Vëzhgim/Analizë

Plagët sociale dhe ekonomike që solli demontimi i Rafinerisë së Naftës në Mallakastër

9 nëntor 2022/Ardit Hoxha/Porta Vendore/ Mallakastër

Uzina e Ballshit, apo Ballshi i Uzinës? Për rreth 45 vjet Rafineri e Përpunimit të Hidrokarbureve në qytetin e Ballshit pompoi jetën në këtë qytet dhe gjithë krahinën e Mallakastrës.

Dikur, Rafineria e Përpunimit të Naftës ishte krenaria e industrisë së rëndë shqiptare, ndërsa sot përfaqëson vetëm një grumbull ndërtimesh të amortizuara dhe një hapësirë me nivel të lartë ndotjeje.

Ata që jetojnë me të shkuarën dhe e vuajnë më shumë shkatërrimin e Uzinës janë punëtorët të cilët edhe rrobat që përdornin nuk i morën dot për shkak të demontimit të Rafinerisë.

Mbyllja e Uzinës nuk ka shkaktuar vetëm vuajtje në familjet e naftëtarëve, por ka prekur gjithë ekonominë e Bashkisë Mallakastër. Me demontimin e veprës industriale e cila fiku ekonominë e zonës, Bashkia Mallakastër e shikon të ardhmen tek turizmi.

Plagët sociale që la pas mbyllja e uzinës

Kur përmend Uzinën e naftës në Ballsh, duhet të tregohesh i kujdesshëm pasi janë të paktë ata që e vuajnë edhe emocionalisht rrënimin e saj. “Jo vetëm unë, por të gjithë ne ballshiotave, sa herë që kthejmë kokën nga Uzina, na dridhet zemra dhe na ngrihet tensioni”, shprehet 52-vjeçari Shkëlqim Duraj që më shumë se gjysmën e jetës e ka kaluar në Uzinë.

Për të tashmë jeta është bërë më e vështirë dhe e papërballueshme që t’u ofrojë fëmijëve mundësi shkollimi dinjitoze. “Kam që në vitin 2004 që kam punuar në të, Uzina është mbyllur në 20 shtator 2019. U bën 5-6 vite që jemi trajtuar me ndihmë. Kemi qenë këtu te Parku. Ndihma që ne marrim pasi u mbyll Uzina është 320 mijë lekë të vjetra. Pas mbylljes së Uzinës unë punoj vetëm për një bukën e gojës. Po të shkosh te dyqanet e lagjës, akoma nuk i kam larë borxhet. Kam dy fëmijë që janë binjak dhe ata nuk i ndan dot, ça i merr njërit, duhet tia marrësh tjetrit. Nuk kemi marrë asnjë benefit si naftëtarë, vetëm 320 mijë lekë“, na tregon Shkëlqim Duraj.

Sokol Dautaj, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Uzinës së Ballshit tregon përmasat e katastrofës sociale që ka shkaktuar mbyllja e Uzinës. “Nga mbyllja më 20 shtator 2019 e Uzinës janë prekur 860 punonjës. Këta janë punonjësit që ishin tek pakti i parë dhe morën pagën 40 mijë lekshe. Në fillim e kemi marrë 40 mijë lekë, dhe tani kemi 2 vjet që e marrim 320 mijë lekë”, shprehet ai për Portën Vendore.

Dautaj thekson se edhe pagesa që marrin ish-punonjësit e rafinerisë është më e ultë se ajo që u premtua në fillim, dhe se gjithashtu atë nuk e përfitojnë të gjithë ata që kanë punuar në Uzinë.

“Turpi më i madh ishte se u premtua 50 mijë lekë dhe ato nuk i kemi marrë. Me vendim gjykatë janë 13 paga, periudha gusht 2015-shtator 2016. Ndihmën prej 32 mijë lekë e kanë përfituar shumë më pak punëtore që kanë qenë në Uzinë”, tregon Sokol Dautaj.

Një tjetër dramë që ka shkaktuar mbyllja dhe shkatërrimi i rafinerisë ka të bëj me siguracionet shoqërore dhe penalizimin për marrjen e statusit të naftëtarit për shumë punëtorë që kanë nisur të punojnë aty në fund të viteve 90’. “Unë kam filluar punë në dhjetor të vitit 2000. Mua më duhen 20 vite që të përfitoj statusin e naftëtarit, 2 apo 3 vite janë të padeklaruara dhe mua nuk më njihen si vite pune. Pra unë për rreth 2 vite digjem dhe nuk e përfitojmë statusin e naftëtarit. Ka shumë që nuk munden dot ta vazhdojnë më zanatin e tyre, pasi Albpetroli është mbushur me militantë”, shprehet kreu i sindikatës së naftëtarëve të Ballshit.

