Vëzhgim/Analizë

Dështimi i revolucionit portokalli të biçikletave ‘Mobike’

5 tetor 2022/ Ilda Hoxha/ Ina Allkanjari/Porta Vendore/ Tiranë

4 vite më parë, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u zotua për një revolucion për sa i përket lëvizjes me biçikleta në kryeqytet. Prezantimi i “Mobike” ishte nisma e parë për të sjellë ndryshimin, por duket se gjithçka ka mbetur në vendnumëro.

Bashkia e Tiranës bën të ditur zyrtarisht për “Portën Vendore” se Mobike ishte nismë private dhe se nuk ka asnjë informacion mbi fatin e ‘biçikletave portokalli’, ndonëse nisma u prezantua nga Veliaj dhe u realizua në bashkëpunim me këtë institucion. Nga ana tjetër, Bashkia jep shifra për sa i përket numrit të çiklistëve, ku zyrtarisht thuhet se gjatë këtij viti janë mbi 2 milionë, ndërsa janë në dispozicion 38 km korsi për dyrrotakët.

“Në Ditën Botërore të Biçikletave, Tirana nisi bashkëpunimin me Mobike duke u renditur si qyteti i parë në Ballkan, i cili do të vendosë mijëra biçikleta pa stacion”, premtoi kryebashkiaku Erion Veliaj në 3 qershor të vitit 2018.

Postimi i kryebashkiakut Veliaj, 3 qershor 2018

Pak ditë pas këtij postimi, Veliaj njoftoi më 8 qershor 2018 nisjen e ‘revolucionit portokalli’ në kryeqytet, duke prezantuar sistemin e biçikletave pa stacion “Smart Bike Share”.

“Sot nëse udhëton në Firence, nëse udhëton në Milano dhe nëse udhëton në Tiranë ndoshta nuk ka shumë gjëra të përbashkëta, ama Mobike është njësoj kudo. Kemi një copë Europë duke filluar nga ky projekt i biçikletave pa stacion që sot nis me 500 dallëndyshet e para në qytetin tonë të dashur, në qytetin e Tiranës”, u shpreh asokohe kryebashkiaku i Tiranës.

Më tej ai u zotua: “Kur e filluam para 3 vitesh, pedaluesit ishin 1%. Para dy vitesh ishin 3%. Sot jemi në 6% të popullsisë që po përdor rregullisht biçikletat. Nëse ne do të vazhdojmë me këtë ritëm nuk do të jetë e largët dita kur pedaluesit të jenë më të mëdhenj në numër se sa ata që i japin një mjeti me katër rrota që quhen makina”.

Por, çfarë po ndodh me biçikletat Mobike pas gjithë premtimeve për të pasur një revolucion të ofrimit të këtij shërbimi në kryeqytet?

Porta Vendore iu drejtua fillimisht me një kërkesë për informacion Bashkisë së Tiranës, ku ndër të tjera e pyetën në lidhje me ‘fatin’ e këtyre biçikletave.

Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë së Tiranës, datë 25.07.2022

Në përgjigje zyrtare për “Portën Vendore”, Bashkia e Tiranës argumenton se projekti ishte iniciativë private dhe se nuk ka informacion në lidhje me Mobike, ndonëse ato janë promovuar dhe prezantuar nga vetë kryebashkiaku Erion Veliaj.

“Në përgjigje të kërkesave të parashtruara nga ana juaj ju bëjmë me dije se:

Për sa i takon pikave 1),2,)3),4),5),6) dhe 7), meqenëse projekti në fjalë ka qenë iniciativë private, ju duhet të drejtoheni pranë operatorit privat që ndërmori projektin, pasi ne nuk i disponojmë informacionet e kërkuara”, sqaron Bashkia.

Më tej bëhet e ditur se aktualisht Bashkia e Tiranës po kryen një studim mbi numrin e përdoruesve të biçikletave, duke theksuar se kryeqytet janë ndërtuar 38 km korsi biçikletash.

“Në lidhje me pikën 8), ju informojmë se Bashkia Tiranë është duke ndërmarrë një studim gjithëpërfshirës mbi numrin e përdoruesve të biçikletave në qytetin e Tiranës. Nga leximi i katër numëruesve aktualisht të vendosur në katër nga korsitë e dedikuara për biçikleta, rezultojnë se vetëm në këto korsi për këtë vit, kanë kaluar 2,117,901 çiklistë .

Sa i takon pikës 9), ju informojmë se në qytetin e Tiranës janë ndërtuar 38 km korsi të dedikuara për biçikleta”, thekson zyrtarisht ky institucion.

Screenshot, përgjigja e Bashkisë Tiranë për Portën Vendore.

“Porta Vendore” u përpoq të kontaktonte edhe me Ened Mato, i cili në atë kohë u zgjodh nga Veliaj si kryebashkiaku i Biçikletave. Në vitin 2018, Mato shprehej: “Ky është revolucioni portokalli. Kjo është ditë historike për Tiranën, sepse një ushtri biçikletash do të jetë në rrugët e Tiranës që qyteti të ketë ajër të pastër. Uroj që ky qytet të ketë plot dashnor biçikletash. Tirana ka tashmë një vizion dhe falë kryetarit të Bashkisë ky vizion po bëhet realitet”.

