Ngjarje/Personazhe

Belshi mes zhvillimit të turizmit dhe shpopullimit masiv

31 gusht 2022/ Anxhela Dyrmyshi/ Porta Vendore/ Belsh

Belshi është shndërruar vitet e fundit në një atraksion të rëndësishëm turistik, me investimet e shumta që i dhanë një pamje tjetër qytezës buzë liqenit. I gjendur vetëm 60 km larg kryeqytetit, Belshi ofron një panoramë mahnitëse për këdo që zgjedh ta vizitojë, në çdo stinë të vitit. Një nga bukuritë që kjo zonë ofron, janë padyshim 85 liqenet karstike për të cilat ka shumë interes nga vizitorët. Bashkia e Belshit përbëhet nga 5 njësi të cilat janë: Belsh, Kajan, Fierzë, Grekan dhe Rrasë. Por përkundër gjithë shkëlqimit që qyteza piktoreske e Belshit mori prej vitit 2017, kjo nuk ka ndaluar ikjet masive dhe shpopullimin e fshatrave të zonës. Kjo pasi edhe pse një atraksion turistik i veçantë, në Belsh mundësitë e punësimit, dhe ndërtimit të jetesës janë të pakta.

Shëtitorja buzë liqenit të Belshit. Foto: A. Dyrmyshi/

Behar Hysa vendosi të marrë iniciativën për të ndërtuar në Belsh një bujtinë, ku krahas restorantit, të krijonte struktura akomoduese, gjë e cila prej vitesh mungonte. Shpresëplotë që puna do të ecte, bujtina e familjes Hysa hapi dyert për të pritur turistë e vizitorë nga gjithë Shqipëria e më gjerë. Shumë shpejt problemi me të cilin u hasën ishte ikja e fuqisë punëtore, shpopullimi masiv i kësaj zone, gjë që krijoi sfidat e para për ta. Ndër të tjera menaxheri  dhe pronari i bujtinës, Evis Hysa tregon se problem madhor është bërë gjetja e një personeli të aftë e të kualifikuar.

Foto nga trotuari buzë liqenit Belsh, ku krahas tij ndodhet Bujtina.

“Ajo që na shtyu të merrnim një hap të tillë ishte fakti se në Belsh mungonte një restorant dhe hotel, ku turistët të darkonin por edhe të kishin mundësinë të qëndronin për të kaluar një natë këtu. Interesi nuk mungoi, pasi edhe investimet e bëra prej disa vitesh në Belsh sollën mjaft turistë të interesuar për të eksploruar vendin. Por problemet e para nisën pasi është vështirë të gjesh profesionistë të rinj e të zotë, pasi ata zgjedhin të largohen jashtë vendit. Jemi detyruar të shërbejmë vetë, në mungesë të fuqisë punëtore”, u shpreh ai për Portën Vendore.

Shpopullim masiv ka ndodhur në zonën e Belshit dhe përreth, dhe kjo vërehet çdo ditë, sipas Evisit. E më së shumti duket përgjatë ditëve të javës, ku Belshi thuajse boshatiset.

“Përgjatë ditëve të javës nuk sheh nëpër rrugë asnjë të ri, vetëm moshë të thyer. Ndersa në fundjavë disi më ndryshe pasi vijnë vizitorë. Rritja e cmimeve dha një tjetër goditje të madhe në sektorin tonë. Tashmë konsiderohet luks të drekosh në një restorant, pasi faturën e tij nuk e përballojnë dot të gjithë. Megjithatë ne jemi munduar të ruajmë të njëjtat çmime, por në këto kushte është shumë e vështirë të punosh. Për të ardhmen jam optimist se diçka mund të ndryshojë, por nëse gjërat vijojnë kështu, ku të rinjtë vetëm ikin, dhe çmimet rriten vazhdimisht, me keqardhje them se mbijetesa në treg do jetë e vështirë” tha ai.

