31 korrik 2022/ Eliza Gjediku/ Porta Vendore
Shqipëria mund të ketë një ndarje të re territoriale! Diskutimet mes politikës kanë nisur, duke bërë të mundur edhe ngritjen e një komisioni parlamentar për të diskutuar mbi çështjet që ndajnë PS-PD.
Për Partinë Demokratike reforma territoriale e vitit 2015, nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka larguar më shumë qytetarët nga marrja e shërbimeve, ka shpopulluar zonat rurale dhe ka nxitur emigrimin. Ndërsa për qeverinë reforma e bërë nga socialistët që zhduku komunat e uli numrin e bashkive, ka reduktuar borxhet e pushtetit vendor.
“Reforma administrative territoriale sigurisht që ka një përmirësim të shërbimeve publike, ka sjellë mirëqeverisje në komunitet dhe rritje të bashkëqeverisjes në komunitet, ka sjellë rritje të eficencës dhe si rezultat ka sjellë rritje të të ardhurave dhe të investimeve publike në çdo bashki. Sa i përket performancës fiskale të njësive vendore, nëse do të shohim historikun e detyrimeve të prapambetura, në vitin 2015 vlera totale e detyrimeve të prapambetura ishte 12.1 miliardë lekë, ndërsa në fund të vitit 2021 kjo vlerë është 6.5 miliardë lekë”, tha në konferencë për mediat ministrja e Financave Delina Ibrahimaj.
Por në fakt vetë kryebashkiakët, disa herë kanë kërkuar mbështetjen e shtetit për të shlyer borxhet pasi i kishin vënë në vështirësi për të ofruar shërbimet pasi nuk ishin të aftë të hapnin asnjë investim publik pasi mungonin fondet e kishin borxhe të pashlyera.
Nga ana tjetër zhvillimi i të gjitha bashkive ekonomikisht nuk u arrit, kjo për shkak se shumë fshatra përfunduan të shpopulluara, ndërsa pabarazia e të ardhurave mes qyteteve është e thellë. Shqipëria përpara vitit 2015 kishte në total 373 njësi të qeverisjes vendore ku bënin pjesë 308 komuna dhe 65 bashki, që pas reformës u reduktuan në 61 bashki, e disa prej bashkive kaluan në njësi administrative.
PD: Reforma Territoriale e 2015 u bë për të blerë vota!
Deputeti i PD-së Arbi Agalliu, thotë në një intervistë për Portën Vendore, se qëllimi i PS-së kur miratoi e vetme reformën territoriale, nuk ishte rritja e jetesës për qytetarët, por maksimizimi i votave për zgjedhjet elektorale.
“Ndarja u bë jo duke pasur si yll polar qytetarin për ti ofruar atij një shërbim më të afërt dhe cilësor, por ka pasur si qëllim maksimizimin e votës për PS, duke bashkuar komuna të djathta në një të vetme apo duke copëzuar bashki disa të tjera nëse ishin me bindje të majta”, tha Agalliu.
E gjithë reforma e re territoriale sipas Agalliut duhet të ndryshohet duke pasur si qëllim kryesor shërbimin ndaj qytetarëve, dhe jo shtimin apo pakësimin e numrit të bashkive.
“Nuk ka lidhje fakti që duhet shtuar apo pakësuar numri i bashkive, por parimisht duhet rënë dakord që ndarja e re territoriale të bëhet duke pasur në thelb qytetarin, duke i ofruar një shërbim më afër tij, dhe duke respektuar traditat, zakonet apo kulturat e historinë e zonave të ndryshme”, thotë Agalliu.
Defektet e reformës territoriale aktuale, Agalliu i ilustron me shembuj të bashkive që u zhbënë në 2015, apo bashkimi i disa fshatrave të Vlorës me Bashkinë Himarë. Vendime që sipas deputetit të PD-së kanë vështirësuar jetën e qytetarëve.
