3 nëntor 2022/Brikena Metaj/Porta Vendore/Gjirokastër
“Të ruash traditën është shumë më tepër se të qepësh një veshje. Është përkushtimi për të sjellë origjinalen, është respekti për detajin, është mirënjohja për trashëgiminë dhe puna e pakursyer”. Ky është motivimi dhe lajtmotivi i punës së Lizetës dhe Aurelit, çiftit nga Gjirokastra që prej më shumë se 20 vitesh i janë përkushtuar punës së dorës dhe artizanatit.
Me dhjetëra kostume popullore kanë dalë nga duart e këtij çifti të palodhur në një kohë kur interesi i përgjithshëm për rikthimin tek tradita e veshjeve popullore ka shënuar rritje graduale.
Deri 5 vite më parë, në Gjirokastër, dy ishin zonat ku tradita e veshjes popullore ishte ruajtur me fanatizëm. Zona e Dropullit nuk e humbi asnjëherë interesin, edhe pse imitimet e kostumeve të tyre popullore po devijojnë nga ato origjinale duke u pasuruar me elemente të rinj. Pothuajse çdo familje dropullite ka në fondin e vet të pasurisë një kostum popullor. Dasma lazaratase nuk ka kuptim pa vallen e vajzave dhe nuseve me çitjanet e tyre të kuqe.
Kostumet popullore janë një element identiteti dhe një nga manifestimet më të fuqishme të kulturës, traditave dhe zakoneve popullore. Cikli i jetës solli edhe rijetëzimin e këtyre veshjeve që sot vijnë si elemente dekorative, fillimisht të kërkuara e të pëlqyera nga turistët e huaj dhe tashmë, gjithnjë e më shumë, edhe nga vetë shqiptarët, kryesisht ata të larguar nga jashtë vendit. Etnologu Stavri Çati, thekson me forcë se “veshje popullore është ajo që ka veshur populli”. Por nëse dikur ishte një element i rëndësishëm i përditshmërisë, sot është një element dekorativ që po gjen vend në dasma apo dhurata.
Kjo kërkesë në rritje ishte një shtysë më tepër për çiftin Hatika që ndërmorën nismën për të risjellë kostumet e traditës me synim kryesor ruajtjen e origjinalitetit.
Në shekujt e mesjetës së vonë veshjet popullore ende përgatiteshin në shtëpi nga gratë apo mjeshtret e punimit. Gjirokastra ka qenë gjatë historisë së saj një qendër e rëndësishme artizanati, me një dyqan të dedikuar dhe qëndistare me emër. Sot shihen përpjekje për rikthimin e kësaj tradite, por vështirësia për gjetjen e lëndës së parë dhe mungesa e modeleve origjinale të këtyre kostumeve, ka ndikuar në cilësinë e produkteve të ofruara. Lizeta tregon se për qepjen e jelekut të Gjirokastrës i është dashur të kërkojë deri në Stamboll për gjetjen e materialeve më të përafërta me origjinalin, që nga copa e kadifenjtë dhe deri tek fijet ngjyrë ari me të cilat qëndisen motivet. Nëna e saj e ndihmon të bijën duke qëndisur motivet e florinjta të luleve që zbukurojnë hijshëm jelekët e veshjeve të gruas gjirokastrite.
“Ky është një jelek i vjetër i zonës së Shtëpëzit në Gjirokastër. Vajza që martohet e ka pasur të trashëguar në familje dhe kërkoi ta riprodhojë sipas të njëjtave motive për ta veshur ditën e dasmës. Kërkon punë, pasi gjithçka është punim dore, por ne tashmë kemi fituar besimin e klientëve tanë dhe kënaqësia në sytë e tyre është shpërblimi më i madh për lodhjen tonë”, shprehet Lizeta.
Ali Pasha dhe Bajroni i shek të XXI.
“Tokë shkëmbinjsh, djep trimash dhe njerëz të fortë. Kostumi i tyre është më i bukuri në botë, me fustanellën e bardhë si bora e Pindit, me veshjen e mbushur me xhufka të arta, me brezin e qëndisur, ku shfaqeshin një arsenal armësh e thikash.” Kështu shkruante romancieri francez Aleksandër Dumas (1802-1870), që admironte natyrën shqiptare dhe kulturën e saj, në veprën madhore “Krime të fshehta” në 3 vëllime, ku trajtohet me hollësi veprimtaria e Ali Pashë Tepelenës dhe natyra shqiptare dhe ku përshkruan bukur atë kostum ende pothuaj të panjohur në Francë.
