe kushtet e pakta bënë që ai të zgjedh rrugën e largimit nga familja dhe vendi , për tu punësuar jashtë , me qëllimin e vetëm për një jetë më të mirë, dhe për ti ardhur sadopak në ndihmë edhe prindërve të tij të moshuar.
Pamjet tregojnë qarte kushtet shumë të vështira të kësaj familje. Ardhja e kontejnerit vitin e kaluar i gëzoj pa masë çiftin e të moshuarve, ndërsa tani buzëqeshja i ka ngrirë në buzë, teksa kanë humbur shpresat për rindërtimin e banesës së tyre të premtuar.
Shpresojnë pas këtij apeli që institucionet dhe qeveria të kthejë sytë nga çifti i të moshuarve, në fshatin Mali Bardhë në Kurbin.
“I bëj thirrje shtetit të ktheje kokën nga ne, i kam kaluar 3 dimra, më nuk mund të durojë. Ja ky është dimri i 4 që do më duhet të kalojë. I bëj thirrje për këta që janë të sëmurë, shteti të veprojë”, thotë Gjini për Portën Vendore, duke venë theksin tek kushtet e vështira të jetesës së tij gjatë kësaj kohe.
Në këtë fshat theksojmë se nuk mungon rasti i disa familjeve të tjera të civilët janë mjaftuar thjesht me hedhjen vetëm të disa inerte pranë banesave të dëmtuara, me shkakun e nisjes së punimeve.
Janë mjaftuar të hedhin pak inerte pranë banesave të dëmtuara në fshatin Mali Bardhë në Kurbin, me pretendimin e fillimit të punimeve. Banorët ankohen për të tilla padrejtësi. Dimri që po troket duket se sërish do ta kalojnë në kushte ekstremisht të vështira.
Valentina Lika tregon se është larguar nga fshati i saj për të gjetur strehë në një tjetër fshat. Shtëpia e saj dhe e dy familjeve të tjera që jetonin aty pranë janë rrafshuar që në tërmetin e nëntorit të 2019.
Valentina na tregon se bashkëshorti i saj është i sëmurë mendor, ndaj është dorëzuar përballë një situate të tillë, nga mungesa e vëmendjes së institucioneve. Nga bashkia është premtuar rindërtimi i banesave, por në shumë familje deri më tani 3 vite nga momenti i tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019 janë dërguar vetëm pak inerte dhe kaq.
“Më është shembur shtëpia nga tërmeti. Jam rrugëve ndërsa burrin e kam me probleme. Ndaj i kërkojë shtetit që sa më shpejt të ma rregullojë shtëpinë. Bashkia më ka thënë ja sot, ja nesër deri tani që tërmeti mbush fiks 3 vjet veç zhavorr ka sjell asgjë tjetër. Bashkia më thotë vijmë sot e vijmë nesër por ende asgjë. Ishalla vendosin dorën në zemër dhe ma rregullojnë”, thotë Valentina për Portën Vendore, duke shtuar se:
“Jemi 3 familje dhe ajo vetë i treti, me jetimë e fëmijë me probleme. Më keq nuk ka ku të shkojmë. Ishalla do zoti vënë dorën në zemër. Nga bashkia përveç bonusit s’na ka dhënë asgjë tjetër. Presim që të vijnë ta rregullojnë sa më shpejt se ne vetë nuk kemi fuqi ekonomike”, shton ajo.
Prena Gjini është një tjetër e moshuar që jeton në kushte të vështira. Çdo ditë e më shumë jetesa në një kasolle, pranë banesës së rrafshuar nuk është e lehtë. Historia e saj është tejet e dhimbshme, pasi edhe vajzën nuse e nxori pikërisht nga kjo kasolle.
“Qëkur na u shemb shtëpia jetojmë në këtë kasolle të improvizuar që ka shërbyer më përpara si magazinë. Këtu jetojë vetë i tretë, me vajzën dhe burrin. Bashkia ka thënë që do ta bëjmë, por tani se di. Nuk kam shkuar me thënë të drejtën se çfarë do zgjidhet që do shkojë unë si gjynahqarë, ata prapë kur ta kenë në plan do vijnë për të rindërtuar shtëpinë time”, thotë Prena për Portën Vendore, duke shtuar se e gjithë kjo situatë e ka rënduar psikologjikisht dhe nga ana shëndetësore edhe më shumë.
E kujton me lot në sy, momentin e sikletshëm, duke u justifikuar se këto gjera ndodhin kur nuk ke shtet e çati në kokë. Pengu i saj mesa duket është vetë vajza që i është dashur të nusëroi në një atmosferë që askush se kemi paramenduar.
“Në verë kam martuar njërën prej dy vajzave që kam. Si me qenë jevgj, nga këtu e kam nxjerr nuse vajzën. Histori më të trishtë nuk kam pas aman. E çuam në parukiere, e dasmën ja bëmë në Milot por prapë nga këtu doli nuse, turp i madh aman, mos ma kujto”, përfundon ajo.
Porta Vendore u interesua pranë Bashkisë Kurbin por pa pasur një feedback pozitiv për një përgjigje mbi të dhënat se ku është sot procesi i rindërtimit në territorin e kësaj bashki, si një nga 11 bashkitë që u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe që përfitojë nga fondet e rindërtimit gjithashtu .