“Reforma territoriale duhet të ketë në fokus ofrimin e shërbimit ndaj qytetarëve në zona të caktuar sa më shpejt dhe me cilësi duke shmangur burokracitë. Këtu mund të përmend ish bashkinë Orikum, e cila nga një bashki me emër sepse Orikumi është me kulturë, histori dhe traditë dhe me peshë specifike që nga vendndodhja gjeografike, sot nuk e kemi më bashki por qendër administrative duke e shumuar të gjithë këtë komunitet. Në momentin që kthehet bashki patjetër që ka tjetër peshë, energji. Tjetër impulse merr biznesi dhe komuniteti aty. Një shembull tjetër që mund të jap pikërisht nga zona ime elektorale janë fshatrat e lumit të Vlorës, që ju bashkuan Bashkisë Himarë. Imagjinoni fshatra si Kuçi, Kallarati, Vranishti etje, që duhet të udhëtojnë me orë të tëra për të shkuar në bashkinë Himarë, pavarësisht rrugës është e pamundur për moshën e tretë, që karakterizon edhe popullsinë në këto zona”, pohon Agalliu.
Ndryshe nga sa u propagandua nga socialistët, deputeti demokrat thotë se reforma e re ka nxitur burokracitë në zyrat e pushtetit vendor.
“Përfitimi është pasja më afër e aksesit të qytetarit në raport me shërbimet që merren nga pushteti lokal, më afër jo vetëm largësinë por edhe duke pasur në vëmendje cilësinë e shërbimit, ndryshe ofrohet shërbimi në qendrën administrative, ku do duhet që burokracia të përcillet lart e poshtë nga qendra administrative në bashki dhe më pas tek kryetari i Bashkisë apo këshilli Bashkiak për të marrë vendime të caktuara dhe ndryshe nëse një komunitet i caktuar e ka bashkinë në thonjëza nën kontroll”, shprehet Agalliu.
Por a do të jetë në fokus të propozimeve të PD-së edhe reduktimi i numrit të punonjësve që kanë bashkitë, pasi PS-ja premtoi ulje të numrit të punonjësve kur miratoi reformën si dhe largimin e militantëve por nga ana tjetër nga mbi 19 mijë të punësuar që ishin në bashki, tashmë ka arritur në mbi 31 mijë numri i të punësuarve.
“Qoftë kostot e administratës, shtimi apo pakësimi i numrit të stafit administrativ, krijimi i bashkive të reja apo mbyllja e tjerave ky është një element dytësor, pasi ajo që duhet të ketë rëndësi është qytetari. Ne mund të pranojmë disa kosto më tepër apo disa kosto më pak në funksion të atij objektivi që ne vendosim dhe jo të jetë e kundërta, pra që në funksion të kostos të bëhet ndarja territoriale por që në funksion të qytetarit të bëhet ndarja territoriale. Pastaj menaxhimi i kostove është një tjetër sfidë e cila duke pasur në thelb një staf të kualifikuar, larg militantëve politik, që shpesh gjejnë bashkitë si çerdhe punësimi për të bërë qoka apo manipuluar zgjedhjet e radhës. Kjo duhet të marri fund, duke ju dhënë bashkive një staf të kualifikuar dhe profesional në funksion të shërbimit të qytetarit”, pohon Agalliu.
Komisioni i reformës territoriale ka nisur me mbledhjet dhe dëgjesat e para me grupet e interesit, mbi efektshmërinë e reformës aktuale, ku burime nga ky komision nga radhët e Partia Socialiste thanë për Portën Vendore, se: “Dëgjesat gjatë muajt korrik do të jenë me shoqërinë civile por edhe me disa bashki. Ne me materialet që disponojmë sot, duhet të kuptojmë që reforma territoriale vinte nga 373 njësi të qeverisjes vendore dhe për ne ka rezultuar e suksesshme. Sot ne flasim për situata që janë në proces për tu tejkaluar, infrastruktura dixhitale dhe rrugore. Reformat nuk maten në 9 vjet por në 20 vite. Por gjithsesi për të gjithë pikëpyetjet në javët në vijim do ti shkohet deri në detaje analizën. Shtatori do të qartësoj se sa bashki do të mund të definohen, pasi rezultati i një pune nuk lidhet me numrat e bashkive, pa analizuar faktet dhe shifrat. Kjo është puna e komisionit. Nëse ne do të ecim me hapa të mirë do të mund ta kemi në shtator dakordësinë për një reformë të re”, thanë për Portën Vendore, duke vënë theksin tek analiza financiare, kjo edhe për vetë faktin se bashkitë e vogla e kanë shumë të vështirë që të krijojnë mundësi financiare që të mund ti vijnë më pas në ndihmë qytetarëve me investime.
