Ngjarje/Personazhe

Qëndistarja që bashkoi dhe promovon artizanët e Beratit

20 gusht  2022/ Erjola Azizolli/ Porta Vendore/ Berat

Tradita e krijimit të produkteve shtëpiake dhe atyre të punës fillimisht si nevojë dhe më pas si dëshirë për tu trashëguar është e lashtë sa vetë qyteti në Beratin e një mbi një dritareve.

Krijimet e zejtarëve, atyre grave dhe burrave duarartë të këtij qyteti, në zeje dhe zanate, janë sot pjesë e ofertës turistike që ofrohen për vizitorët, të cilët po rikthehen pas dy viteve të vështirë si pasojë e pandemisë së COVID-19.

E ndërsa, çdo kush largohet nga ky qytet me një suvenir simbolik jo të gjithë e dinë se sa punë, përkushtim e pasion fshihet pas krijimeve të artizanëve, të cilët ja kanë dalë të jenë sot konkurrues në treg, falë përkushtimit dhe dashurisë për mjeshtërinë e krijimit me dorë.

Në zemër të lagjes simbolike “Mangalem”, Adelina Theodhori, në prag të 60-tave, banore e kësaj lagje, çdo moment të lirë e kalon me pasionin e saj të qëndisjes. Ajo shfrytëzon çdo kohë të mundshme për tu futur në botën e ngjyrave e formave, për ti dhënë jetë krijimit me anë të qëndisjes së çdo cope që mund ti zë syri, për ta kthyer në jastëk, çentro e çdo gjë tjetër që nevojitet për përdorim apo zbukurim.  

Theodhori, e vlerësuar me titullin “Mjeshtër” nga Dhoma Kombëtare e Zejtarisë, prej disa vitesh nuk është më vetëm një qëndistare në lagjen muzeale, por një organizatore e shkëlqyer që ja ka dalë mbanë të bëjë bashkë artizanët e Beratit, që sot njihen kudo në vend, kjo pë r shkak se janë më të organizuar, punojnë më shumë për të përfituar të ardhura për familjet, promovojnë më lehtë dhe janë shndërruar në ambasadorë të qytetit, kudo në botë.

E ndërsa pushteti vendor prej vitesh e shikon turizmin si strategji zhvillimi, për artizanët e palodhur të qytetit, institucioni kujtohet vetëm kur ndonjë delegacion viziton qytetin, apo kur duhet pjesëmarrja në ndonjë panair. Në përpjekje për të promovuar veten e më pas edhe qytetin ku jetojnë dhe krijojnë, sot artizanët e Beratit, ndihen krenar që janë pjesë e Qendrës “Margarita”. Zhvillimin e pë rmirë simin e tyre në fushën që kanë zgjedhur e shohin më shumë të lidhur me punën e pë rditshme se sa me shpresën se institucioni vendor do të bëjë diçka për ta. Në sajë të organizimit, tanimë disa vjeçar, artizanët sot njihen kudo, vlerësohen për çfarë bëjnë dhe ofrojnë në treg dhe pse sfidat nuk u mungojnë.

 “Nisma jonë ‘Tradita në qytetin tim’ lindi si domosdoshmëri e kohës.

Gjatë periudhës së tranzicionit artizanët ishin kategori e lënë pa kujdes, kurse qyteti po merrte drejtim turistik” thotë Adelina Theodhori për Porta Vendore.

 “Margarita” që i dedikohet heroinës së luftës Margarita Tutulani, vajzës beratase, e cila ushtronte qëndisjen dhe donte të bukurën, qendra e artizanit, ja ka dalë të jetë përfaqësuese kudo nëpër Shqipëri, por hapat që ka hedhur për të mbërritur deri këtu nuk kanë qenë të lehtë.“Një punë me produktivitet. Dëshirë e mirë për të bërë diçka për artizanët pasi, produktet e tyre krijonin të ardhura bazë për familjet e tyre, mbanin gjallë zejet dhe zanatet në qytet, trashëgonin vlera” kështu i kujton Theodhori hapat e parë.  

Berati traditën e tij e ka të lidhur me gurin dhe drurin si dy elementë të rëndësishëm në banesa e objekte kulti, mjeshtëri këto nga më të lashtat, për të vijuar më pas dhe me zejet, ndaj dhe mund të thuhet pa frikë se artizanati ka po aq vlera sa dhe qyteti.

Në Berat sot kemi rreth 50 zeje, por në qendrën “Margarita” kemi përfshirë disa kategori: gurgdhendës , bakërpunues, argjendar, drugdhendës, qëndistare, punimin e thuprës, farkëtare, punim balte, etj”, thotë Theodhori.  

E ndërsa, të gjithë sot janë bashkë dhe promovimin e kanë më të lehtë, secili prej artizanëve ka një histori familjare më vete me mjeshtërinë, e cila është kthyer në pasion. E tillë ka qenë dhe për Adelinën, vlerësuar në vitin 2017 nga presidenti i kohës me titullin “Për merita të veçanta civile”.  

Pas shpërbërjes së ndërmarrjeve artistike ishte shumë e vështirë të gjeje veten. Unë vija nga një fushë tjetër, pasi kisha studiuar për veterinari. Puna e dorës e kishte zanafillën në familje nga gjyshja dhe nëna. Babai im kishte punuar në muze. Në familjen e bashkëshortit gjeta një vjehrrë qëndistare. Duke qenë se kisha humbur punën me ndryshimin e sistemeve mendova që pse jo pasionin ta ktheja në profesion dhe të ndihmoja kategorinë ku bëja pjesë dhe vet”, kujton sot Adelina.  

