15 shtator 2022/ Esmeralda Pirra/ Porta Vendore/ Lezhë
Ndër monumentet e kulturës, një vend të rëndësishëm zënë edhe ndërtimet e kultit të krishterë. Kishat janë një gjini e veçantë ndërtimesh të përcaktuara qartë dhe tërësisht të dallueshme nga ndërtimet e tjera. Në zonën e Zadrimës janë rreth 32 kisha por shumë prej tyre sot nuk janë të plota. Shumë prej këtyre objekteve sot janë lënë në harresë nga institucionet dhe të vetmit që kujdesen janë ata që ruajnë një ndjesi tejet të veçantë për këto kulte fetare, që duan ti shohin gjithnjë në lulëzim e sipër, dhe jo të amortizuara e të rrethuara nga barishtet, duke iu falur gjithnjë e më shumë një tisi si pluhur harrese. I tillë është studiuesi dom Nikë Ukgjini i cili prej më shumë se 2 dekadash kujdeset që ti kthejë në qendër të vëmendjes këto objekte për ti rivitalizuar, rehabilituar etj.
Dom Nikë Ukgjini ka shërbyer padyshim si një hero i tyre, duke i shpëtuar nga harresa institucionale, duke bërë përpjekje me donatorë privat që ti japi identitetin autentik këtyre objekteve që shërbejnë si atraksione turistike, pse jo.
Ai tregon për Portën Vendore se të gjitha kishat janë pasuri kombëtare. Si një njeri i pasionuar pas qarkut të Lezhës kjo dhe për vetë bukuritë që kjo zonë mbart, së pari Ukgjini ndalet tek kishat që mbahen si më përfaqësueset e zonës. “Në Kukël janë objektet (Qelë e Kishë) të ndërtuara nga vet poeti Ndre Mjeda dhe po aty ka vepruar për 30 vite me radhë. Ndërsa kisha e Rubikut dhe ajo në kepin e Rodonit janë me arkitekturë mesjetare të hershme dhe kanë akoma gjurmë të afreskeve të shekullit XII, ndërsa kisha e Pllanës në të dyja anët e murit ka afreske të mirëmbajtura dhe datojnë në shekullin XIV. Po kështu edhe Kisha e Balldrenit në abside ka disa afreske, ku spikat ajo e Darkës së Fundit, e realizuar shumë më parë se ajo e Leonardo da Vinc-it”, tha ai.
Falë ndihmës së tij, kishat e restauruara tani për tani janë në gjendje të mirë, por afresket kanë nevojë që të ndërhyhet te konservimi i tyre. Ai rrëfen se si ka arritur që ndjesinë për të bërë më shumë për këto objekte sa fetare po aq edhe historike, arkitekturore etj, e kanë përqafuar edhe sipërmarrësit, emigrantët e donatorët që kanë financuar. “Puna private bërë deri tani është realizuar nga dashamirësit e kulturës nga vendi dhe diaspora shqiptare nëpërmjet dioqezës së Lezhës. Shqiptarët në përgjithësi kanë vullnetin e mirë për të ndihmuar në këtë drejtim, por duhet të jenë të nxitur nga personat e caktuar kishtarë dhe atyre që e njohin artin e kulturën shqiptare”, sqaron ai duke shtuar se nuk është një punë shumë e lehtë të gjesh donatorë. “Sidomos në këtë kohë krize ekonomike është shumë e mundimshme, por me rastin e përfundimit të punimeve të gjithë i gëzohen punës së bërë”, vijon dom Ukgjini.
Nga objektet kishtare që kanë formën e plotë dhe janë Monumente Kulture, në këtë vit me fondet e Bashkimit Evropian, nëpërmjet Ministrisë së Kulturës, ka përfunduar restaurimi i Kishës së Shën Ndout në Kepin e Rodonit dhe ajo e Shelbuemit në Rubik. Ndërsa me fonde private është restauruar Qendrën e poetit Ndre Mjeda në Kukël, Bashkia Vau i Dejës; ndërsa në Bashkinë Lezhë ka përfunduar në vitin 2019 Kisha mesjetare të Shën Prentës në Balldre në vitin 2019 dhe kisha tjetër mesjetare e Shën Barbarës në Pllanë në vitin 2020. Të dyja objektet e fundit kanë afreske të dukshme.
Rreth 10-15% e popullsisë fetare shqiptare është katolike – komuniteti i dytë më i madh fetar pas Islamit dhe i treti është Ortodoksia. Ka pesë dioqeza në vend, duke përfshirë dy arkidioqeza, plus një Administratë Apostolike që mbulon Shqipërinë jugore. Por sa interes kanë shprehur institucionet shtetërore përkatëse për ruajtjen dhe restaurimin e këtyre kishave, shumë nga të cilat nuk janë më në këmbë. Studiuesi dom Nikë Ukgjini shton se: “Ministria e Kulturës nuk ka shtruar interes të caktuar për objektet kishtare në veri, qoftë edhe për ato që janë gjysmë të rrënuara, me pretekstin se nuk kanë fonde të mjaftueshme. Pastaj Ministria nuk ka treguar fare interes për të bashkëpunuar me entet kishtare që të mirëmbahen apo restaurohen këto objekte”, kritikon studiuesi.