Ekspertët: Investimet në vend jo të barabarta, reforma aktuale ka defekte
Pas një studimi të kryer nga qendra ALTAX në 5 bashki të vendit, Elbasan, Dibër, Berat, Gjirokastër dhe Vlorë mbi performancën sociale të tyre eksperti Eduart Gjokutaj ka një panoramë më të qartë se ku çalon reforma aktuale territoriale.
Në një intervistë për Portën Vendore, Gjokutaj sqaron se bashkitë e sipërcituara u morën në studim pasi u vlerësua madhësia dhe ndikimi në qark, për të parë situatën e tyre para dhe pas reformës administrative, por edhe si rezultat i disa treguesve të terë si pozicioni gjeografik, aktiviteti ekonomik por edhe nga kultura, tradita e historia që kanë. Tre ishin gjetjet kryesore të studimeve të kryera.
“Ndër temat kryesore të trajtuara dhe argumentuara lidhen me: Migrimin, varfërinë dhe parandalimin për të ardhmen. Migrimi dhe mënyrat se si mund të parandalohet duke e parë tashmë si një fenomen, që pas ekspozimit duhet të pranohet si një realitet për adresim nga qeveria qendrore dhe vendore për të ndërtuar edhe politikat bazuar mbi të. Nga monitorimi i konsultimit publik nëpërmjet faqeve zyrtare online dhe medias sociale, vërehet se llogaridhënia si proces ballafaqimi mes Bashkive dhe shoqërisë civile është në nivele bazike dhe ende e pazhvilluar si model dialogimi deliberativ. Në traditën shumëvjeçare është një perceptim mjaft i përhapur te publiku dhe shoqëria civile mosdhënia e llogarisë nga të zgjedhurit e bashkisë, për premtimet e parealizuara apo programet e pazhvilluara, përveç institucioneve që kanë detyrë auditimin e performancës ligjore dhe financiare të Bashkisë”, thotë Gjokutaj.
Një nga prioritetet e qeverisë socialiste për ti shtrirë investimet kudo, sipas ekspertit Eduart Gjokutaj nuk është realizuar.
“Nga monitorimi i buxheteve vendore dhe buxhetit të shtetit, dhe veçanërisht pasqyrave të investimeve shikohet se bazuar në Plane të Detajuara Vendore ka një shpërndarje jo të drejtë të projekteve zhvillimore, por më së shumti edhe zbatimit të tyre. Kështu, psh. në Vlorë peshën më të madhe e mban projekti Lungomare duke lënë në hije mjaft projekte të tjera. Po kështu në Gjirokastër peshën dominuese në një kosto fillestare të zhvillimit vendor prej 140 miliard lekë, peshën kryesore e mban projekti i hekurudhës. Në Dibër projektet e investimeve infrastrukturore mbajnë një peshë relativisht më të vogël se në bashkitë e tjera”, pohon Gjokutaj.
Investimet duhet të rishikohen thotë Gjokutaj e të orientohen, mbi objektiva konkrete që synojnë të zgjidhin një sërë problemesh që reforma aktuale nuk ju ka dhënë përgjigje.
“Fizibiliteti i investimeve duhet riparë. Zvarritjet e problemeve mjedisore dhe menaxhimit të mbetjeve duhet të kthehen në fokus të vëmendjes të OSHC për monitorim dhe vlerësim duke bashkuar ekspertizat e fushave të ndryshme të tyre (teknike dhe ekonomike) për analiza dhe rekomandime të plota dhe duhet të jenë edhe në fokus të projekteve të donatorëve për antikorrupsionin duke kërkuar ekspertiza të dedikuara, të cilat do ti synojmë nëpërmjet instrumentave të komunikimit dhe koordinimit në kaldenadre të përbashkëta. Investimet e reja në pritje për tu ankoruar në ndihmë të mirëqenies dhe shëndetit mundet të krijojnë hapësira të reja për harmonizimin e tyre me zhvillimin e brendshëm të rikthimeve të emigrantëve, të cilët kërkojnë tashmë edhe një shërbim cilësor dhe kjo shtron nevojën e rritjes së fondeve për edukimin profesional”, këto janë sugjerimet që duhet të përfshijë reforma e re.