Fillimi padyshim që nuk ka qenë i lehtë, por faktet tregojnë se kur punohet fortë dhe me pasion, rezultatet nuk mungojnë.

Ne organizuam takime në çdo lagje te qytetit, fillimisht për të evidentuar artizanët e vjetër dhe të rinj që kishin dëshirë të grupoheshin. Nisma filloi nga lagjja ‘Mangalem’, e cila njihet si epiqendra e artizanatit në Berat”, thotë Theodhori.  Me dëshirën për tu bashkuar dhe me shpresën se kjo nismë do ta bënte më të lehtë rrugën e promovimit dhe shitjes, Adelina kujton se në fillim nuk ka munguar dhe skepticizmi.

Artizanët e moshës 40-50 vjeçare e kishin të vështirë dhe ishin mosbesues pasi prej vitesh nuk kishin parë të merrej njëri me ta, por ne na mbështetën artizanët më të vjetër të moshës 60, 70 deri dhe 80 vjeçar. Ata që kishin një jetë që punonin dhe vazhdonin akoma të punonin. Kjo na dha zemër për të vijuar rrugën tonë”, thotë Adelina.

Qendra “Margarita” është sot një simbol i artizanit, ka historikun e saj të suksesit, është e vlerësuar në nivelet më të larta në fushën e saj dhe synon të vazhdojnë rrugëtimin e nisur.

Por, ndonëse kanë përfaqësuar qytetin në çdo panair kombëtar dhe ndërkombëtar, ndonëse janë një vlerë e shtuar e qytetit, jo gjithmonë kanë pasur vëmendjen e institucionit vendor, i cili fillimisht i ka mbështetur, ndërsa më pas as seli nuk u ka siguruar.

Në vitin 2015 morëm përkrahjen e parë nga Bashkia Berat. Ishte bashkia që na mundësoi një hapësirë në pallatin e kulturës, të cilën e përdornim si ekspozitë për produktet, jo për shitjet. Ishte një pikë takimi për artizanët para organizimit të panaireve, zhvillonim dhe trajnimet që na janë ofruar nga bashkëpunimet tona”, kujton Theodhori. 

Adelina kujton se si artizanët humbën atë se çfarë kishin fituar me mund prej shumë vitesh pune dhe përkushtim, që nga selia e tyre dhe deri tek shtëpizat prej druri të shitjes.   

Shtëpizat prej druri u larguan nga pedonalja nga ana e bashkisë. Ne si qendër nuk u vumë në dijeni edhe pse kishim investuar një shumë të konsiderueshme për to. Ne prisnim të shtoheshin dhe të vendoseshin ku të ishte më e mira për qytetin. Ato qëndronin në pedonale, pasi ishin afër qendrës mesjetare dhe në shëtitore, aty ku shëtit turisti vendas apo i huaj dhe ecin qytetarët e përditshëm. Na njoftuam se duhet të lironim dhe selinë tonë tek pallati i kulturës. E liruam dhe shumë shpejtë siguruam një qendër të re”, thotë Adelina. 

Por, ajo vazhdon punën për të çuar përpara mision e saj në mbështetje të artizanëve dhe krijimeve unike të tyre.

E vështirë për artizanët veçanërisht ka qenë dhe situata e pazakontë e krijuar nga COVID-19. Gjatë kësaj periudhe qendra merr një tjetër hap, duke shtrirë vëmendjen në turizmin në natyrë.

 “Periudha e pandemisë ishte e vështirë për të gjithë artizanët. Me izolimin i mbeti vetëm të prodhonin dhe të prisnin të tregtonin në një kohë te favorshme , që për fat të mirë nuk vonoi”, tha ajo pë r Portë n Vendore.

E ndërsa, turistët janë rikthyer në qytet, pas izolimit si pasojë e pandemisë, artizanët mbajnë kontaktet mes tyre dhe janë përqendruar në aktivitetin e përditshmen me shpresën se ky vit do të jetë i suksesshëm, për sa i përket shitjeve.

Por, ndonëse janë pjesë e aktiviteteve kombëtare, për fat të keq në qytet artizanët kërkohen që të jenë pjesë e aktiviteteve që bashkia organizon si individë e jo si qendër.

Për momentin ne jemi pjesëmarrës në panairet kombëtare, të ftuar nga Ministria e Kulturës, por dhe bashki të tjera, por jo në aktivitetet që zhvillohen në qytet. Në qytet bashkia mjaftohet me thirrjen e dy apo tre artizanëve të qendrës, por nuk ka një bashkëpunim mes palësh edhe pse na u premtua shumë”, thotë ajo.

 Me objektiva që nuk u mungojnë, artizanët i kanë sytë tek sezoni i këtij viti dhe puna që u mban gjallë pasionin për krijimet që nxjerrin nga duart e tyre të arta.

Projektet tona janë të kufizuara dhe të diktuara nga kushtet, në të cilat ndodhemi. Gjithçka që kemi arritur ja dedikojmë mbështetjes së fortë mes artizanëve , bashkëpunimit korrekt me nesh.”, përfundon Adelina Theodhori, qëndistarja që bashkoi dhe promovon artizanët e qytetit muze.