23 korrik 2022/ Blerina Moka/ Porta Vendore/ Tiranë
Shitja e mbetjeve plastike për shumë anëtarë të komunitetit rom dhe egjiptianë është e vetmja mënyrë për të fituar disa të holla dhe rrjedhimisht për të siguruar jetesën. Në Shqipëri ende nuk ka një database se sa është numri i grumbulluesve, por ka nisma të mira që po bëjnë të mundur regjistrimin e tyre dhe për më shumë lehtësi ndaj këtij sektori.
“Kam 5 vjet që grumbulloj mbetje plastike në zonën e Kinostudios në Tiranë. Në fillim e kam nisur si tregtar të rrobave të përdorura. Kam qenë tregtar në tregun në zonën e Medresesë, bashkë me gruan”. Kështu e nis rrëfimin e tij, Virjon Kalemi, 38-vjeç nga Tirana, baba i 5 fëmijëve. Ai jeton në rrugën “Bajram Curri” në zonën e Alliasit dhe çdo ditë merr biçikletën për të “krehur”, siç shprehet ai gjithë zonën e Kinostudios. Shitja e mbetjeve plastike është e vetmja mënyrë të fitojë të ardhurat që bashkë me gruan e cila kryen dhe ajo të njëjtën punë, sigurojnë ushqimin në familje.
“Gruaja del më vete të mbledhë mbetje plastike. Nuk kemi gjetur dot punë të dy, ndaj pas mbylljes së biznesit menduam ti rikthehemi kazanëve ku ndonjëherë fati na buzëqesh duke gjetur dhe pajisje elektronike të cilat i shesim, duke nxjerrë fitim mbi shitjet e plastikës”, thotë Virjoni.
Fati i Virjonit është i njëjtë me grumbullues të tjerë të mbetjeve, pjesëtarë të komunitetit rom dhe egjiptian të cilët punojnë në mënyrë individuale.
Për herë të parë, ka nisur zbatimin një projekt i financuar nga Lëviz Albania për fuqizimin e të drejtave të punës së Romëve dhe Egjiptianëve në riciklimin e mbetjeve.
Qendra Mjedisore për mbrojtje, edukim dhe rehabilitim (EPER Center) Lider, zbatuesja e këtij projekti së bashku me disa shoqata “Disutni Albania” (Korçë), shoqatën “Romano Sezi” (Elbasan) dhe shoqatën “Albania Romani Baxt for Development and Integration” (Tiranë) prej dhjetorit 2020 kanë nisur punën për përfshirjen e integruar dhe ligjore të grumbulluesve individual në sistemin e menaxhimit të mbetjeve.
Drejtori ekzekutiv i qendrës EPER, Elvis Çela thotë se nga informacionet e mbledhura në terren, ekzistojnë mbi 12,520 grumbullues rome dhe egjiptianë, që angazhohen në mënyrë informale dhe pa ndonjë organizim institucional, pa rregulla dhe mekanizma kontrolli nga bashkitë.
“Në 61 bashkitë e Shqipërisë mungojnë praktika të përfshirjes së integruar dhe ligjore të grumbulluesve individual në sistemin e menaxhimit të mbetjeve, ku në kuadër të ridimensionimit të sektorit të mbetjeve për shkak të reformës së re administrative, qëndrojnë si një barometër për përmirësimin e ofrimit të shërbimit, e cila impakton paralelisht edhe shërbimeve të tjera të NJQV-ve, siç janë shërbimet sociale, shëndetësore etj për grupet e marxhinalizuara”, thotë Çela.
Sipas tij, për implementimin e projektit u zgjodhën bashkia Tiranë, Elbasan dhe Korçë, për shkak të numrit të madh të pjesëtarëve të komuniteteve rome/egjiptiane.
Përveç kësaj, këto 3 bashki, janë ndër gjashtë bashkitë me prodhimin më të madh të mbetjeve në ditë, ku është i përqendruar mbi 50% e fabrikave të riciklimit në vend dhe janë 3 Bashki me praktika të ndryshme zhvillimi në sektorin e menaxhimit të mbetjeve.
“Projekti ‘Fuqizimi i të drejtave të punës së Romëve dhe Egjiptianëve në Riciklimin e Mbetjeve’ në fokus të saj ka rritjen e advokimit dhe bashkëpunimit të OSHC-ve komunitare me Bashkitë në përmirësimin e shërbimeve publike në sektorin e mbetjeve me përfshirjen e grumbulluesve individual rom dhe egjiptian. Përmes tij, u synua identifikimi, institucionalizimi dhe advokimi për punën e grumbulluesve individual rom dhe egjiptian në sektorin e menaxhimi të mbetjeve në nivel vendor, duke kontribuar të mënyrë të drejtpërdrejtë në realizimin e prioriteteve të masave në planet rajonale të menaxhimit të integruar të mbetjeve në secilin prej qarqeve të përfshira në projekt nëpërmjet nxitjes së riciklimit, dhe njëkohësisht si përgjigje e situatës së emergjencës së grumbulluesve individual rom/egjiptian në nivel bashkie e qarku”, thotë drejtori ekzekutiv i qendrës EPER, Elvis Çela.
