Vëzhgim/Analizë

Numri i bashkive zvarrit reformën territoriale, ekspertët: E pësojnë qytetarët!

11 tetor 2022/ Eliza Gjediku/ Porta Vendore

Numrat janë ato që në dukje, po zvarrisin reformën e re territoriale. Edhe pse qëllimi në të vërtet sipas ekspertëve duhet të jetë rritja e shërbimit, e cilësisë, e mirëqenies dhe shtimi i investimeve, politika fokusin e ka vënë tek numri i bashkive, do jenë më shumë apo 61 bashki. Këtu duket se ka ndalur edhe lufta mes kampit të majtë dhe atij të djathtë.

Për të zgjidhur defektet e reformës aktuale që shkriu komunat, dhe e ndau vendin në 61 bashki, u ngrit Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale në Republikën e Shqipërisë që u konstituua më 15.06.2022, por që deri më tani ende nuk ka prodhuar asnjë rezultat, ndërkohë që ka një shtyrje për të disatën herë të mandatit të tij, ku së fundmi bëhet me dije se do të vijojë edhe përgjatë tetorit.

Në procesverbalin e zbardhur të Kuvendit, në ditën e ngritjes së komisionit, bashkëkryetarja Anila Denaj deputete e PS-së, edhe pse e konsideroi të suksesshme reformën e 2014-ës, tha se duhet parë efektiviteti i saj në çdo drejtim, me në qendër qytetarët.

Teksa e konsideroi reformën e bërë nga socialistët në 2014, si dështim për të gjitha drejtimet që synonte të rregullonte, bashkëkryetarja e komisionit, njëkohësisht deputete e PD-së Dhurata Çupi deklaroi se synimi është arritja e një reforme konsensuale me në fokus mbështetjen e qytetarëve.

Të dyja forcat politike edhe pse me qasje të ndryshme për ndarjen e re territoriale, theksin e vendosin tek qytetarët, por pa dhënë një pasqyrim konkrete se si mund të ndikojë shtimi apo pakësimi i numrit të bashkive në rritjen e mirëqenies, në nxitjen e punësimit apo në zhvillimin ekonomik kombëtar.

Çfarë është bërë pas më shumë se 4 muajsh nga ngritja e komisionit?

Pas datës 15 qershor kur u ngrit ky komision, janë zhvilluar disa mbledhje të tjera, me një sërë seancash dëgjimore me palët e interesuara, përfshirë institucionet, kryetarët e bashkive apo ekspertët e fushës.

Sipas procesverbaleve të zbardhura deri më 7 shtator janë bërë 15 mbledhje me rend dite seanca dëgjimore, me pjesëmarrje të kryetarëve të bashkive, ekspertëve, përfaqësues të Ministrisë së Financave, të KLSH (nuk erdhi), ish funksionar të pushtetit vendor, ekspertë të çështjeve të pushtetit vendor dhe ekspertë të shoqërisë civile.

Edhe pse janë evidentuar nga opozita si problematika të reformës aktuale, punësimi elektoral, mungesa e decentralizimit dhe mungesa e investimeve e shërbimeve në zonat rurale, përsëri vëmendja më e madhe i është kushtuar numrit të bashkive sesa planit për të zgjidhur këto problematika.

Nga të gjitha seancat e zhvilluara, diskutimet janë përqendruar vetëm në aspektin politik dhe përveç aludimit me numrat e bashkive apo ndarjet e qarqeve, shumë pak është folur se si do të bëhet shpërndarja e investimeve, ulja e borxheve apo rritja e të ardhurave të bashkive.

Deri në nisje të sesionit të ri parlamentar më 5 shtator 2022, të gjitha pritshmëritë ishin për ta përmbyllur komisionin e posaçëm me një draft konsensual brenda afatit ligjor të funksionimit të këtij komisioni që ishte data 30 shtator.

Por në fakt ndodhi krejt e kundërta, e vetmja gjë që u prodhua nga këto diskutime, ishin 3 qëndrime politike.

