13 shtator 2022/ Erind Koçi/ Porta Vendore/ Durrës
“Të pushoj në jug, apo të qëndroj në Durrës, Shëngjin e Velipojë”?, kjo është pyetja që të paktën një herë në vit, zë vend në mendjen e shumëkujt, që pas një viti të lodhshëm, dëshiron të shkëputet nga rutina e të pushojë. Por së bashku me këtë pyetje, llogaritë financiare janë hapi tjetër. Zgjidhja është e vështirë, dhe në konsideratë duhet të merren jo vetëm mundësitë e argëtimit, por edhe fatura që do të sjellë.
Jugu i vendit gjithmonë është konsideruar më i kushtueshmi, por vitet e fundit nuk kanë mbetur pas as destinacionet më në veri. Madje pandemia ka shtyrë qytetarë të shumtë të shkojnë edhe drejt destinacioneve ‘të fshehta’ dhe më pak të njohura.
I tillë është edhe destinacioni i Hamallajt, që nuk është shumë i eksploruar dhe i reklamuar por që premton shumë, mirëpo vuan mungesën e infrastrukturës së gjithanshme, që nga ajo rrugore e deri tek akomodimi e shërbimi.
Hamallaj, është një fshat bregdetar në Bashkinë Sukth në Rrethin e Durrësit, që ndodhet përkrah Gjirit të Lalzit, por që vëmendje s’ka pasur. Teksa mbërrin në Hamallaj synimi i parë është akomodimin, e në fakt pamja nuk të ngjan aspak me një zonë bregdetare, pasi ndërtimet e shpërndara pa kriter dhe rrugët e pashtruara të tërhiqnin vëmendjen.
I gjithë fshati i Hamallaj të ngjante me një kantier ndërtimi, ku mesa duket biznese e qytetarë të ndryshëm po përgatiteshin për sezonin e ardhshëm, por në fakt me një kosto për sezonin e këtij viti, pasi ndotja që shkaktonin nuk ishte e pakët.
Përveç faktit të imazhit të një kantieri, në një kompleks që po ndërtohej fare pranë bregdetit të Hamallaj, mbetjet kishin mbërritur deri pak metra larg ujit.
Pika tjetër që të vriste sytë ishte infrastruktura rrugore, që nuk ishte aspak në mbështetje të zhvillimit turistik të zonës.
Duket se përqendrimi i instancave shtetërore në pika më të njohura turistike, i ka lënë pas dore destinacionet e tjera, që vuajnë mungesën e infrastrukturës së duhur për tu zhvilluar si destinacion turistik.
Panorama e një fshati bregdetar të pazhvilluar, ‘vritej’ teksa përballeshe me çmimet që kanë ecur me hapa shumë herë më të shpejta sesa zhvillimi i turizmit aty.
Një natë në Hamallaj, në apartamente pa kondicioner 1+1 në muajin korrik kushtonte 25-35 euro, ndërsa kur kishte kondicioner, çmimi dyfishohej në 50 euro e më lartë, vetëm akomodim pa asnjë vakt. Pak më tutje në rezidencat bregdetare, nata arrinte në 150-200 euro.
Këto ishin vetëm çmimet e muajit korrik. Piku i sezonit muaji gusht rezervoi çmime 10-20 euro më të shtrenjta.
“Për korrikun nuk kishim shumë rezervime, ndërsa në muajin gusht ishin të gjitha dhomat e zëna. Çmimet variojnë mbi 50 euro nata, më shumë vijnë të huaj që qëndrojnë disa ditë”, kështu shprehet Flora pronarja e një hoteli në Hamallaj.
Pasi merr vendimin për të qëndruar në këtë destinacion, ndalon për pak minuta në bregdet, aty ku parashikon të pushosh dhe problematika tjetër që binte në sy është mungesa e bizneseve përreth, lokaleve, restoranteve, beach bareve apo ndonjë strukture tjetër argëtuese.
Një destinacion i veçantë që të ofronte qetësinë, ujin e pastër, detin e pemët, duket se nuk është i lënë pas dore vetëm nga pushteti por edhe nga vetë biznesi, i cili nuk e ka vlerësuar ekonomikisht të favorshëm për të investuar në shërbime. Të vetmet lokale të këtij bregdeti ishin disa minuta larg nga plazhi. Kabina prej dërrase që dikur ishin përdorur për restorante e kafene, këtë vit në plazh i gjeje si mbetje mes rërës.
