Ngjarje/Personazhe

Përdorimi i pesticideve kthehet në shqetësim për konsumatorët shqiptarë

2 gusht 2022/ Esmeralda Pirra/ Porta Vendore

Debati i madh për konsumimin me tepri nga ana e fermerëve të pesticideve herë pas here ka sjell një shqetësim në rritje të konsumatorëve, duke ngritur shpesh pikëpyetjen e me të drejtë: A jemi të sigurt?

Prania e pesticideve është e pranishme në të gjithë botën, në bujqësi e pemëtari (frutikulturë). Përsa kohë kemi prodhime dhe bujqësi konvencionale, është e pamundur të prodhosh ndryshe, artikulojnë ekspertët/ Madje, edhe ata që pretendojnë se kanë fruta apo perime nga baçet vetjake të shtëpive, i kanë me përmbajtje Produktesh Mbrojtje Bimësh, e thënë në zhargonin e përditshëm “pesticide”. Sepse sot, veçanërisht me ndryshimet klimatike, është e pamundur te prodhosh pa këto produkte.

Granit Sokolaj nga Qendra Alert thotë se ky shqetësim ka vite që është prezentë kudo në botë.

“Patjetër qe shqetësimi është prezente gjithmonë, në gjithë botën, në vendet e BE dhe padyshim ne Shqipëri. Jo më kot, institucione të Bashkimit Evropian, siç është EFSA, (Autoriteti Europian për Sigurinë Ushqimore), por edhe ekspertët e Komisionit Evropian, nxjerrin rregullore të shpeshta për limitet dhe llojet e pesticideve, disa i heqin nga tregu vit pas viti dhe kanë vendosur kritere të forta për përdorimin e tyre, si për llojet, ashtu dhe për normat, limitet. Megjithatë, prania e tyre është sa e rrezikshme, aq dhe e domosdoshme. Ndryshe nuk do të kishte prodhim”, tha ai për Portën Vendore.

Pothuajse të gjithë kemi të njohur të cilët merren me bujqësi dhe mundohen të na sjellin produkte “bio” në tavolinat tona. Kjo ka mund dhe përkushtim. Por frutat edhe perimet kanë shumë insekte të ndryshme të cilët i kanë pikë të dobët këto produkte që ne i konsumojmë çdo ditë. Fermerët të cilët e dinë rrezikun që vijnë nga këto insekte, nuk mund t’ia falin mundin e tyre insekteve të shumta, ndaj edhe i spërkasin produktet me pesticide apo kimikate të ndryshme (dy apo tre herë) për ti zmbrapsur insektet. Po ashtu kimikatet apo pesticidet e përdorura parandalojnë shumë sëmundje që prekin produktet, kështu që përdorimi i këtyre të fundit është bërë i pa evitueshëm nga fermerët të cilët edhe pse me vetëdije po na vrasin në heshtje çdo ditë.

Nënë Bardha nga Peqini, një zonjë në moshë që përpiqet të ndihmojë djemtë e saj në sera shprehet për Portën Vendose se: “Në shumicat e prodhimit të frutave dhe perimeve, përdorimi i pesticideve është i padiskutuar, dikush më pak e dikush më shumë, por jemi të detyruar ta përdorim që të nxjerrim mallin në treg bashkë më të tjerët, ose i bie ta hedhim në kanal se nuk e shesim dot kur të jetë pjekur tamam me çmim të mirë që edhe të fitojmë. Dikush përdor lëndë toksike më të larta e dikush më të buta, nga e keqja”, rrëfen ajo.