Por, ndonëse tentuam disa herë ta kontaktojmë në lidhje me këtë çështje dhe se çfarë ndodhi me Mobike, nuk morëm një përgjigje nga zoti Mato.

Gjatë një vëzhgimi të bërë në rrugët e kryeqytetit, shihet se nuk ka më biçikleta Mobike në qarkullim. Nëse në vitin 2019, sheshi “Skënderbej” dhe rrugët kryesore të Tiranës ishin ‘pushtuar’ nga Mobike, sot nuk gjen më asnjë në qarkullim.

Foto nga korsitë e biçikletave në Tiranë

Ema, një 30-vjeçare që përdor çdo ditë biçikletën për të shkuar në punë shprehet: “Mobike ishte një mundësi e mirë për këdo që kërkonte të lëvizte brenda në kryeqytet. Mund ta merrje dhe mbaroje punë shumë shpejt. I gjeje pothuajse në çdo vend dhe mund t’i aksesojë lehtësisht. Nuk e di, u bë kohë që nuk kam parë më. Unë kam biçikletën time dhe e përdor rregullisht për të shkuar në punë”.

27-vjeçari Eno thekson se ashtu si në kryeqytetet europiane, edhe Tirana duhet të ketë biçikleta dhe scooter që mund të merren me qira. “Në kryeqytetet europiane gjen scooter elektrik apo edhe biçikleta që mund t’i aksesosh kudo dhe të lëvizësh nëpër qytet. Kjo është një mundësi shumë e mirë për qytetarët, por edhe turistët që nuk duan të përdorin transportin urban, i cili në fakt lë shumë për të dëshiruar”, thotë Eno.

Nëse do të bëjmë një kërkim në faqen e Facebook të “Mobike” shihet se postimi i fundit i përket muajit korrik 2019 dhe që prej asaj kohe, kjo faqe me mbi 80 mijë ndjekës, nuk është me aktive me publikime.

“Nuk ka më bukur se ta shohësh Tiranën të mbushur me Mobike”, thuhet në postimin e fundit, shoqëruar me një video nga një grup qytetarësh që shihen duke pedaluar.

Screenshot nga faqja e Facebook e Mobike

Ndotja e ajrit dhe nevoja për biçikleta

Një studim i vitit 2020 tregonte se niveli i ndotjes së ajrit në Tiranë është dyfish mbi vlerën standarte të Bashkimit Europian.

Ndërkohë në raportin e publikuar në muajin mars të këtij viti, Banka Botërore përllogariti se në Shqipëri, gjatë vitit 2019, kishin humbur jetën 2,257 persona si pasojë e ndotjes së mjedisit të jashtëm dhe brenda shtëpisë.

Sipas të dhënave, ndotja e mjedisit ishte përgjegjëse për 10 për qind të totalit të vdekjeve në vitin 2019. Sipas përllogaritjeve të Bankës Botërore, Shqipëria kishte 83 vdekje për 100 mijë banorë nga faktorët e ndotjes ambientale, një vlerë e lartë në krahasim me vendet në zhvillim.

“Porta Vendore” bisedoi me ambientalistin Sazan Guri, i cili ngriti shqetësimin për cilësinë e ajrit në kryeqytet dhe domosdoshmërinë e përdorimit të dyrrotakëve.

“Nëse marrim zërin bicikletë, përdorimi i saj konsiderohet normalisht pozitiv. Kjo pasi në ditët e sotme sheh më shumë njerëz me biçikleta sesa 5 vite më përpara. Por nëse i futemi procesit teknik që korsitë e biçikletave mund të bëheshin më të sigurta në trotuare, siç e ka e gjithë Europa, kjo është çështje tjetër. Por rritja e përdoruesve të biçikletës sjell normalisht një ajër më pak të ndotur”, tha ai për Portën Vendore.

Ndërsa nëse ndalemi te pjesa se si është ajri në Tiranë, para disa muajsh u realizua studimi i Bankës Botërore dhe studime të tjera krahas saj, të cilat e rendisin Tiranën ndër kryeqytetet më të ndotura të botës. Ndotja në Tiranë vjen për shkak të përdorimit të shumtë të automjeteve. “Gjithashtu vjen edhe për shkak të ndërtimeve që nuk kanë fund prej 30 vitesh tashmë në kryeqytet. Pra nuk është rastësi që në Shqipëri vdesin nga problemet me mushkërit rreth 1000 veta në vit, nga pluhuri dhe ndotja e ajrit”, u shpreh ambientalisti, ndërsa i pyetur për iniciativën e ndërmarrë më herët për biçikletat mobike, ai e konsideroi si propagandë.

“Pse nuk vijoi si iniciative, ku janë sot këto biçikletë, e gjitha ishte një propagandë”.

Çmimet e karburantit dhe kushtet në autobusë

Ky vit ka shënuar rekorde për sa i përket çmimit të karburantit, duke e bërë edhe më të nevojshme përdorimin e biçikletave apo scooter-ave elektrikë. Ndërkohë, kushtet e vështira në autobusë janë ngritur herë pas here si shqetësim nga Porta Vendore, duke detyruar qytetarët që të përdorin makinat. Mungesa e një shërbimi urban cilësor dhe mungesa e mjeteve të tjera lëvizëse në kryeqytet janë një kosto ekstra për qytetarët, të cilët duhet të përballen çdo ditë me mjaft probleme për sa i përket udhëtimit brenda qytetit.