25 tetor 2022/ Porta Vendore/ Tiranë
Sipas të dhënave nga INSTAT vendi ynë ka 6.2% të popullsisë në moshë madhore të deklaruar me të paktën një aftësi të kufizuar. Personat me aftësi ndryshe, në shumicën e rasteve, janë të privuar nga shumë shërbime, nga jeta sociale e kulturore, kjo si rezultat i hendekut të madh mes ligjit dhe realiteteve lokale.
Personat me aftësi të kufizuar ndjejnë vështirësi sidomos në aspektin e aksesit në lëvizje për shkak të mungesës së rampave në shumë rrugë e qytete kryesore të Shqipërisë, në mundësitë për tu punësuar, në sigurimin e një shoqëruesi, por edhe në pagesën e verbërisë me të cilën ato trajtohen dhe që për shkak edhe të rritjes së vazhdueshme të çmimeve në vend është e papërballueshme.
Sipas të gjithave konventave ndërkombëtare të nënshkruara edhe nga vendi ynë, mbrojtje e kësaj shtrese është legjitime por a ndodh kjo në të vërtetë?
Nga letra në realitet mbetemi ende shumë hapa larg.
Kërkesat më të fundit të komunitetit të të verbërve shkojnë për rritjen e pagesës që duket se është Alfa e të gjithë irritimit të tyre, të akumuluar ndër vite e sidomos gjatë krizës financiare me nisjen e luftës në Ukrainë që kaploi edhe vendin tonë.
“ Kemi dalë në një protestë për të sensibilizuar qeverinë. Nuk është një protestë e vonuar pasi çdo 15 tetor organizojmë protesta, në kuadër të ditës së shkopit të bardhë. Kemi nevojë shumë që qeveria të na mbështesë, bashkitë gjithashtu”, tha Jonuz Meta për Portën Vendore, duke i kërkuar qeverisë që të kthejë sytë nga ata, përndryshe ai dhe të tjerët kërcënojnë për përshkallëzim të lëvizjes me protesta të përhershme.
Edhe për Remiz Kurtin harresa e shtetit ndaj personave me aftësi të kufizuar është e madhe, madje ai thotë se ato janë ndjerë vetëm në këtë luftë financiare të përditshme tanimë.
“Patjetër që ndihemi të harruar dhe indeksi i inflacionit që behët s bëhet tamam. Ne kërkojmë vetëm një ndihmë në këto kushte, jo thërrime”, tha ai.
Aktualisht ky target grup përfiton vetëm 13400 lek, pas një rritjeje të lehtë, prej 900 lekësh kohëve të fundit por që sigurisht e pamjaftueshme.
“Po protestojmë sepse nuk na dëgjon njeri. Nuk na përfillin dhe ne jemi shtresa më e diskriminuar. Absolutisht asgjë s’ka bërë për personat me aftësi të kufizuar, kryeministri ndryshe nga sa kishte premtuar në fushatë. As institucionet qendrore dhe as ato vendore s na ndihmojnë. Çmimet po ngrihen çdo ditë. Mirë unë jam në fshat e hajë një copë bukë me qumësht po ai që jeton në qytet duhet të pres pensionin?! I bëj thirrje qeverisë që të kthejë kokën nga ne” , thotë e irrituar Vjoleta Kokomani.
Thuajse të gjithë ndjehen njësoj të abandonuar, në këtë situatë që ndodhen, ku më shumë se asnjëherë tjetër duan një përkrahje më të gjerë financiare nga shteti.
“Asnjë gjë s po bëhet për ne. Jemi të pambrojtur si të gjithë shqiptarët. Edhe ata që kanë fituar gjyqin nuk kanë marrë lekët, imagjinoje vetë ti pastaj. Të pambrojtur si çdo shtresë e popullsisë”, tha Indrit Losi për Portën Vendore.
Ndërsa një problem tjetër që ata parashtrojnë lidhur me çështjen financiare është fakti se ende një pjesë e mirë prej tyre nuk kanë marrë pagesat e prapambetura gjatë vitit 2005-2010 për kujdestarin, ndonëse me vendim gjykate.
“Kryeministrit që i kemi dhamë votën, na kishte premtuar që do të na jepte lekët e prapambetura 2005-2010, por po na vonon gjykata pasi nuk ka gjyqtarë për ti shqyrtuar kërkesat tona, madje edhe ata që e kanë fituar çështjen nuk i kanë marrë”, thotë Fatmir Kapxhiu.
E përsa i përket transportit publik dhe aksesit në infrastrukturën rrugore të qytetit , jo vetëm në Tiranë por edhe më gjerë mbetet një problem i vazhdueshëm, që shkakton një pakënaqësi në rritje të atyre që e vuajnë çdo ditë në supe këtë presion të madh të lëvizjes, qoftë në këmbë apo me transport publik.
“Kudo që shkojmë, çfarëdo që bëjmë ne jemi të harruar dhe të pambrojtur. S’na japin as kompensimin e dritave, jemi ankuar dhe na kanë thënë që s’na i japin dot.
Nuk na pranojnë librezën e verbërisë, nëpër autobusa. Shpesh kemi njoftuar edhe policinë por pa mundur të na i zgjidh dot” , thotë Adile Muka, duke vënë theksin se linja e autobusëve të Kamzës nuk ja njeh kartën e invaliditetit, kur në fakt do të duhej që po, për aq kohë sa këta të fundit operojnë jemi brenda ligjit.
Edhe çështja e ofrimit të një mundësie në punësim mbetet një tjetër gangrenë në kuadër të personave me aftësi të kufizuar, paçka se ligjet ekzistojnë edhe në këtë drejtim por pa mundur të gjejnë zbatim.
“Nuk kemi kushte, infrastruktura nuk na ndihmon. Pagesat që marrim janë shumë të ulëta për të përballuar koston e jetës. Me vështirësi mbijetojmë. Duhet të paguajmë drita, ujë, personin që kujdeset për ne. Nuk e di si ia dalim. Nuk kemi as ambiente për të lëvizur, për të dalë. Jemi të harruar, të braktisur totalisht nga kjo qeveri që e kemi votuar. Me plot gojën i kemi votuar dhe jemi të braktisur. Po mbijetojmë. Vetëm ditën e votave kujtohen”, tha Saimir Farrici presidenti i shoqatës së të verbërve.
Shqipëria numëron rreth 144.135 persona me aftësi të kufizuar, sipas një raporti të bërë nga Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar, mbështetur nga BE, botuar në mars të vitit 2019. Në këtë raport citohet gjithashtu se rreth 74,392 janë përfitues në sistemin e sigurimeve shoqërore dhe 69,743 persona në sistemin e ndihmës sociale. Prej tyre, 19,288 persona me aftësi të kufizuara përfitojnë edhe pagesë kujdestarie.
Neni 18 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë përcakton që: “Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit. Askush nuk mund të diskriminohet padrejtësisht për shkaqe të tilla si gjinia, raca, feja, etnia, gjuha, bindjet politike, fetare a filozofike, gjendja ekonomike, arsimore, sociale ose përkatësia prindërore”, pra është rasti ku personat me aftësi ndryshe konsiderohen si persona me mundësi të barabarta me të tjerët, me dinjitet dhe të drejta të patjetërsueshme. Ndaj në kuadër të të gjithë kësaj, të verbrit kanë një listë të gjatë me kërkesa jetësore që duan që zëri i tyre të dëgjohet e jo të bie në vesh të shurdhët siç ka ndodhur deri më tani nga qeveria shqiptare.