6 nëntor 2022/Ervina Garo/Porta Vendore/ Durrës
Në mbarë vendin ka nisur viti i ri mësimor. Në Durrës, problematika kryesore mbetet rindërtimi i shkollave të shembura, si pasojë e dëmeve të pësuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Mbi 4 mijë nxënës të 12 shkollave kanë nisur ta zhvillojnë proçesin mësimor pasdite, për shkak të mungesës së infrastrukturës arsimore.
Në mbarë vendin ka nisur viti i ri mësimor. Në Durrës, problematika kryesore mbetet rindërtimi i shkollave të shembura, si pasojë e dëmeve të pësuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Sipas drejtueses së Zyrës Vendore Arsimore Durrës, Amarilda Thërrmija 4700 nxënës të këtyre shkollave, në pritje të rindërtimit apo rikonstruksionit do ta zhvillojnë proçesin mësimor pasdite, për shkak të mungesës së infrastrukturës arsimore.
Referuar vëzhgimeve në terren, ritmi i punimeve ka qenë i ngadaltë.
Afatet e përcaktuara dhe të premtuara për përfundimin e rindërtimit të këtyre shkollave në Durrës nuk janë respektuar dhe janë shtyrë në kohë.
Në dhjetor të 2019-s, Kryeministri Rama do të deklaronte:
“ Shkollat, kopshtet, spitalet, qendrat shëndetësore të dala jashtë funksionit, duhet të rindërtohen nga e para deri në shtatorin e ardhshëm, (duke ju referuar vitit 2020). Në sezonin e ri shkollor 2020-2021, fëmijët e shkollave të rrënuara duhet ta nisin shkollën në shkolla të reja e kushte shumë më të mira se sa ato që kishin përpara tërmetit”.
Ndërsa, po afrohet tre vjetori i fatkeqësisë natyrore, numri i objekteve, që nuk janë rindërtuar në Durrës ende mbetet i lartë.
Në këto kushte, mungesa e infrastrukturës arsimore do ta kushtëzojë, për të tretin vit radhazi zhvillimin e proçesit mësimor, për mijëra nxënës të arsimit parauniversitar në Durrës, duke pasur si zgjidhje të vetme mësimin me turne.
Por si paraqitet situata në terren? Porta Vendore vëzhgoi disa prej zonave të prekura nga tërmeti për të kuptuar gjendjen e tyre aktuale.
Disa nga hapësirat, ku më parë ngriheshin këto objekte arsimore vazhdojnë të jenë të mbushura me inerte, ndërsa nuk ka asnjë shenjë nga nisja e punimeve për rindërtimin e tyre.
Copa letrash të grisura dhe të shpërndara kudo, pjesë kompjuteri të gjymtuara, pirgje inertesh dhe tek-tuk ndonjë që kërkon të gjejë materiale për skrap i identifikon lehtësisht në këto terrene.
Konkretisht, gjimnazi “Gjergj Kastrioti” është i pozicionuar në lagjen numër 1 të qytetit. Në të gjithë sipërfaqen, ku ngrihej objekti, përpara se të shembej, me vendim të Këshillit Bashkiak, dallon mbetjet inerte, që nuk janë larguar ende. Nuk ka asnjë gjurmë nga rindërtimi dhe asnjë kufizim apo tabelë, që të tregojë se kur do të fillojë zbatimi i projektit.
Godina e shkollës së mesme të përgjithshme “Naim Frashëri”, kaloi më shumë se një inspektim përpara se të shembej, (i fundit daton në 8 dhjetor 2019).
Që pas demolimit, i gjithë terreni është i mbushur me inerte, ndërsa shfrytëzohet edhe nga pensionistët, të cilët kalojnë kohën e lirë, duke bashkëbiseduar me njëri-tjetrin. As në këtë hapësirë, deri tani nuk kanë filluar punimet për rindërtimin e objektit arsimor të shembur. Mësimin nxënësit e këtij gjimnazi e zhvillojnë në ambjentet e shkollës 9-vjeçare “Shaqe Mazreku”.
“Benardina Qerraxhia” është shkollë shumë sportëshe, e vetmja në llojin e saj në të gjithë Shqipërinë.
E njohur si Mjeshtria Sportive, nga ky institucion kanë dalë emra të talentuar të sportit shqiptar, si: Mirela Manjani, Adriatik Hoxha, Luiza Gega, Kreshnik Qato dhe shumë të tjerë.
Së bashku me konviktin u shembën, si pasojë e dëmeve të pësuara nga fatkeqësia natyrore.
Megjithëse, është një nga të parat shkolla, që u demolua, punimet për rindërtimin nuk kanë nisur, përfshirë edhe konviktin.