Shpopullimi i zonave rurale mbetet një plagë që nuk po merr zgjidhje, dhe shumë fshatra kanë mbetur “të shkreta”, ku të vetmit banorë janë të moshuarit që kanë mbetur në fshat. Gjokutaj pohon se duhet të ndërhyhet menjëherë tek oferta për punësim, duke marrë në konsideratë zërin e qytetarëve. Po ashtu sipas tij duhet të bëhen plane të mirëfillta që frenojnë largimin e të rinjve jashtë vendit dhe jo vetëm, duhet të rishikohen programet arsimore duke përdorur teknologjinë, e duke futur programe që ecin paralelisht me kërkesat e biznesit. Një pikë tjetër që duhet të adresohet patjetër në këtë reformë që mund të ndryshojë përsëri ko vetëm hartën e vendit por edhe aspektin ekonomik, duhet të jetë edukimi profesional.
“Bashkitë duhet të konsiderojnë që bazuar mbi prioritetet strategjike kombëtare të kërkojë të zgjerojë dialogun me institucionet që mbulojnë punësimin dhe politikat për edukim profesional duke e kthyer në një prioritet të tyre edhe në programet buxhetore vendore. Adresim në ministritë që analizojnë politikat e punësimit dhe edukimit profesional, me fokus konkret në përmbushjen e objektivave për zhvillim të tregut dhe nxitje të ekonomisë”, pohon Gjokutaj, teksa ka një sugjerim edhe për pagat e qytetarëve, dhe për një rishpërndarje të re buxhetore.
“Duke parë disbalancën e madhe midis pagave të sektorit publik me pagesat për mbrojtje sociale nevojitet një zgjidhje me një formulë të re buxhetore të dedikuar për të rishpërndarë më shumë tek njerëzit e zakonshëm që votojnë, por rrallë shohin përfitime të menjëhershme nga reformat ekonomike: një sistem dixhital të mirëqenies direkte, në kohë reale, që në pagesa mujore mund të ndihmojë mijëra qytetarë”, shton ndër të tjera eksperti.
Ekspertët: Reforma duhet ndryshuar, autonomia vendore e ngadaltë
Një tjetër pikë e reformës aktuale përsëri nuk ka gjetur zbatim. Autonomia Vendore, pikë e rëndësishme por e pa zbatuar në praktikë. Bashkitë janë të varura nga transfertat e buxhetit të shtetit ndërkohë që borxhet janë të konsiderueshme.
Gjokutaj shpjegon disa nga problemet ekonomike-financiare që ka sot pushteti vendor, dhe që japin një përgjigje edhe më të prerë, që reforma aktuale nuk ka qenë e suksesshme.
“Mendojmë se ka nevojë për rishikim bazuar te ecuria e zhvillimit administrativ, ku shumica e bashkive tashmë kanë rritur shpenzimet administrative dhe mirëmbajtje në nivele mbi 50% të totalit të shpenzimeve.
Nga ana tjetër, administrimi i taksave dhe tarifave vendore, si një instrument për autonominë vendore ka ecuri të ngadaltë dhe jo shpresëdhënëse për një ecuri pozitive në përmbushjen e objektivave të programeve buxhetore afatmesme. Ndërhyrja e pushteti qendror me planet e zhvillimit dhe strategjitë kombëtare ka kufizuar vizionin e zhvillimit brenda këtyre kontureve të programeve, por të cilat janë të paarritshme nga qeverisja vendore me burimet që administron. Kapacitetet vendore kanë një zhvillim të ngadaltë dhe nuk kanë justifikuar analizën e kostos dhe përfitimit, e cila ishte një nga argumentet kryesore mbi të cilën u mbështet fryma e reformës administrative”, përfundon eksperti Eduard Gjokutaj.
