27 tetor 2022/ Edi Ruçi/ Porta Vendore/ Vlorë
Prej 6 muajsh tashmë ka nisur në Vlorë konflikti mes bashkisë së qytetit dhe firmës së pastrimit “Duka” e cila prej vitesh kryen pastrimin e qytetit të Vlorës. Konflikti po jep impakt negativ në qytet, të cilat dolën në pah përgjatë sezonit turistik ku Vlora u bë pis nga mbeturinat , për shkak të pafuqisë së dy palëve të përfshira në konflikt për ti pastruar këto të fundit, por herë-herë edhe lënies për “kastile” të mbeturinave pa u pastruar për të nxjerr “gafil” palën tjetër.
Konflikti i pastrimit të mbetjeve ka nisur prej muajt Janar zyrtarisht në Vlorë, teksa indicet e tij kanë nisur më parë. Firma “Duka” me një vendim të këshillit bashkiak të Vlorës, me në krye Dritan Lelin, në vitin 2020 është miratuar si firma e cila do të kryej pastrimin e qytetit duke filluar nga 2020, deri në përfundim të punimeve për landfilldin i cili po ndërtohet në Sherishtë. Firma “Duka” sipas vendimit të këshillit bashkiak, do të përfitoj çdo vit 2 milion euro për pastrimin e Vlorës. Janari i 2022 ishte edhe muaj, kur kjo kontratë për vitin 2022, u rinovua sërish nga këshilli bashkiak i Vlorës, i cili në mungesë së punës së nisur nga landfilldi i Sherishtës, i dha edhe për një vit tjetër ekskluzivitetin e pastrimit të qytetit firmës “Duka”. Në vendimin e këshillit bashkiak të vitit 2020, cilësohet qartë se e drejta për pastrim të qytetit, e firmës “Duka” do të vijonte nga viti 2020 deri në 2025, në rast se landfilldi nuk ndërtohet, por kjo kontratë do të rinovohej çdo vit. Duke e përpjesëtuar shifrën e 2 milion eurove me 365 ditë të një viti, pastrimi i qytetit të Vlorës me një llogari të thjesht në ditë kushton 5479 euro. Në kontratë firma e pastrimit e ka me detyrim të pastroi mbeturinat të cilat gjenden vetëm në brendësi të koshave të mbeturinave dhe jo jashtë saj.
Përse ka nisur konflikti ?
Duke filluar nga muaj shtator i 2021 mbeturinat të cilat grumbulloheshin nga firma “Duka” duhet të depozitoheshin në landfilldin e Sherishtës, dhe jo më në vendin e mëparshëm, tek fusha e mbetjeve në lagjen “Kushtrimi”. Firma “Duka” sic është parashikuar edhe në kontratë, ka patur për detyrë të depozitojë çdo ditë 140 ton mbeturina në vendin e grumbullimit. Të kontaktuar nga Porta Vendore, përfaqësues të Bashkisë së Vlorës, sqarojnë të gjithë situatën. Përgjatë periudhës nga shtatori në dhjetor, siç pretendon edhe Bashkia e Vlorës, kamionët e firmës “Duka” të cilët kanë depozituar mbetjet e tyre në terren, nuk kanë arritur kuotën e përcaktuar në kontratë të mbetjeve të cilat e kanë patur kriter për tu arritur. Për 4 muaj, automjetet e firmës “Duka” kanë depozituar më pak se 140 ton mbetje në ditë në landfilldin e Sherishtës se kuota e përcaktuar në kontratë. Gjithashtu firma në fjalë është konstatuar duke mos pastruar për ditë më radhë zona të cilat i ka patur në kontratë për pastrimin e saj. Të shumta kanë qenë edhe rastet që sipas përfaqësuesve të bashkisë Vlorë, kontenierët e mbeturinave nuk janë pastruar sipas grafikut të përcaktuar në kontratë, dy herë në ditë përgjatë 9 muajve, dhe katër herë në ditë përgjatë sezonit turistik.
