Vëzhgim/Analizë

Shëndeti konsumatorëve në dorë të fatit! Qumështi i pakontrolluar shitet mes rrugës, eksperti: 89% e qumështit të prodhuar shitet me bidona

8 shtator 2022/ Eliza Gjediku/ Porta Vendore/Tiranë

Qumësht nuk blihet vetëm në markete apo dyqane, por edhe në rrugët e vendit, duke nisur që nga kryeqyteti. Pavarësisht se siguria ushqimore është një nga prioritetet kryesore të qeverisë për shkak se është edhe një nga detyrat që duhet të përmbush vendi për tu anëtarësuar në BE, institucionet duket se në disa aspekte kanë mbetur në vendnumëro. Edhe pse ministra të njëpasnjëshëm të Bujqësisë kanë vënë theksin tek rritja e sigurisë ushqimore, dhe tek zhdukja e fenomenit të tregtimit të bulmetit në rrugë, në realitet ndodh e kundërta.

Porta Vendore kreu një vëzhgim në Tiranë, ku qytetarë të ndryshëm shesin qumështin në bidonë, në mes të rrugës dhe pa garantuar asnjë kusht higjenik dhe duke cenuar edhe shëndetin e konsumatorëve.

Në disa nga zonat e vëzhguara fare pranë kryeqendrës së vendit si ish parku i Autobusëve, rruga Ndre Mjeda, Tregu i fruta perimeve Kombinat, Zona e Freskut, Shkolla Bashkuar e Rruga Ura, qumështi shitet në mes të rrugës me pagure duke cenuar cilësinë e tij e për pasojë edhe jetën e konsumatorit.

Foto nga Rruga Ndre Mjeda, Tiranë.

Kjo është situata që paraqitet në Tiranë, por sipas informacioneve e njëjta gjë ndodh edhe nëpër rrethe, ku fermerët zgjedhin ta shesin produktin e tyre edhe në këto kushte e mos ta dërgojnë tek grumbulluesit që ua marrin me çmim tepër të ulët.

Ervin Resuli Kreu i Shoqatës për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Prodhuesit Vendor thotë se blerja e qumështit në rrugë, i ekspozon qytetarët ndaj sëmundjeve të ndryshme, pasi produkti është tërësisht i pakontrolluar.

“Një fenomen që për arsye së hyrjes me vonesë në treg të përpunimit të qumështit në industrinë por dhe si një traditë e jona e gabuar që qumështi i blerë në rrugë është më i freskët. Por është krejt e kundërta pasi një mori sëmundjesh zonotike përfshi brucelozën por dhe ngarkesa të ndryshme mikrobike apo nivelin e qelizave somatike, apo ngarkesë preparatesh veterinare antibiotik  e të tjera me radhë që shkaktojë problematika të ndryshme shëndetësore si dëmtim i organeve të riprodhimit, organe jetësore, probleme të aparatit tretës apo dhe alergji të ndryshme. Është plotësisht i ekspozuar ndaj të gjitha sëmundjeve që transmetohen nga kafsha te njeriu, ndaj higjienës së qumështit”, thotë Ervin Resuli Kreu i Shoqatës për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Prodhuesit në intervistë për Portën Vendore.

Kurse Agim Rrapaj kryetar i KASH thotë se tregtimi i qumështit në këto kushte nuk është i leverdishëm për askënd.

“Shitja e qumështit në rrugë nuk është me leverdi as në çmim e as në cilësi. Natyrisht që shitja e qumështit në rrugë ka rrezik pasi qumështi është një produkt që kontaminohet shumë shpejt nga bakteret nga momenti i mjeljes deri tek shitja. Rritja e baktereve ndikon negativisht në organizëm, dhe nuk ka vlerat e nevojshme për konsumatorët”, pohon eksperti i bujqësisë Agim Rrapaj.

Teksa Ministria e Bujqësisë thotë se  investimet e bëra në përpunim kanë larguar fenomenin e tregtimit të qumështit me bidona, siguria ushqimore vijon të cenohet çdo ditë, duke mos garantuar kështu as shëndetin e qytetarëve, por nga ana tjetër duke mos plotësuar as detyrat që na ka lënë BE. Por çfarë thuhet në kapitullin 12 të kushteve që duhet të plotësojë Shqipëria në kuadër të anëtarësimit në BE?

“Ky kapitull përfshin rregulla të hollësishme në fushën e sigurisë së ushqimit , vendosjen e rregullave për mbrojtjen e konsumatorit, higjienën dhe paraqitjen e produkteve ushqimore, kontrollet dhe mekanizmat për garantimin e sigurisë së ushqimit, etj. Ai gjithashtu përfshin aspektet e higjienës që lidhen me përpunimin dhe vendosjen në treg të produkteve ushqimore, veçanërisht të ushqimit me origjinë shtazore. Për më tepër, ky acquis rregullon tregtinë ndër-komunitare (brenda Bashkimit Evropian) të kafshëve të gjalla dhe produkteve shtazore, kontrollin e sëmundjeve të kafshëve dhe aspekte të tjera që lidhen me shëndetin dhe mirëqenien e kafshëve”, thuhet në këtë kapitull të dedikuar sigurisë ushqimore dhe të bimëve, që në Shqipëri është ende larg zbatimit, porsa kohë qumështi e deri tek nën produktet e tij tregtohen në rrugë, dhe nëpër tezga të ekspozuara ndaj diellit e baktereve.

