Ngjarje/Personazhe

Mikel Feka 80 vjeçari që “dashuron” biçikletën

17 tetor 2022/ Arben Velo/ Porta Vendore/ Fier

Mikel Feka është 80 vjeç. Ka lindur në 4 Nëntor të viti 1942. Nëse e kërkon ta takosh në shtëpi, e gjen fare kollaj në punë, në njësinë e riparimit të biçikletave. Nëse nuk e gjen brenda njësisë, një dyqan i thjeshtë në katin e parë të një pallati, në lagjen “Kongresi i Përmetit” Fier, është duke ngarë biçikletën. Pasi e ka rregulluar me duart e tij, të cilat nuk njohin lodhje, e provon me këmbët e veta, këmbë çiklisti, përpara se tua kthej përfundimisht klientit.

 “Mjeshtër e solla unë. Ma shiko çfarë ka dhe nuk ka. Besoj se ka një çedim më duket në rrotën e dytë”, i drejtohet një klient i zakonshëm që dëshiron që mjeshtri Feka të riparoj defektin e dyrrotakut të tij.

Mjeshtri nuk përton. Merr butësisht nga dora e klientit dyrrotakun e kalon në duart e tij, pastaj e kthen përmbys duke mërmëritur, “E di unë e di se çfarë ka kjo biçikletë” . Me pasionin e një të riu, përkulet mbi trupin e saj të hekurt dhe nis të rrotulloj gomat. Gjithçka e kryen pa harruar së vëzhguari plot sqimë, kujdes dhe finesë luhatjet e gomës. Vetëm syri i një mjeshtri si ai di se si të dalloj defektin…

Ka ngarë biçikletë që prej fëmijërisë, derisa një ditë aty nga viti i largët 1961, nisi të garoj për ekipin e Partizanit, kohë kur kryente shërbimin ushtarak. Garimi do të përfundonte në vitin 1980. Këtë radhë me ngjyrat e ekipit të Apolonisë.

Kudo ka rendur duke u shpallur madje edhe kampion i shumë etapave malore. Si fitues garash është bërë i njohur në shkallë kombëtare. Forca , sportiviteti dhe respekti mes çiklistëve kolegë, të asaj dhe kësaj kohe , e dallojnë Mikelin nga të tjerët.

Nëse themi të kësaj kohe ,janë pjesëtarët e ekipit të sotëm të çiklizimit Apolonia, ata që sjellin për riparime dy rrotakët në duart e këtij mjeshtri.

“ Shkruaj çfarë të duash për Mikelin. Ai është i njohur dhe respektuar për kontributin që i ka dhënë çiklizimit fierak dhe atij kombëtar”, pohon Kiço Kalemi.

Kalemi ka drejtuar për shumë vite ekipin e Apolonisë në çiklizëm. Dhe për vite me radhë është shpallur kampion . Ndërsa prej dy vitesh ia ka lënë stafetën djalit të tij si trajner ekipi të Apolonisë, Vetë trajnon një ekip të rinjsh deri në 14 vjeç brenda shumësportëshit.

Në dyqan vjen Vladimir Faria. Ai është një prej fqinjëve dhe miqve të Mikelit. Pasi përshëndoshet, dhe uron punë të mbarë, Vladimiri futet në bisedë.

 “Në këtë dyqan vijnë deri dhe nga Vlora. Për të mos thënë që kam ndeshur dhe qytetarë të pasionuar pas biçikletave nga Tirana. Vijnë të centrojnë disqet .Edhe në Greqi kur ka qenë Mikeli nuk e ka lënë këtë zanat. Ka punuar edhe atje”, pohon duke qeshur.

 Mban mend cila ka qenë gara më e fortë “- pyes unë.

  “Kam bërë gara të shumta dhe kam fituar shumë etapa, Mbaj mend etapën Tiranë-Elbasan-Librazhd dhe kthim. Luftova shumë dhe fitova .Bilali u rrëzua në malore. Unë mbaj mend që mbërrita i pari”.

 Familja e tij ia njeh shumë mirë “tekat” dhe dashurinë për biçikletën. Madje siç pohon ai njohjen e parë me bashkëshorten e ka nga sporti i çiklizmit.

 “Jam njohur me gruan time në restorant Vollga në Durrës. Atje e pashë për herë të parë teksa vija nga gara. Do ti që më ngjiti me herë të parë? Iu qepa, s’ju ndava derisa u martova. Kemi tre fëmijë, dy vajza dhe një djalë”, rrëfen ai.

 Është duke përfunduar riparimin e biçikletës. Klienti e merr në dorë, e përgëzon dhe del nga dyqani. “Faleminderit mjeshtër”, uron ai duke i hipur dyrrotakut .

 “Ai është një sportist veteran dhe specialist në fushën e vet. Kohët kanë ndryshuar dhe teknologjia gjithashtu. Biçikletat tani janë moderne, me pajisjet e tyre. Ato që janë të prodhimit të para viteve 2000, Feka ndihmon në riparimin e tyre.

Djemtë janë të pajisur për gara me biçikleta të llojit të fundit. Ndërsa kanë dhe biçikleta të para viteve 2000. Ky është dhe kontigjenti që ndihmon mjeshtri Feka. Edhe pse nuk ka asnjë kontratë me ne si Bashki. Djemtë kanë se çfarë të mësojnë prej tij”, thotë ish kampioni i garave ciklistike, tashmë administrator i Klubit shumësportesh Apolonia në Bashkinë Fier Palion Zarka.

Fillimet e veta sporti i çiklizimit në Fier i ka rreth viteve 1929-1930. Djem të rinj fierakë krijuan një grup çiklistësh të cilën e aderuan brenda emrit të Apolonisë. Ndër sportistët e parë që përfaqësuan këtë trevë ka qenë çiklisti Miço Pupi, një sportist mjaft i fortë dhe i pathyeshëm  . Sportisti që pasoi emrin e Miço Pupit ishte Gori Risilia, edhe ky qytetar fierak.

Me kalimin e viteve do të vinin emra të tjerë por më të spikaturit do të ishin ata që ecën në gjurmët e të parëve të tyre, ku spikat Mikel Feka, Nikollaq Hysi, Ramadan Jakupi, Dëfrim Ibrahimi, Zoi Karçini, Tomi Tavanxhiu, Kiço Kalemi etj. I këtij brezi është edhe Fredi Mërtiri Ramadan Jakupi etj