Ngjarje/Personazhe

Berati muze në sfidë për të mbajtur më gjatë vizitorët pas pandemisë

25 shtator 2022/ Erjola Azizolli/ Porta Vendore/ Berat

Pas dy vite të vështirë si pasojë e COVID-19, në Beratin muze të mbrojtur nga UNESCO, vizitorët e munguar po mbërrijnë për ti shijuar pasuritë e tij të panumërta, por operatorët e turizmit  vazhdojnë të përballen me qëndrimin e tyre të kufizuar, duke e bërë zgjatjen e një vizite sfidë edhe për këtë sezon turistik.

Në rrugicat e gurta dhe plotë të tatëpjeta të lagjes “Mangalem” dëgjon të flitet më shumë anglisht e frengjisht sesa shqip. Vizitorët e huaj i ndesh në çdo orë ditës edhe në lagjen simotër “Goricë”.

Tepër të kënaqur nga ajo që shohin dhe prekin në qytetin e moçëm ku harmonizohen mes tyre historia, arkitektura, stilet, monumentet e kulturës, ato të kultit, vizitorët nga Ballkani, Europa dhe gjithë bota, këtë vit janë më të shumtë në numër.

Sipas Buletinit të Turizmit, të publikuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, një raportim ky në lidhje me ecurinë e turizmit në vendin tonë, qyteti i Beratit ka njohur rritje të numrit të vizitorëve që në muajin janar të këtij viti.

162.0 vizitorë mësohet se e kanë vizituar Muzeun Ikonografik Onufri, që ndodhet në lagjen “Kala”, kundrejt 448 vizitorë që ka pasur në vitin 2021 dhe  171 në vitin 2020”, raportohet në buletin. 

Grup vizitorësh në qytetin e Beratit. Foto: E. Azizolli

Ndonëse ofron një turizëm historik, arkeologjik dhe kulturor të shtirë përgjatë gjithë vitit edhe Berati i një mbi një dritareve ka një përqendrim më të madh të numrit të vizitorëve nga marsi deri në shtator.

Ka ditë që në lagje dëgjohet të fliten  vetëm gjuhë të huaja, veçanërisht gjatë gushtit dhe kjo të mbush edhe më shumë  me shpresë për  një  të ardhme të mirë të turizmit ”, thotë  Edmir Hidërsha, pronar i hostel “Maja” në lagjen “Goricë”.

Turizmi ka njohur rritje gjatë viteve të fundit në Berat.  Viti 2019 shënoi dhe shifrën më të lartë të vizitorëve të ardhur ndonjë herë në qytet. Plotë 139 558 vizitorë vizituan lagjen “Kala” gjatë këtij viti, sipas Ministrisë së Kulturës, shifër kjo që përllogaritet nga biletat hyrëse për në kështjellë, kundrejt 131 304 vizitorë që shënoi viti 2018. 

Fruta të zonës që shiten për vizitorët në Berat. Foto: E. Azizolli

Me 47 512 vizitorë të regjistruar gjatë vitit 2021, ku pandemia ishte pengesa për ardhjen e vizitorëve, Berati sot ka përpara sfidën për të shtuar ditët e qëndrimit të vizitorëve.

Problemi që sot haset nuk është mungesa e vizitorëve, por koha e qëndrimit të tyre në Berat. Një ditë e gjysmë është koha e qëndrimit të një vizitori në qytet dhe sfida e operatorëve të turizmit është se si të shtohet qëndrimi”, thotë Isuf Braho, guidë profesionale.

Buzë lumit Osum, në qendër të qytetit, qëndrojnë autobusët e agjencive që sjellin vizitorët që vijnë të organizuar. Qëndrimi i dy-tre autobusëve në vendparkimin e automjeteve në krah të lumit, është mëse i zakonshëm thuajse çdo ditë gjatë sezonit turistik mbas shtatorit.

Zbritja e vizitorëve nga autobusët mbush plotë  jetë qendrën e qytetit. Të orientuar nga guida profesionale vizitorët e këtij viti janë kryesisht çek e polakë. Ata vizitojnë qendrën historike, lagjet simbolike, disa objekte kulti dhe më pas largohen.

Vizitorët kanë gjithçka të programuar. Ata vijnë në Berat dhe brenda një paradite apo pasdite kanë përfunduar së vizituari qytetin, pasi vizita përfshinë muzetë, qendrën historike, objektet e kultit dhe lagjet muze”, thotë Emiljano Abedini guidë profesionale.     

Të tërhequr pas historisë, arkitekturës, historisë, vizitorët e organizuar që shkelin në Berat konsiderohen si turistë elitar që kanë informacion mbi atë se çfarë ofrohet dhe në këtë pikë qyteti ka vështirësi për të mbajtur një turist më gjatë.

Zgjatja e qëndrimit të kohës së vizitorëve kërkon projekte inovatore, ndryshim mentaliteti të pronarëve të hoteleve, investime që të kthehen në funksion të turizmit, sepse ndryshe qyteti nuk mund të mbajë një vizitorë më shumë se një ditë e gjysmë siç dhe po ndodh”, thotë Braho.