Me investimet e viteve të fundit, fenomeni i shpopullimit të zonës së Belshit e rrethinave besohej se do të ulej. Por në fakt ka ndodhur e kundërta. Gjithnjë e më shumë vendasit po migrojnë duke braktisur shtëpitë, tokat, prodhimtarinë dhe duke lënë pas vetëm të moshuar. Në shëtitoren kryesore të Belshit shohim dy burra, dhe nuk ngurojmë ti bashkohemi bisedës së tyre, e cila kishte të bënte pikërisht me shpopullimin.

“Po na ikin fëmijët, e nuk do kthehen më në këtë vend të malluar”, thërriste njëri prej tyre. Burri 60 vjeçar na tregoi se të katërt fëmijët i ka jashtë vendit, dhe se po priste edhe vetë mundësinë për t’ju bashkuar sa më shpejt. “Iku rinia, ikën të gjithë. Në fshatin tim numërohen me gishtat e dorës shëtëpitë e banuara, pjesa tjetër kanë mbetur bosh. Ç’të rrinë këtu, kur gjithçka merr për poshtë. Unë jam fermer, por prodhimin po e nxjerr me lekët që më dërgojnë fëmijët. Dhe në fund asnjë fitim për mua, për djersën time. Pse të punoj kot në këto kushte”,  thotë më tej 60 vjeçari i cili preferoi të mos na tregonte as emrin e tij.

Më tej takojmë një familje, të cilët kishin vendosur që të dielën ta kalonin në Belsh. Ajo çfarë kishin vënë re këta turistë ishte fakti se në rrugë nuk shikoje rini, por vetëm moshë të thyer. Tek- tuk ndonjë turist, edhe ata të paktë atë ditë të nxehtë qershori.

“Ne vijmë nga Durrësi, hera e parë që vijmë këtu. Natyrë e bukur, na pëlqen por ajo që vërej është që ka shumë pak rini. Nuk të zë syri të rinj fare, dhe është për të ardhur keq që gjithë ky investim nuk ka krijuar vende pune për ta, në mënyrë që ti largojë nga shtetet e tjera e ti mirëpresë në vendin e tyre”,  tha ai.

Petrit Duka prej disa vitësh ushtron profesionin e taksixhiut në Belsh. 51 vjeçari na tregon se largimet masive që kanë ndodhur përgjatë dy viteve të fundit në Belsh, e kanë bërë thuajse të pamundur mbijetesën e tyre në treg. “Puna dobët, shumë dobët. Nuk po ia dalim vetëm me taksat, e lëre më të fitosh bukën e gojës. Po na mbajnë fëmijët nga jashtë me lekë, se të ishte për këtë punë, do kishim ikur me kohë. Investimet janë aty, ja i shohim përditë. Por ne nuk do hamë asfaltin, duam ushqim e punë të përditshme. E nuk do detyrohemi pastaj të marrim rrugët e botës për të punuar” , u shpreh Petriti pwr Portwn Vendore.  

Dhurata nga Belshi është tregtare dhe zotëron një dyqan fruta-perimesh. Pengu i saj i vetëm është fakti se nuk i ndaloi dot fëmijët e saj të largoheshin nga Belshi.

“Të tre fëmijët morën rrugët e botës. U shkolluan dhe pritën të gjenin punë, por më kot. Ndaj edhe me mundësinë e parë që iu dha, ikën përgjithmonë. Andej janë të kënaqur dhe nuk kanë ndërmend të kthehen. Kush ka ikur, nuk është kthyer më në Belsh. Dhe këtë e them me shumë keqardhje. Çdo ditë populli varfërohet, tek unë vijne e blejnë ende duke shënuar emrin, pasi nuk kanë”, shprehet Dhurata e cila tregon se të ardhmen e sheh me shumë pesimizëm.

Porta Vendore u interesua edhe pranë Bashkisë Belsh për të marrë një përgjigje më të detajuar mbi largimet në zonën e Belshit, dhe se çfarë masash kanë ndërmarrë ata për të frenuar sadopak këtë fenomen, por pa një përgjigje. 

Fenomeni i shpopullimit nuk është një fenomen i panjohur në Shqipëri. Çdo ditë e më shumë konstatohen largime masive nga vendlindja drejt vendeve që mund të të ofrojnë mundësi më të mira shkollimi, punësimi apo jetese.