Vëzhgim/Analizë

Plazhi i Tales, i boshatisur por investimet në biznese vijojnë

29 gusht 2022/ Porta Vendore/ Lezhë

Plazhi i Tales së Lezhës njihet për vetitë kurative, por edhe pse në mes të sezonit turistik ai është thuajse i boshatisur. Të njëjtin fat si simotrat e tij, në Durrës dhe Fier, edhe ky plazh ka vite që është i braktisur nga pushuesit vendas e të huaj, përveç banorëve të zonës që i qëndrojnë besnik. Duket se nga viti në vit ka një përpjekje të vetë bizneseve për të investuar me shpresën se turistët do të kthejnë sytë nga kjo zonë.

Dikur gjatë sistemit komunist, kjo ishte si një një zonë ushtarake, por vite më vonë u shndërruar në një plazh kryesisht më karakter familjar. Stoike dhe relike të së shkuarës, para se të shkosh në bregun e detit të Tales, përballesh fillimisht me historinë që pati vendi ynë sa i takon bunkerëve, si një element që i ka rezistuar kohës që nga diktatura.

Plazhi i Tales shtrihet në një vijë bregdetare rreth 7 kilometër me një gjerësi rëre që shkon nga 100 në 150 metër duke filluar nga cepi i lagunave deri në fillim të deltës së lumit Mat.

Tale është kryesisht një destinacion i ri, dhe vërtetë vlen dëshira për ta zbuluar. Mesa duket ata që e kanë nuhatur këtë për 10 vitet e ardhme në biznes kanë vepruar shpejt dhe pa ngurrim.

Vetëm gjatë pandemisë në këtë zonë u ngritën mjaft hotele dhe vila, që konkurojnë me çmime të larta, thuajse njësoj sikurse Tale të ishte një vend i gjithëvlerësuar.

Në hotelet superluksoze të kësaj zone, nata në çift shkon edhe 120 euro nata, ku në të përveçse mëngjesit ke të përfshirë në çmim edhe shezlonget e peshqirët.

“Vijmë këtu sepse na pëlqen. Më mirë të paguajmë kaq lekë në një vend të qetë se sa të shkosh në Vlorë apo diku tjetër. Plus edhe deti është goxha i pastër, mesa duket kanë bërë mirë të gjithë ata që e kanë braktisur këtë plazh, përndryshe do të ishte shkatërruar si shumë të tjerë”, tha Arbeni i cili ka ardhur nga Italia për të pushuar gjatë gushtit në vendin e tij.

“Kam bërë një tur nëpër Shqipëri, e bëjë thuajse çdo vit, përveçse gjatë pandemisë. Më vjen mirë që edhe në vendin tonë standardi hotelier është rritur ndjeshëm, pra mund të gjesh struktura qëndrimi dhe akomodimi për të gjitha tipet e ekonomisë. Kjo është vërtetë për tu vlerësuar. Shërbimi gjithashtu”, tha ai për Portën Vendore.

Në Tale, pjesa më e madhe e plazhit është publike, por nga vitit në vit vihet re një tendencë e vetë bizneseve për të rritur çmimet e çadrave, ku këtë vit një të tillë e akseson për 700 lekë, ndryshe nga një vit më parë, që ishte 500 lekë.

Kriza e madhe financiare vihet re edhe në rritjen e çmimeve në bare e restorante. Për një drekë modeste në familjare, fatura shkon deri në 7 000 lekë të reja në ambientet ku gatuhet peshku i freskët i bregdetit, dhe që në këtë zonë janë me tepri.

Por vetë bizneset shprehen të kënaqur me këtë ritëm pushuesit pavarësisht se nuk ka fluks.

