Vëzhgim/Analizë

Projektbuxheti 2023 për bashkitë, pa fond dedikuar krizës së inflacionit! Eksperti: Nuk garanton rritje shërbimesh dhe as investime të reja

14 nëntor 2022/ Eliza Gjediku/ Porta Vendore

Përballë një viti të paralajmëruar të vështirë, në mes të krizës së inflacionit dhe me zgjedhjet vendore në horizont, Ministria e Financave ka prezantuar projektbuxhetin e vitit 2023, me synimet dhe sfidat e reja. Kriza e energjisë dhe e inflacionit janë elementet kyçe që shoqërojnë treguesit fiskal të këtij buxheti.

Projektbuxheti i vitit 2023 i publikuar nga Ministria e Financave, do të jetë në vlerën e rreth 5.8 miliardë euro (687.2 miliardë lekë), nga të cilat për buxhetin vendor janë parashikuar shpenzime në vlerën e 562.3 milionë euro (65.5 miliardë lekë)

“Shpenzimet e buxhetit vendor për vitin 2023, janë parashikuar në masën 65.5 miliardë lekë, me një rritje prej 8.8% më shumë se buxheti i vitit 2022.  Këto shpenzime për vitin 2023, zënë 3% të PBB-së nga 2.3% që zinin në vitin 2013”, thuhet në relacionin e projektbuxhetit 2023.

Për kryetarin e Shoqatës së Bashkive Agron Haxhimali ky buxhet mbetet pothuajse në të njëjtat parametra me buxhetin e këtij viti. Siaps tij me këto të dhëna që janë paraqitur aktualisht nga Ministria e Financave, nuk garantohet rritje e shërbimit apo e investimeve nëpër bashki.

“Jemi në kushtet e parashikimit pasi akoma nuk është mbyll viti së pari, dhe se dyti është projekt buxhet dhe mund të pësojë ndyshime qofte me ulje apo dhe rritje. Kjo diference edhe nëse mbete e tillë sërisht nuk më bind se mund të sjellë ndryshimet në sasinë dhe cilësinë e shërbimeve. Gjithashtu kjo diferencë nuk përbën mjaftueshmëri për të përmirsuar as investime në infrastrukuturën urbane dhe rurale, por as nuk do japë ndonjë ndikim në shërbimet me ndikim social”, shprehet Haxhimali.

Edhe pse në raport me vitin aktual buxheti i pushtetit vendor është 5.8 miliardë lekë më i lartë, në raport me Prodhimin Kombëtar, shpenzimet për bashkitë janë në rënie. Konkretisht në vitin aktual shpenzimet e parashikuar për bashkitë në projektbuxhetin 2022, ishin në  vlerën e 59.7 miliardë lekë, ose rreth 3.3% e PBB-së së vendit. Pra pesha e shpenzimeve për vendorët është 0.3% më e ulët se e këtij viti në raport me PBB-në.

Në relacion evidentohet fakti që sfidat pushtetit vendor dhe ekonomisë në tërësi janë të mëdha për shkak të luftës në Ukrainë, por për bashkitë nuk është caktuar ndonjë fond specifik që mund të përdoret në kohën e krizës së ccmimeve, që është kryefjalë e këtij viti. Përballë krizës së inflacionit dhe të energjisë bashkitë duket se do të ecin të vetme për të përballuar këtë situatë.

Për vitin që vjen bashkitë do të marrin nga buxheti i shtetit në formën e transfertës 31.5 miliardë lekë, ku 21.7 miliardë lekë do të jenë transfertë e pakushtëzuar dhe 9.8 miliardë lekë transfertë e pakushtëzuar sektoriale,

Por për ekspertin e pushtetit vendor Agron Haxhimali, kjo rritje e transfertës vjen si pasojë e detyrimit ligjor të përcaktuar në ligjin për Vetëqeverisjen Vendore, dhe nuk do të ketë ndonjë impakt të marr në zhvillimin e bashkive.

“Në transfertën e pakushtëzuar të parashikuar për vitin 2023, që rezulton nga përcaktimi ligjor i madhësisë minimale prej 1% të PBB-së ose prej 21.761 miliard lekë, do të shtohen edhe fondet prej rreth 9.890 miliard lekë, për financimin e funksioneve të reja të cilat për periudhën 2016-2018, janë financuar nëpërmjet transfertave specifike. Nga 1 janari i vitit 2019, transfertat specifike u kthyen në transfertë të pakushtëzuar sektoriale e cila përdoret në autonomi nga njësitë e vetëqeverisjes vendore. Në total, për vitin 2023, transferta e pakushtëzuar do të jetë 31.651 miliard lekë. Nuk eshte ndonje rritje qe perballo nevojat reale te bashkive ne raprot me shume pergjegjsi detyra dhe funksione qe bashkite kane”, pohon Haxhimali.

‘Suksesi’ i reformës territoriale, kryefjalë e buxhetit vendor 2023!

Ajo që vihet re në argumentimin e projektbuxhetit të paraqitur nga financat është vëmendja që i është kushtuar reformës administrativo-territoriale të vitit 2015, ndoshta për të dhënë një mesazh që mazhoranca do të vazhdojë me të njëjtën ndarje të cilën në relacion e konsideron të suksesshme.

“Buxheti vendor i vitit 2023, do të jetë rreth 8.8 % më i lartë se i plani i vitit 2022, dhe 11% më i lartë se i pritshmi i vitit 2022. Krahasuar me periudhën para reformës administrativo  territoriale është  92.5% më i lartë. Të ardhurat e veta të pushtetit vendor nga viti 2015 në vitin 2023 kanë pësuar një rritje të ndjeshme  me rreth 17.4 miliard lekë, ndërkohë krahasuar me vitin 2022 janë rritur me rreth 1.5 miliard lekë”, vijon më tej relacioni.

