Ngjarje/Personazhe

Bamirësi i Bubqit, përmirëson jetën e komunitetit aty ku nuk investon shteti

31 tetor 2022/Porta Vendore/ Bubq

I ashtuquajturi Kroi i Hixës është rindërtuar 3 herë, përgjatë viteve 1970, 1990, 2018, nga Qazim Kurti i cili banon në Bubq dhe është kthyer në një engjëll mbrojtës për vetë komunitetin. Ai ka kontribuar edhe në shumë vepra të tjera intrastrukturore në fshat për ti ardhur në ndihmë komunitetit.

Sot ky burrë është 88 vjeç dhe vijon ende të ndihmojë komunitetin e tij me çfarë atyre i mungon. Atë që nuk e bën një shtet, e bën i vetëm Qazim Kurti, banor i Bubqit.

Fqinji i tij Osmani, tregon për median se Qazimi e ka hapur me krahët e tij vendin për të bërë kroin.

“Këtë krua e ka bërë Qazim Kurti me forcat e veta, është punëtor i madh, burrë i vjetër s’rri njëherë. Edhe varrezat ai i ka rregulluar. Edhe kroin e Hixës ky e ka hap me krahë, me forcat e veta e ka hapur. Ka qenë mal krejt. Është vetëm ky burim në fshat, e të gjithë vijnë mbushin këtu se fshati nuk ka ujë”, thotë komshiu i tij për Portën Vendore, duke thënë se Qazimi ka bërë sa s’më s’ka për banorët e Bubqit, me humanizmin e tij të rrallë dhe të pashembullt.

Por humanizmi i tij nuk fillojë as sot e as dje por që në vitet 70, ku i ka falur tokë disa familjeve që kishin nevojë për strehim.

Gjithashtu ka çuar në lagjen e tij 40 makina çakull për ta shtruar rrugën, duke e bërë lagjen ku jetonte ai dhe komuniteti një model të atyre viteve dhe jo vetëm.

Vetë Qazimi thotë se ka punuar me shpirt, për njerëzit.

“I kam bërë në mënyrë humane, me gjithë shpirt. E kam bërë për miletin e jo për vete. Kam hapur dy burime. Analizat e këtij burimi i kam bërë vetë dhe është ujë i pijshëm”, thotë i moshuari.

Një ujësjellës ose burim uji të pijshëm, i cili kurrë nuk shteron ndonëse thatësira ka pushtuar, tërë vendin dhe janë shfaqur probleme në ujin e pijshëm.

Qazimi ka zgjedhur tu shërbejë banorëve të zonës së Bubqit , të cilët ju mungon uji në çezmat e tyre, ku me disa bidona u dërgon uji nëpër banesa.

Me mjetin e tij 88 vjeçari shkon te burimi që ai e ka hapur me duart e tij shumë vite më parë, dhe aty mbush bidonat me uji dhe e dërgon nëpër shtëpitë e reja të banorëve të Bubqit.

Qazimi ka marrë falënderimet e përzemërta nga banorët për kontributin, ndonëse mosha dhe gjendja shëndetësore nuk ja lejon të punojë.

Në Bubqin e rindërtuar prej kohësh mungon uji i pijshëm në çezma, ndonëse shqetësimi i tyre është bërë prezent në Bashkinë Krujë, asnjë reagim nga institucioni vendor.

Por veç ujit, Qazimi ka investuar edhe në varrezat e fshatit dhe ndriçimin.

“Varrezat e fshatit i kam rrethuar. Nja 5-6 vjet me ristela, se vetë jam marrë me dru gjithmonë. Por ristelat u kalbën dhe pastaj vendosa t’i bëj me hekur e beton. Vumë dhe një derë dhe ndriçimin, i bëmë të gjitha. Janë 28 drita, 28 shtylla dhe ndriçimi ndizet e fiket me aparat. I jam drejtuar shtetit, me procesverbal e tani këto janë të shtetit, ia kam fal atyre”, tha bamirësi i fshatit.