Djali i saj i madh Agroni shprehet se të gjitha tokat në fakt janë të ndotura nga pesticidet dhe pothuajse çdo bimë spërkatet. “Psh:domatet e dala në treg deri para 10-15 ditësh, përdorimi i pesticideve ka qenë në maksimum, që bënë skuqjen para kohe të produktit, dhe e dimë që është shumë e dëmshme për organizmin.. Përdorimi i pesticideve tek kastraveci, është shumë i dëmshëm, por një gjë e mirë është se ne e nxjerrim në treg 3 ditë pasi e kemi spërkatur me pesticide, se në rastet kur i nxjerrin në treg direkt pas spërkatjes, janë shumë të dëmshme dhe pasojat janë të menjëhershme për atë që e konsumon . Tek shalqinjtë është prapë shumë e përdorshme pesticidi, doemos pasi ai bën pjekjen para kohe, edhe këtu nëse konsumohet në 3 ditët e para të spërkatjes ka pasoja, edhe në rastet kur konsumohet pas 3 ditësh nga aplikimi në bimë, efektet janë në trupin e njeriut. Ne nga e keqja i përdorim në çdo frutë e perime”, vijon ai lidhur me këtë problematikë.

Sipas një statistike të nxjerrë nga studiues të ndryshëm në botë:“ Çdo njeri konsumon mesatarisht 4 litra pesticide në vit dhe më shumë se 400 mbetje të substancave kimike mbeten në trupin tonë. Nga ushqimet që konsumojmë çdo ditë ne arrijmë të marrim afro 3000 lloje kimikatesh. Sipas studiuesve janë ato që na mjegullojnë mendjen, na gënjejnë ndjesitë dhe shkaktojnë një sërë sëmundjesh që nga kanceri, dëmtimi i sistemit nervor, duke bërë që sistemi ynë imunitar të dobësohet. Fakt ky që është bërë publik edhe nga raportet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Dietologia Blerina Bombaj për këtë të më është shprehur se problemi ushqimor nuk është vetëm i Shqipërisë, por është i gjithë botës. Bombaj thotë se simulanti hormonal për frutat dhe perimet përdoret në të gjithë botën, dhe këtë ajo e lidh me faktin se sot nga mbipopullimi nuk mund të ushqehen të gjithë bio.

“Siguria ushqimore është çështje jetike dhe prioritet mbi prioritetet. Cilësia e ushqimit i referohet disa karakteristikave specifike si, përmbajtja në lënde ushqyese, vetitë organoleptike që kanë të bëjnë kryesisht me shijen, përpunimi, paketimi etj., ndërsa siguria ushqimore është një dhe vetëm një: disiplina e zbatimit te rregullave shkencërisht të përcaktuar, në mënyrë që një ushqim të jetë i përshtatshëm për konsum dhe të mos rezultojë në asnjë mënyrë në pasoja që cenojnë shëndetin e konsumatorit. Hulumtimet tregojnë se personat që hanë fruta e perime që konsiderohet të kenë nivele të larta të pesticideve nuk kanë rrezik më të lartë ndaj kancerit në krahasim më ata që hanë më pak. Ky lloj studimi nuk mund të provoj shkak-pasoj të drejtpërdrejtë. Gjithsesi, nuk mund të hiqni dore nga frutat e perimet, duke qenë se përfitimet që vijnë nga ngrënia e tyre tejkalojnë rreziqet e mundshme nga pesticidet”, shpjegon dietologia.

Ajo shton gjithashtu se pesticidet mund të shkaktojnë te njeriu një sërë çrregullimesh. “Çrregullime të përqendrimit te fëmijët, defekte të embrionit, infertilitet, kancer. Ato akumulohen në indin dhjamor dhe çrregullojnë funksionin tonë hormonal. Shkatërrojnë biodiversitetin, vrasin bletët, faktorin kyç në vazhdimin e jetës së shumë bimëve. Vetëm 80% e preparatit të përdorur shkon te bima, pjesa tjetër përhapet në ajër dhe ujëra”, përfundoi ajo për Portën Vendore, duke këshilluar blerjen e produkteve të vendit, të stinës.

Shkencëtarët kanë zbuluar që pesticidet mund të shkaktojnë një varg të problemeve shëndetësore dhe të rrezikojnë jetën. A e dinë konsumatorët se çfarë hanë sot?

