Vëzhgim/Analizë

Largimet e padrejta nga puna po gllabërojnë taksat e shqiptarëve! Në 5 vite 65 mln euro të paguara për pushimet e punonjësve! Rriten borxhet e bashkive për vendimet gjyqësore.

22 nëntor 2022/Eliza Gjediku/Porta Vendore

Punësimet elektorale, emërimet në pozicione pa meritë dhe largimet e padrejta nga puna vijojnë të jenë barrë për taksat e qytetarëve shqiptarë, të cilët paguajnë për keq-menaxhimet e institucioneve shtetërore.

“Vijon keqmenaxhimi në përdorimin e fondeve të burimeve njerëzore si pasojë largimeve të padrejta nga puna të punonjësve, gjë e cila ka rezultuar shpesh në pagesa penalitetesh, komisionesh dhe tarifash angazhimi përmbarimore”, thuhet në një raport të performacës së Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2021.

Largimet në mënyrë arbitrare nga puna, nuk janë vetëm fenomen i bizneseve private, por janë kthyer në një fenomen negative edhe për institucionet shtetërore. Çdo vit, miliona euro shkojnë vetëm për pagesat e vendimeve gjyqësore që janë në favor të punonjësve të larguar në mënyrë të padrejtë nga puna.

Jo vetëm ministritë dhe institucionet qendrore por pas në këtë problematikë nuk ngelen as bashkitë.

“Në shumë raste janë evidentuar vlera të konsiderueshme të paguara nga njësitë e vetëqeverisjes vendore për largime të padrejta nga puna të punonjësve, të cilat dëmtojnë buxhetin e këtyre njësive, etj”, thotë KLSH.

Për shkak të numrit të lartë të largimeve nga puna, dhe fitimit të gjyqeve nga qytetarët, nga thesari i shtetit çdo vit bëhen pagesa, por nga ana tjetër kanë rritur edhe borxhet.

“Në lidhje me largimet nga puna, të nxirren përgjegjësitë që lidhen me largimet e padrejta, zgjidhjet e njëanshme të kontratave të punës, si jo të argumentuara sipas Kodit të Punës, duke krijuar kështu debitorë pa arsye objektive”, rekomandon Ministria e Financave për Institucionet.

Bazuar në një raport të publikuar së fundmi nga Ministria e Financave, mbi detyrimet e prapambetura, rezulton se në fund të qershorit të këtij viti totali i borxheve të papaguara vetëm si pasojë e detyrimeve gjyqësore ishte mbi 4,044 miliardë lekë, nga 3,857 miliardë lekë që ishte në fund të dhjetorit 2021, duke u rritur me rreth 187 milionë lekë.

Nga këto borxhe të akumuluara, rreth 645 milionë lekë detyrime për vendimet gjyqësore i kishin Bashkitë.

Shkaku kryesor për këto borxhe gjyqësore janë shkaktuar nga largimet e padrejta të punonjësve, të cilët më pas kanë fituar gjyqet që kanë nisur dhe kanë përfituar dëmshpërblim nga buxheti i shtetit. Shkeljet më të mëdha të pushtetit vendor dhe jo vetëm janë në shkarkime arbitrare duke shkelur legjislacionin e nënpunësit civil dhe të kodit të punës.

Në krye të listës për nivelin më të lartë të borxheve nga vendimet gjyqësore e ka bashkia e Durrësit me 120 milionë lekë, ndjekur nga bashkia Pogradec me 99.9 milionë lekë, më pas është Dibra me 57.3 milionë lekë, Kavaja me 53.2 milionë lekë dhe në vend të pestë është Bashkia e Tiranës me 43.5 milionë lekë borxhe si pasojë e vendimeve gjyqësore.