Landfilli i Sherishtës nuk ka filluar ende nga puna në procesin e tij të plotë, pra në grumbullimin e mbeturinave dhe më pas djegien e tyre apo riciklimin e disa mbetjeve. Tashmë landfilli i Sherishtës kryen vetëm gjysmën e funksionit të përcaktuar, pra grumbullimin e mbeturinave dhe më pas kapitullimin e tyre, pra përpunimin e mbeturinave dhe grumbullimin e tyre për ti kapitulluar. Janari i 2022 u konstatua se Vlora kishte ende nevojë për një firmë pastrimi, pasi mjetet e pastrimit si pjesë e projektit të landfillit nuk kishin mbërritur në qytet, këto mjete mbërritën në muajin Gusht, kohë kur kontrata me firmën Duka kishte mbi 8 muaj që ishte rinovuar. Për këtë arsye vijon tashmë i gjithë konflikti. Në momentin që landfilli do nis punën totalisht, në grumbullimin, përpunimin, riciklimin dhe djegien e mbeturinave por edhe mjetet e pastrimit të jenë në terren prej fillimit të vitit atëherë tenderi i pastrimit do anulohet, ose më saktë në zërat e bashkisë së Vlorës nuk do hapet fare thirrja për pastrimin e qytetit.
Firma Duka ka për detyrë pastrimin e qytetit të Vlorës, vetëm në brendësi të qytetit të Vlorës. Fshatrat në njësitë administrative, në 4 prej këtyre të fundit që ka qyteti, i ka për detyrë që ti pastroj ndërmarrja e shërbimeve publike nëpërmjet një grafiku javor, dy apo tre herë në javë në varësi të largësisë së zonës.
Jemi përball faktit që çështja tashmë ka shkuar në gjykatë. Në kontratë nuk ka asnjë masë apo gjobë administrative ti jetë vendosur firmës. Bashkia e Vlorës ka mbledhur provat në terren dhe ja ka paraqitur gjykatës teksa i kërkon kësaj të fundit heqjen e licencës. Jemi përball faktit që dy subjekte, nga njëra anë bashkia e Vlorës dhe ana tjetër firma duka, shprehen në mënyra të ndryshme. Bashkia Vlorë thotë nuk i kanë plotësuar kriteret ndërsa firma kundërshton diçka të tillë. Çështjen do ta vendos gjykata, apo licencën e firmës së pastrimit bashkia e Vlorës nuk e anulon dot pasi është i njëjti organ që e ka firmosur këtë të fundit vetëm nëse vendos gjykata në bazë të provave që kjo e fundit të anulohet. Gjithashtu janë konstatuar raste ku kontenierët e mbeturinave nuk pastroheshin apo dezinfektoheshin me klor, siç është parashikuar në kontratë. Sipas tyre të shumta kanë qenë ankesat e qytetarëve, të pasqyruara edhe në media për shërbimin e pastrimit të ofruar nga kjo firmë, ankesa të paraqitura edhe në dyert e bashkisë së Vlorës. Bashkia e Vlorës, i ka të gjitha me prova dhe fakte, shkeljet e kontratës nga firma në fjalë.
Sezoni veror i shkuar tregoi se firma Duka ishte e pafuqishme të përballonte pastrimin e qytetit, edhe vitin e kaluar kishte shumë ankesa. Megjithë këtij fakti firma duka në një vit nuk bëri asnjë investim në ndryshimin e situatës. Këtë sezon veror sërish firma pati të njëjtat problematika, duke mos përballuar sasinë e mbetjeve në qytet. Gjithashtu në shumë raste si nga firma e pastrimit por edhe nga bashkia situata u neglizhua për ti hedhur fajin palës tjetër për ta demaskuar në publik. Të dyja institucionet ulën ndjeshëm ritmin e pastrimit në Vlorë duke i shkaktuar qytetit probleme.