Në bulevardin kryesor të qytetit, shumë pranë pllakatës së vendosur në përkujtim të përfshirjes së Beratit në UNESCO, Valentina Këbaci shet fruta të freskëta dhe të thata në një tavolinë. Beratasja që ka vite që e ka kthyer në punë shitjen e frutave,  ndihet e kënaqur sa herë që shtohet numri i vizitorëve nëpër rrugë.  

Vetëm turistët blejnë. Ata që vijnë me autobusë janë më të shumtë, por nuk para blejnë, sepse vijnë dhe ikin shumë shpejtë. Blejnë ata që vijnë me grupe të vogla. Ata me çanta shpine”, thotë Këmbaci.

Rritja e numrit të vizitorëve pas vitit 2015 ishte shkak për shtimin e investimeve në sektorin e turizmit në këtë qytet, ndaj dhe u rrit nga viti në vit shërbimi i hotelerisë.  

Berati sot ofron mbi 60 njësi akomoduese hotele, guesthouse, bujtina e vila. Të vendosura në lagjet simbolike, por jo vetëm, njësitë akomoduese në Berat dhe rrethinat e tij ofrojnë standarde mjaft të larta, pasi në këtë pjesë është bërë mjaftueshëm.

Por, për vizitorët vetë qyteti historik e kulturor, nuk ofron më shumë  sa për të qëndruar më gjatë.

Jemi këtu që nga mesdita dhe pamw gjithçka. Kalanë, muzeun, qendrën e qytetit. Nesër parashikojmë që të shkojmë tek kanionet dhe do të largohemi drejt Durrësi pasditet”, thotë Amelia një turiste franceze që Porta Vendore kontaktoi në qytet një pasdite të nxehtë gushti.

Ajo së bashku me shoqen e saj, Anna,  janë vizitorë të zakonshëm që mund të hasësh në qytet në çdo orë të ditës, ndërsa në mbrëmje problem mbetet argëtimi.

Djali tek bujtina na tha që në mbrëmje mund të qëndrojmë sa të duam në oborr dhe mund të pimë nga pijet tona, ndaj do të qëndrojmë atje besojë mesa shohim s’mund të bëjmë asgjë tjetër në qytet”, thotë Ameia. 

Berati nuk  ofron  jetë argëtuese në mbrëmje, ndonëse vizitorët rriten, gjë e cila sipas operatorëve të turizmit penalizon shtimin e qëndrimit për turistët.

Agjencitë që punojnë me grupe të mëdha referojnë qytetet e Durrësit, Gjirokastër, për qëndrimin e turistëve për një natë apo dhe më shumë, sepse Berati sot për sot mbetet qyteti që vizitohet brenda ditës”, thotë Abedini guida që Porta Vendore kontaktoi ndërsa shoqëronte një grup turistësh polak. 

Koha mesatare prej 1.8 ditë e qëndrimit të vizitorëve penalizon më së shumti operatorët e hoteleve, për të cilët duket se ka ardhur koha për të ndryshuar mënyrën e menaxhimit.

Nuk mund të pretendosh më të zgjatësh kohën e qëndrimit të një turisti duke i ofruar vetëm mëngjesin me produkte të zonës. Kjo është një standard, por duhet menduar se çfarë ti ofrosh në mbrëmje që turisti të  kalojë bukur dhe të qëndrojë dhe një ditë tjetër”, thotë Braho.  

Në lidhje me zgjatjen e kohës së qëndrimit operatorët e turizmit kërkojnë që bashkia nga ana e saj të ofrojë më shumë, pasi është e vetmja mënyrë që Berati mund t’ja dalë mbanë të shtojë të ardhurat nëpërmjet turizmit.

Ashtu siç është qyteti i “një mbi një dritareve”, Berati duhet të ofrojë njëri pas tjetrit aktivitete, të zbatojnë projekte se si një turist të kalojë kohë cilësore në qytet, të shtojë qëndrimin pse jo dhe të rikthehet”, thotë Braho.

Bashkia e Beratit nuk ju përgjigj kërkesës së bërë nga Porta Vendore deri në publikimin e këtij shkrimi e pyetur në lidhje me strategjinë që ka institucioni për të mbajtur më gjatë vizitorët në Berat.

Me vlera dhe pasuri të mëdha natyrore si malet, fshatrat rreth e qark, kodrat e pasura me gjelbërim,  Berati i ka të gjitha mundësitë që të gërshetojë zhvillimin e turizmit dhe jashtë qytetit, gjë e cila do të rriste kohën e qëndrimit të vizitorëve.

Shembulli më i mirë vjen me kanionet e Osumit, ku një hotel që ndodhet  në periferi të qytetit  është i vetmi që ofron dhe ushtrimin e  rafting, kayaking, apo aktivitete në natyrë. 

E ndërsa operatorët e turizmit  ende nuk kanë vënë në zbatim asnjë masë të shtuar për të ofruar mundësi argëtimi për vizitorët e tyre dhe bashkia e qytetit ofron ende shumë pak jetë kulturore dhe artistike, Berati vazhdon të jetë larg shpresës për turizëm të qëndrueshëm.