 

Borxhet e bashkive për vendimet gjyqësore

1

Bashkia Durrës

120 mln lekë

2

Bashkia Pogradec

99.9 mln lekë

3

Bashkia Dibër

57.3 mln lekë

4

Bashkia Kavajë

53.2 mln lekë

5

Bashkia Tiranë

43.5 mln lekë

6

Bashkia Përmet

24.5 mln lekë

7

Bashkia Gjirokastër

10.6 mln lekë

8

Bashkia Peqin

10 mln lekë

9

Bashkia Ura Vajgurore

9.1 mln lekë

10

Bashkia Poliçan

8 mln lekë

 

Përpos këtyre borxheve, nga thesari i shtetit çdo vit bëhen me dhjetëra pagesa për dëmshpërblimin e punonjësve të larguar. Sipas të dhënave të publikuara nga KLSH, për pagesat e bëra për vendimet gjyqësore të formës së prerë për largimet e padrejta nga puna rezulton se në 5 vite janë paguar mbi 7.5 miliardë lekë ose rreth 65 milionë euro.

 

Pagesat nga thesari për largimet nga puna

Viti 2016

1.5 mld lekë

Viti 2017

1.8 mld lekë

Viti 2018

1.6 mld lekë

Viti 2019

1.3 mld lekë

Viti 2020

1.3 mld lekë

Viti 2021

Ende s’ka raport mbi buxhetin

Total

7.5 mld lekë

Burimi: KLSH

 

Padrejtësitë në tregun vendas, po largojnë rininë!

Shteti paguan për një pozicion pune në shumë raste 2 paga. Një për të punësuarin dhe një për të larguarin që ka fituar të drejtën e dëmshpërblimit në gjykatë. Kështu e argumenton dëmin që i shkaktohet buxhetit të shtetit nga kjo sjellje e gabuar e institucioneve eksperti i punësimit dhe pedagogu Erion Muça.

“Shteti shqiptar paguan për të njëjtin pozicion punë 2 punonjës për një periudhë 2-3 vite aq sa është koha e mbylljes se proceseve gjyqësore dhe aq sa shpesh është pretendimi i punonjësve për shpërblim financiar. Kjo përbën një kosto shumë të lartë në buxhet dhe e keqja është se masat për ta parandaluar këtë fenomen përmes respektimit ligjor të hapave të duhur për ndërprerjen e rregullt të marrëdhënies së punës. Ende institucione të caktuara kanë njerëz joprofesionistë në ndjekjen e procedurave duke krijuar në mënyrë të drejtpërdrejtë shkelje detyre nga paaftësia për t’ju përgjigjur detyrës e në këto raste masat e marra janë shumë më të vogla se dëmi i krijuar në buxhet”, pohon eksperti i çështjeve të punësimit, Erion Muça.

Përveç kostos financiare që rëndon mbi xhepin e taksapaguesve shqiptarë, praktikat e gabuara si të shtetit ashtu edhe privatit në trajtimin e punonjësve po shtyjnë drejt largimit të rinjtë e kryesisht të arsimuarit. Ekspertja e çështjeve ekonomike Elona Shehu teksa liston disa nga problemet që po shtyjnë të rinjtë drejt largimit, jep edhe disa zgjidhje për t’i mbajtur ata në vend.

“Largimi i të rinjve vjen si pasojë e shumë faktorëve së bashku. Të ardhurat e ulëta në vend, pasiguria për vendin e punës, stafi i fushatave elektorale dhe për pasojë kemi rritje të synimit të të rinjëve për tregun e huaj. Bazuar në këta faktorë qeverisë i lind detyra të kujdeset më tepër për të rinjt e vendit, si pasojë e largimit të krahut të punës dhe plakjes së popullsisë! Rritja e pagave e konsultuar me biznesin dhe politika e mbështetjes së sipermarrjeve të reja do të siguronin një rritje të numrit të të rinjëve që duan të studiojnë dhe punojnë në vend”, thotë për Porta Vendore pedagogia e Universitetit Mesdhetar, Elona Shehu.

Por jo vetëm largimet e padrejta nga bashkitë, por edhe zvarritja e gjyqeve nga drejtësia po i shtyjnë shqiptarët drejt emigrimit.