Me një shkresë, në Janar të 2022, drejtuar këshillit bashkiak, Bashkia e Vlorës i ka kërkuar këtij të fundit pezullimin, ose mosrinovimin e kontratës së firmës “Duka” duke paraqitur edhe shifrat që kjo e fundit ka patur këto muaj, por edhe ankesat e qytetarëve përsa i përket pastrimit të qytetit. Këshilli bashkiak për shkak edhe të konfliktit Leli-Rama nuk i ka marr për bazë të tilla fakte duke vijuar për këtë vit kontratën me firmën e pastrimit. Më pas bashkia e Vlorës dhe kryetari i bashkisë, Dritan Leli, i është drejtuar me një shkresë zyrtare ministrive të linjës dhe qeverisë së vendit për heqje të liçencës mjedisore për firmën duke i paraqitur këtyre të fundit faktet mbi mozbatimin e kontratës nga firma e qytetit. Shkresë të cilat sipas bashkisë së Vlorës deri sot nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Për herën e parë publikisht, më 12 gusht, përgjatë ceremonisë së prezantimit të 20 mjeteve të reja, si pjesë e projektit të landfilldit të Sherishtës, kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, kërkon heqjen e licencës mjedisore të firmës “Duka” teksa shprehet se çështja tashmë ka shkuar në gjykatë dhe pritet vendimi i kësaj të fundit.
Në një reagim në rrjetet sociale, fill pasi kryetari i bashkisë së Vlorës kërkoi nga organet ligjzbatuese heqjen e licencës për firmën “Duka” kjo e fundit ka dalë në një reagim zyrtar për informimin e opinionit publik, ku rendit arsyet përse ka nisur konflikti, arsyet përse po penalizohet qyteti ku fajtor sipas saj është bashkia e Vlorës, si dhe kriteret që ajo ka plotësuar, të cilat janë përmbushur totalisht dhe nuk duhet të ishte shkaktuar kjo situatë. Firma Duka shkruan se e ka përmbushur kotën e 140 tonëve për mbetje në depozitim duke depozituar përgjatë beharit 190 tonë mbetje dhe duke e kaluar kuotën me 140 % siç ishte përcaktuar në kontratë. Gjithashtu Duka pretendon se pjesa e pagesës nga bashkia e Vlorës e cila i takon firmës, dhe përfitohet nga mbledhja e taksës së pastrimit nga qytetarët nuk i janë paguar firmës në fjalë duke e penalizuar punën e kësaj të fundit.
Cilat janë pasojat negative të këtij konflikti dhe penalizimi që po i bënë ai Vlorës ?
Porta Vendore ka realizuar një inspektim në disa prej zonave të qytetit për të parë situatën në terren të mbeturinave dhe koshave në qytet. Për të parë situatën e pastërtisë në Vlorë si dhe për të dëgjuar ankesat e banorëve të qytetit, pushuesve dhe turistëve përgjatë sezonit veror në drejtim të pastërtisë. Ajo çka është konstatuar është mungesë totale e koordinimit për pastërtinë në qytet, e cila ka lënë shije të keqe jo vetëm tek qytetarët e Vlorës por edhe tek turistët. Zona turistike të tejmbushura nga mbeturinat siç janë “Plazhi i vjetër” “ Lungomare” apo “Plazhi i Zvërnecit”.Kjo problematik bie më në pah, në zonat periferike, apo në brendësi të lagjeve të Vlorës ku mbeturinat qëndrojnë pa u pastruar për ditë me radhë, ose banorët detyrohet që ti vendosin këtyre të fundit flakën duke parë që prej ditësh nuk pastrohen. Imazh të qartë të kësaj situate të ofrojnë zona e “Centrales”, “Ish fushat e aviacionit” lagjet “Kushtrimi” “1 Maj” dhe “24 Maj”.
Arben Rexhapaj banues prej kohësh në lagjen “24 Maji”. “Të dyja palët e kanë fajin, si qytetarët, si pushteti. Jemi ankuar shpesh, por nuk na kanë kthyer përgjigje njeri. Këtu tani vetëm një kazan kemi, duhet të jenë 3..Qytetarët duke mos patur kazan, i hedhin mbeturinat në kanalin e ujërave të zeza. Mbeturinat shpërndahen edhe nga kafshët endacake..”
