5 nëntor 2022/Esmeralda Pirra/Porta Vendore
Gjatë fushatës së 2015, në disa bashki në vend u premtua uji 24 orë gjatë mandatit të kryebashkiakëve, i njëjti ishte edhe për Tiranën . I njëjti premtim u artikulua nga kryeministri Edi Rama në 2017 teksa kërkonte një mandat të dytë nga shqiptarët. Megjithatë, edhe pse ky premtim është “trashëguar” vit pas viti, rezultati është i njëjti. Edhe pse vendi ynë ka një potencial hidrik të konsiderueshëm krahasuar me vendet e tjera në Europë, furnizimi me ujë të pijshëm 24 orë vazhdon dhe mbetet një nga sfidat kryesore. Shqipëria renditet ndër vendet e para në Europë për pasuri ujore, megjithatë fakti është se shqiptarët nuk kanë ujë edhe në vitin 2022.
Një vit më parë Kryeministri Rama, përkatësisht më 18 mars 2021, pak para zgjedhjeve parlamentare, edhe një herë ai premton uji dhe energji 24 orë, duke e quajtur kështu një premtim të pambajtur faktin se Tirana ka uji 24 orë , pavarësisht investimeve të kryera.
Ujëmbledhësi i Bovillës pavarësisht investimeve të kryera gjatë 2 viteve të fundit ende nuk sollën ndryshimet e pritura as në orare dhe as në zgjatjen e furnizimit me ujë dhe aq më pak me 24 orë, sikurse u propagandua.
Pavarësisht se propagandohet për furnizimin me ujë gjatë pjesës më të madhe të ditës, banorët e Tiranës thonë se vjen me orar të kufizuar, 3 herë në ditë. “Uji vjen me orar…. Ku ka ujë 24 orë këtu?” Depozitat i kemi në tarracë, pa higjienë fare, zë myk dhe llum dhe nuk pastrohet. Na vjen keq edhe kur i lajmë fëmijët, se për të pirë e gatuar shkojmë e blejmë”, shprehet Alda Kaseja banore në lagjen Jordan Misja.
E njëjta gjë ndodh edhe në zonën e Myslym Shyrit, e cila nuk furnizohet nga Bovilla me ujë 24 orë.
Romina tregon për Portën Vendore se në krye të herës kishte qenë skeptikë për furnizimin në Tiranë 24 orë, pasi i dukej një premtim i pavend, për kohën që jetojmë. Sipas saj jemi ende larg për të kapur një standard të tillë, ndaj mbesin shumë e gjërave thjesht premtime të pambajtura.
Premtimet për ujin 24 orë janë ‘trashëguar me besnikëri’ nga njëri kandidat tek tjetri, pavarësisht partisë apo koalicionit fitues, por rezultati ka qenë zhgënjyes për të gjitha palët. E mbi të gjitha zhgënjyes sipas ekspertëve të fushës ka qenë edhe mënyra se si e kanë keqmenaxhuar ujin, pasi shumica e burimeve janë të ndotura në kryeqytet.
I pyetur nga Porta Vendore për këtë çështje, studiuesi Bilbil Daci shprehet se: “Burimi i Bovillës së vjetër është bashkuar me ujin e liqenit dhe shkon direkt në çezmat e qytetarëve. I shtojnë klor me shumicë, e shumë herë me klor të skaduar e me probleme të tjera. Burimet e Selit – Shën Mërisë, janë shumë herë më të ndotur se uji i liqenit të Bovillës. Kjo ndodh në të gjithë vendin. Kjo ndodh me dashje me dijeni të Ministrisë së Shëndetësisë dhe institucioneve të tjera në varësi të saj”, tha ai, madje duke ngritur alarmin se për 80% të të sëmurëve me sëmundje kancerogjene të gjirit shkak bëhet uji. “Nga 550 raste në vit, 440 pacientë me këtë sëmundje e kanë nga uji i pijshëm, pjesa tjetër nga shkaqe të tjera. I.SH.P dhe të tjerët kur flasin për shkaqet nga një herë i përmendim si shkaktarë lëndët kimike dhe rrezatimin, e në shumë raste nuk e përmendin fare. Pa hedhur poshtë shkaqet e tjera që janë thënë e stërthënë publikisht, që për mua zënë vetëm 20% të të gjithë të sëmurëve me kancer gjiri. A ka konsumator shqiptar që nuk e ka ndier praninë e klorit në ujë, se sa shqiptarë kanë denoncuar me video se si mbidoza e klorit shikohet me sy të lirë, e tmerrshme. Kjo nuk ndodh në asnjë vend tjetër të botës, as në pishina e jo më në ujin që vjen në çezmë”, shton ai për Portën Vendore.
