Vëzhgim/Analizë

S’ka krizë për tenderat për rikonstruksione rrugësh, gjelbërim, ndriçim e mobilim zyrash! Bashkitë hapin gara me vlerë 295 mln euro

12 nëntor 2022/Eliza Gjediku/Porta Vendore

Përgatitjet për fushatën elektorale kanë nisur nëpër bashkitë e vendit, të cilat po marrin masat çdo ditë e më shumë për të realizuar projekte rrugore, argëtuese dhe ambicioze pavarësisht krizës ekonomike dhe të çmimeve. Bashkitë nuk kursehen pavarësisht krizës financiare që ka kapluar familjet shqiptare, duke hapur tendera me vlera marramendëse për ndriçim e mobilim zyrash, por edhe për krijimi të zonave pyjore, e rikonstruksione rrugësh.

Inflacioni që ka kapërcyer në vlerat më të larta që prej vitit 1990, dhe ngadalësimi ekonomik nuk i ka ndalur bashkitë që të hapin me dhjetëra tendera për rikonstruksione rrugësh, gjelbërime ambienti, dekore, mobilime zyrash apo tendera ambiciozë në vlera të konsiderueshme për ndërtim terminali autobusësh.

“Kryerja e tenderave nga njësitë e qeverisjes vendore për rrugë, mirëmbajtje, pista garash, apo ndërtime terminalesh, tregjesh etj, reflekton situatën prag zgjedhjesh që të krijohet imazhi i një Shqipërie që zhvillohet. Në të njëjtën kohë konstatohet që po bëhen investime kryesisht të pamatshme, që prodhojnë indirekt politikanë që pasurohen por që prodhojnë të ardhura që do të përdoren në zgjedhjet e ardhshme”, thotë eksperti i ekonomisë Zef Preçi.

Prej janarit të këtij viti deri në fund të muajit shtator 62 bashkitë e vendit kanë hapur në total 2,457 tendera me fond limit 34,089,300,767 lekë (rreth 295 milionë euro). Deri më tani janë shpallur fituesit për 1,528 tendera që me vlerë totale 18,119,282,376 lekë (rreth 156.8 milionë euro). Shifra këto që janë disa herë më të larta sesa fondet për përballimin e krizës së çmimeve.

“Bashkitë me sa duket nuk janë në koherencë me realitetin ku jetojnë qytetarët apo ku po lundron ekonomia. Në një situatë të tillë kur vendi po kalon një krizë të rëndë ekonomike nga rritja e çmimeve, bashkitë në vend që të ndërmarrin politika mbështetëse për qytetarët, ato bëjnë investime sikur ekonomia të ishte në prosperiret të plotë”, thotë eksperti i ekonomisë Klodian Muço.

Bashkia me numrin më të madh të tenderave është ajo e Tiranës me 346 tendera, ndjekur nga Bashkia e Durrësit me 147 tendera dhe në vend të tretë është Bashkia Korçë me 140 tendera. Pas tyre vijnë bashkitë Shkordër, Kamëz, Krujë, Maliq, Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër. Kjo është top lista me 10 bashkitë me numrin më të madh të tenderave të hapur gjatë kësaj periudhe.

1

Bashkia Tiranë

346 tendera

2

Bashkia Durrës

147 tendera

3

Bashkia Korçë

140 tendera

4

Bashkia Shkodër

101 tendera

5

Bashkia Kamëz

92 tendera

6

Bashkia Krujë

84 tendera

7

Bashkia Maliq

74 tendera

8

Bashkia Elbasan

74 tendera

9

Bashkia Vlorë

72 tendera

10

Bashkia Gjirokastër

64 tendera

Projekte jo-prioritare në kohë krize!

Tenderi më i kushtueshëm është i Bashkisë Tiranë i hapur në verën e këtij viti me fond limit 820 milionë lekë për terminalin e ri te mbikalimi i Kamzës, që pritet të përfundojë në 24 muaj dhe ka një sipërfaqe prej 50 mijë metra katrorë. Synimi i projektit është që të ndërtohet një terminal i ri për sistemimin e autobusëve.

