10 shtator 2022/Brikena Metaj/Porta Vendore/Memaliaj
Në kulmin e sezonit veror dhe periudhës më aktive të zjarreve në vend, 9 efektivëve të repartit zjarrfikës në Memaliaj iu desh të prisnin mesin e muajit gusht për të marrë pagat e muajit korrik. Sipas tyre shkak ka qenë vonesa e shkaktuar nga Bashkia Memaliaj, pasi kryetari i kësaj bashkie nuk firmosi në kohë listë-pagesat duke sjellë si pasojë vonesën në paga për efektivët që luftojnë me zjarrin.
Xhulio është një i ri 30 – vjeçar që si të gjithë fëmijët e dikurshëm e adhuronte figurën e zjarrfikësit. Ndaj dëshira për t’u bërë një ditë zjarrfikës, mbrojtës i të pafuqishmëve, i mjedisit, një luftëtar i guximshëm, e nxiti të konkurrojë dhe të fitojë konkursin për t’u bërë pjesë e forcave zjarrfikëse.
Duke ndarë kohën mes pasionit të tij futbollit, si mbrojtës në ekipin e futbollit të Memaliajt dhe luftës me flakët apo fatkeqësitë e tjera ku një zjarrfikës duhet të jetë në kryesim, Xhulio nisi të prekë nga afër realitetin e vështirë dhe pamundësinë ekonomike që vjen si pasojë e pagës së ulët.
Në një familje me 5 anëtarë dhe prindër në pension, paga prej 37 mijë lekësh është e pamjaftueshme për Xhulion që sheh dita – ditës se po i shkërmoqen ëndrrat e dikurshme të fëmijërisë para një realiteti vrasës.
Fillimi i vitit 2022 e gjeti repartin zjarrfikës të Memaliaj me 12 punonjës në organikë, ndërsa aktualisht ka vetëm 9 prej tyre, 8 aktivë në luftën me flakët dhe 1 efektiv të pezulluar. Porta Vendore mëson se arsyet e largimit të 3 efektivëve zjarrfikës në Memaliaj kanë qenë paga e ulët dhe kushtet e vështira të punës.
Luftë më zjarrin me mjete rrethanore
Sot reparti zjarrfikës në Memaliaj ka vetëm 1(një) automjet, ndërsa mbulon një territor prej 372.07 km2. Bashkia e dytë më e madhe pas Gjirokastrës në shtrirje gjeografike, ka një terren kryesisht malor, infrastrukturë rrugore të rrënuar; shumë fshatra janë vështirë të arritshëm me automjete, ndërsa shumë të tjera e kanë të pamundur. Kjo vështirëson shumëfish punën e efektivëve zjarrfikës për të arritur në kohë në vendngjarje dhe për të shmangur shuarjen e flakëve me duar; mjete që detyrohen t’i ngrenë në krahë apo akoma më keq, të luftojnë me zjarrin me mjete rrethanore.
Një pjesë e fshatrave të kësaj bashkie, si edhe vetë hyrja për në qytetin e Memaliajt, përshkohen nga rruga nacionale dhe numri i aksidenteve gjatë këtij aksi ka qenë jo i pakët përgjatë viteve. Por efektivët zjarrfikës të PMNZSH Memaliaj nuk janë të pajisur me mjetet e nevojshme të shpëtimit në rast aksidenti, duke nisur nga mungesa e një mjeti prerës, deri tek ai për transportin e trupave. Edhe në këtë rast, ata duhet të improvizojnë.
Situata është aspak optimiste nëse bën një inventar të përciptë të mjeteve që ka në funksion PMNZSH Memaliaj. Vetë automjeti që kanë në dispozicion ka mungesë të theksuar të disa mjeteve kryesore, duke nisur nga tubot e luftimit që janë të disponueshme pjesërisht. Dhjetëra metra të tjera tubo do të duheshin për të ndihmuar zjarrfikësit në punën e tyre kundër gjuhëve të zjarrta. Ndonëse janë një skuadër prej 9 efektivësh ata kanë në përdorim vetëm 3 bombola gazi, po kaq kostume zjarrduruese (përkundër 1 për çdo efektiv), infrastruktura e brendshme me po aq mungesa, duke nisur nga mungesa e dusheve dhe deri tek kondicionerët apo qoftë edhe një TV për efektivët që qëndrojnë përgjatë gjithë natës në gatishmëri. Këto të fundit jo vetëm i sigurojnë vetë, por këto orë nate zgjuar, larg familjes, gjithmonë në alert, nuk paguhen.
Drejtues të PMNZSH Memaliaj pohuan se në një turn ka si rregull 3 punonjës në gatishmëri, ndërsa është bërë kërkesë për shtim të efektivave, por në një qytet si Memaliaj ku numri i banorëve është tkurrur me kohën në maksimum dhe ku jeta e vështirë e pagat e ulëta ofrojnë pak mundësi, është e vështirë të gjesh të rinj që vendosin të jenë “mbrojtësit e jetës” së të ardhmes.