“Fatkeqësisht jo, si për produktet bujqësore, ashtu dhe për blegtorale. Për këtë të fundit, e kanë mundësinë e zgjedhjes, sepse mund të mos blejnë në rrugë, mund dhe duhet t’u drejtohen marketeve, produkteve me etiketë që kanë kaluar shumë filtra kontrolli, kanë një prodhues apo origjinë… Në lidhje me perimet, nuk kanë mundësi zgjedhjeve, tregjet tona, të vogla e të mëdha furnizohen nga të njëjtat burime dhe nga i njëjti zinxhir. Produktet bujqësore nuk mund të dallohen me sy, me aromë apo me shije, nëse kanë përmbajtje të lartë pesticidesh, ndryshe nga ato blegtorale, që janë të paketuara, me etiketa, përmbajtje etj”, shprehet Granit Sokolaj nga qendra Alert.

Për ekspertin e Bujqësisë Ervin Resuli pranie e pesticideve ose siç njihen teknikisht PMB (Produktet Mjekësore Bujqësore ) është normale në një vend si i joni i cili ka fokus kryesor bujqësinë dhe blegtorinë .

“ Të kultivosh tokën është normale që ushqyes të ndryshëm me bazë bimore, organike, kimike apo preparate për luftimin e insekteve apo dëmtueseve të ndryshme të bimës me patjetër do përdoren dhe janë të domosdoshme prezenca e tyre në këtë fushë, kjo nuk është risi shqiptare këto produkte përdoren në gjithë planetin ! Përsa i përket përdorimit gjerësisht në fakt do isha i kujdeseshim pasi është një fjalë që e përgjithësoni përdorimin e këtyre lëndeve”, tha Resuli për Portën Vendore.        

AREB-et (Autoriteti Rajonal Ekstensionit Bujqësore ) kanë fokusin kryesor monitorimin e fermerit dhe informimin në mënyrën e përdorimit të këtyre preparateve duke e këshilluar fermerin duke vizituar tokat e mbjella dhe duke diagnostikuar problematikat që hasin fermerët dhe nëpërmjet këshillave specialistët e mbrojtjes së bimëve (Agranomet) e AREB-it janë personat e parë që ndjekin mbarëvajtjen e bimës duke e këshilluar fermerin mbi lëndët e mundshme që mund teë përdori duke i shënuar ato në librat apo regjistrat përkatës dhe duke e këshilluar të respektohet ajo që njihet si karenca ( koha pezullimit për konsum të frutave apo perimeve derisa lënda mos të jetë prezent në to ) . Kjo është detyra funksionale e zyrave të AREB e cila këshillon dhe monitoron fermerin . Nga ana tjetër kemi AKU e cila nëpërmjet analizave të ndryshme shikon ecurinë apo prezencën e produkteve me mbetje që mund të gjenden në treg.

“Pjesa dërrmuese po ka informacion pasi u bë kohë në treg dhe dinë të përdorin preparate por asnjëherë nuk përjashtohet mundësia kur fermerë apo individë të papërgjegjshëm rrisin përdorimin në kohën e vjeljes apo nuk respektojnë karencën gjatë përdorimit të këtyre lëndëve. Normalisht produkte me përmbajtjeje të këtyre lëndëve rrezikon jetën e konsumatorit, po ashtu ekzistojnë rreziqet e përdorimit të produkteve të ndaluara apo kontrabandë por kjo jo në nivele shqetësuese . Barra bie mbi institucionet të cilët duhet të rrisin masat duke shtuar filtrat që preparatet mos të arrijnë te fermeri apo perime dhe fruta të tilla mos të përfundojnë në treg apo tavoline të konsumatorit”, shton eksperti i bujqësisë duke vënë në pah rolin që duhet të kenë organet ligjzbatuese në vend, në monitorimin sa me efekt të kësaj situate.

