Ngjarje/Personazhe

Bashkitë e dorëzuara në luftën me flakët, kërkojnë ndihmën e pushtetit qendror

Gusht 2022/Marinela Dushi/Porta Vendore

Temperaturat e larta në vend kanë përfshirë të gjithë vendin në flakë, duke u ndezur dhjetra vatra zjarri. Sipas bilancit ditor nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile, vend raportohen të paktën mbi 20 vatra zjarri aktive, nga veriu në jug. Mbi 300 efektivë zjarrfikës janë angazhuar në terren dhe po punojnë për shuarjen e zjarreve. Por normalizimi i flakëve dhe shuarja e vatrës së zjarrit po zgjat prej disa ditëve, e shpesh herë banesat rreth zonës janë rrezikuar të digjen. Kjo për shkak të vështirësisë që forcat zjarrfikëse kanë patur gjatë ndërhyrjes si pasojë e terrenit të vështirë, të thepisur, kodrinor dhe malor. E teksa një vatër zjarri do për tu shuar zgjat disa ditë, dhjetëra hektarë pyje, pemë frutore apo me ullinj, janë djegur duke shkaktuar humbje kolosale për fermerët dhe mjedisin. Por zëri i pushteti vendor në të tilla raste duket se është i mekur, dhe nuk ka bërë kërkesë publikisht për ndihmë nga ajri.

Situata e zjarrit në ishullin e Sazanit nxori zbuluar qeverinë se nuk kishte kapacitete për të ndërhyrë nga ajri. Zjarri zgjati për disa ditë dhe qeveria u mundua t’ia linte përgjegjësinë ekspertëve për të vlerësuar nëse ishte e nevojshme ndërhyrja nga ajri në ishullin Sazan. Kjo lojë, siç duket për të fshehur faktin se Ministria e Mbrojtjes nuk kishte helikopter duke dështuar në garantimin e emergjencës civile.

Në shkrimin investigues të publikuar në 31 maj, BIRN siguroi dokumente ekskluzive dhe intervistat me pilotë dhe ish-ushtarakë që tregojnë se të paktën prej vitit 2018, Ministria e Mbrojtjes ka dështuar që të garantojë mirëmbajtjen periodike të helikopterëve “Cougar”, duke cënuar sigurinë e pilotëve dhe efikasitetin e forcave ajrore shqiptare.

Pas 90 ditësh, ministria e mbrojtjes vuri në punë një helikopter për shuarjen e flakëve. Në mesin e muajit korrik, një helikopter u erdhi në ndihme forcave zjarrfikëse të cilët që prej fillimisht të qershorit po përballen me flakët e zjarrit. Disa prej vatrave problematike që janë regjistruar në vend përveç Sazanit, janë ato në Orosh të Mirditës, fshatin Halil, në zonën e mbrojtur Zgërdhesh, Bashkia Krujë, në fshatin Shetaj, Bashkia Durrës etj. Pavarësisht se pyjet e Shqipërisë po digjen, qeveria duket se ka në dispozicion vetëm një helikopter, çka do të thotë se dhjetëra vatra zjarri në zonat malore në të cilët makina zjarrfikëse e ka të pamundur të ndërhyrë për shkak të terrenit, do të vijojnë të jenë aktive dhe pyjet do të digjen deri sa tu vijë radha e ndihmës nga ajri.

Bashkitë pa pajisje dhe staf për ti bërë ballë zjarreve

Porta Vendore u dërgoi kërkesë për informim bashkisë Korçë, Gjirokastër, Klos, Dibër, Fier, Kukës, Selenicë, të cilat çdo vit përballen me luftën e zjarreve. Të gjitha u shprehën se e kanë të nevojshme ndihmë nga pushteti qendror në luftën më flakët gjatë verës. Bashkitë pranojnë nevojën për ndërhyrje nga ajri në zonat malorë për shuarjen e flakëve. Përveç ndihmës së helikopterit, bashkitë kërkojnë automjete zjarrfikëse më të vogla të cilat mund të hyjnë në shtigje të ngushta. Gjithashtu bashkitë pranojnë se kanë nevojë për kualifikim dhe trajnim të personelit, sidomos të zjarrfikësve për të ndërhyrë në mënyrë sa më efikase dhe të shpejtë për fikjen e vatrave të zjarrit.

Shërbimi Zjarrfikës Dibër pranon së bashkia nuk i ka ndihmuar me fonde për blerjen e pajisjen të cilat janë të amortizuar. Për pasojë, edhe mbërritja në vendngjarje më këto mjete, sipas Zjarrfikëses së Dibrës, është e vonuar.