Jo vetëm bashkia e Tiranës, por edhe ajo e Kamzës ka hapur me dhjetëra tendera për ndërtime e rikikonstruksione rrugësh.  

Për ekspertët projekte të tilla kaq ambicioze duhet të shtyheshin për një kohë më të qetë, dhe fondet e taksapaguesve të përdoreshin për të mbuluar kostot e shtuara të jetesës prej çmimeve të larta.

“Gjithë kjo situatë janë një dëshmi e papërgjegjshmërisë së qeverisë në administrimin e fondeve financiare, sidomos në këtë vit që ka pasur të ardhura për shkak të çmimeve. Pra ka pasur më shumë të ardhura nga varfërimi i qytetarëve, dhe tregohet papërgjegjshmëria e qeverisë në menaxhimin e tyre, dhe gjithashtu mungojnë prioritetet dhe debatet mbi prioritetet e zhvillimit, ndërkohë që vendi po përballet me krizën energjetike dhe me tendera që janë jo të mirëmenduara”, thotë eksperti i ekonomisë Zef Preçi.

“Bashkitë janë nëkonkurencë të plotë me qeverinë qendrore në kohë zgjedhjesh duke bërë sa më shumë tendera me qëllim për të influencuar zgjedhësit”, thotë Muço.

Përsa kohë këto tendera po lejohet të zhvillohen dhe nuk ka një kufizim të tyre, ekspertët thonë se qëllimi është i qartë, “Përmirësimi i imazhit të vendit në prag zgjedhjesh”.

“Kryerja e këtyre tenderave kuptohet që ndikon në zgjedhje dhe në krijimin e një imazhi, si dhe ndikon në krijimin e parave për të blerë zgjedhësit. Përdorimi i parave publike është kthyer në një atraksion për blerjen e zgjedhjeve”, pohon Preçi.

Por habia me tenderat e pushteti vendor nuk përfundon këtu. Ende pa u mbyll zyrtarisht sezoni turistik,  Bashkia e Belshit po bëhet gati për sezonin turistik të ardhshëm pasi në fund të muajit gusht hapi një tender për fuqizimin e ofertës turistike me anë të zgjidhjeve ekologjike, blerje mjete lundruese me vlerë 3.4 milionë lekë. Tender që u anulua pasi nuk pati asnjë pjesëmarrës në garë. Po e njëjta bashki hapi më pas një tjetër tender me vlerë 2.9 milionë lekë këtë herë për hartimin dhe zbatimin e planit promocional si dhe organizimi paketë eventesh dhe aktivitetesh promocionale e turistike për javën e hapur.

‘Krizat nuk mund të të privojnë nga fasadat e bukura’, kjo do të ishte fiks shprehja që do ti shkonte për shtat bashkisë Vlorë, Shkodër e Vau Dejës, që në ‘luftën e çmimeve’ që ka varfëruar familjet në vend, ato hapin tendera dekori dhe mobilime zyrash.

Bashkia Vlorë ka hapur tender për dekorin e qytetit në datat e veçanta, të tilla si 5 maj, 9 maj, për hapjen e sezonit, për 15 tetor (dita e çlirimit të Vlorës) dhe për dekorin e qytetit për 28-29 Nëntori – Dita e Pavarësisë dhe Çlirimit të Atdheut. Ky tender i hapur më 16 gusht ka vlerën 3.1 milionë lekë, dhe afat 12 muaj.

Ndërsa Bashkia Shkodër më 16 gusht ka hapur tender me vlerë mbi 2 milionë lekë për “Blerje pajisje orendi për mobilim”. Kontratë që kishte afat për tu realizuar 30 ditë pas shpalljes së fituesve.

Ndërsa Bashkia e Vaut të Dejës po bëhet gati për festat e fundvitit, pasi më 16 shtator hapi një tender me fond limit 2.7 mln lekë me objekt dekor për festa.

Zjarret e verës shkatërruan këtë vit me qindra hektarë pyje, por për dëmet ende nuk ka një bilanc konkret, por shumë bashki kanë nisur të marrin masa për pyllëzime.