“Nëse do i referohemi kthimeve nga shtetet të cilat ne eksportojmë fruta- perime kamionët që kthehen për prezencë pesticidesh apo lëndësh të ndaluara nuk kapin as 0.5% e totalit të volumit që ne shesim jashtë Shqipërisë, kjo do të thotë që konsumatori nuk është i ekspozuar rëndom me këto produkte por asnjëherë vigjilenca e strukturave shtetërore nuk duhet të anashkalojë kontrollet apo protokollet e ndryshme të monitorimit të këtyre fermave, po ashtu kualifikimi i specialisteve shtetëror normalisht rrit përgjegjësinë për mos neglizhencë të kësaj detyre funksionale që i ngarkon ligji”, përfundon Ervin Resuli.

Në të njëjtën linjë mendimi është edhe Sokolaj. “Ligjërisht kontrollet duhet të jenë sistematike në të gjithë zinxhirin. Së pari, është lista e PMB-ve që miraton Ministria e Bujqësisë komfort direktivave të BE dhe EMA (Agjencia Europiane e Medikamenteve), ajo që përcakton llojet e PMB-ve që lejohet të importohen. Më pas, janë strukturat kontrolluese si AKU”, thotë ai për Portën Vendore.

Së pari, AKU duhet të kalojë në filtër produktet që në Pikat e Inspektimit Kufitar dhe më pas depot e mëdha të importit dhe farmacitë bujqësore. Këto të fundit, shumë herë janë bërë shkaktar problemesh, sepse mbajnë dhe tregtojnë produkte kontrabandë që nuk lejohet në tregtohen në Shqipëri. Kryesisht, kjo ndodh në zonat afër kufijve, por edhe në qytetet e zona tjera rurale.

“Problemi më i madh në këtë zinxhir sigurie e rregullash janë fermerët. Çdo produkt i mbrojtjes së bimëve, përveç të dhënave teknike, ka të shënuar në etiketë dhe afatet e karencës, pra tregon se sa duhet të rrijë perimja pa u vjelur nga bima, që nga momenti i hedhjes në të. Ky afat bën që substanca të janë efekt dhe të absorbohet, pra të mos reflektohet në produkt mbi normat e lejuara. Por, fermerët, në rastet që gjëjnë çmim, ofertë nga tregtarët, i vjelin produktet pa u plotësuar afati i karencës, gjë që e bën të rrezikshëm dhe të pakonsumueshëm atë produkt”, shprehet eksperti Sokol teksa vë theksin se ky problem ndodh për dy arsye: “E para, sepse parcelat, arat janë të fragmentuara dhe për shkak të sipërfaqeve të vogla, fermeri nuk ka interes financiar të mbajë një drejtues teknik. Arsyeja e dytë është se ende nuk ka një regjistër të fermave, elektronik apo ende me letër, ku fermeri të shënojë të gjitha preparatet që ka përdorur, arsyen, sëmundjen e bimëve apo nevojat për t’i ushqyer ose luftën ndaj insekteve dhe datën kur ka vjelë produktin”, përfundon ai.

Shqipëria nuk bën dallim nga vendet e tjera të rajonit dhe as BE. Madje, Maqedonia e Veriut ka sipërfaqe më të vogla të mbjella dhe sasinë e produkteve së mbrojtjes së bimëve e ka sa dyfishi i Shqipërisë. Çelësi është që produktet të jenë të regjistruara në EMA ose më e pakta në një vend të BE dhe fatmirësisht Shqipëria e bën këtë dhe kryesorja, gjithçka lidhet me përdorimin në fermë, sasinë dhe afatet e karencës. Prodhuesit vazhdojnë të abuzojnë me këtë, për shkak të ofertave e tregjeve. Gjithmonë flasim për prodhimin për konsum të brendshëm, sepse në atë për ekspert, eksportuesit dhe grumbulluesit nuk iu lënë asnjë mundësi abuzimi, prishin kontratat me ta etj.