“Të nesërmen më shpunë tek Ali Pasha. Isha veshur me uniformë të plotë shtabi, me shpatë madhështore etj. Veziri më priti në një odë të madhe të shtruar me mermer; një shatërvan vijonte ujët në mes të saj, oda e shtruar rreth e rrotull me otomane të kuqërremtë. Më priti në këmbë, shenjë e një nderimi të madh nga një mysliman dhe më vuri të rri në shesh në krah të djathtë të tij”.
Pjesë nga letra e Lord Bajron nisur së ëmës nga Preveza më tetor 1809, pas vizitës së tij tek Ali Pasha.
Pasqyrimi i këtij takimi në një pikturë të njohur gjerësisht ishte pikënisja e çiftit Hatika për të sjellë të konkretizuar kostumet e Bajronit dhe të Ali Pashës.
“Synimi ishte që të sillnim në mënyrë sa më origjinale dhe duke përdorur teknikat e punës së dorës. Për herë të parë e bëmë prezantimin e tyre në aktivitetin e organizuar nga Bashkia e Tepelenës, “Java e Ali Pashës” që çeli sezonin turistik. Madje përfaqësues të zyrës së kulturës në këtë bashki na e kërkuan kostumin e Ali Pashës për muzeun e qytetit dhe shpresojmë të arrijmë një marrëveshje me ta”, tregon çifti Hatika.
Kostumi i Ali Pashës, i sjellë për herë të parë nga duart e çiftit Hatika, ishte xhevahiri i këtij aktiviteti që krenohet me emrin e pashait dhe që po për herë të parë pati të pranishëm edhe një Ali Pasha.

Ideja kishte kohë që lëvrinte në mendjen e Lizetës, e dashuruar pas së bukurës dhe traditës.
“Kam vizituar shumë muzeume në vend dhe më kishte rënë në sy mungesa e kostumit të Ali Pashës. Krejt e kundërta ndodh jo shumë larg prej nesh, në Greqinë fqinje, në muzeun e Janinës, ku ka të ekspozuara pjesë të veshjes së tij. Prej kohësh e kisha idenë në mendje dhe nisëm punën për ta konkretizuar dhe synim kishim aktivitetin e organizuar me rastin e 200 – vjetorit të vdekjes së Aliut. Meqenëse aktiviteti do të zhvillohej në Tepelenë na kishte kuptim vendosja në krah edhe e figurës së Bajronit. Kështu idetë ndoqën njëra – tjetrën. Nga një kostum, në fund patëm dy të tillë: një Ali Pasha dhe një Bajron”, thotë Lizeta jo pa krenari dhe me buzeqrshjen që e shoqëron përherë.
Kostumet e traditës, më shumë se një mision
Punimet e kostumeve tradicionale janë kthyer në një sfidë të bukur për artizanët e Gjirokastrës. Qyteti që deri në fillim të viteve ’20 kishte një dyqan të dedikuar për artizanët dhe ka qenë i njohur gjerësisht për qëndistaret me nam, prej vitesh u resit mes harresës së traditës dhe fshirjes së gjurmëve të së kaluarës.
Qëndistaret e traditës u rikthyen pak e nga pak duke risjellë koloritin e pasur të kostumeve mes sfidës së vazhdueshme për ruajtjen e origjinalitetit. Lizeta dhe Aureli tregojnë se gjithçka nisi 15 vite më parë, kur ata punonin kostume që përdoreshin kryesisht nëpër dasma, por prej 4 vitesh puna është intensifikuar dhe sot ata numërojnë rreth 500 kostume të realizuara të disa zonave si: veshjen e Gjirokastrës për burra dhe gra, ku risollën pas vitesh zhdukjeje poturet e burrave (që ende prezantoheshin nëpër evente me fustanellën, veshje djaloshare); kostumi i bukur i gruas lunxhiote dhe jeleku i burrave të Lunxhërisë, një tjetër motiv i harruar dhe pothuaj i zhdukur; veshjet e grave të Libohovës; veshjet e zonës së Dropullit; Zagorisë; Tepelenës etj.

“Tashmë nxjerrja e motiveve tradicionale në veshje na është kthyer në mision. Ne synojmë të ruajmë origjinalitetin dhe traditën. Një takim me zotin Koço Vasili në Dhoksat, bëri që unë të merrja në dorë një jelek të mrekullueshëm të vitit 1880 të zotit Kristaq Rebi, një zbulim me kaq vlerë për mua dhe për traditën e Lunxhërisë. Një veshje e ruajtur me kaq kujdes dhe merak. Veshja kaq aristokrate e gruas lunxhiote që ne e risollëm të plotë për herë të parë, punuar e gjitha me dorë, u kompletua me veshjen e burrave të po të njëjtit nivel. Për mua si artizane është shumë e rëndësishme të sjell origjinalen e traditës shqiptare. Këto veshje-vepra duhet të përcillen në breza dhe Atelie Lizeta këtë tashmë e ka obligim”, rrëfen Lizeta.