Por teksa çmimet ecnin me hapin e vendeve të zhvilluara turistike, fatura tatimore nuk ekzistonte askund. Asnjë prej bizneseve, qoftë për akomodim apo për ushqim nuk lëshonte faturë, praktikisht fiskalizimi nuk kishte mbërritur ende në sipërmarrjet e Hamallajt. Pasi njihesh nga afër me çmimet e kripura të hoteleve, ndalon për pak minuta në bregdet, aty ku parashikon të pushosh. Ndryshe nga çmimet e hoteleve, apartamenteve dhe dhomave me qira, çmimet e shezlongjeve ishin më të pranueshme, 500 lekë për gjithë ditën gjatë javës, dhe 700 lekë në fundjavë.
Duke lënë pas faturën financiare, në fakt gjithçka e krijuar prej natyrës, mbetet e papërshkrueshme. Uji ishte pastër dhe ndryshe nga sa mund të ndodhte në destinacionet të tjera, ku denoncimet për ndotje nga ujërat e zeza ishin të shumta, deti i Hamallaj ishte i pa-ndotur, por që dora dhe papërgjegjshmëria e pushuesve ishte evidente përgjatë rërës.
Nëse uji ishte i pastër, me rërën ndodhte e kundërta. Mbetjet e pushuesve shihen kudo të shpërndara, dhe kryesisht plastike të cilat zënë vendin e qytetarëve në buzë të detit.
Të hedhësh qeset me plehra mes rërës është rruga më e shkurtër që kanë zgjedhur disa pushues të papërgjegjshëm.
Ndërsa pak metra më tutje koshat e plehrave janë bosh, mbeturinat i gjen në tokë.
Jo vetëm ndotja nga qytetarët por edhe bizneset aty nuk janë treguar të kujdesshëm për të ruajtur një imazh për këtë plazh, pasi shihet qartë që çadrat, shezlongët apo dërrasat janë të hedhura mes rërës, aty ku kalojnë pushuesit.
Dhe më e keqja nuk mungonin as rastet e djegies së plehrave mes plazhit, nga bizneset aty.
Një panoramë e tillë, padyshim lë shije të keqe tek pushuesit.
“Këtu është shumë bukur, është viti i dytë që vij, por nuk ka vënë njeri dorë”, thotë Leta një zonjë rreth të pesëdhjetave.
“Kam ardhur me disa të afërm, nuk kisha qenë më parë, më pëlqen deti dhe rëra, por do donim të kishte edhe lokale argëtuese sepse kemi fëmijët me vete. Jemi detyruar që pijet ti marrim nga shtëpia. Duhet të kishte dhe ndonjë kënd lojërash për fëmijë, por prapë bukur”, pohon Denisa, nënë e 3 fëmijëve.
“Erdhëm nga Kosova se një i afërmi jonë banon këtu. Na pëlqen por nuk ka shumë zhvillim. Isha në Shëngjin 5 ditë, çmimet janë njësoj, mendoj se abuzojnë pak”, shprehet Ademi teksa komunikon me të gjatë qëndrimit në shezlong.
Nga ndotja e problemet e tjetra që shoqëruan plazhin e Hamallaj këtë vit, nuk mund të anashkalohet shëndeti. Edhe pse ky sezon turistik u shoqërua me raste fatale, mbytje apo aksidente me skafe e gomone, në Plazhin e Hamallaj, mungonin Vrojtuesit, ndërsa kullat ishin bosh.
Ndërsa gjendja e qendrës shëndetësore në këtë fshati lë për të dëshiruar, pasi muret nga jashtë janë të amortizuar.
Përveç këtyre problematikave, shteti duhet patjetër të marrë në konsideratë ndërtimin e një shëtitoreje publike në këtë bregdet. E vetmja shëtitore në zonë, ishte e një resorti privat ku shëtitja është e lejuar vetëm në klientët e tij.
Të gjitha këto problematika padyshim kishin faturën e tyre “shezlong thuajse të boshatisur”.