Ngjarje/Personazhe

Seman- Darëzezë, atje ku njerëzit, deti, dhe rëra nuk të zhgënjejnë kurrë

5 gusht 2022/ Arben Velo/ Porta Vendore/ Fier

Edhe këtë mbrëmje, dielli po zhytet në detin Adriatik, në Seman. Si një stjuardesë, vendos detin si maskë, në gjysmë fytyrën e zjarrtë, dhe shpjegon si ta shijojmë këtë bukuri. Në rërën e shkrifët, kanë nisur të përgjumen, gjurmët e fëmijëve, si fole hijesh të ngrohta Korriku.

Ky është Semani. Shumë thonë se nuk është më ai i pari. Në fakt, këtë të dielë mijëra pushues marrin rreze dielli të përzier me nostalgji. Semani duket i rilindur. Për të shkuar në bregdet duhet të përshkosh 18 km rrugë nacionale. e cila nis të ngushtohet pasi ke kaluar fshatin Topojë grykë, deri në buzë të detit. Këtë verë Bashkia Fier nisi zgjerimin e saj me rërë bituminoze, Automjetet kanë më shumë akses në qarkullim. Rëra është e pastruar në hapësirën bregdetare Pishporo-Seman, ku ushtrojnë veprimtarinë e tyre 71 stacionet e plazhit, të licencuar.

 “Ne kemi pastruar gjithë vijën bregdetare ku ndodhen plazhet publike dhe ato jo publikë nga mbeturinat dhe kryejmë rregullisht pastrimin e koshave” , pohon Drejtori I Drejtorisë së pastrimit Bashkia Fier Fatjon Elezaj, për Porta Vendore.

 Shqetësim për pushuesit dhe sidomos për lokalet e liçensuara është përmbytja gjatë sezonit dimëror i sheshit ranor që shërben si nyjë lidhëse mes rrugës Fier-Bregdet Seman, i quajtur ndryshe edhe Ligatina e plazhit.

 “Me ndërhyrjen e Prefektit, Bordit të Kullimit dhe Ndërmarrjes së Kullimit Bashkia Fier është bërë tharja e ujërave dhe zhbllokuar qarkullimi për të shkuar në stacionet e plazhit”, pohon ai.

Por jo gjithçka ka përfunduar në këtë sezon… Ende vijon procedura administrative e lidhjes së kontratave me stacionet e plazhit dhe sidomos funksionimi normal dhe real i ruajtësve të plazheve. Shqetësimin e ngrenë uniformat blu të policisë së kufirit. Ato janë të pranishme përgjatë gjithë vijës bregdetare Pishporo -Seman.

“Ka ende mungesë të rojeve të plazhit të certifikuar e trajnuar si roje plazhi, për kullat e vrojtimit. Por po mbulohen hapësirat nga personat e trajnuar që janë të vendosur në stacionet e liçensuara,” pohojnë pushuesit.

Nauni është një nga pronarët e licencuar që ushtron veprimtarinë në një stacion plazhi, lokal në breg të detit në Seman. Është fund Korriku, piku i sezonit. Kapacitetet e çadrave nuk janë të mbushura ende me pushues.

“ Gjatë fundjavës kemi pushues të shumtë. Gjatë ditëve të tjera, nuk ka shumë pushues. Kriza ndihet edhe këtu. Po presim Gushtin” , thotë ai duke shtuar se: Ne nuk kemi rritje të çmimeve për çadra. Njësoj si vitin e kaluar një çadër me dy krevate portativë kushton 300 lekë . Ndërsa rritjet e tjera të pijeve freskuese apo ushqimit të gatuar janë shumë normale, janë brenda kostove. Perimet, vajin, gjithçka që e gatuajmë e blejmë në treg. Nëse çmimet atje rriten, detyrimisht do të ketë ndikim në gatimin në kuzhinë”, shton Nauni për Portën Vendore.

Ai por edhe shumë të tjerë sytë i kanë veçse nga emigrantët . Presin muajin gusht që të kenë ardhje dhe mbushje të plazhit me pushues, një praktikë e njohur disavjeçare.

