26 gusht 2022/ Marinela Dushi/ Porta Vendore
Aksidentet rrugore në Shqipëri janë rritur vitet e fundit duke vënë në pikëpyetje sigurinë dhe standardet rrugore. Sipas INSTAT, në vitin që lamë pas, pra në vitin 2021 u regjistruan 11,5% më shumë aksidente dhe viktima se viti 2020. Në vitin 2020 u raportuan 1234 aksidente rrugore ndërsa në vitin 2021 u regjistruan 1372. Pra vihet re një rritje duke shënuar 138 aksidente më shumë.
Në vitin 2020 nga aksidentet humbën jetën 150 qytetarë. Ndërsa në vitin 2021 humbën jetën 197 te tjerë. Pra vihet re një rritje të fataliteteve, me 47 vdekje më shumë. Ndërsa numri i të plagosurve pothuajse është dyfishuar. Në vitin 2020 sipas të dhënave të publikuar nga Instituti i Statistikave, u plagosën nga aksidentet rrugore, 1427 qytetarë, ndërsa në vitin 2021 u lënduan 2433 të tjerë, pra vihet re një rritje gati 1 mijë më shumë të plagosur. Por duhet theksuar së në vitin 2020 qarkullimi i automjeteve ka qenë e kufizuar për shkak të pandemisë COVID 19 që ka ndikuar në shifra më të ulta të aksidenteve. Shifrat mbeten shqetësuese edhe për vitin 2022. Deri më prill, kanë vdekur 58 persona ndërsa janë plagosur 468. Shifrat mbeten shqetësuese nëse krahasohemi me vendet e Bashkimit Europian apo shtete të rajonit si Kosova. Me 197 viktima të transportit rrugor, Shqipëria renditet ndër vendet me normën më të lartë të vdekshmërisë në rrugë, me 69.6 të vdekur për 1 milion banorë, kundrejt mesatares së BE prej 42 vdekjesh për 1 milion banorë. Krahas papërgjegjshmërisë së drejtuesve të mjeteve që mbetet shkaku kryesor, në jo pak raste shkak bëhet edhe rruga pa standarde. Por ka disa akse rrugore ku ndodhin shpesh aksidentet rrugore, të cilësuar si njolla të zeza. Në vendin tonë, ka rreth 100 hot-spot, ndryshe të cilësuara si akse të rrezikshme, që kërkohet kujdes nga drejtuesit e mjeteve. Përsëritja e aksidenteve në të njëjtin aks rrugor, e bën të nevojshme përforcimin e sigurisë rrugore. Disa pika problematika ku ndodhin shpesh aksidente të cilësuara si njolla të zeza rrugore janë aksi Milot-Lezhë i cilësuar si “rruga e vdekjes”, kryqëzimi i Laknasit në rrugën e Rinasit, apo rreth-rrotullimi i Kolonjës në aksin Lushnjë-Fier, aksi Elbasan-Peqin. Aksidentet më të bujshme që tronditën opinionin publik, janë: Në 26 gusht 2021 në aksin rrugor Gjirokastër-Sarandë humbën jetën 5 persona si pasojë e përplasjes së dy mjeteve. Një furgon pasagjeresh u përplas nga mjeti tip Land Rover dhe përfundoi në greminë. Rruga ku ndodhi aksidenti, në Qafë Murrizë nuk kishte sinjalistika dhe barriera mbrojtëse duke shkaktuar kështu edhe fatalitete. 15 janar 2021, shuhet familja nga Kosova në një aksident rrugor në Rubik. Mjeti ku ndodhej familja nga Kosova u përplas ballë për ballë me një mjet të tonazhit të rëndë e për pasojë humbën jetën burrë e grua dhe 2 fëmijët. Në 25 qershor 2021 shënohet një tjetër aksident tragjik, në aksin rrugor Fier-Levan. Familja shqiptare që jetonte në Greqi, kishte ardhur me pushime po ata u përplasën për vdekje nga një tjetër makinë. Burrë e grua dhe dy fëmijët ndërruan jetë si pasojë e plagëve të marra. Në një shkurt 2022, aksident I rëndë ne aksin Elbasan-Librazh, në vendin e quajtur si ‘Kthesa e Murrashit’, makina bie në lumin Shkumbin, vdesin 3 persona. Në 6 mars 2022, dy makinë përplasen kokë më kokë në aksin Fushë Krujë-Milot, ku vdes 4 persona. Eksperti i sigurisë rrugore, Mamir Hodo tha për Porta Vendore, se shifrat e publikuara nga institucionet nuk janë të vërteta. Hodo thotë se ndodhin më shumë aksidente rrugore