“Zvarritja e proceseve gjyqësore krijon një klimë mosbesimi për të ndjekur këtë rrugë lidhur me zgjidhjen e problemit. E keqja është se mosndeshkimi sjell automatikisht perseritje me intensitet të lartë të një shkelje dhe ky trend vijon pambarimisht. Në këtë fokus çdo vonesë e krijuar për dhënien e të drejtës së një individi sjell paralel një dëm në shtrembërimin e të vërtetës dhe përmes saj abuzimi fillon të rritet”, pohon eksperti Muça.

Sipas të dhënave të INSTAT, nga viti 2016 deri në fund të vitit të kaluar nga Shqipëria kanë ikur rreth 220 mijë qytetarë.

 

Largimet e shqiptarëve ndër vite

Viti 2016

32,533 persona

Viti 2017

39,905 persona

Viti 2018

38,703 persona

Viti 2019

43,835 persona

Viti 2020

23,854 persona

Viti 2021

42,048 persona

Totali

220,878 persona

Burimi: INSTAT

 

Në mënyrë që ky fenomen negativ të ndalojë, dhe të bëhet e mundur mbajtja e ‘trurit’ në vend kërkon politika serioze investimi nga qeveria, por themelore është përmirësimi i nivelit të pagave. Ky është një nga konkluzionet e nxjerra nga një studim i bërë nga eksperti Salami Xhepa dhe Ornela Liperi, studim me temë “Produktiviteti: Thembra e Akilit e ekonomisë shqiptare 2021”.

“Rritja ekonomike nuk ka mundur të përkthehet në më shumë punësim cilësor, reduktim serioz të varfërisë dhe rritje të mirëqenies për të gjithë grupet shoqërore. Dominimi i ekonomisë shqiptare nga shërbimet, bujqësia dhe aktivitet e manifakturës me vlerë të ulët të shtuar, kryesisht nga industritë fason, ka prodhuar një strukturë punësimi me paga shumë të ulëta dhe hapsira shumë të kufizuara për firmat prodhuese që të rrisin më shumë shpenzimet për pagat dhe zhvillimin e burimeve njerëzore. Siç është dëshmuar në studimet e kryera mbi këtë çështje, nivelet e ulëta të pagave të diktuara edhe nga struktura e punësimit, përveç faktorëve të tjerë, është e lidhur ngushtësisht me problemet e varfërisë dhe thellimin e pabarazive ekonomike. Rritja e produktivitetit përmes transformimeve teknologjike dhe inovacionit, kërkojnë investime serioze në zhvillimin e burimeve të përshtatshme njerëzore, ku një vend qendror zënë edhe politikat e shpërblimit”, thuhet në studim.

 

Si ta mbajmë në vend krahun e punës?

Përpos mungesë së meritokracisë, motivimit, informimit dhe aftësimit, mungesa e një platforme shtetërore për të nxitur punësimin dhe jo nisma të ndara, është një pengesë e madhe për zhvillimin e tregut në vend dhe që rrezikon të kthehet në një sfidë për të kapërcyer një kolaps të mundshëm në punësim.

“Në 10 vitet e ardhshme nëse nuk merren masa për rivitalizimin e rritjen e atraktivitetit të tregut vendas të punës, për reduktimin e emigracionit, në ndërtimin e një oferte kombëtare për punë me karakter informues mbi mundësitë e ofruara, nëse punësimi nuk kthehet në prioritet kombëtar dhe nëse strategjitë dhe politikat e punësimit nuk kthehen në plane dhe manuale konkrete veprimi për të kthyer normalitetin Shqipëria realisht do të bëhet nga mungesa e Burimeve Njerëzore një vend të padobishem për investimet strategjike dhe për interesin e të rinjve për të qëndruar dhe parë të ardhmen brenda vendit”, shprehet eksperti Erion Muça.

Ndërsa ekspertja Shehu shkon edhe më tej me masat që sugjeron për të stimuluar qëndrimin e të rinjëve në vend dhe për ti motivuar drejt kërkimit të së ardhmes në Shqipëri.