Agim Rrapaj: Politikat e gabuara të subvencionimit të blegtorëve, po nxisin fermerët të shesin në rrugë

Kryetari i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, Agim Rrapaj teksa flet për Portën Vendore mbi këtë fenomen, problemin kryesor të kësaj plage ende të pambyllur në tregtimin e bulmetit e shikon tek politikat e gabuara fiskale që po ndjek qeveria në subvencionimin e fermerëve, dhe në këtë rast në subvencionimin e blegtorëve, si dhe tek mungesa e formalizimit të tregut.

“Qeveria duhet të punojë për të formalizuar sektorin në mënyrë që këta fermerë që kanë një tepricë produkti ta grumbullojnë në një vend të caktuar dhe atje të shkoj grumbulluesi me mjete të caktuara dhe të marrë këtë sasi qumështi. Zgjidhja e dytë ka të bëjë me performancën e tufave të bagëtisë, që do të thotë subvencionim për litër qumësht. Nuk i leverdis fermerit të shesë qumështin në rrugë nëse ai do të subvencionohet për litër qumësht, duke e dorëzuar me faturë tek grumbulluesi apo tek përpunuesi”, këto janë propozimet që bën Rrapaj për të zhdukur fenomenin e tregtimit të qumështit me pagure.

Aktualisht në vend fermerët rimbursohen për krerë bagëtish dhe jo për litër qumësht, madje me kushte më të rënda se në vitin e kaluar. Nëse në 2021 kush kishte 70 krerë dele apo dhi merrte rimbursim 1200 lekë për gjedhë, tashmë duhet të ketë mbi 100 krerë dhi apo dele që të marrë subvencionim. Po ashtu me vendimin e datës 9 shkurt 2022 të Këshillit të Ministrave u caktua se tek fermat e lopëve do të marrin rimbursim ata që kanë mbi 10 krerë lopë, nga 5 që ishte vjet dhe vlera për krerë është 10 mijë lekë.

Edhe eksperti i bujqësisë Ervin Resuli subvencionimin evidenton si problemin kryesor. Resuli thotë se mungesa e subvencionimit të mjaftueshëm për fermerët e ka nxitur më tej përhapjen e tregut të zi.

“Ministria e Bujqësisë nuk ka një skemë që mbështet dorëzimin e qumështit në industri siç e ka rajoni prej vitesh dhe normalisht duke e shitur në të zezë rritet çmimi për fermerin por nëse mbështetet financiarisht nga Ministria e Bujqësisë fermeri e çon në baxho apo industri”, thotë Resuli.

Ndërsa Rrapaj shpjegon po ashtu se familjet që kanë burim kryesor të të ardhurave blegtorinë, dhe që kanë numër të ulët bagëtish janë ata që shesin kryesisht në rrugë, pasi grumbulluesit nuk e kanë të mundur tua mbledhin qumështin.

“Qumështi shitet në rrugë për vetë strukturën që ne kemi në blegtori. Ne kemi blegtor që kane nga një lopë, 4-5 krerë dele apo 10 krerë dhi të cilët ju mbetet një tepricë e qumështit pa u konsumuar nga familjarët, dhe këtë tepricë ata mundohen ta shesin në rrugë dhe në çdo treg. Ky grupim fermerësh është gati sa 80% e fermerëve që ne kemi në Shqipëri. Sipas statistikave në Shqipëri ka pasur 292 mijë blegtor që merren me blegtori dhe fabrikat konsumojnë vetëm 11% të qumështit të prodhuar, pjesa tjetër konsumohet nga blegtoria dhe pjesa tjetër shitet në format më të ndryshme në baxho apo rrugë. Duke qenë se këta blegtorë nuk kanë sasinë e mjaftueshme për grumbulluesit, nuk kanë as dokumentet përkatëse për tja shitur grumbulluesit, bën të mundur që qumështi të vazhdojë të shitet në rrugë, me ambalazh pa cilësi me të gjitha defektet që ka ky ambalazh dhe në vijimësi cilësia e këtij qumështi nuk më ajo që rezulton nga mjelja e cila mund të jetë realizuar me standarde më të mira të mundshme. Në situatën që ne jemi realisht qumështi në rrugë nuk është element i rëndësishëm për të furnizuar konsumatorin, por është element i rëndësishëm për të mbajtur dhe për të mbijetuar një pjesë e mirë e blegtorëve që tepricën e qumështit të tyre e shesin nga nevoja imediate dhe realisht këto janë shtresa në nevojë”, pohon kreu i Agrobiznesit.

Kjo situatë do të vazhdojë thotë Rrapaj, përsa kohë nuk bëhet e mundur mbledhja e qumështit nga grumbulluesit.