-Demokratët propozuan një draft pak ditë më parë me një hartë të re territoriale me 95 bashki dhe 3 ose 6 rajone

-Partia Socialiste i qëndron ndarjes aktuale 61 bashki dhe 12 qarqe, pasi ende nuk ka dorëzuar në komision raportin e tyre paraprak.

Praktikisht gjithçka mbeti në luftën politike mbi numrat, që në finale sollën shtyrjen e afatit të komisionit, nga data 30 shtator për në 21 tetor 2022. Ku ndryshe nga sa ndodhi me hartën e Shqipërisë ku politika është plotësisht e përçarë, për zvarritjen e komisionit u bashkua, pasi më 22 shtator me 101 vota pro, në Kuvend u vendos të zgjatej afati i komisionit. Anila Denaj në një prononcim tha se reforma nuk ka gjasa të ndryshojë, pasi edhe sipas raporteve ajo e ka arritur funksionalitetin e saj, ndërsa për të tjerë socialistë fakt është se reforma të tilla duhet të kalojnë një periudhë 10 vjeçare për të kuptuar nëse realisht kanë qenë efektive apo jo. Në të njëjtën mendje është edhe Adelina Farrici eksperte e pushtetit vendor nga radhët e socialistëve, që argumenton idenë se nuk ka studime të mjaftueshme për të treguar se çfarë nuk shkojë mirë, madje edhe ato që janë nga shoqëria civile janë aq të fragmentarizuara sipas saj, saqë nuk japin idenë e plotë të gjendjes së bashkive.

“Reforma aktuale VS Reforma e re, në sy të ekspertëve”

Sipas ekspertit të pushtetit vendor Agron Haxhimali dhe një nga hartuesit e reformës territoriale nga radhët e opozitës tha se për shkak të vetë performancës që kanë pasur bashkitë në këto vite të reformës territoriale do të duhet të rishikohet me një ndarje me më shumë bashki, por pa përjashtuar edhe variantin me pak.

“Tiranën e mendoj të zgjeruar bashkë me njësitë administrative, pasi Tirana është nën presionin e qendrës për tu zgjeruar në periferi. Unë e zgjerojë edhe më shumë Tiranën. Është një çështje shumë e ndjeshme, pasi qytetarët zgjohen me këto nevoja që kanë dhe që i përjetojnë çdo ditë. Ne duam ti japim një konfigurim për të kuptuar se çfarë pjese do të zë pushteti vendor, por që gjithsesi është një draft dhe gjërat do të diskutohen sërish. Nuk duhet të shqetësohemi nga çështja e numrit ose e ndonjë konfigurimi jo korrekt. Mund të bëhen edhe rregullime për zgjedhjet e kreut të bashkisë dhe këshillit bashkiak”, tha Haxhimali.

Por sa e mirëpritur është nga maxhoranca tkurrja e rajoneve, nga 12 qarqe në një propozim prej 3 ose 6 rajonesh, duke e menduar sigurisht me frymën elektorale, pasi gjithçka mendohet në vota.

“Maxhoranca u shokua nga ky propozim ndarje. Opozita e pranojë kurse maxhoranca me gjysmë zëri, megjithëse ka qenë vetë kjo e fundit që e ka hedhur si ide në fillim, këtë ndarje të nivelit të dytë të pushtetit vendor. Megjithatë jemi në kohë që të diskutojmë variantet që të shkojmë në parlament me një variant final të mirëmenduar”, tha eksperti për Portën Vendore.

Ndërkohë që nga Bashkia Tiranë nga e cila nënkryetari i saj Arbjan Mazniku ka hedhur idenë në dëgjesën publike të komisionit të posaçëm për reformën territoriale të një zgjerimi të Bashkisë Tiranë ku të bëhej bashkë me Vorën dhe Kamzën. Por mesa duket demokratët kanë plane të tjera për kryeqytetin duke dashur ta copëtojnë atë në Bashkinë Dajt, Kashar dhe Farkë, e sipas burimeve zyrtare nga ky institucion një gjë e tillë nuk mund të ndodh, pasi do të ktheheshin në variantet e ish komunave që nuk i kanë siguruar shumë shërbime dhe infrastrukturë banorëve të zonave rurale të Tiranës, ndryshe nga sa ka bërë kjo e fundit gjatë këtyre dy mandateve të Veliajt, artikulojnë burimet, duke e hedhur komplet poshtë një propozim të tillë pra.