Përveçse kanë mbetur pa punë dhe shumë prej tyre të penalizuar për të marrë statusin e naftëtarit, punonjësit e uzinës së Ballshit përballen sot edhe me telashe më drejtësinë për shkak të protestave që kanë organizuar vitet e fundit. “Neve tani jemi në përndjekje gjyqësorë. Unë personalisht kam 5 procese gjyqësore për çdo lloj proteste që ne bëmë. Ne i treguam të gjithëve që kjo ishte një bombë që ishte hedhur, por nuk kishin sy që ta shikonin”, tregon Sokol Dautaj.

Ai na tregon edhe hallkat ligjore që ka ndjekur sindikata dhe naftëtarët për të marrë të drejtën që pretendojnë.

“Në rafineri kishte ende lëndë në gjendje, por pa një inventar i detajuar, edhe pse për mua kanë pasur një vlerë disa qindra milionë. Pasi dolën vendimet dhe pas konsultimit me juristët, sepse ky ishte një objekt i rëndësisë së veçantë dhe nuk mund të merrej një vendim për shpallje falimenti pa një votim në Kuvend, unë mblodha firmat dhe i jam drejtuar kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla me një letër ku kërkonim që të shpallej falimenti i Armos. Pse kërkohet kjo? Vendimi i fituar nga naftëtarët është mbi 15% që dispononte shteti, pra armo. Ato palët që kanë ndërhyrë sot, kanë thënë që 15% i armos është i pavlerë. Por ça ka ndodhur me 15%, është shitur? Ku kanë shkuar lekët? Pasi me atë 15% likujdohet gjyqi i naftëtarëve”, shpjegoi për Portën Vendore Sokol Dautaj.

Më tej kreu i sindikatës së naftëtarëve të Ballshit akuzon se rrënimi i Uzinës së Ballshit ishte i qëllimshëm për ta çuar tregun e hidrokarbureve në pikën ku jemi sot që çmimet e karburantit kanë kapur nivelet më të larta historike.

“Prishja e rafinerisë për mua ishte e qëllimshme dhe dihej që kalimi në procesin monopol do të ndikonte te çmimi i naftës. Rafineria e Ballshit ndikonte në treg. Minimalisht rafineria prodhonte 1 milonë ton naftë. Ku është rezerva shtetërore?” shprehet Dautaj.

Efektin e fortë social dhe pasojat ekonomike për bashkinë e Mallakastrës i pranoi edhe nënkryetari i kësaj bashkie në një intervistë për Portën Vendore. Zamir Malasi tregon vështirësitë me të cilat po përballet bashkia Mallakastër për shkak të mbylljes së Uzinës së Naftës.

“Praktikisht është tharë burimi kryesor i financave, me një kontribut të drejtëpërdrejtë rreth 900 mijë dollarë në vit (taksa dhe tarifa vjetore që paguanin pranë bashkisë ), pastaj dhe efekti tërësor i ndikimit mbi bizneset, ku kjo vlerë nuk mund të llogaritet. Për një bashki si e jona kjo shumë është një vlerë e konsiderueshme, pasi vetëm taksat që mungojnë përbënin rreth 25% të të ardhurave totale”, shprehet Malasi.

Ai na tregoi përpjekjet që ka bërë bashkia për të minimizuar sa më tepër plagët e papunësisë që ka shkaktuar dalja jashtë funksionit Uzina e Ballshit.

“Ka të punësuar midis tyre mbi 10-15 persona janë punësuar edhe në Bashki apo ndërmarrjet vartëse, por nuk mund të japë një shifër të saktë. Nga komunikimi me zyrën e punës ku ka një numër të konsiderueshëm që nuk kanë aplikuar për pagesën e qeverisë, do të thotë që këta persona janë punësuar diku tjetër, por nuk mund të japë një shifër të saktë. Mbi 800 të papunë në një qytet si Ballshi është shifër që flet vet, gjithsesi efekti është amortizuar në kushtet kur për 3 vite kjo kategori është ndihmuar nga qeveria, nuk duhet të harrojmë edhe efektin e statusit të naftëtarit që solli ulje të moshës së pensionit nga 65 në 60 vjeç”, deklaroi Zamir Malasi.

Gabimet që çuar në degradim të uzinës

Uzina e Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh e nisi punën në vitin 1978. Bashkë me rafinerinë e Fierit që ishte hapur 10 vite më herët, në 1968-ën, ajo ishte e aftë për të përpunuar naftën që dilte nga nëntoka shqiptare. Pas ndryshimit të sistemit, të dyja rafineritë ishin në pronësi të kompanisë publike të hidrokarbureve Albpetrol. Në vitin 1999, Albpetrolit iu bë një ndarje në tre shoqëri tregtare. Sercom për shpërndarjen e naftës, ARMO për përpunimin e saj dhe Albpetrol për nxjerrjen e naftës bruto.

