23 tetor 2022/ Dhorjela Cule/ Porta Vendore/ Maliq
Një grup të rinjsh nga fshati Sovjan i Maliqit, nxënës të shkollës 9 – vjeçare “Nevrus Vila” kanë arritur që marrin mbështetjen e bashkisë për të kthyer në një aktivitet të përvitshëm, iniciativën e tyre për të organizuar “Festën e Fazanit”. Maskota e një fazani, shpendit simbol të pyllit që mban emrin e tij në Maliq tërhoqi menjëherë vëmendjen teksa ecte mes të ftuarve dhe pjesëmarrësve duke i përshëndetur ata më përzemërsi.
Pas gati 6 muaj punë dhe përpjekje të vazhdueshme mësues dhe nxënës të cilët fillimisht kishin thjesht një projekt fal mbështetjes që gjetën nga Lëviz Albania kanë organizuar në Pyllin e Fazanit, një atraksion turistik natyror festën e tyre, duke u mbështetur fort tek ky element identifikues ndërsa janë drejt finalizimit të marrëveshjes për ta kthyer këtë aktivitet festiv në një traditë të përvitshme që do të mbështetet nga Bashkia e Maliqit.
Duke u mbështetur tek nxitja e edukimit joformal, projekti që përfshiu jo vetëm nxënësit e shkollës por edhe komunitetin edhe pse është i shtrirë për tu zbatuar në 9 muaj ka hedhur hapa pozitivë drejt përmbushjes së objektivave të tij.
Përgjatë 6 muajve nxënësit kanë punuar dhe organizuar një sërë aktivitetesh që kanë në qendër promovimin nëpërmjet fotografisë jo vetëm të pyllit dhe trashëgimisë kulturore e historike të zonës por kanë arritur që të tërheqin vëmendjen e institucioneve duke dëshmuar kështu se iniciativat dhe kërkesat e tyre mund të dëgjohen. Teksa në qendër të pyllit fëmijët sjellin kujtimet e brezave të familjarëve të tyre që nga veshjet si partizanë, rockerë, aristokratë, punëtorë me kominoshe e shumë të tjera. Mësuesja e tyre Ema Isallari tregon se fillimi nuk ishte aspak i lehtë. “Është aktiviteti i dytë që organizojmë këtu brenda disa muajsh dhe tani kemi arritur edhe dakordësinë e bashkisë për t’a kthyer në një festë të përvitshme. Në fillim padiskutim që patëm vështirësi sepse nxënësit ishin skeptikë, prindërit nuk ishin të gatshëm për t’u përfshirë. Na u deshën përpjekje dhe takime të vazhdueshme me ta për të marrë fotot e vjetra që kishin por e rëndësishme është që ja dolëm dhe tani kemi rritur besimin e komunitetit por sidomos të nxënësve që zëri i tyre mund të dëgjohet”, thotë ajo.
Livanda Nurka ishte ende fëmijë kur çdo grua në familje përpiqej t’i mësonte se si të punonte me grep, shtiza, të qëndiste dhe të bënte çdo punë artizanale që do t’i shërbente kur ajo të rritej e të bëhej zonjë shtëpie. Nuk ishte më shumë se 7 vjeç kur së bashku me nënën e saj uleshin për të punuar dhe ajo përpiqej të mësonte si të përdorte mjetet e nevojshme për të zbukuruar copat e ndryshme ndërsa përpiqej të nxitonte që të bënte po aq punë sa nëna e saj. Më pas duke u rritur, ajo mësoi edhe gatimet tradicionale duke ja marrë pak nga pak recetat të ëmës. Tani 70 vjeçarja vazhdon të punojë me të njëjtën kënaqësi ndërsa gëzon kur thotë se ja ka dalë t’ua mësojë këtë punë edhe vajzave dhe mbesave të saj.