“ Këtu klientela është rritur, pavarësisht se jo të gjithë janë pushues të bregdetit të Tales, pasi gjatë javës ose edhe në fundjavë të shumtë janë ata që vijnë edhe thjesht për të konsumuar një drekë tek ne. Jemi të kënaqur, pavarësisht rritjes së çmimeve të produkteve bazë të shportës, që tërthorazi edhe në i kemi reflektuar por nuk kemi pasur pakënaqësi të shprehura nga klientët tanë, pasi pavarësisht kostove të shtuara jemi përpjekur të ruajmë standardin dhe cilësinë në gatime”, tha menaxheri i një restoranti mjaft të njohur në Tale.

edhe nëse nuk keni një çadër me vete atëherë mos hezitoni të qëndroni në zona private pasi çmimi është lehtësisht i përballueshëm. Këtu ka një shtrirje të gjatë të brezit të rëres. E përsosur për ecur ndërsa valët e detit do të ju godasin këmbët.

Tale vlerësohet më së shumti nga banorët vendas, për ujin blu, rëra kokërr madhe, hapësirat e bollshme publike dhe çmimet e favorshme ndryshe nga shumë zona të tjera bregdetare të vendit. Është një bregdet mjaft i bukur dhe me shumë zona ende të virgjëra që nuk shfrytëzohen.

“Jemi të kënaqur me shërbimet, pasi nga viti në vit ka ardhur në përmirësim infrastruktura e ofruar nga vetë bizneset. Çmimet janë si gjithandej por cilësia e ujit dhe e rërës ja vlen”, tha Sania, një vendase që rrëfen për Portën Vendore se vinte që fëmijë në këtë plazh e që tani sjell vajzën e saj 5 vjeçe.

Gjatë të gjithë kohës shitësit ambulant qarkojnë nëpër ato pak çadra të mbushura, megjithëse fundjavë për të tregtuar produktet e tyre të plazhit, misrat, akulloret, librat etj.

Tani është një turistë që vjen për herë të parë në Tale, dhe rrëfen se ka ardhur këtu për vetitë e këtij plazhi tejet kurativ. Ai tha se çmimet janë të përballueshme dhe se njerëzit janë tejet të sjellshëm në shërbim.

“Kam prenotuar një dhomë në zonë për 40 mijë lekë nata. Më duket çmim mjaft i mirë për kushtet që ka, por edhe për cilësinë dhe vetitë kurative që ka ky plazh. Kam ardhur bashkë me bashkëshorten time pasi të dy vuajmë nga reumatizma. Për shumë vite me radhë në fakt kemi vizituar Darëzezën por tani që e morën vesh që kjo zonë ishte e virgjër dhe më e pastër erdhëm këtu. Do të vijmë sërish besoj vitin e ardhshëm pasi ja vlen”, tha ai.

Shumë nga bizneset private kujdesen vetë për mirëmbajtjen e zonës, duke pastruar rërën, duke vendosur kosha mbeturinash, dushe dhe tualete publike.

Rregulli në parcelat e plazheve private mes njërit biznes dhe tjetrit gjithashtu nuk ka të sharë.

Por ajo që shqetëson thuajse të gjithë vizitorët vendas e jo vetëm është rruga që të çon në brendësi të plazhit të Tales e cila nuk është e shtruar. Disa e shikojnë me pozitivitet të gjithën këtë, si një lloj mburoje që ka shpëtuar zonën nga dashakeqësit, dhe që i ka mbajtur larg turistët, duke sjell vetëm ata që kanë guxuar.

“Po është pak e sikletshme për ne shoferët kjo rruga por ngaqë kemi vite që e bëjmë s’na duket edhe aq problem. Gjithsesi do të duhej të shtrohej, pasi nuk ka turizëm pa infrastrukturë rrugore, kjo gjithandej është A-ja”, tha një turiste.

Por krejt ndryshe mendon një shofer tjetër, që së bashku me familjen po shkojnë për plazhin e pasdites në Tale.

 

“E bëj këtë rrugë gjatë verës 4 herë në ditë, pasi jemi me fëmijë të vegjël dhe drekën e konsumojmë në shtëpi, pasi pushojmë vijmë përsëri pasdite. Se kam fare bezdi, jam mësuar dhe mendoj nga një anë që sa mirë që s’po bëhet rruga se të paktën nuk do të na ndotet plazhi nga fluksi i madh”, tha ai për Portën Vendore.

I ndodhur vetëm 7 km larg nga rruga nacionale Lezhë Tiranë, duket se Tale po merr vit pas viti një zhvillim të ri turistik, të ngadaltë por të qëndrueshëm.