Viti 2008 do të ishte vendimtar për fatin e gjigantit të naftës shqiptare. Në këtë vit, 85% e aksioneve të ARMO-s u privatizuan. Operacioni u krye aso kohe nga një konsorciumi i kompanive Anika Mercuria Rafinery Associated Oil dhe AMRA Oil e që e blenë ARMO-n për 128 milionë euro.

Nga ky moment për rafinerinë dhe punënjësit e saj nis kalvari i vuajtjeve dhe problematikave të një pasnjëshme. Gjatë 4 vite që ARMO ishte nën drejtimin e konsorciumit shqiptaro-amerikan. Kompania akumuloi një shumë të madhe borxhesh ndaj institucioneve shtetërore, por edhe palëve të treta.

Pas vitit 2013, deri në fund të 2021-it, pronësia e ARMO-s u end sa në një kompani në një tjetër. Biznesmenë shqiptare, të huaj, kompani off shore, por edhe institucione financiare u përfshinë në vorbullën e ARMO-s.

Shumë tentuan ta bënin efiçente, shumë përfituan deri në momentin kur si kolateral, një bankë ia kaloi një kompanie që nisi demontimin e uzinës për ta çuar për skrap. Ishte Banka Credins, njëra prej kreditorëve kryesorë të ARMO-s që e mori në dorëzim kompaninë pasi kishte dështuar të merrte këstet e kredive që kishte dhënë. Dështimet e njëpasnjëshme, bën që Banka ta shesë Rafinerinë e përpunimit të Naftës në Ballsh për 9 milionë euro një kompanie që do ta çonte gjithë strukturën për skrap.

Ky degradim i Uzinës në Ballsh, për naftëtarët që punuar aty përbën një ugur të keq për gjithë ekonominë e Shqipërisë që deri më tani ka nisur të shpopullojë fshatra dhe zona të tëra në Mallakastër, por që mund të shtrihet edhe më tej.

Mbyllja e Uzinës pothuajse e ka falimentuar si qytet Ballshin. Por pas Ballshit, po i vjen radha Fierit, pasi të gjithë po ikin jashtë shtetit. Pa përjashtim të gjithë ata kolegë që unë kam pasur në Uzinë tani jetojnë me lista”, shprehet për “Portën Vendore” Shkëlqim Duraj.

E ardhmja turistike e qytetit të Ballshit

E shtrirë në një sipërfaqe prej 329.19 km2, kryesisht malor dhe kodrinor Mallakastra është një krahinë me bukuri natyrore dhe asete të trashëgimisë kulturore jo të pakta. Janë pikërisht këto resurse nga ku e ka kthyer kokën Bashkia Mallakastër, e gjendur përballë faktit se “motori ekonomik” i gjithë zonës për gati 50 vite, tashmë është fikur.

Nënkryetari i bashkisë Mallakastër, Zamir Malasi na tregoi së agroturizmi dhe bujqësia do të jenë dy fushat ku do të përqendrohet fokusi kryesor për zhvillimin ekonomik të zonës. “Mbyllja e rafinerisë shkaktoi një problem ekonomik i cili në kushtet e sotme ekonomike nuk mund të ketë një zëvendësues të njëjtë ose të afërt. Gjithsesi perspektiva ekonomike duhet të lidhet me sektorin e bujqësisë, agroturizmit dhe turizmit duke parë potencialin që ka zona. Por pa harruar rëndësinë e industrisë së naftës pasi është në funksion industria e nxjerrjes”, u shpreh Malasi.

Në Bashkinë Mallakastër janë disa site arkeologjike dhe objekte të trashëgimisë kulturore, por më i njohuri dhe ai që tërheq më shumë turistë është parku i qytetit antik të Bylisit. Si vijim i qytetërimit të nisur në Bylis rreth 2600 vjet më parë, një pikë interesante është edhe Manastiri i Gllavenicës. Manastiri ka qenë qendra më e rëndësishme e antikitetit të vonë dhe e mesjetës në Episkopatën e Gllavenicës. Një tjetër pikë turistike, ku ndërthuren historia dhe natyra është edhe Poeçemi, ku çdo vit qytetarët mblidhen për të kujtuar besëlidhjen e Poçemit, që është një nga momentet më të rëndësishme të historisë shqiptare gjatë pushtimit osman. Këtyre atraksioneve kluturore dhe historike iu prin edhe lugina e Vjosës, e cila pasi ka ardhur furishëm nga malet e Pindit në Greqi, në territorin e Mallakastrës fillon e‚shtrohet për tu bërë gati që të bashkohet me detin Adriatik.

Nga bashkia e Mallakastrës u përfshi një fshat në listën e projektit zhvillimor të qeverisë shqiptare “100 fshatrat”. Ishte Hekali që u përzgjodh për t’u bërë pjesë e këtij projekti, por përfitimet nuk mundën të jenë domethenëse dhe që të shtonin ndjeshëm numrin e turistëve.