në vend, por nuk raportohen të gjitha. Vdekjet nga aksidentet zënë vendin e 9-të. Në lidhje me sigurinë rrugore, eksperti thekson se autoritetet kanë bërë investime në akset kombëtarë, por problemi qëndron se sa me eficencë bëhen këto investime. “Përpara se të behën investime, rrugët duhen audituar. Të auditohen nga ekspertë të pavarur. Por privati I cili fiton tenderin, cakton një auditues dhe për rrjedhojë nuk bën vlerësime të rregullta e të saktë në akset kombëtare”, tha ai për Portën Vendore. Ndër të tjera tha se fondi për mirëmbajtën e rrugës duhet miratuar pasi të jetë bërë kontrolli i cilësisë së rrugës nëse janë në parametrat e duhur dhe me sinjalistika. Por këtu ndodh e kundërta, miratohet fondi pa e ditur se sa nevojë kanë rrugët për tu rehabilituar. “Akset rrugore në autostrade dhe në rrugët urbane nuk janë të audituar në rregull. Sinjalistikat shpesh nuk janë në përputhje me rregullat, ato janë të vendosura në mënyrë tendecioze. Psh, ka disa akse rrugore që tabelat e shpejtësisë janë vendosur gabim. Vlerat e shpejtësisë duhet të ishin përcaktuar më të larta për ato rrugë me standard, ndërkohë kanë vendosur kufizim të shpejtësie, me qëllim që të gjobisin sa më shumë drejtues mjetesh që ecin mbi vlerat e lejuara”, tha eksperti. Njolla të zeza të aksidenteve janë 120, thotë eksperti duke iu referuar të dhënave të publikuara nga Instituti i Transportit, duke shtuar se ka përmirësim duke i rregulluar këto akse.
Në muajin Maj 2022 numërohen 106 aksidente rrugore nga 120 aksidente të ndodhura në muajin Maj 2021, duke u ulur me 11,7 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në pesëmujorin e parë të vitit 2022, numërohen 483 aksidente rrugore nga 547 aksidente, të ndodhura në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke u ulur me 11,7 %.
Sipas specialistëve në shumicën e rasteve shkaktarë të aksidenteve janë edhe vetë këmbësorët, por pa përjashtuar edhe pakujdesinë e përdoruesve të mjeteve që nuk respektojnë kodin rrugor, ecin me shpejtësi mbi normat e lejuara, parakalojnë në mënyrë të gabuar etj, duke u përfshirë në aksidente fatale dhe me pasoja për jetën.
Rreth dy muaj më parë kryeministri Rama lajmërojë se një nismë e re do të merrje jetë nëpër shkolla, që lidhej në mënyrë të drejtëpërdrejtë me të sensibilizuarit në respektimin e sinjalistikës rrugore. Rama shkruante se po punohet me partneritete dhe programe ndërgjegjësuese e formuese, me 304 institucione arsimore publike e private. “Deri në vitin 2030 kemi si objektiv uljen e vdekjeve nga aksidentet rrugore me 50%”, tha ndër të tjera në postimin e tij në facebook Kryeministri Rama.
Eksperti për sigurinë rrugore, Fatmir Hasho në një intervistë për Porta Vendore tregon se nuk i beson shumë statistikave që bëhen publike për numrin e aksidenteve. Në lidhje me situatën e aksidenteve deri në prill të këtij viti, Hasho tha se nuk mund të krijohet një normë mesatarr, sepse kemi erën përpara dhe shtim të numrin të automjeteve dhe gjasat që numri i aksidenteve të shtohen më shumë. “Shumica e aksidenteve, gati 90% e tyre ndodhin nga pakujdesia e drejtuesve të mjeteve, si shpejtësia, parakalimi gabuar, alkooli, përdorimi i celularit etj. Sigurisht që ka vend për përmirësimin e sigurisë dhe sinjalistikave në rrugë, por aksidente ka ndodhur edhe në rrugë me standard, që do të thotë që problem qëndron të pakujdesia e drejtuesit të mjetit. Ka akse ka janë problematike, si aksi Lezhe-Lac, Hani i Hotit Shkodër, që ndodhin shpesh aksidente”, përfundon eksperti Hasho për Portën Vendore.