Ngjarje/Personazhe

Thethi madhështor nën kthetrat e infrastrukturës së pazhvilluar, e ndërtimit të rrugës që bëhet në sezon turistik!

14 gusht 2022/ Erind Koçi/ Porta Vendore/ Theth

Turizmi malor, mbetet më pak i eksploruari në Shqipëri, jo vetëm për shkak se fokusi më i madh është përqendruar tek vija bregdetare, por edhe si pasojë e infrastrukturës që shpesh herë mungon. Thethi konsiderohet si një nga pikat më të forta turistike malore të Shqipërisë, që shtrihet mes Alpeve e që natyra i ka falur gjithçka. Për shkak të natyrës së pafundme e ndërthurur me male, kodra e fusha por edhe prej kulturës e historisë që mbart, Thethi tanimë është në broshurat e çdo agjencie turistike, jo vetëm për guida në fundjavë por edhe për udhëtime të gjata.

Rruga për të shkuar në kryeqendrën e turizmit malor është e gjatë, por edhe e mundimshme. Janë 167 kilometra që duhet të përshkosh për të mbërritur në destinacion. Dëshira për të vizituar Thethin, ndoshta për herë të parë ti bën më të lehta kilometrat, pasi pamja që të serviret sapo afroheshe ishte magjepsëse, ku e gjithë vëmendja të rrëmbehej nga gjelbërimi dhe relievi i shumëllojshëm.

Pavarësisht se Thethi është i reklamuar kudo, dhe ka vende të veçanta për të eksploruar, infrastruktura nuk është në favor të pushuesve. Duke lënë pas rrugën gjarpërushe nga Boga-Qafë Thore, dhe duke zbritur poshtë në zemër të Thethit, rrugët nuk i ngjajnë aspak infrastrukturës që duhet të ketë një destinacioni turistik. Pasi për të zbritur në fshatin piktoresk të Thethit, rruga është e pa asfaltuar.

E megjithatë interesi për këtë vend është i madh, këtë e dëshmojnë edhe operatorët turistik. Por Thethi nuk aksesorët vetëm me Guida të organizuara nga Agjencitë turistike, por edhe me udhëtime private të organizuara në grupe dhe jo vetëm.

60 deri në 65 euro për person është kostoja mesatare që ofrohet nga agjencitë për guidat e tyre, ku përfshihet transporti, akomodimi dhe shpesh mëngjesi e darka, ndërsa rrugës të shoqëron shpjegimi i guidierit që të drejton në pikat turistike të Thethit, si dhe të flet pak më shumë për historinë kulturën e traditat e zonës. Gudiat janë ideale kur planifikon të pushosh kryesisht në fundjavë 1 ose 2 ditë, dhe shpesh janë zgjidhja perfekte për të njohur më shpejt vende që nuk i ke vizituar më parë.

Ne zgjodhëm udhëtimin privat pasi e vlerësuar si alternativa më komode ku ndalesat për të shijuar çdo vend nuk janë aq të limituara sa më Guida, dhe udhëtimi mund të jetë më pak i lodhshëm. Nëse zgjedh të vizitosh privatisht Thethin fillimisht duhet të rezervosh në një nga bujtinat apo strukturat akomoduese të zonës, çmimet e të cilave varjojnë nga 30 deri në 70 euro nata, ku përfshihet edhe mëngjesi. Po ashtu duhet të marrësh në konsideratë edhe koston e karburantit, e cila luhatet në varësi të mjetit që ke si dhe duhet të paguash një mjet transporti të lartë kur mbërrin në fshatin e Thethit që të lëvizesh në rrugët e pa asfaltuara.

Por ka edhe të pasionuar pas turizmit malor që zgjedhin të udhëtojnë me ndalesa duke përdorur pse jo dhe transportin publik e më pas të akomodohen në çadra kampingu (që mund ti kenë të tyre ose mund ti gjejnë në Theth). Vitet e fundit një tjetër alternativë për të pushuar në këtë destinacioni janë edhe rulotat private.

“Thethi është gjithmonë i magjishëm. Nuk ka rëndësi sa herë kthehesh, gjithmonë do të duket më i bukur se herën e fundit që e ke vizituar. Pasuritë natyrore të kësaj zone janë të lidhura së bashku edhe me trashëgiminë kulturore dhe historike të banorëve vendas, duke formuar kështu, bazat më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit. Thethi është i vizitueshëm në katër stinët, ku në pranverë dhe verë për gjelbërimin e rrallë, në dimër për bardhësinë e dëborës dhe për lojërat aventureske me të, ndërsa vjeshta për ngjyrat mahnitëse dhe begatinë në frutikulturë”, thotë Jeta Hoxha operatore turistike.

