Vëzhgim/Analizë

Rruga e Arbrit, ëndrra e një rruge ende të papërfunduar

18 shtator 2022/ Marinela Dushi/ Porta Vendore/ Dibër

Rruga e Arbrit që shkurton distancën e Dibrës me Tiranën dhjetëra kilometra, ende nuk ka përfunduar totalisht edhe pse afati i kontratës ka skaduar.  Ekspertët shprehen të shqetësuar lidhur me buxhetin që kjo rrugë ka “ngrënë” dhe defektet e saj, të cilat u bënë evidente që në ditët e para pas inaugurimit.

Në mars 2018 qeveria Rama nënshkroi marrëveshjen koncesionare me kompaninë Gjoka për të vijuar projektin e nisur nga qeveria Berisha. Kur nisi koncensioni, ishin përfunduar plotësisht 20.12 kilometra të saj, me 15.1 kilometra shtesë të përfunduara pjesërisht dhe 26.3 kilometra të tjera për t’u ndërtuar sipas projektit ekzistues. Por qeveria Rama në mandatin e tij të dytë u angazhua për përfundimin e rrugës së Arbrit por duke ndryshuar projektin, e ndërtuar në tjetër gjurmë. E gjitha rruga është 54 km, me 6 tunele e disa ura dhe vlera e investimit të privatit sipas marrëveshjes, është rreth 40 miliardë lekë. Rruga e Arbrit është cilësuar si një projekt historik nga të dy qeveritë duke u krenuar gjithsecili për të. Por në fakt ky projekt i cili ka zgjatur gati një dekadë, ende nuk ka përfunduar dhe është i shoqëruar nga shumë kontestime. Ka dyshime për vlerën reale që taksapaguesit shqiptarë do tu duhet të paguajnë për gjatë 13 viteve borxhin së bashku me interesat, privatit.

Në 2018 rinisën ndërtimet për rrugën e Arbrit. Qeveria nisi të paguajnë këstin e parë kompanisë në vitin 2019. Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Infrastrukturës, për vitin 2019 ka paguar 3.780.000.000 lekë në bazë të kontratës për përmirësimin, operimin e ndërtimin e rrugës. Ndërsa 130.860.399 lekë për supervizion e kontratës për mirëmbajtjen, ndërtimin e Rrugës së Arbrit. Ndërsa në vitin 2021 është paguar kësti prej 180.000.000 leke. Deri në 31 dhjetor 2021, sipas Raporti të monitorimit buxhetor për transportin rrugor 2021, rezulton se qeveria I ka paguar privatit rreth 10 miliardë lekë. Konkretisht janë paguar 9.480.000.000 lekë për koncesionin (Kontrata e Koncesionit /PPP për përmirësimin, ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e rrugës së Arbrit). 487,609,753 lekë të tjera për marrëveshjen ‘Supervizioni i kontratës koncesionare për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen e rrugës se Arbrit’. 189,694,753 lekë edhe për marrëveshjen ‘Oponencë Teknike për kontratën e koncesionit për përmirësimin, ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e rrugës se Arbrit’. Sipas të dhënave të tre marrëveshjeve, privati do investojë afro 41 miliardë lekë, ndërtim, mirëmbajtje dhe oponencë teknike. Por qeveria do ja shlyejë borxhin koncesionarit për 13 vite së bashku me interesat.

Por, disa muaj pasi nisi projekti, në tetor 2018, nën shoqërinë e ish-ministrit Damian Gjiknuri dhe ish-kreut të Autoritetit Rrugor Afrim Qendro, Rama teksa inspektoi punimet në rrugën e Arbrit, ka shprehur se projekti do të përfundonte një vit përpara përfundimi të afatit, pra në 2021. Në fakt sipas marrëveshjes, rruga duhej të hapej në vitin 2020 ndërsa ndërtimi do përfundonte në 2022. As kjo nuk u realizua. Por duket se mosrealizimi i këtyre afateve është bërë shembja e tunelit të Murrizit në fund të vitit 2019. Punimet në këtë tunel u pezulluan për disa muaj. Sipas raportit të Ministrisë së Financave, kompania koncesionare nuk ka realizuar investimet sipas planit në vitet 2019 dhe në vitet 2020, duke mbetur pas kalendarit të përgjithshëm të punimeve që parashikojnë hapjen e rrugës për përdorim në prill të vitit 2020. “Shpronësimet e parealizuara, kushtet klimaterike dhe problemet gjeologjike të tunelit të Murrizit, kanë qenë pengesë e realizimit me normë më të shpejtë të investimeve” thuhet në raportin vjetor për 2020, të Ministrisë së Financave për koncesionet, duke shtuar se: “Deri në fund të vitit 2020 është realizuar 65% e volumit të punimeve të ndërtimit, rreth 5 pikë përqindje më pak se sa ishte parashikuar gjatë kësaj periudhe, për shkak të pezullimit të punimeve në tunelin e Murrizit dhe punimeve në skarpata për segmentet numër 2 dhe numër 4”, bëhet me dije tek raporti, ndërsa nga ana tjetër theksohet se qeveria ja ka dhënë të plotë këstin, edhe pse privat nuk ka realizuar investimin sipas kalendarit të planifikuar të punës. Sipas marrëveshjes, rruga e Arbrit do të hapej në vitin 2020 ndërsa do të përfundonte në 2022. Por në fakt rruga e Arbrit u hap provizorit në nëntor 2021 ndërsa punimet që duhej të përfundonin në prill 2022, nuk kanë përfunduar, dukë dështuar sërish përmbushja e afatit. Por tuneli i Murrizit jo vetëm po shtyn projektin, por edhe do rëndojë akoma më shumë borxhin që shqiptarët do kenë ndaj kompanisë Gjoka.