Sipas ekspertit të pushtetit vendor Agron Haxhimali reforma ka pasur dinamikën e saj me pak hapa para, pak hapa pas dhe pak hapa të spostuara anash.
“Ajo qe vihet re në mënyrë të pamohueshme është fakti që kjo reforme nuk u fut ne shtratin e saj që në fillim, nga mungesa e konsensusit politik dhe qasja politike që mori. Edhe gjatë zbatimi pamohueshmërisht ka shfaqur problem. Sot ne jemi në vitin e 8 të reformës dhe flitet për mos arritje të saj jo vetëm në raport me çfarë u premtua dhe propagandua, por edhe me atë çfarë arriti realisht”, shprehet eksperti për Portën Vendore.
Po cila janë dy aspekt jo të përmbushura sipas vetë ekspertëve të fushës. I pari lidhet me efektivitetin e demokracisë dhe përfaqësimin lokal. Pra me të vërtetë sot kemi 61 bashkitë por kryesisht në ato bashki tejet të zmadhuara por jo vetëm, ka një nivel jo te kënaqshëm të përfaqësimit qytetarë. Ndërsa aspekti i dytë lidhet me ekonominë ; shpërndarja e shërbimeve publike në sasi dhe cilësi. “Është e pamohueshme që këto 8 vite pas reforme nuk kemi atë që pritet sa i takon ekonomisë së shkallës, shërbimet janë me ndjeshmëri të ulët të realizuara, pabarazi në shpërndarjen e shërbimeve midis zonave urbane dhe rurale është më evidente për atë çarë prodhoi reforma territoriale . Sigurisht ka shumë arsye të tjera që qëndrojnë dhe kanë bërë të mundur që maxhoranca dhe opozita nën presionin e votuesve të tyre dhe të çdo qytetari ti rikthehen për ta përmirësuar atë”, tha Haxhimali.
Haxhimali është gjithashtu i zgjedhur si ekspert i pushtetit vendor nga Komisioni i Posaçëm, ndaj sipas tij qasja politike po duket se ka një frymë të mirë.
“Komision posaçëm realisht po punon mirë. Shumë aktore dhe grupe interesi janë ftuar dhe kanë arsyetuar mbi situatën në pushtetin vendore, dhe kanë sugjeruar zgjidhje të mira për të përmirësuar situatën. Puna vazhdon. Ekspertët përkatës po punojnë dhe në fund do të kemi disa propozime mbi modelin e qeverisjen vendore edhe në aspektin e ndarjes dhe rishikimit territorial por edhe në aspekte të tjera administrative. Kjo persa i përket asaj që duket qartë. Ajo që nuk duket qartë por kuptohet është së paku deri tani që maxhoranca është për një statusquo të kësaj harte në rastin me të keq, dhe është e fituar, ndërsa bën përpjekje për rregullime administrative. Në rastin më të mirë për maxhorancën është ulja e numrit të bashkive. Maxhoranca ka interes të shfaqur për të korrigjuar nivelin e dytë të pushtetit vendor siç janë këshillat e qarqeve dhe nuhatet që duan një ndarje me 4 rajone”, tha Haxhimali duke shtuar se opozita po kërkon që ta çoj qeverisjen vendore më afër qytetarëve, ku natyrshëm do të lind nevoja e më shumë bashkive.
Megjithatë sikurse ngrenë shqetësimin edhe ekspertët koha është një problem real pasi po afrojnë zgjedhjet periodike vendore, kjo është vetëm njëra anë e medaljes pasi nëse do të ekzistojnë vullneti politik koha është vetëm një element lehtësisht i kapërcyeshëm.
Por cilat janë piketat që duhen vënë paraprakisht që të mos kemi një akses të cenuar të vetë qytetarit sikurse e pame gjate këtyre viteve në shumë zona rurale?
Sipas Haxhimalit, suksesi i një reforme varet nga shumë faktorë ,por piketat duhet minimalisht të qëndrojnë në:
⁃ reforma duhet të bazohet në kushtetute,
⁃ kartën evropiane të vetëqeverisjes vendore të këshillit të Evropës, dhe
⁃ parimi i përshtatshmërisë me kontekstin lokal.