Studiuesi Daci tregon për parametrat dhe përdorimin e hipokloritit të kalciumit në depozitat e ujit. Sipas tij, ai hipokloriti i kalciumit me formulë kimike Ca (ClO)2 përdoret për dezinfektim dhe klorinim të ujit. “Nëse përdoret për dezinfektim, uji nuk konsumohet në asnjë mënyrë. Nëse përdoret për klorinimin e ujit, mbidoza e lejuar e Cl është 0,5 mg/l. Meqenëse hipokloriti i kalciumit ka disa të meta të cilat dëmtojnë shëndetin e njeriut, për klorinimin e ujit përdoret hipoklorit natriumi, NaOCl tretësirë. Hipokloriti i kalciumit Ca(ClO)2 në prani të ujit ose lagështisë nxehet dhe kalon nga hipoklorit në kripëra hipoklorate Ca(ClO)3. Këto kripëra janë shumë toksike dhe shkaktojnë dëme të pariparueshme në trupin e njeriut. Për këtë arsye, aty ku hidhet hipokloriti i kalciumit në ujësjellës është me dhoma me ndarje që uji të mos nxehet e të mos krijohen këto kripëra toksike. Nëse mbidoza e klorit në rastin e Hipokloritit Ca(ClO)2 është mbi 0.5 mg/l kur gatuan gjellë, çaj, kafe, në furrat e bukës, pra kur kalon në temperaturë të lartë, kthehet në kripëra hipoklorati (ClO)3 toksike. Kur ndihet prania e klorit në ujë mbidoza e Cl është më shumë se vlera e lejuar. Me mbidozë 0.5mg/l nuk ndihet era e pështirë e Cl”, vijon Daci.
Sipas projeksionit optimist të qeverisë në vitin 2021 do të furnizoheshin 24 orë ujë në ditë, 52 zona urbane: Laç, Rubik, Kavajë, Rrogozhinë, Fushë-Krujë, Shijak, Peshkopi, Bulqizë, Burrel, Klos, Librazhd, Prrenjas, Gramsh, Leskovik, Berat, Kuçovë, Ura Vajgurore, Çorovodë, Lushnje Patos, Roskovec, Ballsh, Selenicë, Delvinë, Finiq, Gjirokastër, Libohovë, Dropull, Belsh. Porta Vendore ka kryer vazhdimisht cikle shkrimesh të thelluara për këtë tematike jetësore për qytetarët.
Por edhe këto qytete nuk kanë uji 24 orë, duke bërë që të sillet mbase sërish në vëmendje nga qeveria shqiptare në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, si një kalë beteje elektorale.
2 vit më parë, Këshilli Bashkiak i Tiranës dhe ai i Durrësit miratuan heqjen e përkohshme e të gjithë depozitave të ujit nga tarracat me pretendimin se ato paraqesin rrezik për banorët. Më pas, duhej të ishte një ekip inxhinierësh të cilët duhej të bënin verifikimin e strukturave të tarracave për të parë nëse ato janë në gjendje të mbajnë edhe peshën e depozitave, por banorët e kësaj zone e mohojnë të jetë bërë një gjë e tillë. Pallatet e reja i kanë të vendosura depozitat e ujit në bodrume, ndërkohë në pallatet e vjetra vijojnë të qëndrojnë në tarraca.
Ekspertja e mjedisit Sonila Sulaj e pyetur për këtë çështje tha se është për të ardhur keq që jemi ende në këtë situatë. Nuk është për tu besuar uji që vjen në rubinetet tanë, pavarësisht që predispozohet që është uji i kontrolluar nga institucionet përkatëse. Sulaj tha se konsumimi i përhershëm i këtij uji nuk është i shëndetshëm. Niveli i nitrateve, niveli i kriptshmërisë si edhe klori i lartë janë faktorë që ndikojnë në cilësinë e ujit, dhe e bëjnë jo të pijshëm.
“Qytetarët janë të detyruar ta blejnë ujin pasi ai rri shumë në depozita e s’është më për tu konsumuar. Ujësjellësi i Tiranës furnizohet nga disa burime, më i madhi është ai i Bovillës i cili nuk pastrohet, ka mbetje rreth e qark tij”.
Ekspertja tha se ne të gjithë vërtetë e blejmë ujin për të pirë por ka shumë familje që me atë ujë gatuajnë, me atë lahen dhe patjetër që do sjellë probleme shëndetësore. Problemi më i madh janë lëndët organike, janë gjethet, kalbëzimi i pyjeve, kafshët e ngordhura që kalojnë nëpërmjet burimeve shkojnë direkt e në ujë. Problemi vijon kur hidhet klori, atëherë krijohen kompozime të klorit organik që janë të dëmshme për shëndetin, janë helmuese. Menaxhimi është shumë i keq duhet të merren masa sa më parë.
Në të njëjtën linjë duket se është edhe studiuesi Daci përsa i përket kësaj situate të krijuar, jo vetëm në kryeqytet por edhe në rrethe.
“Të marrë fund një herë e mirë ky tmerr i pa fund për shëndetin e popullatës. Në mungesë të ujit të rrjedhshëm 24 orë, shumë qytetarë përdorin në shtëpitë e tyre ujë që vjen nga depozitat personale. Por depozitat nëse nuk pastrohen shndërrohen në një vend grumbullimi për mikrobe të shumta që kontaminojnë ujin që derdhet aty duke u kthyer kështu në faktor rreziku për shëndetin e qytetarëve. Për të shmangur rrezikun që mund të vijë nga uji i grumbulluar në këto pajisje, ju duhet ta pastroni depozitën rregullisht”, përfundon ai.