Reforma aktuale, nuk duhet të ketë si fokus vetëm numrin e bashkive, thotë Merita Toska eksperte për çështjet e pushtit vendor, por duhet të synojë decentralizimin e gjithëanshëm të qeverisjes vendore.

“Mendoj që dimensioni territorial nuk mund të shihet si ‘një i vetëm’, por së bashku me elementë të tjerë që lidhen me decentralizimin në përgjithësi. Nëse ne do të konsiderojmë vetëm ndarjen territoriale ‘pra vetëm numrin e bashkive në territor’, nuk mendoj që do të arrijmë të zgjidhim asnjë nga problematikat e hasura deri më tani. Kjo reformë duhet të shikohet në një kontekst më të gjerë dhe ngushtësisht me rishikimin e strategjisë për decentralizim dhe qeverisje vendore (që është në proces aktualisht). Territori – kompetencat (funksionet e ushtruara) – financat duhet të ecin me të njëjtin ritëm dhe ndërhyrja të jetë në të tre dimensionet”, thotë ekspertja e CO-Plan, Merita Toska.

Në aspektin ekonomik, drejtori i Qendrës për Kërkime Ekonomike Zef Preçi thotë se reforma e re duhet ti japë zgjidhje, problemeve aktuale për mënyrën e shfrytëzimit efektiv të pasurive kombëtare.

“Ka nevojë për një harmonizim më të mirë të shfrytëzimit të burimeve natyrore në shërbim të komunitetit, të rritet roli i komunitetit në përdorimin e këtyre pasurive. Duhet të bëhet një model i qëndrueshëm sa i takon menaxhimit të pasurive natyrore, si pyjet, që me reformën aktuale janë keqpërdorur dhe dhënë oligarkëve, dhe nga ana tjetër duhet të ndryshojë praktika e pushtetit vendor dhe atij qendror, dhe të bëhen investime që do të shërbejnë në komunitet dhe jo si aktualisht”, pohon eksperti i ekonomisë Zef Preçi.

“Ligje në emër të popullit, e populli duarbosh”

Edhe pse shumica e ligjeve (mbi 99%) dhe ndryshimeve ligjore bëhen në emër të qytetarëve, ata mbeten të fundit në hierarkinë e përfituesve. Reforma aktuale thotë ekspertja Toska ka ofruar shërbime anemike për qytetarët.

“Anemia e vërejtur në ofrimin e shërbimeve publike vendore lidhet më së shumti me mënyrën si qeveriset në nivel vendor. Sido që të jetë ndarja territoriale, sforco e bashkive në këtë drejtim duhet të jenë më të mëdha. Viti 2021 u mbyll me një nivel shumë të ulët të investimeve dhe kjo ishte veçanërisht e dukshme në bashkinë Tiranë (ndërkohë që të ardhurat nga Taksa e Ndikimit në Infrastrukturë janë rritur me ritme të përshpejtuara)”, thotë Toska për Portën Vendore.

Ndërsa eksperti Preçi thotë që qytetarët jo vetëm nuk janë mbështetur me ndarjen territoriale të bërë pas ardhjes në pushtet të socialistëve por atyre ju janë marrë edhe më shumë para.

“Qytetarëve Shqiptar ju është thënë që do të kursejnë rreth 80 milionë euro në vit, dhe gjatë kësaj periudhe, që kur u krye reforma territoriale, jo vetëm që nuk është kursyer por është rritur më tej borxhi publik, kontratat e PPP-ve, kontratat jo eficente. Janë krijuar borxhe të prapambetura, dhe lidhen jo vetëm me problemet e reformës territoriale, por edhe me faktin që këto borxhe rëndojnë mbi qytetarët, pavarësisht faktit se kush i ka firmosur ato. Mendoj që duhet që pushteti vendor duhet të përfshihet në sistemin e prokurimit elektronik pavarësisht fondeve se nga vijnë. Duhet të publikohen jo vetëm fituesit e tenderave, por edhe pjesëmarrësit që të gjurmohen abuzimet”, thotë Preçi.