Nga pikëpamja financiare, me qëllim kompletimin me mjete e pajisje speciale, për shërbimin zjarrfikës, që me kalimin e Shërbimit të MZSH pranë bashkisë në vitin 2016, nuk na është dhënë asnjë fond. Të gjitha nevojat e këtij shërbimi janë përballuar nga fondi i deleguar nga shteti për MZSH. Duke parë nga sa më sipër, situata e mjeteve në Bashkinë Dibër është shumë e dobët dhe defektet që japin në çdo kohë si rezultat i amortizimit të tyre janë të pa përballueshme nga ana jonë, si rezultat i buxhetit të dobët. Siç shpjeguam edhe më lart, mungesa e mjetit zjarrfikës të kalueshmërisë së lartë, dhe mjetit për të dërguar forcat në vendngjarje sjellin probleme dhe vonesa në ndërhyrjen në kohë të shuarjes së zjarrit në sipërfaqe të mëdha. Nga pushteti vendor kërkohet një mbështetje me e madhe në buxhetin e shërbimit te MZSH, me qëllim kompletimin me mjete e pajisje speciale të ndërhyrjes. Po kështu kërkohet një shtesë në strukturën e stacionit zjarrfikës pasi numri i pakët i zjarrfikësve nuk mund tu përgjigjet situatave të zjarrit, sidomos në stinën e Verë”, thuhet në përgjigjen e Bashkisë Dibër.

Edhe bashkitë Korçë dhe Kukës kërkojnë më shumë mbështetje nga qeveria dhe ministria e brendshme.

Bashkia Korçë pranon se ka nevojë për ndihmë të vazhdueshme nga pushteti qendror për të shtuar mjetet “e vogla” që të mund të qarkullojnë në rrugët ku mjetet e mëdha kanë vështirësi, si edhe për kualifikimin e personelit.

Bashkia Kukës pranon për Portën Vendore se nuk ka kurrfarë kapaciteti minimal në luftën ndaj zjarreve, duke kërkuar ndihmë nga ajri për shkak të terrenit malor. “Shërbimi zjarrfikës i bashkisë, për shkak të terrenit malor dhe tepër malor ka nevojë për ndihmë dhe mbështetje si nga pushteti qendror dhe nga ministria përkatëse. Automjet për lëvizjen e forcave e pajisje për terren të vështira malore, (4×4). Duhet edhe për shkak te terrenit, në raste të veçanta të ndihmohemi me ndërhyrje nga ajri”, thotë në përgjigjen e saj zyrtare ky institucion, i pyetur për kushtet e emergjencave civile në situata të tilla.

Por edhe bashkitë më të vogla vuajnë pasojat e të nxehtit, pasi tradita e viteve të shkuara ka treguar se vatrat e zjarrit janë të shpeshta edhe në këto zona.

Bashkia Klos pranon për Porta Vendore se mjetet e forcave zjarrfikëse për të shuar zjarret, nuk janë të mjaftueshme.

Ndërkohë që Bashkia Klos disponon një automjet zjarrfikës, pompa uji shpine, kostume pune, vegla të thjeshta pune si lopata, kazma etj, që shërbejnë për të neutralizuar zjarret në terrenet malore. “Ju informojmë se nuk jemi më në kohët kur zjarri fikej me metoda rrethanore, pavarësisht mjeteve të cilat nuk janë të shumta por janë të mjaftueshme për të bërë të mundur neutralizimin e zjarreve në ditët e sotme. Njësitë vendore i kanë buxhetet e përcaktuara dhe të limituara, sakaq mbetet gjithmonë nevoja për ndërhyrje nga pushteti qendror dhe ministritë e linjës për të përmirësuar infrastrukturën dhe kushtet për ekipin zjarrfikës të bashkive. Për shkak të terrenit kryesisht malor-kodrinor të Bashkisë Klos, mbetet si nevojë sigurimi i një automjeti tip foristradë për në zonat e thella aty ku nuk është e mundur kalimi i zjarrfikëses”, bën me dije ky institucion.

Edhe Bashkia Krujë pranon nevojën e ndihmës së ministrisë së linjës dhe ndërhyrjen nga ajri për shuarjen e vatrave të zjarrit. Gjithashtu kërkon ngritjen e një stacioni te ri zjarrfikës në qytetin e Fushe Krujës.

“Bashkëveprimi me pushtetin qendror si në nivel prefekture, por edhe ne nivel qendror nuk ka munguar me të gjitha strukturat. Por ka nevojë për mbështetje nga ministria e linjës apo pushtet qendror në tërësi për të rritur kapacitetet e për të përballuar emergjencat civile ne gjithë tërësinë e tyre. Specifikisht ndërhyrja nga ajri është e domosdoshme në zjarre në terrene të thyera malore ku mjetet zjarrfikëse e kanë të vështirë të ndërhyjnë, po ashtu edhe ngritja e një stacioni te ri zjarrfikës në qytetin e Fushë- Krujës”, tha për Portën Vendore Bashkia Krujë.

Me sytë nga pushteti qendror është edhe Bashkia Selenicë, e cila shprehet se ka shumë nevojë për mbështetje në mjete dhe staf gjithashtu.

