Ngjarje/Personazhe

Rikonstruksioni i dy lulishteve në qytet, subjektet tregtare paralajmërojnë falimentimin

27 korrik 2022/ Leonidha Musaj/ Porta Vendore/ Durrës

Dy lulishte në qytetin e Durrësit do t’i nënshtrohen së shpejti rikonstruksionit. Ndërkaq, dhjetëra subjekte tregtare që operojnë në këto hapësira nuk e fshehin shqetësimin, pasi nuk dinë se çfarë do të ndodhë me aktivitetin e tyre tregtar, ku aktualisht janë të punësuar mbi 300 punonjës.

Në muajin maj, Bashkia e Durrësit hapi një tender me objekt rehabilitimin e hapësirave publike në bllokun e banimit në lagjen numër 17 të qytetit dhe në lagjen numër 11, në afërsi të Mauzeleumit të Dëshmorëve.

Ndërhyrja në këtë zonë synon kthimin e këtyre hapësirave në funksion të qytetarëve, (duke përfshirë dhe prishjen e tendave, strukturave shtesë të lokaleve); ripërcaktimin e raportit të qytetit me hapësira të lira rekreative; rivitalizimin e zonës përreth, duke shtuar gjelbërimin si dhe këndet e lojërave.

Nga ana tjetër aktualisht në këto hapësira operojnë prej vitesh dhjetëra subjekte tregtare, të licencuar dhe që paguajnë taksat vendore, por që do të preken nga ky projekt, pasi zbatimi i tij  parashikon edhe kufizim apo tjetërsim të hapësirave të këtyre lokaleve.

 

Përfaqësuesit e këtyre bizneseve nuk e fshehin shqetësimin mbi të ardhmen e afërt. Me frikën që do të shkojnë drejt falimentimit, Arbëri pronari i njërit prej këtyre subjekteve tregon se kanë zhvilluar një takim me kryetaren e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, por shpresat për gjetjen e një zgjidhjeje janë të pakta.

“ Jemi informuar për zbatimin e një projekti që ka të bëjë me rehabilitimin e zonës. Sipas informacioneve që kemi ne si subjekte parashikohet që lulishtja apo gjelbërimi të bëhet në vendin ku aktualisht është rruga, ndërsa ish-lulishtja, të cilën prej disa vitesh e shfrytëzojmë kundrejt pagesës në bashki do të kthehet në rrugë. Në këtë mënyrë, të gjithë bizneset do të dalin jashtë loje, pasi këto lokale frekuentohen pikërisht nga ambientet e jashtme.

Nëse lulishtja kthehet në rrugë atëherë dhjetëra biznese, kryesisht bare dhe restorante, falimentojnë. Këtu bëhet fjalë për një numër të madh biznesesh, ku janë të punësuar me dhjetëra persona. Vetëm unë kam 8 punëtorë. Në gjithë këto subjekte janë të punësuar mbi 300 punonjës. Kemi pasur një takim me kryetaren e bashkisë dhe të shohim, mbase gjejmë një zgjidhje”, rrëfen ai për Portën Vendore.

Për Arbërin, njësia vendore, duke qenë se prej kohësh kishte vendosur ta zbatonte këtë projekt, nuk duhet t’i kishte lejuar ata të investonin.

“ Së pari, ne rrënohemi ekonomikisht, sepse kemi shpenzuar mijëra euro për të ndërtuar lokalet. Vetëm tenda ka kushtuar mbi 30 mijë Euro. Ideja për këtë projekt nuk ka lindur sot, ka vite që flitet për realizimin e tij. Nëse Bashkia kishte ndër mend ta zbatonte, përse na lejoi të investonim? Madje, për vite e vite me radhë kemi paguar të gjitha taksat. Nuk di çfarë të them, mundi i gjithë jetës, po na ikën dëm!”.  përfundon ai.

Sipas Astritit, që menaxhon një nga këto bare, në këtë pikë nuk ja vlen të ngresh zërin, sepse është vendosur gjithçka.

