8 tetor 2022/ Xhesian Shazimani/ Porta Vendore
Tërmeti i 26 nëntorit 2019 shkaktoi dëme të mëdha në vend dhe tre qarqet që patën më shumë dëme ishin Durrësi, Tirana dhe Lezha. Kjo bëri që qeveria shqiptare të mobilizohej dhe të gjente burime financimi për procesin e rindërtimit post tërmet. Sipas openprocurment.al, deri më tani qeveria shqiptare ka shpenzuar 42,811,627,842 lekë të reja për rindërtimin. Fondi është ndarë në 13 institucione të vendit dhe në total janë bërë 527 procedura prokurimi, ku 462 prej tyre janë shpallur me fitues. Gjithashtu nga ky fond kanë përfituar 243 operatorë ekonomikë.
Bashkitë që kanë përfituar nga procesi i rindërtimit
Bashkitë e prekura nga tërmeti dhe që si rrjedhojë kanë përfituar nga fondi i rindërtimit, janë 13. Këto institucione janë Bashkia e Tiranës, Durrësit, Shijakut, Kamzës, Kavajës, Kurbin, Lezhës, Krujës, Vorës, Rrogozhinës, Mirditës, Drejtoria e Përgjithshme e Agjencisë Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.
Bashkia e Tiranës është institucioni që ka përfituar më shumë nga të gjitha bashkitë e tjera nga programi i rindërtimit. Në total shuma e shpenzuar nga Bashkia e Tiranës për procesin e rindërtimit kap vlerën e 25,257,919,631 lekëve të reja, ose rreth 58% të shumës totale që është ndarë për procesin e rindërtimit. Në total kjo bashki ka shpallur 323 tendera, ndërsa 290 prej tyre janë me fitues. Në 290 tenderët e shpallur me fitues, 3 prej tyre hyjnë në kategorinë “RedFlag” (flamur i kuq), sipas udhërrëfyesit të BE-së mbi Mashtrimet me Prokurimet Publike, për shkak të informacioneve që sjellin dyshime për realizimin e tyre. Këto tre procedura janë zhvilluar me negocim nga Bashkia e Tiranës. Pra bëhet fjalë për tenderë, që sipas përcaktimeve të Agjencisë së Prokurimeve Publike realizimi i tyre me negocim të drejtpërdrejtë bëhet vetëm në raste të veçanta, të përcaktuar qartë në ligjin për Prokurimet Publike, por edhe në udhëzimin e nxjerrë nga APP më 8 janar 2018. Tenderë me negocim të drejtpërdrejtë, pavarësisht vlerës, janë cilësuar të dyshimtë edhe nga udhërrëfyesi i BE-së.
Bashkia e Durrësit, e cila ishte më e goditura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, shumicën e procesit të rindërtimit në këtë qytet mbulohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Ndërsa vet kjo bashki deri më tani ka realizuar 61 kontrata publike për programin e rindërtimit dhe 54 prej tyre janë shpallur me fitues. Vlera totale e shpenzuar nga Bashkia Durrës për procesin e rindërtimit, kap shifrën e 5,741,853,691 lekëve të reja, ose rreth 13% të shumës totale që është ndarë për procesin e rindërtimit. Edhe Bashkia Durrës nga 54 tenderët e shpallur me fitues për rindërtimin, 3 prej tyre hyjnë në kategorinë “RedFlag” (flamur i kuq), ku 2 prej tyre janë shpallur pa konkurrencë. Ligji shqiptar i lejon procedurat e prokurimit me një konkurrent te vetem, por shpesh kwto procedura mw shumë se mungesë konkurrence në treg shfaqin opsione të formulimit të kritereve dhe afateve për dorëzim dokumentesh në favor të një kompanie të paramenduar klienteliste. Këto tendera meritojnë të konsiderohen të ekspozuara dhe me risk. Ndërsa një nga tenderët me flamur të kuq është anuluar më shumë se dy herë. Në rast të anulimit dy herë radhazi të tenderave me objekt të njëjtë, ka vend për të vlerësuar vështirësi apo defekte që kanë bërë të pamundur finalizimin me fitues të procedurës. Anulimi dy herë radhazi është precedent që legjitimon që gara e hapur të zëvendësohet me negocime të drejtpërdrejta.