Në bumin e ndërtimeve, Bashkia e Tiranës ka hapur një tender me vlerë 28.3 milionë lekë, me afat 3 vite me objekt për pyllëzim me akacie dhe shërbimet silvi kulturale.

Po për tre vite ka hapur tender edhe Bashkia Elbasan për të bërë investime në pyllëzim me vlerë 10.9 mln lekë.

Ndërsa Bashkia e Rrogozhinës për 5 vite planifikon të shpenzojë 305 milionë lekë për mirëmbajtje varrezash, gjelbërim, pastrim dhe dekore.

Ndriçimi nuk mund të ndalet edhe pse vendi prej më shumë se 1 viti është në krizë energjetike. Me dhjetëra tendera janë hapur nga bashkitë për ndriçimin e rrugëve, dhe të institucioneve. Bashkia e Fierit parashikon të shpenzojë 27.1 milionë lekë për blerje materialesh elektrike për ndriçim publik në institucionet e kësaj bashkie. Tender ky i hapur më 3 tetor nga Bashkia Fier. Më herët Bashkia e Tiranës, ka lidhur një kontratë për përmirësimin e ndriçimit publik në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe ndërtimi i korsive të biçikletave në sheshin “Nënë Tereza” deri në hyrjen e liqenit Artificial me fond limit 33.1 milionë lekë. Tender i klasifikuar me flamur të kuq pasi paraqet rrezik për shtrembërim të konkurrencës pasi janë skualifikuar të gjithë operatorët përveç fituesit.

Pas nuk mbetet bashkia e Kamzës e cila ka shpallur një tender më 14 shtator me fond limit 32.5 milionë lekë për ndërtim trotuaresh dhe ndriçim të rrugës Jon e Fushë Arrëz.

Po për ndriçim ka hapur tender 3.3milionë lekë bashkia Maliq dhe tender Bashkia Konispol 9.9 mln lekë për ndriçim rrugësh.

Shumë tendera të bashkive kanë probleme me transparencën, pasi ose kanë pasur një konkurrues ose janë skualifikuar të gjithë përveç fituesit. Për këtë arsye Preçi thotë për Porta Vendore, se mungesa e transparencës ngre hije dyshimi mbi keq- përdorimin e taksave të shqiptarëve.

“Mendoj se buxheti duhet ushtruar me transparencë, në përputhje me nevojat që kanë bashkitë si dhe duhet një kontroll nga ana e këshillave bashkiakë. Transparenca është si ujit e pakët, veçanërisht në pushtet vendor. Sa më shumë largohesh nga Tirana, aq më pak transparente janë kontratat publike. Ka nevojë për monitorim që të mirë-përdoren taksat e qytetarëve shqiptar”, pohon Preçi.

Ndërsa eksperti Klodian Muço përpos faktit që gjykon se këto tendera duhet të ishin pezulluar nga kriza, thotë se keqmenaxhimi i bashkive në planifikimin e shpenzimeve po ju rrit borxhet.

“Normal që po duhen riorientuar prioritetet pasi investimet publike nuk gjenerojnë mirëqenie në periudhë afatshkurtër. Shumë probleme janë nga keqmenaxhimi i të ardhurave të bashkive. Pra shpenzojnë më shumë sesa janë të ardhurat e tyre dhe borxhet e akumuluara ndër vite çojnë deri në rrezikimin e falimentit”, thotë eksperti Muço.

Jo vetëm ekspertët por edhe raportet e institucioneve flasin për keqmenaxhim të fondeve nga bashkitë. Sipas Ministrisë së Financave, në 6-mujorin e parë të këtij viti, borxhi i bashkive arriti mbi 7 miliardë lekë, duke u rritur me 453 milionë lekë krahasuar me dhjetorin e vitit 2021. Bazuar në të dhënat e ministrisë rreth 4 miliardë lekë borxhe pushteti vendor i ka vetëm për investime të bëra dhe që nuk janë paguar.

Më herët një raport i Komisionit të Prokurimit Publik, evidentonte si problematike rreth 50% të bashkive në vend me tenderat që hapnin, dhe ankesat më të mëdha ishin për fazën e vlerësimit të ofertave dhe për dokumentet e tenderit.