“ Për zhvillimin e këtij projekti jemi informuar, pasi Drejtoria e Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Durrës, për vitin 2022 nuk ka bërë ngarkesë të taksës për zënie apo shfrytëzim të hapësirës publike. Ky është paralajmërim. Kemi parë në faqen e Bashkisë së Durrësit projektin dhe gjurma prek të gjitha lokalet e ngritura në të dyja krahët e rrugës nga Mauzoleumi deri te ‘Sheshi Pranvera’. Nuk mund të ankohemi, sepse gjithçka ka marrë rrugë” , sqaron ai i mërzitur.

Tregues është fakti se është shpallur edhe fituesi i tenderit përkatës. Ndërsa Astriti tregon se nuk kanë ende një njoftim zyrtar nga ana e pushtetit vendor.

“Projekti do të bëhet, madje është shpallur edhe kompania fituese që do ta zbatojë. Pra, gjithçka ka marrë fund. Zyrtarisht Bashkia nuk na ka vendosur ndonjë afat, po ç’bëri sot, ç’bëri për 4 apo 5 muaj?! Fakti që për këto subjekte nuk është ngarkuar taksa për vitin 2022 do të thotë se ka nisur numërimi mbrapsht. Vetëm te lokalet e lulishtes te Mazoleumi dhe këtu te lulishtja pranë Stacionit të trenit janë të punësuar mbi 250-300 persona, pa marrë parasysh investimet që janë bërë nga këto subjekte”, tha Astriti.

“Çfarë të them?! Po na luajnë mendtë e kokës!”-na përgjigjet pronari i njërit prej lokaleve. Neim Muskaj shprehet mes dëshpërimit se ka marrë kredi për të investuar në këtë bar:

“ Ku të shkojmë?! Kemi marrë kredi për të investuar në këtë biznes. Nëse ma prish biznesin, si do ta laj kredinë?! Këtu është për të ikur natën! Nuk ka siguri këtu me asnjë fushë të jetës. Nuk mban përgjegjësi njeri këtu. Unë s’e kuptoj, përse na lejuan të bënim investime, kur bashkia e kishte një plan për të realizuar këtë projekt që parashikon shkatërrimin e këtyre investimeve private?! Institucionet duhet të jenë të përgjegjshme dhe ta mbrojnë qytetarin! Si qenka kjo punë, ik ti që ke sakrifikuar gjithë jetën për të ngritur një biznes, se aty kalon gjurma e projektit që menduam të realizojmë ne, sot?! Unë për vete e kam biznes familjar, është punësuar e gjithë familja, nipër e mbesa. Është problem i madh! Ishalla na lejojnë të punojmë deri nga vjeshta të paktën! Nuk kemi çfarë të bëjmë, ka marrë rrugë kjo punë!” përfundon Neimi.

Në lidhje me situatën e krijuar Bashkia Durrës në përgjigjen zyrtare duket se konfirmon faktin që është thjesht çështje kohe, largimi i bizneseve nga kjo zonë.

“Nuk ka asnjë subjekt privat që i  është dërguar shkresë zyrtare për lirimin e hapësirave publike, pasi nuk është shpallur ende fituesi i tenderit.”

Në të njëjtën kohë, autoriteti vendor konfirmon se për vitin 2022 nga Drejtoria e Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Durrës  nuk është bërë ngarkesa e taksës së Zënies së Hapësirës Publike për këto subjekte.

Ndërsa, referuar të dhënave të Open Data  fituesi i tenderit me vlerë 62,490,403 lekë është shpallur. Bëhet fjalë për Liqeni VII SHA & Ndregjoni SHPK.

Kohëzgjatja për rikonstruksionin e këtyre dy lulishteve pranë Stacionit të Trenit dhe Mauzeleumit të Dëshmorëve pritet të përmbyllet brenda 70 ditëve.

Në projektin e publikuar nga njësia vendore përcaktohen të gjitha ndërhyrjet që do të realizohen, ku përfshihen edhe  prishjet, që prekin sipërfaqet në përdorim nga këto subjekte tregtare.

Ndërkaq, hapi i radhës, pas shpalljes së fituesit të tenderit me objekt rehabilitimin e dy lulishteve të qytetit , është lidhja e kontratës dhe nisja e punimeve në terren.