Me fillimin e sezonit të ri turistik, nisin dhe problemet nga mushkonjat në këtë bregdet

Një tjetër përfaqësues i bizneseve në bregdetin e Semanit e ngre këtë shqetësim. Sipas tij, sivjet janë bërë shumë të bezdisshme insektet. “Neve shpresojmë nga qeveria, institucionet të vënë dorë për arsye se këtu vete ora 8 30 dhe njerëzit gati tërbohen. Ka shumë insekte edhe gjatë darkës ndërsa gjatë ditës kur fryn erë, ato largohen.

Duke treguar me dorë nga perëndimi i diellit ai duket se kërkon të largoj bashkë me këtë perëndim edhe problemin që po ngre.

“Problemi është shumë i madh. Vjen familje, fëmijët me pulla në krah dhe gjithë trupin, dhe nuk di çfarë ti thuash. Insektet, mushkonjat, janë shumë infektuese. Ne shpresojmë që plazhit të Semanit ti kthehet krenaria, bukuria që ka patur vite më parë, me ndihmën e qeverisë, të vërë ajo dorë, të vazhdoj të bëhet dezinfektimi. U krye dy javë më parë. Por duhet të vijoj sërish”, shton ai për Portën Vendore.

Drejtori i Drejtorisë së Pastrimit Bashkia Fier Fatjon Elezaj shprehet se i njeh ankesat e bizneseve lidhur me këtë problem. Në terren ka nisur qysh në fillim të sezonit procesi i dezinfektimit i të gjithë bregdetit të Semanit, Darëzezës dhe Pishporos.

“Kemi marrë gjithë masat tona për gjithë sezonin turistik. Ne po bëjmë dezinfektimin kundër insekteve. E kemi nisur rreth 20 ditë më parë duke përdorur disa preparate të cilat janë me zero rrezik për jetën e banorëve, pushuesve, qoftë fëmijë që luajnë në rërë, qoftë dhe biznes gjatë gatimit apo aktiviteteve të ndryshme”, tha Drejtori Elezaj duke shtuar se:

“Me këtë dezinfektim arritëm që për 20 ditë të mos kishim më pjesën e insekteve. Tashmë jemi në momentin e dytë i cili është dezinfektimi sërish i gjithë bregdetit”, deklaroi ai i pyetur nga Porta Vendore mbi shpeshtinë e këtij procesi tejet të rëndësishëm për pushuesit dhe vetë zonën.

Plazhi i Semanit, është simbol për pushuesit fierak dhe jo vetëm. Është i njohur për publikun e gjerë, për rërën e zezë e kurative.

 “Deti është i mirë dhe rëra shumë e pastër. Rëra është e mirë për trupin sëmundjet deti është goxha i mirë, nuk është i keq, Njerëzit tanë i kemi afër këtu Semani është vend i bukur, më pëlqen të vij këtu dhe vij shpesh Ka raste që vij edhe në darkë me familjen” ,pohon një pushues.

E në fakt nga viti në vit vihet re një lloj konkurrimi mes plazheve Seman, Darëzezë dhe Pishporo. Secili ka karakteristikat e veta.

 “Shiko sa bukur që është perëndimi në Seman pohon një tjetër fierak pushues. Por duhet të mos braktiset jo nga ne, por nga vëmendja e drejtueseve të pushtetit dhe qeverisë”, tha një pushuese tjetër.

Darëzeza duket se i ka besnik pushuesit e saj, pasi ata rikthehen sërish thuajse çdo vit.

 “Darëzeza është plazh më i bukur me rërë të shkëlqyer, futen fëmijët në det, as mbyten, është vend i përsosur nuk ka thellësi, Darëzëzën e kemi tonën.Semani Darëzeza,Pishporo janë.. tonat. Kam që nga viti 64 këtu në këtë plazh. Seman, Darëzezë Pishporo, që nga 64”, na pohon një pushues. Fjala e tij duket si një mirëseardhje në këtë bregdet tjetër të Bashkisë Fier.

