Ngjarje/Personazhe

“Dhuro një lule”, nisma që e shndërroi Sarandën në “kopshtin e Edenit”

28 shtator 2022/ Esmeralda Pirra/ Porta Vendore/ Sarandë

Nisma “Dhuro një lule për Sarandën” vijon punën e saj në sensibilizimin e njerëzve për ta bërë qytetin jugor të vendit më të bukur përmes mbjelljes së luleve në gjithë hapësirat publike dhe private të saj. Të gjithë e pëlqejnë dhe shprehin dëshirën të bëhen pjesë e grupeve të punës duke dhënë jo vetëm kontribute në të ardhura por edhe ide e kohë.

Kjo nisëm është krijuar në Tetor të vitit 2018 nga një grup të rinjsh nga qyteti i Sarandës dhe jo vetëm. Gjatë këtyre viteve janë mbjellë gjithsej 800 lule të ndryshme në shumë rrugë të ndryshme të qytetit bregdetarë. Pemët e para u  mbollën në bulevardin e qytetit buzë detit. 

Lulet e mbjella janë  “Bougainvilleas” ose “Lule Saranda”, apo “Lule Naimi” , siç njihej për vite me rradhe si lule simbol e qytetit të Sarandës sjell për herë të parë nga Naim Frashëri në qytetin bregdetar të Sarandës. Ideja u përkrah masivisht brenda pak muajsh ku me anë të aktivizmit qytetar u arrit të mbillen shumë Bougainvillea dhe qindra peme të tjera dekorative. Nisma e Luleve është një nismë qytetare me qëllim nxitjen e aktivizmit qytetar dhe përgjegjësinë kolektive për të perbashkëtën publike. 

E tashmë Saranda këto 3 vitet e fundit është bërë edhe më e bukur falë dy nismave të suksesshme të iniciuara nga rreth 30 aktivistë nga e gjithë Shqipëria. Të rinjtë i ka bashkuar dëshira për ta parë qytetin të bukur dhe sa më larg betonizimit.

Adriatik Lapaj, një nga themeluesit e kësaj nisme, shprehet për Portën Vendore se qëllimi ka qenë shumë i thjeshtë, të fillonte të lëvizte diçka nga pushteti vendor në bazë të kontributit dhe presionit qytetarë.

 “Unë kam besuar gjithmonë që është mirë të japësh ide për ti bërë më ndryshe gjërat por akoma më mirë është që disa nga këto ti bësh edhe në jetë, pra të mundohesh që të bësh njëfarë opozite qytetare përmes veprimeve konkrete, që të tregosh që gjërat mund të ndryshojnë qoftë edhe në mikro. Ajo që bëmë ne ishte pikërisht kjo, të tregonim që duam një vend më të mirë, kundër betonizimit masiv. Ka probleme me ndërtimin dhe urbanistikën e qyteteve tona, por kemi ngelur vetëm te konstatimi dhe ajo që bëmë ishte se treguam dhe po tregojmë duke i mbajtur ato dhe duke mbjellë në vazhdimësi, që ne mund ta ndryshojmë realitetin tonë qoftë edhe duke punuar përmes rasteve konkrete. Në bashkinë Sarandë, që pas fillimit të aksionit dhe mbjelljes së këtyre pemëve dhe luleve, fondi i buxhetit vendor të gjelbërimit e mirëmbajtjen e tyre është të paktën 3-fishuar, pra kjo tregon një ridimensionim dhe të konceptit të të zgjedhurve vendor këshilltar bashkiak e me radhë pasi perceptojmë një nevojë të qytetarëve të cilën e shohin përmes veprimeve konkrete”, tha Lapaj.

Kështu mori rrugë nisma “Dhuro një lule për Sarandën”. Qytetarët e Sarandës e përkrahën nismën në vazhdimësi. Janë të shumtë qytetarët që kujdesen për bimët e sapombjella.

Deri më tani janë  mbjellë 2 varietete pemësh: 1 është lakemastia dhe tjetra është aleambër. Ata gjithashtu kanë  mbjellë dhe lule që është Bukonvile dhe ka 1 arsye pse e kanë  zgjedhur: në Shqipëri quhet lule Naimi sepse këtë lule e ka sjellë Naim Frashëri.

Ishte viti 1872 kur Naim Frashëri mbërrin në Sarandë si nëpunës i doganës së këtij qyteti ku jetoi dhe punoi për 5 vjet. Me vete ai solli edhe Bukovilen. Lulja kacavjerrëse udhëtoi nga Turqia për t’u kacavjerrë për një shekull e gjysmë nëpër muret e qytetit bregdetar me të cilin sot identifikohet, duke u njohur si “Lulja e Sarandës”.

