Vëzhgim/Analizë

Vlora thith turistë të huaj, vendasit i frikësohen çmimeve të larta

23 gusht 2022/A. Pali/Porta Vendore/Vlorë

Prej shumë vitesh Vlora është bërë popullore për turistë të shumtë, qofshin këta vendas apo të huaj, por çmimet e larta i kanë frenuar disi këtë vit. Porta Vendore kreu një vëzhgim për të kuptuar më shumë mbi problematikat e këtij sezoni turistik për të gjithë aktorët e turizmit.

Vlora me plot shkëlqimin e saj i është rikthyer me ritme të mira sezonit turistik të 2022, pas dy viteve pandemi.

Të ardhur pas një krize të vështirë pandemie dhe jo vetëm, strukturat hoteliere duket se po përshtaten me rikthimin e turistëve vendas dhe të huaj, duke mbushur dalëngadalë kapacitetet.

Megjithatë pavarësisht investime të shumta që kanë ndodhur në Vlorë, të trumbetuara e të diskutuara, sërish duket se as këtë vit Vlora nuk do të mund të kapërcejë kapacitetet prej 50-60% të turistëve.

Çmimet janë një ndër faktorët kryesore që ka një tkurrje të numrit të turistëve por edhe të kohë qëndrimit të tyre.

Zona të ndryshme të Vlorës i manifestojnë problematikat e konstatuara në mënyra të ndryshme.

Ajo për të cilën shumë nga pushuesit shqiptare nuk përshtaten janë çmimet që ndryshojnë nga dita në ditë, gjithsesi në rritje të vazhdueshme.

“Çmimet e çadrave s\po i marrim vesh këtu në Radhimë, rriten çdo ditë. E tillë situatë është kudo mesa kam parë pas tunelit. Gjithsesi deti këtej është shumë ma i pastër”, tha Rajmonda.

Gjiret e vogla të bregdetit jon krijojnë një peizazh fantastik, i shfrytëzuar në mënyrë perfektë nga bizneset të cilat kanë investuar aty.

“Ka turistë të shumtë që vijnë pasi e pëlqejnë shumë gjirin që krijon plazhi këtu tek ne. Përpiqemi që ata të mbesin të kënaqur por jo gjithmonë kjo ndodh. Si pas pandemie që jemi nuk duhet të qahemi, kemi punë por që sigurisht jo ashtu sikurse ka qenë dikur. Mbase rritja e çmimeve ka ndikuar në çdo familje shqiptare”, tha Sonila, pronare e një biznesi të vogël pranë zonës së Ujit të Ftohtë.

Në biznesin që ajo administron vë në dukje, se thuajse të gjithë personat që vijnë janë familjarë dhe përveçse marrin shezlongët, konsumojnë edhe drekën në këtë strukturë të vogël, me pak varietete gjërash.

“E kemi të vështirë të menaxhojmë këtë restorant të vogël, pasi nuk kemi garanci financiare që më pas të rekrutojmë edhe punëtorë të kualifikuar në kohë. Është e vështirë të gjendet punëtorë në këto zona, ndaj ne e përdorim si biznes familjarë, me shumë vështirësi por me çmime të konkurueshme”, tha ajo për Portën Vendore.

Por të shumtë janë ata që vijnë nga jashtë dhe stacionohen disa ditë në Vlorë, për të shijuar më pas gjatë rrugëtimit të tyre bukuritë e jugut shqiptarë.

Ata të mrekulluar e krahasojnë vendin tonë me jugun e Italisë dhe Francës, por ajo që i bie në sy është fakti që këtu në Shqipëri ka çmime më të lira.

“Jam e mrekulluar nga Shqipëria. Është hera e parë që vij, pasi disa miqtë e mi që kanë ardhur vjet ma kishin sugjeruar. Është vërtetë bukur këtu, ushqimi është super dhe njerëzit gjithashtu shumë të mirë dhe ndihmues”, tha një turiste angleze.

Ndërkohë që edhe bizneset tregojnë që ky sezon turistik ka qenë goxha i mbarë.

“Hoteli jonë është në vijën e tretë të Lungomares. Kemi një biznes familjarë që e mbaruam së ndërtuari në kohë pandemie por që vetëm tani kemi filluar të marrim disi frytet e një pune të madhe. Jemi të angazhuar të gjithë me punë të ndryshme, por jemi të kënaqur. Kryesisht na vizitojnë familjarë dhe kemi çmime mjaft konkurruese. Ankesa jonë shkon për Bashkinë Vlorë, ku edhe pse na kanë dhënë shumë premtime në kohë fushate ende se kanë shtruar rrugën në lagjen tonë, çka na penalizon shumë si biznes, se ja ul shumë vlerën hotelit një rrugë e pashtruar. Taksat i paguajmë në bashki por shërbimi i infrastrukturës rrugore dhe mbetjeve nuk na vjen ashtu si në Lungomare, megjithëse nuk jemi shumë larg saj”, tha menaxherja e hotelit për Portën Vendore.

Çmimi i shezlongëve nis nga 500 lekë në zonën e Lungomare për të vijuar me 1 mijë deri 2 mijë lekë, duke u zhvendosur gjatë vijës bregdetare.

Vlora vijon te mbetet një nga destinacionet e preferuara për turistet e huaj. Të vendosur në zonën e plazhit të vjetër ose në Radhimë dhjetëra turistë kanë mbërritur me kampera përmes kufijve tokësorë.

Por as ky sezon turistik nuk e ka rregulluar kaosin e përvitshëm të trafikut në zonën e Vlorës. Nga ana tjetër një problematikë tjetër që bie në sy është mungesa e taksive nëpër të gjithë gjatësinë e Lungomares, pasi mungojnë vendqëndrimet. Taksistët thonë se pavarësisht se i kanë dërguar një sërë variantesh bashkish sërish nuk kanë gjetur një mirëkuptim në këtë drejtim, duke bërë që turistët të ecin me minuta të tëra derisa të gjejnë një taksi në lëvizje bosh, pasi përgjatë kësaj zone nuk lejohej qëndrimi.

Turistët në Vlorë këtë vit kanë ardhur nga Italia, Gjermania, Belgjika, Polonia apo edhe Çekia. Nëpërmjet ofertave turistike të jahteve, skafeve apo edhe anijeve ata vizitojnë gjire të ndryshme dhe destinacione tejet të veçanta.

Destinacioni më i preferuar është Gadishulli i Karaburunit dhe në vendin e dytë, ishulli i Sazanit. Të dy përshkohen me anijet që nisen nga Porti i Vlorës. Ky bum në këtë lloj destinacioni ka nisur prej disa vitesh .