Zvarritja e reformës rëndon qytetarët, domosdoshmëri pavarësia financiare e bashkive!

Kjo zgjatje në kohë e ndryshimeve, për qytetarët përkthehet në humbje thotë Preçi, përsa kohë ato do të vazhdojnë të paguajnë pasojat e një reforme të gabuar.

“Zvarritja e reformës në këndvështrimin ekonomik ka shumë pasoja. Dihet që një reformë territoriale që të jetë e qëndrueshme duhet të ketë gjithëpërfshirje, qytetarëve në radhë të parë, përfaqësuesve të tyre politik, shoqërinë civile, akademikë, që reforma të ketë qëndrueshmëri. Për fat të keq kjo nuk po ndodh dhe do të çojë në përkeqësimin e eficencës së fondeve publike në dispozicion dhe në të njëjtën kohë do të pasurojë në mënyrë të paligjshme një numër zyrtarësh, do të çojë në blerjen e votave sidomos në zonat e varfëra ku blloku në pushtet ka mundësi të pakta për të fituar”, pohon Preçi.

Toska thotë se nëse nuk ka një kompromis politik vështirë se bashkitë dalin nga varësia buxhetore e qeverisë, pasi kanë mangësi në shumë drejtime.

Po ashtu sipas Toskës nëse do të ketë një ndarje të re territoriale duhet të përcaktohet domosdoshmërisht burimi i financimit të bashkive, në mënyrë që situate e tyre të përmirësohet.

“Në rastin se do të kishim një rishikim të ndarjes territoriale, pra një rritje të numrit të bashkive, është thelbësor rishikimi i modelit të decentralizimit të aplikuar dhe burimet e financimit të bashkive. Në lidhje me modelet e decentralizimit duhet riparë mënyra si ushtrohen funksionet dhe të vlerësohet kalimi nga një model simetrik në një model asimetrik. Në lidhje me burimet financiare, sistemi i transfertave ndërqeveritare duhet riparë për të mundësuar mbylljen e nevojës për shpenzime përkundrejt funksioneve dhe kompetencave të ushtruara nga bashkitë”, pohon Toska

Nga ana tjetër bashkitë përpos faktit që kanë probleme të theksuara me mbledhjen e të ardhurave të tyre nga taksat, kanë edhe nivel të lartë të detyrimeve të prapambetura, gjë që ka bërë që shumë bashki sot të përballen me vështirësi serioze për të ofruar shërbime për qytetarët.

Sipas një raporti të publikuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, mbi detyrimet e prapambetura thuhej se borxhet e pashlyera të bashkive ishin në vlerën e mbi 7 miliardë lekëve në fund të muajit qershor nga 6.6 miliardë lekë që ishin në fund të muajit dhjetor 2021.

Bashkitë me detyrimet më të mëdha janë: Tirana me 1.4 miliardë lekë, Kavaja me 755.4 milionë lekë, Vora me 515.6 milionë lekë, ndjekur nga Berati me 371.5 milionë lekë, Pogradeci me borxhe 320.8 milionë lekë, për të vijuar me Belshin me 291.9 milionë lekë detyrime, pastaj është Lezha me 277.5 milionë lekë, Kamza me 216.2 milionë lekë, Cërriku me 216 milionë lekë dhe në vend të 10 me nivelin më të lartë të borxheve është Kuçova me 185 milionë lekë. Bashkitë detyrimet më të mëdha i kanë për investime të papaguara me 3.9 miliardë lekë, më pas vendimet gjyqësie në 645 milionë lekë dhe shërbimet e papaguara 532 milionë lekë.