Ndërsa Ferat Seraj banues në lagjen “ 24 Maji” shprehet se: “Unë kam 18 vjet që jetoj këtu.. Këtu është një e keqe, sepse nuk dallon dot fshati nga qyteti, dhe bagëtia nga njerëzia. Ata kontenierët aty janë shumë të saktë, por s’janë njerëzit. Sepse kanë një tufë bagëtish, dhe i kthejnë përmbysë, për të ushqyer bagëtitë, dhe detyrohemi i marrim i hedhim aty. Duhet të pastrojnë edhe institucionet. Mbeturinat kanë goxha pa u pastruar”.
Mihal Llambro banues në lagjen “1 Maji” për Porta Vendore shprehet se: “Vijnë pushuesi në plazh me familjen, perse duhet ti lëmë mbeturinat në shesh. Janë këto koshat, e vendosur nga pushteti lokal, tashmë janë shkatërruar. Pastërtinë dhe menaxhimin e shoh jo dhe aq në rregull. Është e vërteta që më shumë ndotjen e bëjmë ne, por edhe bashkia me ato mjete që kanë i mbledhin, por nuk arrin dot ti pastrojnë me ritmin e duhur. Nuk duhet ta lëmë qytetin në këtë mënyrë”.
Edhe sipas Bajram Lako banues në lagjen “1 Maji” në Vlorë, situata është shumë e keqe. “Si zonë turistike, duhet të ketë pastërti. Firma e pastrimit duhet ta bëj më shumë punën e saj. Duhet të vij firma Duka, se marrin lekët ata për këtë punë, por nuk vijnë për të pastruar”
Banorët e Vlorës duan që nëpërmjet ngritjes së zërit të tyre herë pas here jo vetëm të besojnë se problemi i tyre do të zgjidhet por edhe të bëjnë të mundur sensibilizimin e të tjerë qytetarëve që cilët vuajnë problematika nga më të ndryshmet.
“Plazhi, bregdeti është me keq se këtu. Kjo zonë këtu është për të ardhur keq, sepse e sheh syri I qytetarit shqiptar dhe atij të huaj. Bashkia e qytetit e ka fajin, ndërmarrja e pastrimit, vetëm ata mund ti pastrojnë mbeturinat.. Këto nuk janë plehra të përditshme, ka edhe inerte, duhet të ketë një vend të caktuar ku mund ti hedhësh. Ndikon shumë negativisht tek zona dhe turizmi. Unë banjo aty pranë dhe ka shumë të huaj që vijnë, dhe gjëja që më pyesin më tepër është sesi ka mundësi që mbeturinat të hidhen kështu”, tha Lavdosh Hyseni banues në zonën e “Plazhit të vjetër”.
Edhe për Dhimo Lekaj dhe Lumturie Veizin banues në zonën e Pyjores, zona është shumë e ndotur.
Zgjidhja tashmë ka mbetur enigmë, të paktën deri në fillim të vitit 2023.I takon gjykatës të japi verdiktin final, të palës që në këtë drejtim ka të drejtë. Nëse gjykata vendos që të drejtë ka bashkia e Vlorës atëherë firmës duka i pezullohet kontrata në mënyrë të njëanshme dhe këtë të fundit e përfiton bashkia e qytetit, së bashku me fondin për muajt e mbetur, të llogaritur që do të mbetet nga vendimi i gjykatës, duke e ushtruar pastrimin me mjetet e saj të angazhuara si rrjedhojë e projektit të landfilldit. Nëse gjykata i jep të drejtë firmës duka atëherë kjo e fundit fiton dëmshpërblim nga bashkia për penalizim dhe prishje të njëanshme të kontratës, penalizim që i kalon disa miliona euro. Ose situata siç pritet mund të mbetet pezull pa zgjidhje deri në fillim të vitit 2023, kohë kur është parashikuar vendosja në punë e landfillit të Sherishtës, dhe në këtë mënyrë kontrata e firmës Duka pezullohet totalisht dhe më pas pritet veç vendimi i gjykatës. Një vendim i cili mund të përcaktoi shumë, por që të gjitha palët nuk e dinë nga do të anojë. Topi tashmë ka mbetur në duart e gjykatës e cila mesa duket ka në dorë fatin e bashkisë Vlorë dhe firmës Duka.