Darëzeza është rreth 20 km nga qendra urbane. Është e mbuluar me një brez të gjerë rëre dhe uji të pastër. Ndërsa masivi i pishave shoqëron gjithë vijën bregdetare. Pasi ke kaluar urën e re për në fshat, ndërtuar këtë vit me të gjithë parametrat e nevojshëm, ndesh banorët e këtij fshati që shesin prodhimet e tyre bujqësore shalqi, pjepër e perime të stinës. Udhëtimi zgjat pak nëpër kurorat e pishave për të përfunduar në vijën bregdetare rreth 13. 5 kilometra. Aty gërshetohen rreth plazhet private, dhe ato publike, ku pushuesit, kryesisht ditor nga qyteti dhe zonat periferike të Fierit, hapin çadrat e tyre. Të tjerë qëndrojnë për pushime më gjatë në shtëpitë që lëshojnë me qira banorët e fshatit.

Një ndër pushuesit e shumtë që kanë zgjedhur Darëzezën është edhe Ibish Hasani nga fshati Ramnicë, komuna Vitie, nga Kosova. Ai e ka vizituar për herë të parë këtë plazh rreth dhjetë vjet më parë dhe saj rërës kurative, ka gjetur shërim sipas tij nga reumatizma.

 “Kam ardhur këtu para dhjetë vitesh. Kam qenë i sëmurë nga reuma dhe gjeta vetveten këtu si shërimin tim por tash jam top.Edhe nuk kam mundësi të ndahem më nga Darëzeza, është shumë vend i bukur, shumë vend i pasur, njerëzit janë të mirë, Unë dhe për veten time kam kaluar sikur të isha në Zvicër”, thotë Ibishi.

Që atëherë, ai nuk ndahet nga ky bregdet .Por si e ka ndërtuar dhe si e kalon kohën në verë ai dhe familja e tij?

 “Unë pasi erdha këtu fillova dhe ndërtova nja kasolle të vogël që të rri me bashkëshorten time dhe njëkohësisht që kur të vijnë familjarët e mi nga Kosova rrimë këtu së bashku. Por ndër të tjera në atë kohë e bëra edhe një minikuzhinë të vogël që t’ju shërbej familjes edhe klientëve të tjerë që vijnë si pushues në këtë vend të famshëm këtu. Pastaj mora një leje nga bashkia, mora licencën që t’ju shërbej të gjithë atyre klientëve që vijnë edhe kënaqen në këtë vendin e famshëm këtu”, pohon i kënaqur.

Edhe në Darëzezë çmimet e çadrave shkojnë në 300 lekë. Por ndihet prania jo e plotë e pushuesve sidomos gjatë ditëve të javës .Fundjava si e sotmja mbushin bregdetin qetësia pastërtia e rërës dhe deti i pastër shoqërojnë çdo pushues

Bashkia Fier prej tre vitesh e ka kthyer në traditë çeljen e sezonit turistik në Seman dhe Darëzezë. Bregdeti kthehet në pistë hipizmi e arenë festimesh, kjo falë edhe bashkëpunimit me Federatën Shqiptare të Hipizmit. Nga ana tjetër promovohet veç bregdetit edhe kulinaria traditat etnografike, në funksion të turizmit dhe njohjes së produkteve të zonës.

378 mijë e 560 pushues zgjodhën frekuentuan plazhin e Bregdetit të Darëzezës dhe Semanit në Bashkinë Fier, në sezonin veror të vitit të kaluar.

21 400 pushues të huaj zgjodhën këtë plazh në vitin e kaluar. Ndërsa në gjithë bregdetin e qarkut Fier pushuan 77 120 të huaj dhe 961480 pushues. Këtë sezon parashikohet që ky numër të njoh rritje. Kthehemi drejt Fierit. Teksa futemi në makinë, derdhet pak rërë në tapicerinë e saj.

“Është një kujtim nga bregdeti i Fierit”, më thotë shoferi dhe qesh. Brenda asaj qeshjeje ka pak det, diell dhe ajër nga Bregdeti i Darëzezës dhe Semanit .