Nën kostumin e shpëtimtarit, ëndrra që zgjat pak në Shqipëri.
Eugerti është vetëm 24 vjeç dhe gusht, u nis drejt Greqisë, në kërkim të një jete më të mirë. Ai hodhi pas krahëve 4 vitet e punës si zjarrfikës në Memaliaj dhe vendosi të largohet, larg familjes, miqve, shoqërisë, vendlindjes.
“Të premten e 5 gushtit, bëra dorëheqjen – thotë ai për Porta Vendore. Puna si zjarrfikës është e bukur, por edhe e rrezikshme. Asnjëherë nuk e di nëse do të kthehesh. Por ajo që më detyroi të largohem ishte paga e ulët dhe kushtet e këqija të punës. Fillimisht paga hidhej çdo datë 3, më pas u zhvendos pas mesit të muajit, orët shtesë ishin 10 orë në muaj, por pothuajse nuk i kemi marrë, po kështu edhe dietat, tregon ai. Nëse vlerësimi i punës do të ishte ashtu si duhej, paga mesatare e një zjarrfikësi në Memaliaj do të ishte të paktën 50 mijë lekë”, tregon Eugerti, përkundër 37 mijë që është aktualisht. Si mund të përballohet jeta kështu?
Të sakrifikuar dhe të keqpaguar
Rreth 65 ngjarje kanë të regjistruara përgjatë vitit 2022 efektivët e PMNZSH Memaliaj. Ngjarje që ndodhin kohë e pa kohë dhe i lënë trupat zjarrfikëse në gatishmëri të vazhdueshme. Por pavarësisht kësaj, pagës së ulët i mungojnë edhe orët shtesë të cilat gjatë këtij viti janë paguar vetëm në muajt shkurt dhe qershor. Fondet e qeverisë për repartet zjarrfikëse menaxhohen nga pushteti vendor. Janë këto të fundit të cilat duhet të përgjigjet për pagat, orët shtesë dhe mjetet e nevojshme të kërkuara nga repartet zjarrfikëse.
Shefi i Zyrës së Financës në Bashkinë Memaliaj, Petrit Hoxha, e argumentoi vonesën në paga me problemet në sistemin elektronik. I pyetur nga Porta Vendore mbi pagesën e orëve shtesë ai pohon se “është mirëmenaxhuar fondi i deleguar nga Qeveria për repartin zjarrfikës dhe është dhënë pagesa e orëve shtesë sa herë ka patur fonde të mjaftueshme. Asnjë qindarkë e dhënë për zjarrfikësit nuk është përdorur për diçka tjetër, përveçse për nevojat që ata kanë”, ka pohuar ai.
Por nëse nga drejtuesit e pushtetit vendor pohohet se fondi është mirëmenaxhuar, situata në terren tregon të kundërtën. Faktet e sjella më sipër mbi gjendjen në repartin zjarrfikës të Memaliajt janë vetëm një tregues i mënyrës se si menaxhohen fondet e dhëna nga qeveria për PMNZSH-të.
Eugerti tregon se një ndër faktorët shtesë që e detyroi të ndërmerrte vendimin për të dhënë dorëheqjen nga forcat zjarrfikëse ishte edhe mënyra se si keqpërdoreshin nga pushteti vendor. “Shpeshherë jemi detyruar të lëmë stacionin bosh, që të mbjellim apo vaditim pemë. Ka patur raste madje kur jemi larguar qoftë edhe për të prerë një tub nëpër fshatra. Shpesh më dukej vetja si punonjës i ndërmarrjes komunale, jo efektiv i forcave zjarrfikëse. Kjo lloj nëpërkëmbjeje e figurës së zjarrfikësit nuk ishte më e përballueshme”, shton i riu 24 – vjeçar që tashmë ndodhet në Greqi duke uruar me shpresën e mekur që “të shkojë gjithçka mbarë!”
Kjo panoramë përsëritet pothuaj kudo, në çdo repart zjarrfikës në Shqipëri, ndërsa këta punonjës rrezikojnë jetën për një pagë minimale që në fund të ditës nuk u ofron plotësimin e të gjitha kërkesave të nevojshme jetësore.
Si e shohin të ardhmen të rinjtë si Xhulio dhe Eugerti? Gati të pashpresë, ndaj ata zgjedhin të largohen nga vendlindja apo atdheu i tyre. Të shkojnë nëpër botë, aty ku edhe puna më e rëndomtë vlerësohet mjaftueshëm financiarisht për të mos patur kokëçarjen e përditshme se “çfarë do të vendosim në tavolinë?”