Shpenzimet disa milionë për ndërtimin e tunelit të Murrizit shkuan dëm. Në fund të vitit 2019, pati shembje pikërisht në këtë tunel. Përbërja gjeologjike e nëntokës ka shkaktuar rrëshqitje duke krijuar vonesa në ecurinë e punimeve. Terreni, për shkak të materialeve me përmbajtje argjilore, ishte shumë i lëvizshëm, çka detyroi kompaninë të merrte vendimin për braktisjen e kantierit dhe nisjen e studimit për të ndërtuar në një gjurmë tjetër. Edhe pse kompania në disa raste tentoi të përforconte strukturën e tunelit me ndërtimin dhe forcimin e mureve mbajtëse me beton dhe hekur, lëvizjet ndodhin në pjesën nëntokësore, duke e bërë këtë vepër të paqëndrueshme. Në preventivin e koncesionarit, shpenzimet për këto punime kapin vlerën 10 mln euro, faturë e cila nuk dihet se kush do e paguajë, private apo qeveria? Kostoja e ndërtimit të tunelit të ri arrin 145 mln euro, 10 euro me shumë se alternativa e parë. Pra një gabim, apo neglizhencë e kompanisë private dhe qeveria, ka bërë që projekti të kushtoje dhe 20 milionë euro më shumë se vlera fillestare. Por kush do e paguajë këtë faturë? Ministria bën me dije se Autoriteti ka raportuar në lidhje me risqet e kontratës sipas formatit të përcaktuar, duke specifikuar përcaktimin e palës që merr përsipër riskun. Autoriteti Kontraktues ka mbajtur 3 prej tyre: riskun politik, riskun e aksesit në zonën e projektit dhe riskun e ndryshimeve ligjore, ndërsa tek Partneri Privat janë transferuar 5 risqet kryesore si: risku i projektimit, ndërtimit, disponueshmërisë, risku i operimit dhe mirëmbajtjes, risku i transferimit të aseteve dhe risku i ribalancimit të ekuilibrit financiar. Ndërkohë, risku i forcës madhore, risku i rinegocimit dhe risku i ndërprerjes së kontratës janë ndarë mes palës private dhe publike.

“ Kjo rrugë kushtojë shumë e të gjitha do të paguhen nga taksat tona kjo është mëse e qartë, por shiko ça asfalti kanë përdorur që u prish direkt. Kjo tregon shumë për cilësinë e punimeve dhe të materialeve”, tha Bujari një banor i zonës së Dibrës. Por pavarësisht pakënaqësive që drejtuesit e automjeteve ndjejnë kur bëjnë këtë rrugë ata i kënaqen shkurtimit të distancës e cila duhet thënë që është e madhe.

“Ky projekt e nxorri në pah Dibrën, kishim shumë që e prisnim dhe ja ku ndodhi. Rruga është shumë e mirë, tani probleme kanë të gjitha rrugët e Shqipërisë, por besoj se kjo ka ndodhur ngaqë e hapën shpejt dhe kam besim se do të rregullohen rrugë”, tha Diana, një shofere e re që po kthehej në Tiranë për herë të parë nga kjo rrugë.

Eksperti i sigurisë rrugore, Mamir Hodo tha se duhet të ndalohen inaugurimet e rrugëve që nuk janë përfunduar ende. “Rruga e Arbit dhe Kaninës u hapën dhe u mbyllen prapë, kjo tregon se një rrugë kur punohet duhet audituar, supervizuar nëse këto rrugë janë në parametrat europiane. Pra ne duhet të ndalojmë inaugurimin e rrugëve pa sigurinë rrugore. Ça kuptimi ka që të hapet rruga kur s’ka përfunduar. Nëqoftëse një masiv shkëmbor bie mbi automjetet, dëmi do të jetë kolosal. Por sa ndihmon apeli i ARRSH që u kërkon drejtuesve të ecin me shpejtësi të reduktuar në rrugën e arbrit pasi punimet vijojnë, për ekspertin, deklarata nuk garanton sigurinë shoferit. Se shoferi mund të bëjë kujdes me shpejtësinë por nuk ka çfarë ti bëjë shkëmbit nëse bie, pra nuk e kontrollon këtë rrezik që mund ti kanoset”, tha ai për Portën Vendore.