Kapacitetet në pajisje të zjarrëfikëseve në nivele minimale

Bashkia Korçë shprehet për Portën Vendore se për tu përballur me zjarret ne zonat pyjore ka shtuar mjetet zjarrfikëse si dhe ka hapur më shumë rrugë kalimi për të lehtësuar lëvizjen e makinave në zonat pyjore. Bashkia Korçë disponon 8 automjete zjarrfikëse prej të cilave 4 automjete zjarrfikëse janë marrë në fillim të vitit 2022, si edhe një shkallë lëvizëse për ndërhyrje në hapësira të larta. Nëse përsëritet e njëjta situatë me zjarret si vitin e kaluar, bashkia bën me dije se i ka mundësitë dhe aftësitë për të neutralizuar problematikat në kohë.

Ndërsa Bashkia Kukës bën me dije se në gjithë territorin që mbulon ndodhen dy stacione zjarrfikëse, një i instaluar në tunelin Thirr-Kalimash dhe një në qendër të qytetit. Çdo stacion ka inventarin e saj nga një automjet zjarrfikës me kapacitet secila me nga 400 l ujë. Ka në inventar gjithashtu dhe 14 pompa shpine me kapacitet 20 l ujë secila, lopata, kazma.

Krahasuar me një vit më parë, nga 1 automjet zjarrfikës sot Reparti Zjarrfikës Kruje posedon 3 automjete të tilla, bën me dije gjithashtu në përgjigje të kërkesës për informacion.

“Në raste kur zjarret janë të përmasave të mëdha në varësi të lokacionit të vatrës, zjarrfikësja e Krujës mbështetet edhe me mjete personale nga bashkitë fqinje si Kamza, Laçi Durrësi dhe reparti zjarrfikës i Aeroportit të Rinasit. I gjithë personeli i Krujës gjatë këtij viti është pajisur me uniforma të reja të cilësisë së lartë me mbështetjen e qeverisë Ceke dhe po ashtu me donacion nga Ambasada Franceze dhe sektori i emergjencave civile janë pajisur me veshje , materiale logjistike për personalin dhe mjete pune për shuarje e zjarreve në terren dhe kushte të ndryshme, mjete siç janë pompa me ujë dhe pajisje ndihmese”, tha në përgjigjen e saj ky institucion vendor.

Bashkia Selenicë bën me dije se këtë vit, pra në 2022 ka më shumë mjete duke filluar qe nga fikset e dorës të të gjitha përmasave, kundragas, gjenerator, motosharre, troko me bateri, tubo uji me gjatësi 200 ml, të cilat vitin e kaluar nuk i kishin.

Ndërsa Drejtoria e shërbimit të MZSH, Bashkia Dibër ka në dispozicion dy mjete zjarrfikëse, tejet të amortizuara. Kjo bashki sikurse bën me dije disponon një mjet Volvo, zjarrfikëse dhuruar në vitin 2002 nga fondacioni Danida i Danimarkës, ( vitit të prodhimit 1979), i cili është i përshtatshëm vetëm për ndërhyrje në zona urbane e jo në terren malor, pyje e kullota. Mjetin Kamion Iveko, i përshtatur për zjarrfikëse, (i vitit të prodhimit 1993), i cili është shumë i amortizuar e si rezultat i tonazhit të rëndë që disponon, është shumë i ngadaltë në lëvizje, e nuk i përgjigjet në kohë ndërhyrjes së shpejtë.
Si dhe disponon edhe një mjet Foristradë, mjet shpëtimi i pajisur me të gjitha pajisjet për shpëtim dhuruar nga Kosova.

Ekspertët ngrenë alarmin për më shumë vëmendje në sektorin e emergjencave civile

Autoritetet ndërkombëtare kanë disa kohë që kanë dhënë alarmin për temperaturat e nxehta, dhe masat që duhet të marrë secili shtet përfshirë këtu edhe vendin tonë në rritjen e kapaciteteve për përballimin e situatave të zjarreve.
Ish drejtuesi i Emergjencave Civile Shemsi Prençi, vë në dukje se situata duhet të trajtohet me seriozitet dhe transparencë dhe jo të ketë kakofoni e moskordinim shifrash për vatrat e zjarrit.

“Ajo që bie në sy është raportimi në kohë reale për publikimin e vatrave të zjarrit sipas edhe rrezikshmërisë që ato kanë. Ka mjaft vatra zjarri në përmasa të mëdha ditëve të fundit, për shkak edhe të ndihmës që ka dhënë era. Menaxhimi është për të ardhur keq. Vatra zjarri ka në Kep të Rodonit ku po shtohen zërat që nuk fiket zjarri që të digjen toka për ti hapur rrugë rezidencave më pas”, tha ai për Portën Vendore.

Ndërsa sa i përket kapaciteteve dhe se çfarë duhet të kenë parasysh emergjencat civile në këto kushte ai tha se gatishmëria duhet të jetë reale.

 “Zjarri nëse do të kapet menjëherë dhe të ndërhyhet atëherë mund të fiket dhe të neutralizohet nga një grup zjarrfikësish, por nëse zjarri lihet 4-5 ditë atëherë edhe strukturat e NATO-s të kemi ne se fikim dot. Duhet monitorim i këtyre zonave dhe normalisht kërkon gatishmëri të plotë teknike dhe njerëzore, dhe jo ushtarë me kazma dhe lopata për të fikur zjarret, sidomos në vitin 2022”, tha Prençi.