Shtëpizat e drurit në Theth

Vetëm në 4 muajit e parë të këtij viti Thethi është vizituar nga mbi 15 mijë të huaj, shifra që janë në rritje në raport me vitin e kaluar. Për të pritur pushuesit, në Theth janë ngritur hotele dhe bujtina që presin dhe strehojnë vizitorë shqiptar e të huaj, madje ofrojnë edhe ushqime tradicionale të zonës.

Eksplorimi i Thethit, nëpër rrugët me gropa!

Pasi arrin në fund të rrugës së asfaltuar në Theth, përballë të shfaqen rrugët e fshatit. Pikat kryesore që kërkon ti vizitoj çdo pushues që shkon atje janë Kisha, Kulla e Ngujimit, Ujëvara e Grunasit, vaskat e Thethit dhe padyshim Syri i Kaltër i Thethit. Por për të shkuar në secilin prej këtyre destinacioneve, rekomandimi i parë që ju jepet turistëve është, “Lini makinën tuaj, merrni një mjet të lartë për vend malorë, rruga është e dëmtuar”.

Fshati i Thethit

Mundimi për pushuesit nis sapo merr drejtimin për të shkuar tek Kisha e Thethit, që ndodhet në zemër të fshatit. Për të mbërritur aty, duhen rreth 15 minuta me makinë, por udhëtimi mes fshatit, do shoqërohet me tronditje të vazhdueshme për shkak të gropave të panumërta e mungesës së investimeve në përmirësimin e infrastrukturës së brendshme, pavarësisht se fshati i Thethit është pikë kyçe për turizmin në këtë zonë.

Thethi është i preferuar kryesisht nga shtetasit polak, gjerman, francez dhe kosovarët, dhe gjatë gjithë udhëtimit përballesh me emocione të ndryshme të tyre, që përpos lodhjes fjalët me të cilat përshkruajnë eksperiencën janë nga më të ndryshmet.

“Nga Polonia, Çekia, Rumania, Italia, Holanda, Franca, Gjermania. Paketat e Thethit përfshijnë akomodimin ne bujtinat vendase, mëngjesin, drekën, darkën, nëse janë grup ofrohet dhe transporti. Çmimet variojnë të jenë aty-aty me vitin e kaluar”, thotë Hoxha.

Nga kisha pika tjetër më e afërt është Kulla e Ngujimit, që ndodhet 5-7 min larg nga Kisha. Çdo turist paguan 150 lekë për të hyrë në kullën, në të cilën strehoheshin ata që ishin në gjak. Turistët priten nga Sokol Koçeku ciceroni që mundohet të japë informacion mbi Kanunin e Lekë Dukagjinit, brenda mureve të rënda të Kullës së Ngujimit. 

Sokoli është pasardhës i familjes Koçeku, e që ka trashëguar edhe ndërtesën unike, të ashtuquajturën “Kullë Ngujimi”, mbi të cilën nuk është bërë asnjë investim, por kjo më tepër për të ruajtur autenticitetin e saj. Rëndësia e kullës është e papërshkueshme sepse brenda ndërtesës trekatëshe jetojnë historitë e pajtimit të gjaqeve ndër shekujve, që Sokoli thotë janë 300 raste pajtimi. Edhe pse të gjithë e njohin si Kullë Ngujimi, në fakt misioni i saj ishte pajtimi. 

I veshur me veshje tradicionale të zonës, Sokoli për çdo ditë tregon disa nga mënyrat se si pleqtë e fshatit, organizonin seancat e pajtimit të gjaqeve.

Duke improvizuar skenat e atëhershme, ku pleqtë e pajtimit përdornin djepin për pajtimin e familjeve Sokoli, përpara turistëve nxjerr djepin.

Pasi marrin pak informacion mbi funksionimin e Kanunit të Lekë Dukagjinit, dhe mbi historinë e kullës shekullore, pushuesit i drejtohen rrugës së vështirë për të mbërritur tek ‘Ujëvara e Grunasit’, që në varësi të shpejtësisë së ecjes të merr deri në 40-50 minuta.

Ujëvara e Thethit

Rruga që të çon tek ujëvara është e vështirë, dhe 95% e saj është në ngjitje të malit, dhe mungesa e sinjalistikës orientuese, shpesh të ngatërron shtigjet se cilin drejtim duhet të marrësh. Të huajit ishin kryesisht ata që pyesnin se cilën rrugë apo shteg duhet të kalonin, mes pyjeve të pafundme.