Për nxënësit e kësaj shkolle, situata paraqitet më e ndërlikuar, pasi i përkasin zonave të ndryshme të vendit. Në mungesë të konviktit, do të duhet të qëndrojnë te të afërmit ose jetojnë në banesa me qira, duke shtuar kostot e shkollimit.
Mësimi pasdite është një pengesë për ta, edhe për faktin, që shkolla “Leonik Tomeo”, ku do të zhvillojnë mësim nuk i ka hapësirat e nevojshme për t’u stërvitur, duke qenë se është një shkollë e mesme e përgjithshme.
Duke u zhvendosur në lagjen numër 14 të qytetit, në Shkozet, në listën e objekteve arsimore që do të rindërtohen është edhe shkolla e mesme “Olsi Lasko”. Që në muajin qershor kanë filluar punimet, që po ecin me ritme të ngadalta. Afati i përcaktuar, kur duhet të përfundojë zbatimi i këtij projekti është muaji shkurt i vitit të ardhshëm.
Një tjetër kantier ndërtimi është hapur në truallin, ku më parë ngrihej shkolla 9-vjeçare “Eftali Koçi”. Por, në muajin prill të këtij viti, punimet u ndërprenë. Kjo pas një zbulimi arkeologjik, të cilësuar të rëndësishëm, pasi i përket 2400 viteve më parë. Ndërkohë, UNDP po harton një tjetër projekt, në lidhje me këtë objekt, pasi gjurma e mëparshme do të spostohet. Kjo do të kushtëzojë edhe rindërtimin e shkollës, duke e shtyrë në kohë përfundimin e punimeve.
Një tjetër shkollë, në listën e objekteve arsimore, që duhet të rindërtohen është ajo e mesme e Bashkuar “Rexhep Mezini”, në Ishëm. Për nga rëndësia dhe simbolika është e veçantë, pasi përfaqëson edhe institucionin e parë arsimor të Qarkut Durrës. Në këtë sipërfaqe nuk ka asnjë shenjë të fillimit të punimeve, megjithëse në përgjigjen e saj zyrtare Bashkia e Durrësit specifikon që vazhdon puna.
Nga vëzhgimi në terren, në fillim të muajit shtator (data 1 shtator), nuk rezulton që të jetë rrethuar perimetri dhe të ketë filluar zbatimi i projektit.
Në Sukth, nuk kanë nisur punimet për rindërtimin e shkollës 9-vjeçare “Vadardhë”. Vëzhgimi i fundit daton në datën 10 shtator.
Ndërkaq, në të njëjtën njësi administrative vazhdojnë punimet për rindërtimin e shkollës së mesme “Dhosi Liperi”.
Në përgjigjen zyrtare për Portën Vendore, Bashkia Durrës ka listuar 14 objekte arsimore, që sipas autoritetit vendor janë në proçes rindërtimi dhe 7 të tjera në listë për t’ju nënshtruar rikonstruksionit.
Ndërsa, Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar Durrës dhe Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar Durrës nuk kanë informacion në lidhje me proçesin e Rindërtimit të këtyre objekteve arsimore.
Mungesa e infrastrukturës arsimore, pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, ka bërë që nxënësit e shkollave, që do të rikonstruktohen apo do të rindërtohen ta zhvillojnë mësimin me turne në mjedise të tjera shkollore të përcaktuara sipas grafikëve.
E njëjta praktikë do të ndiqet edhe për këtë vit të ri mësimor. Zyra Vendore Arsimore Durrës konfirmon se mësimi me turne në shkollat pritëse do të vazhdojë, për shkak të mungesës së infrastrukturës arsimore. Një nga shkollat që do t’i nënshtrohet rikonstruksionit është edhe ajo 9-vjeçare “14 Nëntori”. Pas tërmetit të fundnëntorit 2019, ajo u përfshi në listën e objekteve arsimore të dëmtuara, me një vendim të datës 2 Korrik 2020. Megjithëse, rikonstruksioni i kësaj godine kishte përfunduar në vitin 2018, ajo rezultoi sërish me probleme.
Gjatë kësaj kohe, ndërtesa e kësaj shkolle 9-vjeçare publike ka qëndruar e mbyllur, pasi është jashtë funksionit. Në këto kushte, duhet t’i nënshtrohet rikonstruksionit. Punimet ende nuk kanë nisur, ndaj edhe këtë vit, këta nxënës do ta zhvillojnë mësimin pasdite.
Drejtuesit e shkollave, që do ta zhvillojnë mësimin me turne për këtë vit mësimor konfirmojnë për “Portën Vendore” një rënie të ndjeshme të regjistrimeve, duke përcaktuar si një nga faktorët kryesorë edhe mungesën e infrastrukturës arsimore.
Ky është i treti vit radhazi që nxënësit e këtyre shkollave e zhvillojnë mësimin pasdite, ndërkohë që afati përfundimtar për rindërtimin e këtyre objekteve arsimore është përcaktuar viti 2023.