“Stimulimi i masave për të rritur shpërblimin e mjekëve dhe infermierëve në vend me qëllim rritjen e cilësisë së shërbimit dhe motivimin e tyre për të qëndruar në Shqipëri. Nxitja e teknicientëve, inxhinierëve dhe profesonistëve të qëndrojnë në Shqiperi duke i trajnuar jashtë dhe duke i shpërblyer, për të mbajtur kapitalin human të motivuar. Këto janë edhe kategoritë që kanë edhe ritmin më të lartë të largimeve nga vendi. Hapja dhe nxitja e investimeve në industri do të rriste punësimin dhe do të përmirësonte treguesit makroekonomike. Pra, duhet të riorientohen politikat e invesimeve publike dhe private në kuadër të industrualizimit të vendit”, pohon Shehu.

Por jo vetëm masat e karakterit social me fokus punësimin, por edhe subvencionet vlerësohen si masë e mirë për të mbajtur fuqinë punëtore në vend.

“Stimulimi i lindjeve duke u siguruar një pagesë mujore simbolike çdo fëmijë deri në moshën 18 vjeç mund të jetë një nismë frytëdhënëse dhe frenuese e fenomenit të emigrimit”, thotë ndër të tjera ekspertja e ekonomisë.

Dafina është një grua në të 45 që vjen nga komuniteti rom dhe egjiptian dhe megjithëse kishte një kontratë 1 vjeçare në shërbimin e pastrimit të një bashkie të dorës së dytë në jug të vendit, ajo sërish u hoq nga puna në mënyrë të padrejtë.

“Kisha vite që në çdo fushatë ju lusja kryetarëve dhe kandidatëve për deputet që të mund të mbaja fëmijët me bukë duke pranuar që të punoja edhe në pastrimin e rrugëve të qytetit, mjaft të kisha një rrogë, por pasi më futën dhe kaluan 3 muaj, më hoqën nga puna pa motivacion dhe futën një tjetër, si duket për të bërë ciklin e qokave që të gjithë të mbesin të kënaqur në kuadër të premtimeve elektorale. Sigurisht që unë çështjen nuk e çova në gjyq pasi nuk kisha mundësi financiare dhe ata që më hoqën nga puna e dinin fare mirë këtë, pra që s’do të haseshin me asnjë lloj rezistence qoftë edhe administrative”, tha ajo.

Për avokatin Gentian Serjani shumica e largimit të punonjësve të administratës nga puna ndodh menjëherë pas zgjedhjeve, kur ka ndryshime të drejtuesve të pushtetit vendor apo qendror. “Shpesh largimi nga puna i punonjësve bëhet pa respektuar asnjë nga rregullat e parashikuar në kodin e punës apo dhe në ligjin për nëpunësin civil. Si pasojë e largimit të padrejtë dhe shkeljeve ligjore, punonjësit e larguar i drejtohen gjykatave ku shumica prej tyre përfitojnë dëmshpërblime në shuma të konsiderueshme, si dhe disa prej tyre përfitojnë të drejtën e rikthimit në vendin e punës”, tha ai për Portën Vendore duke vendosur theksin tek vetë qytetarët shqiptarë që duket se humbin nga financat e tyre pasi dëmshpërblimet kryhen me taksat tona.

“Padyshim, ata që humbin nga këto veprime të paligjshme janë qytetarët shqiptarë të cilët duhet të paguajnë me taksat e tyre dëmshpërblimet e fituara nga këta punonjës për veprimet e paligjshme të drejtuesve të institucioneve vendore dhe qendrore”, sqaron ai teksa jep edhe një sugjerim mbi zgjidhjen e këtyre problematikave .

“Sugjerimi im për zgjidhjen e kësaj problematike është ndryshimi ligjor përsa i përket përgjegjësisë financiare. Çdo përfaqësues i pushtetit vendor apo qendror të mbajë përgjegjësi personale financiare për veprimet e paligjshme të kryer prej tij”, përfundoi avokati Serjani.