Nga Kulla e Ngujimit deri sa të mbërrish tek ujëvara ke vetëm një lokal, ku mund të ndalosh për pak momente pushim.

Të zotët e lokalit thonë se vijnë vetëm në verë. “Vijmë pas dimrit këtu, sepse jetojmë në Shkodër. Në dimër nuk arrihet deri këtu sepse bllokohet nga bora”, thonë dy zonja të një lokali të ngritur matanë fshatit të Thethit, teksa merr rrugën për të shkuar në ujëvarën madhështore.

Pasi mbaron vizitën tek ujëvara, sfida tjetër është të eksplorosh Syrin e Kaltër të Thethit, ku distanca është më e largët, ndërsa rruga është edhe më e vështirë.

Rruga për tek syri i Kaltër

Historia përsëritet, rrugët ndërtohen në sezon turistik!

Pasi zbret në fshat pas vizitës tek Ujëvara, duhet të flasësh me banorët e zonës aty ose pronarët e bujtinave, për të gjetur një mjet transporti të lartë, që në shumicën e rasteve janë furgona, me të cilët duhet të kalosh segmentin rrugor Theth-Ndërlysaj.

Udhëtimi me furgon

Pagesa për transportin me furgon është mesatarisht 500 lekë për person. Por rruga që përshkon nuk është e lehtë, pasi ky segment është në ndërtim e sipër, ku përveç gropave, dhe rrugës së ngushtë, ka raste kur duhet të presësh deri në 20-30 minuta për të kaluar pasi segmenti bllokohet nga fadromat e kamionët që po punojnë.

Udhëtimi me furgon
Rruga e Thethit

Punimet në segment rrugor  sipas tabelës së investimit kanë nisur në nëntor të vitit 2021 dhe do të përfundojnë në nëntor 2022, duke dëmtuar të paktën 2 sezone turistike, dimër-pranverë 2022 dhe verë-vjeshtë 2022. Vlera e investimit që po kryhet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit është 274.3 milionë lekë.

“Kjo ndikon në turizëm, pasi nuk iu jep siguri të huajve që të kthehen sërish për ta vizituar, pasi çdo gjë që është e thjeshte për tu vizituar me makine turistët janë të detyruar që të bëjnë ecje të gjata në këmbë ose makina të larta. Thethi është i bukur por duhet të rregullojnë rrugën”, thotë Jeta Hoxha operatore turistike.

Por ashtu siç ndodh zakonisht në vend, ndryshe nga sa duhet punimet bëhen kryesisht në sezon turistik, duke dëmtuar jo vetëm imazhin e destinacionet por duke ‘zhgënjyer’ edhe turistët.

Tabela e FSHZH.

“Turistët shpesh na janë ankuar pasi çdo gjë është humbje kohe për turistet pasi nuk kanë mundësi që ta vizitojnë tamam, pasi lodhen dhe nga ana tjetër nuk përdorin as mjetet e tyre të transportit”, thotë Jetmira Hoxha përfaqësuese e një agjencie turistike.

“Po ka turistë, por tremben dhe nga rruga, na ankohen”, thotë nën zë një tjetër pronar bujtine kur e pyet nëse mund të na ndihmoj me kontaktin e ndonjë shofer furgoni.

Por rruga edhe me makina më mëdha përfundon tek vaskat e krijuara nga lumi rrugës për tek Syri i Kaltër, nga aty udhëtimi vazhdon në këmbë duke ngjitur malin për 90-100 minuta.

Por pavarësisht rrugës së vështirë, dhe mungesës së vëmendjes së mjaftueshme nga institucionet ndaj këtij destinacioni, turistë të shumtë zgjedhin ta çojnë deri në fund udhëtimin e tyre.

Syri i Kaltër

Grupmosha të ndryshme, madje dhe fëmijë sfidojnë shtigjet e rrugën tatëpjetë malit dhe arrijnë në syrin e Kaltër, dhe pamja e qetësia që të ofron shlyen deri diku edhe lodhjen e ecjes në këmbë, e tronditjet që shoqëruan rrugën.

Megjithatë fatura për në Theth është më pak e kushtueshme se skaji jugor i vendit, ku kostos së transportit dhe akomodimit i shtohet edhe fatura e kripur e ushqimit që shpesh mban brenda edhe doza abuzimi.

Por, ka shpresë që në sezonin e ardhshëm Thethi të aksesohet më lehtë dhe më shpejt nëse projekti i nisur përfundon në kohë dhe pa u zvarritur.