Doktor, inxhinier Farku Kaba në një intervistë për Porta Vendore, tregon se ideja e ndërtimit dhe hapja e Rrugës së Arbrit është shumë i vonuar dhe e gjithë kjo zvarritje ka ndikuar në taksapaguesit shqiptare. Ai shpreh rezerva për projektin dhe ndërtimin nga një kompani shqiptarë e cila nuk ka eksperiencën për ndërtimin e tuneleve, ndërsa thekson se buxheti është shumë i fryrë.

“Ideja për ndërtimin e rrugës së Arbrit ka nisur që në 1988, dhe inaugurimi dhe hapja e saj është shumë i vonuar. Rruga e Arbrit është një nga korridoret e rëndësishme dhe Dibrën e madhe e kanë lënë pas dore me koshiencë, mungese vëmendje e gjithë qeverive. Kjo kompania duhej ta kishte përfunduar ndërtimin e rrugës, afati ka skaduar. Unë mendoj se nuk është bërë më e mirë, madje është bërë më e shëmtuara, nuk ka mbaruar tuneli. Nuk mund ti japësh një kompanie që nuk ka eksperienca për ndërtimin e tuneleve. Si autor i kësaj vepre i kam bërë dikur Ministrisë së Financave një propozim, një projekt që të shmangej ndërtimi i tunelit në fazën e parë, dhe do të kushtonte pak në aspektin financiar, dhe në kohë, dhe që do ishte përfunduar. Por ata vendosën ta bënin me PPP, dhe buxheti është mjaft i fryrë. Në 2004 nisi studimi i fizibilitetit e sot jemi në 2022 dhe akoma s’ka përfunduar dhe prandaj them që qeveritë janë vonuar për ndërtimin e kësaj rruge dhe zvarritja e gjithë këtyre viteve me projekte e tendera të ndryshme ka ndikuar në dëm të taksapaguesve shqiptarë”, shprehet eksperti i indinjuar.

Zef Preçi ekspert ekonomie tha për Portën Vendore se koncepti i përgjithshëm i rrugëve për zhvillim mund të ishte edhe më i mirë.

“Rrugët meqë janë një mjet zhvillimi nuk mund të jenë aksion korruptiv. Ndërtimi i tyre duhet bërë duke u fokusuar në studime fizibiliteti. Ajo rrugë do të kishte rëndësinë e vet nëse merrte një karakter rajonal. Maqedonia e Veriut refuzojë ta bashkonte rrugën e saj me këtë projekt, duke bërë që të lindnin dyshime për efektivitetin e saj. Sot nuk gjen një dokument që të na tregojë që fluksi i automjeteve dhe udhëtarëve që kalojnë në atë rrugë e justikojnë ndërtimin e saj. Mungojnë dokumentet për ta quajtur këtë investim të mirë”, u shpreh eksperti Preçi, duke i mëshuar faktit se rrugët që bëhen me paratë e buxhetit të shtetit pak ose aspak mund ti “vishet” një mënyrë taksimi për qytetarët përdorues.

“Rruga kur ndërtohet me para publike pak ose aspak bëhet me taksë. Çfarëdolloj opagese që bën qytetari ka lidhje drejtëpërsëdrejti me jetesën, por ne na ndodh që fillimisht kompania rrit koston pastaj vjen taksa”, tha ai për Portën Vendore.

Problematike eksperti i ekonomisë shikon faktin se PPP-të po sundojnë tanimë kudo në investimet e kryera në thuajse çdo fushë të rëndësishme të jetës.

“PPP ndodh që ti jepen kompanive të përzgjedhura në bazë të bashkëpunimit që kompania dhe pronarët e saj kanë me qeverinë. Ndërkohë që shembja e tunelit qoftë tek rruga e Arbrit, apo qoftë edhe në Delvinë tregon se ka vend për dyshime, pra edhe nëse ekzistojnë dokumentet ato janë të blera. Marrja në dorëzim e investimeve të papërfunduara janë thjesht për efekt elektoral. Potenciali ekonomik i joni pa studime fizibiliteti pa kosto të përcaktuara, pa kolaudimet etj nuk duhet të bëhen në këtë mënyrë”, përfundon Zef Preçi.