Bashkia e Shijakut, është një nga bashkitë që pati dëme të mëdha nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Edhe këtu pjesën më të madhe të investimeve nga programi i rindërtimit i ka marrë përsipër Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Ndërsa vet Bashkia Shijak ka realizuar vetëm një tender për procesin e rindërtimit. Tenderi i cili është për rindërtimin e Pallatit të Kulturës në këtë qytet, kap shifrën prej 189,000,000 lekë të reja pa TVSH. Edhe pse ka zhvilluar vetëm një kontratë publike, kjo procedurë është futur në kategorinë e “RedFlag” (flamur i kuq), pasi Bashkia Shijak e ka anuluar më shumë se dy herë. Anulimi dy herë radhazi është precedent që legjitimon që gara e hapur të zëvendësohet me negocime të drejtpërdrejta. Përpos kësaj, kompania që ka fituar tenderin ka paraqitur ofertën sa 99% e fondit limit.
Bashkia Kamëz, në total ka zhvilluar 35 kontrata publike për procesin e rindërtimit, ku 27 prej tyre janë shpallur me fitues. Fondi limit i tenderëve të shpallur me fitues në total kap shifrën e 2,356,080,909 lekë të reja pa TVSH. Ndërsa vlera totale e shpallur fituese është 2,252,661,140 lekë të reja pa TVSH, që u është ndarë 18 operatorëve ekonomik. Nëse bëjmë një përllogaritje të thjesht, i bie që kompanitë që kanë fituar tenderët kanë paraqitur oferta sa 96% të fondit limit të vlerës së tenderit. Ky është një fakt tjetër ku ngrihen dyshime sesi këto kompani kanë dhënë oferta kaq pranë fondit limitë dhe janë shpallur fituese.
Bashkia e Kavajës, për procesin e rindërtimit ka zhvilluar 11 kontrata, ku të gjitha janë shpallur me fitues. Fondi limit i tenderave të shpallur në këtë bashki është 906,042,761 lekë të reja pa TVSH, ndërsa vlera totale e shpallur fituese është 900,016,372 milionë lekë të reja pa TVSH që iu është ndarë 9 operatorëve ekonomik. Edhe në këtë bashki, kontratat janë fituar nga kompanitë që kanë paraqitur oferta sa 99% të fondit limit të tenderit. Fakt që ngre dyshime se edhe pse këto kompani kanë dhënë oferta kaq pranë fondit limitë dhe janë shpallur fituese. Gjithashtu, 3 nga 11 tenderët e rindërtimit të Bashkisë Kavaj, janë futur në kategorinë e “RedFlag” (flamur i kuq), për mungesë konkurrence, pra prokurimi është zhvilluar me një konkurrent të vetëm.
Bashkia e Kurbinit ka zhvilluar 21 tendera për procesin e rindërtimit dhe 18 prej tyre janë shpallur me fitues. Fondi limit i tenderave të shpallur në këtë bashki është 2,893,102,995 lekë të reja pa TVSH, ndërsa vlera totale e shpallur fituese është 2,874,602,187 milionë lekë të reja pa TVSH që iu është ndarë 15 operatorëve ekonomik. Edhe pse nuk rezulton që tendert të jenë zhvilluar në shkelje të rregullave të prokurimit publik, kontratat janë fituar nga kompanitë që kanë paraqitur oferta sa 99% të fondit limit të tenderit.