“Fëmijëria jonë ishte ndryshe nga fëmijëria e sotme. Nënat duke na mësuar si të gatuajmë, si të bëjmë punë artizanale na trashëguan traditën. Tani është më e vështirë ta përcjellësh tek të rinjtë ndaj në çdo rast ne më të moshuarat përpiqemi që të tregojmë sa më shumë nga ajo që dimë dhe që në të vërtetë na bën krenare” , tregon Livanda Nurka, teksa ka renditur një sërë punimesh në një aktivitet që u organizua në Pyllin e Fazanëve në Maliq. Kur nxënësit e shkollës 9- vjeçare të Sovjanit i treguan se do të organizonin një aktivitet së bashku me mësuesit e tyre për traditat dhe pasuritë e fshatit ajo u entuziazmua dhe pranoi me kënaqësi që punimet e saj të ekspozoheshin krah punimeve të nxënësve, fotografive apo gatimeve që zonjat e tjera të fshatit kishin menduar të ofronin.
Fshati Sovjan në Bashkinë e Maliqit përveç traditave të pasura është edhe një sit i rëndësishëm arkeologjik pasuritë e të cilit mbeten shumë pak të njohura. Pikëtakimet mes brezave për ruajtjen e traditës, historisë dhe pasurive kulturore mbeten sfida e banorëve të çdo fshati të cilët përpiqen në çdo mënyrë të tërheqin vëmendjen e pushtetit vendor dhe atij qendror duke kërkuar jo vetëm investime bazike në infrastrukturë por edhe organizime të festave dhe aktiviteteve të ndryshme në mënyrë që ato vlera që i konservojnë prej vitesh të mbijetojnë.
“Të rinjtë për natyrën” ishte një aktivitet i zbatuar nga organizata “Mësuesit për ndryshim” që përmes fotografisë synon të kultivojë tek të rinjtë dashurinë dhe pasionin për pasuritë e zonës duke u fokusuar tek mjedisi. Nxënësit e shkollës 9- vjeçare “Nevrus Vila” të Sovjanit pasi u trajnuan për teknikat e fotografisë u nxitën që të realizojnë fotografi nga pika të ndryshme ndërsa për ta bërë edhe më interesante punën e tyre sollën edhe fotografi të vjetra të ruajtura në albumet familjare.
“Kam sjellë një foto të gjyshit kur punonte me traktor si edhe kam bërë foto tek Pylli i Fazanëve. Kam mësuar më shumë për historinë e fshatit, vlerat natyrore dhe kulturore të tij. Kemi bërë edhe disa seanca për teknikat e fotografisë dhe besoj se do të na shërbejnë. E rëndësishme është që ne të rinjtë të kemi dëshirë dhe vullnet si dhe të dimë ku të trokasim për të gjetur mbështetje” ,thotë Kejsi Muçollari, një prej nxënëseve të shkollës.
Së bashku të rinjtë kanë arritur të realizojnë 100 fotografi të cilat janë ekspozuar për pjesëmarrësit në aktivitet dhe pas çdonjërës prej tyre qëndron një këndvështrim, një njohuri shtesë apo një histori e vogël.
Teksa slogani “Kujtime nga Pylli i Fazanëve” solli një festë të bukur pikërisht në këtë atraksion natyror të Bashkisë Maliq, puna e të rinjve u shpërblye më së miri pasi ata ja dolën të bëjnë bashkë brezat, traditën, kulturën por edhe punimet e tyre, një unifikim që është i vështirë të arrihet.
“Është diçka shumë e bukur për ne kjo sot sepse në krah të punimeve tona qëndrojnë punimet e realizuara me mjeshtëri nga nënat dhe gjyshet. Krah fotografive që kemi realizuar ne janë fotografitë e vjetra të familjes, të gjyshërve tanë. I kemi ndërthurur edhe me disa thënie për mbrojtjen e mjedisit dhe duam që ta arrijmë qëllimin final. Bashkinë e Maliqit e shohim si një institucion që duhet të na mbështesë në idetë dhe kërkesat tona”, tha Klevisa Seitllari, një prej nxënëseve të shkollës ndërsa shtoi se falë këtij projekti nxënësit kanë përvetësuar më shumë njohuri për vlerat që do të trashëgojnë.