I njëjti krahasim është bërë edhe përsa i përket vlerës së transfertave të pakushtëzuara që jepen në formë granti për pushtetin vendor, pasi sipas Ministrisë së Financave krahasuar me 2015 vlera e transfertave është rritur me 76.4%.

Por pavarësisht lëvdatave për reformën territoriale të bërë nga socialistët, ende një nga prioritet e saj nuk është realizuar që ka të bëjë me autonominë financiare. Pasi edhe në këtë projektbuxhet si objektiv është autonomia financare.

“Fokusi kryesor në buxhetin e vitit 2023 për Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë do të jetë vazhdimi i konsolidimit të procesit të menaxhimit financiar në nivel vendor në funksion të vazhdimit të zbatimit të procesit të decentralizimit fiskal të njësive të vetëqeverisjes vendore”, thuhet në relacion.

Për ekspertët e financave avancimi i decentralizimit të pushtetit vendor dhe mirëmenaxhimi i financave nga bashkitë janë indikatorët kryesor që do të sjellin rritje të të ardhurave nga 61 bashkitë në vitin që vjen.

Bashkitë që marrin ‘pjesën e luanit’ nga buxheti!

‘Porta Vendore’ bëri një krahasim të shpërndarjes së fondeve të buxhetit të shtetit tek bashkitë në vend. Ashtu siç ka ndodhur edhe më herët fondet më të mëdha i merr bashkia e Tiranës, me 4.3 miliardë lekë, ndjekur nga bashkia Durrës me 1.7 miliardë lekë, rriten me rreth 200 milionë lekë fondet për bashkinë e Elbasanit buxheti i së cilës për 2023 është parashikuar 1.3 miliardë lekë, për të vijuar me Bashkinë Shkodër me fond 1.2 miliardë lekë, bashkia Fier dhe Vlorë me nga mbi 1.1 miliardë lekë.

 

BASHKITË

PR/BUXHETI 2022

PR/BUXHETI 2023

1

Tiranë

3,792,888 lekë

4,333,589 lekë

2

Durrës

1,297,244 lekë

1,726,216 lekë

3

Elbasan

1,167,190 lekë

1,332,177 lekë

4

Shkodër

1,069,880 lekë

1,235,336 lekë

5

Fier

1,005,308 lekë

1,140,097 lekë

6

Vlorë

994,525 lekë

1,121,850 lekë

7

Kamëz

811,574 lekë

988,331 lekë

8

Korcë

796,325 lekë

880,543 lekë

9

Lushnje

685,689 lekë

780,556 lekë

10

Dibër

683,153 lekë

760,687 lekë

11

Pogradec

594,321 lekë

666,403 lekë

12

Lezhë

574,646 lekë

658,557 lekë

13

Berat

583,510 lekë

656,293 lekë

14

Kukës

577,388 lekë

639,844 lekë

15

Krujë

452,418 lekë

551,602 lekë

16

Maliq

475,539 lekë

531,930 lekë

17

Malësi e madhe

442,062 lekë

508,930 lekë

18

Librazhd

435,146 lekë

487,798 lekë

19

Bulqizë

418,759 lekë

465,063 lekë

20

Gjorokastër

408,491 lekë

475,513 lekë

 

Bashkitë do të vetëmenaxhojnë financat, tërhiqet nga administratori!

Në korrik të këtij viti kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj në një takim me krytarët e bashkive i paralajmëroi se do t’ju merrte menaxhimin e bashkive që kishin vështirësi financiare për shkak të detyrimeve të prapambetura. Por mesa duket përballë zgjedhjeve vendore të vitit 2023, qeveria ka bërë një hap pas duke ju lënë dorë të lirë bashkive dhe për këtë periudhë para-zgjedhore. Qeveria ka vlerësuar se asnjë nga bashkitë e vendit nuk është në gradë të rëndë financiare, sa për ti caktuar administrator.

Të njëjtin arsyetim Ministria e Financave e jep edhe në relacionin e projektbuxhetit për vitin 2023, ku theksohet se do të ndiqen raportet periodike që kanë paraqitur në ministri vetë bashkitë për të dalë nga vështirësia financiare.

“Gjatë vitit 2023, Ministria e Financave dhe Ekonomisë në mënyrë të vazhdueshme do të ndjekë e monitorojë procesin e menaxhimit financiar në nivel vendor dhe përmes tij vlerësimin e treguesve të përformacës së njësive të vetëqeverisjes vendore. Gjithashtu, do të monitorohet periodikisht nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë plani i shlyerjes së detyrimeve/rehabilitimit për bashkitë me probleme/vështirësi financiare për daljen nga kjo situatë, i cili do të vijojë të zbatohet edhe në buxhetin e vitit 2023”, thuhet në relacion.

Por nga një raport i prezantuar nga qeveria në korrik të këtij viti, rezultonin se ishin 14 bashki me probleme financiare, 10 me vështirësi financiare dhe 2 në vështirësi serioze financiare.

Objektivat e projektbuxhetit për pushtetin vendor!

Disa nga objektivat për vitin 2023 për buxhetin vendor janë rritja e kapaciteteve fiskale, monitorimi i buxhetit, konsolidimi fiskal, qëndrueshmëria financiare zhvillimi ekonomik lokal dhe ulja e pabarazive midis njësive të vetëqeverisjes vendore. Po ashtu synohet rritja e rritja e transparencës dhe llogaridhënies së qeverisjes vendore në raport me komunitetin, si edhe garantimi i më shumë disipline fiskale në menaxhimin e vështirësive financiare.