Bashkia e Lezhës, në total ka zhvilluar 23 kontrata publike për procesin e rindërtimit, ku 21 prej tyre janë shpallur me fitues. Fondi limit i tenderëve të shpallur me fitues në total kap shifrën e 2,027,419,078 lekë të reja pa TVSH. Ndërsa vlera totale e shpallur fituese është 2,014,612,580 lekë të reja pa TVSH, që u është ndarë 19 operatorëve ekonomik. Edhe në këtë bashki, tenderët e rindërtimit janë dhënë kompanive që kanë paraqitur oferta sa 99.3% të fondit limit të vlerës së tenderit. Fakt i cili ngre dyshime sesi këto kompanitë kanë dhënë oferta kaq pranë fondit limitë dhe janë shpallur fituese.
Bashkia e Krujës, për procesin e rindërtimit ka zhvilluar 15 kontrata, ku 13 prej tyre janë shpallur me fitues. Fondi limit i tenderave të shpallur në këtë bashki është 705,537,592 lekë të reja pa TVSH, ndërsa vlera totale e shpallur fituese është 702,917,676 milionë lekë të reja pa TVSH që iu është ndarë 11 operatorëve ekonomik. Edhe në këtë bashki, kontratat janë fituar nga kompanitë që kanë paraqitur oferta sa 99.6% të fondit limit të tenderit, gjë që do të thotë se edhe këtu kemi një fakt që ngre dyshime se pse kompanitë kanë dhënë oferta kaq pranë fondit limitë dhe janë shpallur fituese.
Bashkia e Vorës, është një nga bashkitë që pati dëme të mëdha nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Edhe këtu pjesën më të madhe të investimeve nga programi i rindërtimit i ka marrë përsipër Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Ndërsa vet Bashkia Vorë ka realizuar vetëm 3 kontrata, ku të treja janë shpallur me fitues. Fondi limit i tenderave të shpallur në këtë bashki është 738,989,937 lekë të reja pa TVSH, ndërsa vlera totale e shpallur fituese është 732,423,504 milionë lekë të reja pa TVSH që iu është ndarë 11 operatorëve ekonomik. Edhe në këtë bashki, kontratat janë fituar nga kompanitë që kanë paraqitur oferta sa 99% të fondit limit të tenderit, gjë që do të thotë se edhe këtu kemi një fakt që ngre dyshime se kompanitë kanë dhënë oferta pranë fondit limit dhe janë shpallur fituese.
Bashkia Rrogozhinës, në total ka zhvilluar 4 kontrata publike për procesin e rindërtimit, ku të ktërta janë shpallur me fitues. Fondi limit i tenderëve të shpallur me fitues në total kap shifrën e 314,558,706 lekë të reja pa TVSH. Ndërsa vlera totale e shpallur fituese është 311,288,367 lekë të reja pa TVSH, që u është ndarë 3 operatorëve ekonomik. Me një përllogaritje të thjesht, edhe në këtë bashki kompanitë që kanë fituar kontratat kanë paraqitur oferta sa 98.9% sa fondi limit i tenderave.
Bashkia Mirditë, ka realizuar 12 tendera për procesin e rindërtimit ku 6 prej tyre janë shpallur me fitues. Fondi limit i tenderëve të shpallur me fitues në total kap shifrën e 2,298,889,368 lekë të reja pa TVSH. Ndërsa vlera totale e shpallur fituese është 2,298,310,993 lekë të reja pa TVSH, që u është ndarë 5 operatorëve ekonomik. Në këtë bashki të gjitha kontatat janë shpallur me njoftim fituesi, ndërsa kompanitë që kanë fituar tenderat kanë paraqitur oferta sa 100% të fondit limit.
Nga programi i rindërtimit ka përfituar edhe Drejtoria e Përgjithshme e Agjencisë Shtetërore e Kadastrës, e cila ka bërë dy tendera, ku të dy janë shpallur me fitues. Fondi limit i tenderëve të shpallur me fitues në total kap shifrën e 334,469,199 lekë të reja pa TVSH. Ndërsa vlera totale e shpallur fituese është 318,711,533 lekë të reja pa TVSH, që u është ndarë 2 operatorëve ekonomik. Edhe ky institucion, kontratat u ka dhënë kompanive që kanë paraqitur oferta sa 95% të fondit limit. Dy tenderët e këtij institucioni janë bërë për rikonstruksionin e një godine në rrugën “Jordan Misja” në Tiranë, ndërsa njëri prej tyre rezulton me e “RedFlag” (flamur i kuq), pasi është anuuar më shumë se dy herë. Anulimi dy herë radhazi ësht precedent që legjitimon që gara e hapur të zevendësohet me negocime të drejtpërdrejta.