Por sa po rrezikojmë të humbasim monumentet më të bukura dhe ato që janë në thelb më domethënëse për vetë kohën kur janë realizuar, në veri të vendit?
“Objektet e shumta të shpallura monumente kulture, nga viti 1971 e deri te monumenti i fundit i shpallur në vitin 2016, janë ngushtë të lidhura me identitetin, kulturën, historinë e gjuhën shqipe. Prandaj, dëmtimi apo zhdukja e tyre do thotë prishje e një guri në mozaikun e madh që quhet shqiptari, e mjerisht dëmtimi apo zhdukja e këtyre mureve e rrënojave po ndodh para syve të Ministrisë së Kulturës për çdo ditë, anë e kënd në veriun e Shqipërisë”, shton ai për Portën Vendore.
Ato pak kisha që kishin mbetur të parrënuara nga Perandoria Osmane në veri të Shqipërisë i shkatërroi sistemi komunist. Po kështu, të mbeturat i la të braktisura demokracia jonë e brishtë. Situata momentale sipas Dom Nikë Ukgjinit është e pranueshme, por janë me dhjetëra objekte me mure të ngritura e gjysmë rrënoja dhe rrënoja në qarkun e Durrësit, të Lezhës dhe atë të Shkodrës që po dëmtohen për çdo ditë. Të gjitha këto objekte kanë qenë të ngritura mbi themelet e kishave të kohës antike. Ato rreth vetes kanë një pasuri të çmuar nëntokësore, arkeologjike të cilat dita ditës po zhduken.
Në qarkun e Shkodrës dhe të Lezhës vërehet edhe mungesa e evidentimit të shumë objekteve të kultit me vlera të konsiderueshme historike, kulturore e fetare. Në mungese të dorës së shtetit, shumë objekte të kultit Monument Kulture kanë rënë pre e gërmimeve pirate gjatë vitit 2007 dhe këto raste janë bërë publike në media nga vetë banorët e revoltuar. Gjithashtu nga heshtja e braktisja e monumenteve, banorët në shumë zona kanë dëmtuar sitet arkeologjike duke ngritur varre pranë themeleve e objekteve të caktuara.
“Monumentet e Kulturës përfaqësojnë vertebrat e shtyllës kurrizore të identitetit tonë kombëtar dhe çdo objekt i rrënuar nga mungesa e vëmendjes, harresa, pakujdesia apo nga abuzimet e ndryshme, është krim dhe fatkeqësi kombëtare. Madje Ministria e Kulturës e ka për detyre të kujdesohet edhe për Monumentet në zonat kufitare të shteteve fqinjë, ku gjenden një numër i madhi objekteve të kulturës sonë kombëtare”, shton dom Nikë Ukgjini.
Me dt. 27 prill 2022, kanë nisur punimet për restaurimin e kishës së Shën Gjon Kryepremit, apo siç njihet ndryshe Kisha e Kuvendit të Arbrit. Pikërisht në 14 janar 1703 Papa Klementi XI mblodhi në Mërqi të Lezhës Kuvendin e Arbrit. Punimet për krijimin e Qendrës së Kuvendit të Arbrit në Mërqi të Lezhës po zhvillohen në bashkëpunim me Dioqezën e Lezhës dhe studiuesit dom Nikë Ukgjinit. Projekti është afishuar edhe në ambientet e kishës dhe do të realizohet sipas fotove 3D.
Punimet do të zhvillohen në tre faza ndërtimi: Rehabilitimi i Kishës mesjetare të Kuvendit të Arbrit duke e kthyer në identitetin e saj të mëparshëm. Meremetimi i qelës e ndërtuar në vitin 1668 dhe
krijimi i një parku artistik në oborrin e kishës si simbol i Kuvendit të Arbrit.
“Punimet për momentin janë duke u zhvilluar me ndihmën e sipërmarrësit Gjergj Lejeqeza, banorëve që jetojnë në Mërqi dhe atyre jashtë vendit. Gjithashtu pritet ndihma e Bashkisë së Lezhës si dhe disa mërgimtarëve shqiptarë që jetojnë në Evropë dhe Amerikë, për shkak te rëndësisë historike mbarëkombëtare që mbart ky projekt”, thotë dom Nika, duke e pranuar edhe vetë faktin që është tejet e vështirë të depërtosh në financat publike, dhe që punën që duhet ta bënte shteti ta bëjë një njeri ose një grusht njerëzish me vullnetin e mirë për të ruajtur autenticitetin e kishave.
“Vizituesit janë në masë të konsiderueshme. Kërkohet që faqet e Ministrisë së Kulturës dhe ato të bashkive të jenë sa më të plota e të bashkëveprojnë me entet kishtare të cilët po kujdesohen për këto kisha. Në të gjitha objektet kishtare nuk kemi vendosur bileta për vizitues sepse qëllimi ynë është që kultura shqiptare të përhapet sa më tepër dhe pa asnjë lloj pagese”, përfundon rrëfimin e tij , të një njeri që inspiron për gjithë çfarë ka bërë për Lezhën dom Nikë Ukgjini teksa i referohet Ministrisë së Kulturës.