“Për aq kohë sa do të kemi këtë mënyrë organizimi të fermerëve, përsa kohë do të kemi tepricë qumështi që nuk ju leverdis grumbulluesve, për aq kohë që do kemi një tepri të papërshtatshme për tu përpunuar më tej nga fabrikat për të arritur standardet, kjo sasi qumështi do të vijoj të shitet në rrugë në mënyrë informale për sa kohë ne nuk marrim masat e duhur”, tha Rrapaj.

Ervin Resuli: 89% e qumështit të prodhuar në vend shitet me pagurë!

Duke u bazuar në një studim të kryer nga Shoqata për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Prodhuesit Vendor, Resuli thotë se deklaratat e Ministrisë së Bujqësisë për zhdukjen e këtij fenomeni nuk paraqesin realitetit, pasi vetëm 11% e qumështit dërgohet nga fermerët për përpunim, ndërsa pjesa tjetër shitet në treg të zi.

“Ndihem thellësisht i zhgënjyer që institucione si AKU apo MBZHR  me taksat e mia dalin në mes të ditës me diell dhe gënjejnë një opinion të tërë publik apo konsumatorët ku të gjithë e dinë se një pjesën dërrmuese e qumështit merret me ‘pagurë’ tek fermeri vogël! Sipas te dhënave të studimit të Shoqatës Mbrojtja e Konsumatorit dhe Prodhuesit Vendor  vetëm 11% e qumështit që prodhohet në vend kalon nëpërmjet industrisë së përpunimit të qumështit  dhe 89% e qumështit shitet me bidon nëpër konsumatorë”, pohon Resuli.   

Foto nga studimi i Shoqatës për Mbrojtjen e Konsumatorit.

Në fakt edhe vetë institucionet publike e konfirmojnë që nga qumështi i prodhuar në vend vetëm një sasi minimale mblidhet. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2020, sasia gjithsej e qumështit të grumbulluar rezulton rreth 119 mijë tonë, duke pësuar rënie me 14,80 %, krahasuar me vitin 2019, ndërsa në total prodhimi i qumështit në atë viti ishte 1,05 milionë tonë.

Burimi: INSTAT

Shkak se përse fermerët vendosin ta shesin privatisht qumështin është edhe çmimi i ulët me të cilin ua kërkojnë grumbulluesit. Baxhot apo fabrikat e përpunimit ua blejnë qumështin fermerëve në rastin më të mirë deri në 40-50 lekë litrin, që bujkut nuk i mjafton as për të mbuluar kostot e mbajtjes së bagëtisë.

Ndërsa kur qumështin e shesin në mënyrë private fitimi është më i madh sepse 1.5 litra e shesin deri në 120-130 lekë, ky është çmimi i javëve të fundit, pasi është shtrenjtuar, sepse përpara krizës së çmimeve qumështi shitej në rrugë me 100 lekë. Ndërkohë me krizën e çmimeve rritje është konstatuar edhe tek qumështi që shitet i paketuar pasi nëpër markete 1.5 litër qumësht shitet deri 170 lekë.

Për zgjidhjen e këtij problemi, që cenon direkt shëndetin e konsumatorëve, Resuli jep dy alternativa.   

“Ministria të lërë propagandën e pa hijshme mënjanë dhe të rrisë kontrollet në bashkëpunim me pushtetit vendor dhe mos të lejojnë shitjen e qumështit në rrugë kjo është njëra formë. Ndërsa tjetra është të subvencionojë direkt fermerët që prodhojnë qumësht dhe që dorëzojnë në baxhot apo fabrikat e licencuara mbështetja direk nëpërmjet skemës kombëtare rrit formalizimin e fermerëve”, tha Resuli.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit prej javësh ka nisur një sërë kontrollesh nëpër njësi tregtare në të gjithë vendin, dhe në disa subjekte janë marrë masa penalizuese për shkak të mungesës së higjienës në tregtimin e produkteve shtazore mes tyre dhe qumështi. Por vlen të theksohet se kontrollet e këtij autoriteti janë të fokusuara tek bizneset fizike dhe jo tek shitësit ambulant.

Nga ana tjetër një tjetër problematikë për sigurinë ushqimore është edhe transporti i produkteve shtazore nga ferma tek qendra e përpunimit. Kjo problematikë është evidentuar edhe në një raport të bërë me mbështetje të BE-së, nga CO-Plan me temë “Siguria Ushqimore- Një vështrim i kuadrit ligjor në Shqipëri”.

“Probleme infrastrukturore hasen edhe me sigurinë e produkteve me prejardhje shtazore ku vendin kryesor e ka qumështi si nënprodukt primar. Pavarësisht ekzistencës së sipërmarrjeve të mëdha në formën e fabrikave të përpunimit të qumështit, operimi i fermave dhe përpunuesve të vegjël mbetet sërish problematik në përmbushjen e kritereve të sigurisë sa i takon për shembull ruajtjes së tij ne fermë apo transportit në kushtet e duhura të ftohjes”, thuhet në raportin e CO-Plan.