“Ajo rritet në zona të mundimshe, bregdetare, nuk do shumë ujë dhe ka një karakteristikë që mbulon sipërfaqe të mëdha të betonit duke i fshehur ato shëmti. Janë shumë bimë mbijetuese dhe nuk duan shumë shërbim dhe mbi të gjitha shumë të bukura. Numri i tyre është rreth 260 pemë dhe mbi 540 Bukenvile, në total janë 800 pemë. Në qytete të tjera e kanë bërë qytetarë të tjerë në angazhime më të vogla po edhe tani që janë mbjellë kaq shumë pemë e lule shteti nuk është se ka reflektuar shumë, por ajo që ka ndodhur është që nga kontakti që unë kam me fidanishtet e zonës së Ksamilit dhe Sarandës më rezulton që pas nismës tonë kërkesa për varietetin Bukonvile është rritur aq shumë sa pavarësisht se ata tashmë e importojnë, pasi ata nuk e prodhojnë dot vet në atë sasi që kërkohet, prapë nuk ka sasi të mjaftueshme që kërkohet nga bizneset, qytetarët, sepse ajo tashmë po kthehet në njëfarë mode dhe cdo biznes, hotel apo lokal po fillon të mbjellë të vetat dhe në fakt  ka filluar të jetë e dukshme që në rrugët e bregut  ajo lule po shtohet pasi e shohin që ajo është shumë e bukur  dhe secili fillon ta mbjellë me ngjyra të ndryshme dhe sipas të dhënave të fidanishteve vetëm në Sarandë mbillen mesatarisht mbi 3 mijë në vit, në këto 3 vitet e fundit. Është shumë e dukshme tashmë se në çdo rrugë në Sarandë ka gjurmë të saj, jo si më parë që ishte si shkretëtirë”, shton Adriatik Lapaj për Portën Vendore.

Nga ana tjetër është edhe nisma për të pastruar bregdetin nga ndotja nënujore, ku me mijëra goma e shumë mbetje të tjera plastike dalin në  breg. Pastrimi i parë i tabanit të Detit Jon identifikoi dhe problematikën e radhës për qytetin e Sarandës, ku mijëra goma dhe mbetje plastike qëndronin në thellësi të ujërave për vite me radhe pa pasur asnjë ndërhyrje nga instancat shtetërore, pushteti vendor dhe qendror.
Nisma për të pastruar bregdetin do vazhdojë përsëri. Ne në fazën e kulmit të periudhës së sezonit të verës e ndërpresim për shkak se nuk duam që të kthehet në bezdisje për bizneset dhe turistët, por e zhvillojmë në fazën e pranverës dhe në vjeshtë që ka më shumë mundësi logjistike. Ne do ta vazhdojmë dhe lajmi i mirë është që gjiri i Sarandës pas 4 viteve të angazhimit tonë është plotësisht i pastër, ku kemi nxjerrë mbi 2 mijë goma dhe ne po vazhdojmë me Ksamilin, e do vazhdojmë edhe me Himarën. Qëllimi është që të ndërgjegjësojmë shtetin se se konstatojmë se qytetarët tashmë janë ndërgjegjsuar në një masë të madhe dhe në zonat që ne kemi pastruar kur kthehemi nuk gjejmë më goma të tjera të hedhura në det. Gjithashtu jemi duke punuar për një vendim të Këshillit të Ministrave, të propozojmë një mënyrë të re të administrimit të mbetjeve që vijnë nga gomat në Shqipëri, pasi edhe pse vijnë 1.5 milion goma në vit, nuk ka një mënyrë trajtimi të saktë të tyre. Ka një kuadër ligjor i cili është i mangët dhe ne po punojmë me një grup juristësh dhe do ta propozojmë për ndryshime që më në fund Shqipëria të ketë një sistem të mirëfilltë të gjurmimit të gomave që nga momenti që hyjnë në doganë e deri në momentin që shkojnë në landfill”, pë rfundon avokati i njohur, aktivisti i pashembullt i shoqë risë  civile.

Por sikurse mendon edhe Lapaj, angazhimi duhet të jetë nga të gjithë për të krijuar dhe për të ruajtur ambientin e përbashkët e për arritjen e një modeli bashkëqeverisës midis qytetarit të thjeshtë dhe pushtetit lokal.