Puna i është shpërblyer moralisht, pasi janë vlerësuar me disa çmime në organizime nga Bashkitë Gjirokastër, Tepelenë, Sarandë, me pjesëmarrje dhe çmime të para në disa panaire.
Tradita që vazhdon
E gjithë kjo eksperiencë u mundësoi çiftit Hatika jo vetëm fitimin e besimit tek njerëzit që u drejtohen shpesh me një jelek të vjetër në dorë apo një këmishë të gjyshes apo stërgjyshes me qëllim riprodhimin, por edhe të drejtuesve vendorë që gjejnë tek ata përkushtimin dhe seriozitetin në punë. Së fundmi çifti Hatika dhe djali i tyre 13 -vjeçar po punojnë për konkretizimin e një bashkëpunimi me Bashkinë e Gjirokastrës për krijimin e 10 kostumeve tradicionale të fëmijëve që do t’u dhurohen Qendrës Kulturore të Fëmijëve në Gjirokastër me synim pasurimin e fondit të kësaj qendre. Në përfundim, bashkia do të organizojë një aktivitet ku do të bëhet prezantimi i kostumeve.
“Kostumet e fëmijëve janë pjesa më e bukur e punës sonë. Nuk ka gjë më të bukur se të veshësh fëmijët në ditët e festave me kostumet popullore. Ne e kemi bërë këtë gjë prej vitesh, por kryesisht kanë qenë dhurata të prindërve për fëmijët e tyre. Ndërsa kostumet që po bëjmë sot do të jenë për të gjithë artistët e vegjël të qytetit, sa herë do të ketë aktivitete të organizuara nga QKF-ja dhe ndihemi tepër krenarë për këtë gjë”, thotë Lizeta për Portën Vendore.
Rreziku që vjen nga modernizmi
Shqetësuese për etnologët mbetet ndërhyrja në kostume duke futur elemente që cenojnë origjinalitetin e një veshjeje popullore. Mania për “të bukurën” sipas etnologëve ka sjellë shpesh në shtrembërimin e origjinalitetit. Etnologu i njohur, Stavri Çati thotë se rikthimi i traditës sot është një gjë mjaft e vështirë për shkak të mungesës së materialeve, por edhe të kohës.
Ai tregon se :”Në kohët e vjetra për një kostum tradicional punohej deri në tre vite. Për kostumin e nuses lunxhiote duheshin 6 vite punë. Nuk ka mundësi sot të rrinë 6 vjet për një kostum. Vajza lunxhiote merrte në pajë 6 kostume, që nga i nusërisë deri tek i vdekjes. Kostumi ka patur 6 shtresa, sot përdorim vetëm të sipërmen”, thotë ai. Etnologu i njohur tregon se ndërhyrjet në kostume po humbasin origjinalitetin e veshjeve.

“Në kostumin e Dropullit ka hyrë një zog që në të vërtetë nuk është pjesë e veshjes, kanë hyrë llambrot, fijet etj, elemente që nuk duhen. Këto janë influenca të huaja. Shumë elemente kanë hyrë sidoms në periudhën otomane, si tumanet, etj. Sot mungon motivi popullor. Lunxhi ka hardhinë. Ka influencë nga kostumi i priftit në periudhën bizantine. Motivet janë pjesa më e madhe, aq duhet ta qëndisësh. Në qëndistari Gjirokastra ishte A-ja”, shton më tej Çati.
Edhe për studiuesin Ilir Lluri kostumi popullor ka ndryshuar për keq. “Kostumi kombëtar ka humbur elementë të rëndësishëm, jo për shkak të mosnjohjes, por mungesës së materialeve dhe vizionit të atyre që operojnë në realizmin e këtyre kostumeve. Më shumë ka humbur kostumi i burrave, kemi të djemve, por jo të burrave. Kemi 60 – vjeçar që dalin me fustanellë. Kostumi i burrave është më i lehtë në motive dhe më i varfër nga ai i djalërisë. Ka poturet, këpucët me proka dhe elementë të tjerë. Është kostumi që i shkon më për shtat edhe bruci. Jemi në përpjekje për ta kthyer pas gati 30 vitesh mungese. Janë rikthyer poturet, por duhet plotësuar. Grupet folklorike nuk na shfaqen me këtë kostum. Këto janë pasuri që u duhen lënë vend brezave”, thotë Lluri.
“Tradita nuk duhet të humbasë”, thotë etnologu Çati dhe “artizanët dhe grupet popullore duhet të shfrytëzojnë çdo rast për ta shpalosur atë”.