29 tetor 2022/Ahmet Zani/Porta Vendore/Kurbin
Gjin Bushi 70 vjeç ka zgjedhur të protestojë në shkallët e Bashkisë së Kurbinit, si kryefamiljarë i mbetur i pastrehë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Sipas tij, institucionet nuk i kanë siguruar strehim në ndërtimet e reja të përfunduara tanimë në qytetin e Laçit, në kuadër të rindërtimit.
Prej disa kohësh ky i moshuar ka trokitur në dyert e bashkisë për të siguruar strehë, por nuk ka gjetur zgjidhje. E vetmja zgjidhje sipas Gjinit është greva e urisë që ka nisur, teksa kërcënon se nëse institucionet e pushtetit vendor nuk do ta dëgjojnë, do të shkojë deri në vetëflijim.