Institucioni tjetër që ka përfituar nga programi i rindërtimit është edhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, e cila edhe kjo ka bërë 2 procedura publike dhe të dyja janë shpallur me fitues. Fondi limit i tenderëve të shpallur me fitues në total kap shifrën e 263,752,794 lekë të reja pa TVSH. Ndërsa vlera totale e shpallur fituese është 263,461,626 lekë të reja pa TVSH, që u është ndarë 2 operatorëve ekonomik. Të njëjtën gjë është bërë edhe në tenderët e Drejtorisë së Policisë, ku kompanitë fituese kana paraqitur oferta sa 99.8% të fondit limit.
Siç e thamë dhe mësipër, një fond të veçantë për rindërtimin ka edhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i cili në total kap vlerën e 32,115,814,368 lekë të reja pa TVSH. Sipas openprocurment.al, kjo shumë është ndarë në 232 tendera dhe 191 prej tyre janë shpallur me fitues. Për qarkun e Durrësit që ishte dhe më i prekuri nga tërmeti, janë bërë 88 tendera ku 80 prej tyre janë shpallur me fitues, ndërsa vlera totale e shpallur fituese është 13,213,593,860 lekë të reja pa TVSH, ose 41% e fondit të FSHZH për rindërtimin. I dyti në radhë vjen qarku i Tiranës, ku FSHZH ka bërë 48 tendera dhe 44 prej tyre janë shpallur me fitues, ndërsa vlera e shpallur me fitues është 8,233,259,934 lekë të vjetra pa TVSH, ose 25.6% të fondit të FSHZH për rindërtimin. Qarku i Lezhës është i treti në radhë, ku FSHZH ka bërë 30 tendera dhe 27 prej tyre janë shpallur me fitues. Vlera totale që është shpenzuar në këtë qarkë, shkon në 3,167,747,882 lekë të reja pa TVSH, ose 9.8% e fondit të FSHZH për rindërtimin. Në kategorinë e “RedFlag” (flamur i kuq), nuk mungojnë as tenderët e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, ku total jënë 18 tenderë. Në qarkun e Durrësit janë 11 procedura me “RedFlag” (flamur i kuq), në qarkun e Tiranës 5 procedura dhe në qarkun e Lezhës 2 procedura. Tenderët janë shënuar me flamur të kuq me arsyetimin se janë skualifikuar të gjithë operatorët konkurrues përveç fituesit dhe për pamundesi kohore për pergatitje të një oferte ose afat i pamjaftueshëm sipas kritereve ligjore të përcaktuara në nenin 43 të ligjit 9643 “Për Prokurimin Publik”.
Tenderët e rindërtimit me problematika
Në analizën e tenderëve të rindërtimit, shohim që bashkitë nuk janë kursyer, pasi pothuajse të gjithë tenderët janë dhënë kompanive që kanë ofruar sa 99% të fondit limit. Po ashtu, nuk mungojnë edhe procedurat që janë dhënë duke mos respektuar rregullat bazë të prokurimit publik, ku 12 prej tyre i përkasin Bashkive dhe 11 Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Gjithashtu, gjatë analzës dallojmë edhe shpenzimet e Bashkive në tendera që nuk janë njësoj. Nëse Bashkia e Rogozhinës me 311 milionë lekë i është dashur të bëjë 4 tendera, me një përllogaritje të thjesht rezulton se ka shpenzuar rreth 78 milionë lekë për tender për 4 punë të ndryshme. Ndërkohë, Bashkia e Shijakut në të vetmin tender që ka bërë, ka shpenzuar 189 milionë lekë për restaurimin e vetëm 1 objekti.