Për mësuesen Ema Isallari e rëndësishme është që nxënësit dhe mësuesit së bashku ndërvepruan dhe arritën të realizojnë një aktivitet me një mesazh të qartë ndërsa synimi është që bashkia e Maliqit ta vazhdojë këtë traditë.
“Nxënësit u angazhuan në disa veprimtari me fokus mjedisin. Duke u përfshirë përmes metodave të ndryshme që janë edhe interesante për ta ne kemi mundur të sjellim një panoramë të jetës së dikurshme në fshatin Sovjan e po ashtu ti ndërgjegjësojmë ata për rëndësinë e zonës ku jetojnë, për pikat ku janë bërë gërmime arkeologjike. Tani ata janë më të vetëdijshëm për atë se çfarë duhet të kërkojnë nga institucionet në mënyrë që t’u shërbejë më së miri” , tha ajo duke theksuar se të rinjtë kanë mësuar si të jenë më aktivë në vendimmarrje.
“Për disa muaj radhazi kemi punuar me nxënësit duke synuar që kryesisht të ndërgjegjësohen për mjedisin që i rrethon. Që së pari të jenë të përgjegjshëm për mbrojtjen e pasurive të zonës, florës faunës dhe gjithçka tjetër. Duhet fillimisht t’i njohin, të kujdesen për to dhe më pas edhe të përpiqen të sjellin përmirësim për gjendjen aktuale”, përfundoi Isallari.
Për përfaqësuesin e Bashkisë Maliq Klarsen Brako vendi i përzgjedhur nga nxënësit është një hapësirë e rëndësishme brenda territorit të njësive së qeverisjes vendore, ku kjo e fundit ka vendosur të investohet sa më shumë për ta transformuar në një destinacion turistik e po ashtu për ta mbrojtur.
“Pylli i Fazanëve është një monument natyre i kategorisë së tretë dhe bën pjesë në listën e Zonave të Mbrojtura. Ne si bashki kemi siguruar një marrëveshje me ADZM për menaxhimin e tij dhe për ta kthyer në një atraksion turistik. Sot jemi të kënaqur që kemi se çfarë të tregojmë për të” , tha ai.
Me synimin për ta kthyer në një traditë që organizohet çdo vit, nxënësit dhe mësuesit së bashku e pasuruan aktivitetin me lojëra, gatime karakteristike, këngë dhe valle të zonës ndërsa përfaqësuesi i bashkisë Maliq Endri Axhi tha se mbështetja për këta të rinj nuk do të mungojë dhe se bashkia synon të kthehet në një partnere që do t’i mbështesë në kërkesat e tyre për vazhdimësinë.
“Jemi njohur me dëshirën e tyre për ta kthyer në një traditë të përvitshme organizimin e këtij aktiviteti, ashtu sikundër edhe kërkesat e tjera për zonën arkeologjike. Do të përpiqemi që të përmbushim gradualisht atë çfarë na kanë kërkuar. Ka një pikëtakimi mes kërkesave të tyre dhe vizionit të bashkisë ndaj shpresojmë që t’ia dalim së bashku” , u shpreh Axhi.
Bashkia e Maliqit ka një profil të fokusuar kryesisht tek sektori bujqësor ndërsa brenda territorit të saj gërmimet arkeologjike kanë nxjerrë në dritë disa vendbanime prehistorike. Një prej siteve më të rëndësishme të zbuluara është Vendbanimi Prehistorik i Sovjanit, i cili sipas të dhënave është përdorur 6000 vjet nga fillimi i Neolitit deri në periudhën e parë të Hekurit. Sipas studiuesve vendbanimi jep arkitekturën më të plotë të ruajtur më mirë në gjithë vendbanimet në Shqipëri dhe Ballkan. Nevoja për të përmirësuar infrastrukturën në zona të tilla por edhe për promovimin e mëtejshëm të tyre mbetet domosdoshmëri ndërsa komuniteti ka hedhur hapat e parë për të tërhequr vëmendjen e tyre drejt këtyre pasurive.