Çela thotë se për identifikimin e grumbulluesve individualë, të dhënave për situatën e tyre ekonomike e familjare u bashkëpunua ngushtë me organizatat lokale të përzgjedhura në projekt, në 3 bashkitë Tiranë, Korçë dhe Elbasan.
Një prej bashkëpunëtorëve në projekt, Denis Kosturi nga shoqata “Disutni Albania” (Korçë) thotë se në nisje të projektit, u evidentuan zonat e banimit më problematike të komunitetit rom dhe egjiptian në bashkinë Korçë.
“Ne verifikuam disa zona problematike ku varfëria dhe papunësia janë plagë të mbartura prej vitesh dhe banorët thonë se pushteti vendor nuk ka zgjidhur shumë prej shqetësimeve të tyre që lidhen me strehimin, infrastrukturën, punësimi, duke I lënë të zhytur në skamje pa asnjë sinjal shprese. Ne evidentuam në këto zona 120 grumbullues individual të mbetjeve që punonin për të siguruar të ardhurat e tyre. I nxitëm ata drejt zyrave vendore dhe në bashkëpunim me punonjës të shërbimit social i regjistruam grumbulluesit në qytetin e Korçës. Tashmë ekziston një regjistër me të dhënat e tyre, adresa e saktë e banimit, numër i telefonit dhe zonat ku zhvillojnë aktivitetin e tyre të mbledhjes së mbetjeve, të cilat do të shërbejnë për bashkëpunim me bizneset e riciklimit”, thekson Denis Kosturi.
Në të njëjtën mënyrë, projekti “Fuqizimi i të drejtave të punës së Romëve dhe Egjiptianëve në Riciklimin e Mbetjeve”, u realizua dhe në bashkitë Tiranë dhe Elbasan, ku në Tiranë u regjistruan 129 grumbullues mbetjesh dhe në Elbasan 120.
Drejtuesi i projektit, Elvis Çela thotë se gjatë muajit Maj – Qershor 2022, Qendra EPER / EPER Center në bashkëpunim me organizatat komunitare “Albania Romani Baxt for Development and Integration” – Tiranë, Shoqatën “Romano Sezi” – Elbasan dhe Shoqatën “Disutni Albania” – Korçë realizuan 9 marrëveshje biznesi midis grumbulluesve rom dhe egjiptian që punojnë me mbetjet dhe bizneseve të riciklimit.
“ Në secilën prej bashkive Tiranë, Elbasan dhe Korçë u realizuan 3 marrëveshje biznesi midis 10 grumbullues rom/egjiptian që punojnë me mbetjet e riciklueshme dhe bizneseve të riciklimit që operojnë në këto bashki sipas llojit të mbetjeve letër, plastikë dhe metal.
Marrëveshjet përfshijnë format, mënyrat dhe rregullat e operimit për shit-blerjen e mbetjeve të riciklueshme midis grumbulluesve individual rom/egjiptian dhe bizneseve të riciklimit. Ky aktivitet bëri bashkë 90 grumbullues individual rom dhe egjiptian dhe 8 biznese të riciklimit të cilët kanë të rregulluar tashmë punën e tyre në shit-blerjen e mbetjeve të riciklueshme”,thotë drejtuesi i EPER, Elvis Çela.
Çela thotë se ngritja e mekanizmit të institucionalizimit të kolektorëve individualë do të garantojë së pari ngritjen e një modeli të qëndrueshëm për formalizimin e punësimit të këtij grupi.
Gjithashtu, projekti ndihmoi në zbatimin e praktikave të mira në sektorin e mbetjeve të Njësive të Qeverisjes Vendore, NJQV-ve në përfshirjen e grupeve të margjinalizuara.
Tashmë, njësitë e qeverisjes vendore, kanë një databazë me grumbullues rom/egjiptian potencial për tu angazhuar në sistemin e menaxhimit të mbetjeve dhe/ose shërbimet publike bashkiake.
Prej datës 24 qershor ka nisur fushata advokuese “Mbetje të riciklueshme me grumbulluesit rom/egjiptian” në 3 bashkitë pjesëmarrëse në projekt, Tiranë, Elbasan dhe Korçë.
Sipas afateve të përcaktuara në projekt, kjo fushatë do të mbyllet më 8 korrik dhe ka për qëllim ndërgjegjësimin e subjekteve publike dhe private je për të patur ata një skemë riciklimi brenda institucionit të tyre. Përmes fushatës synohet monitorimi i mekanizmave institucional të ndërtuar në fazën e parë (regjistrimi i grumbulluesve tek bashkitë; marrëveshjet e bashkëpunimit institucionale midis OSHC-ve komunitare dhe bashkive; dhe marrëveshjet e biznesit midis grumbulluesve rom/egjiptian që punojnë me mbetjet dhe bizneseve të riciklimit).
“Ky projekt është fillim i një procesi i cili do të krijojë mekanizma institucional të nevojshëm për punësimin e grumbulluesve individual rom/egjiptian nga ana e Bashkive, i cili do të vazhdojë me nisma të reja nga EPER Center dhe organizatat komunitare rome/egjiptiane në drejtim të krijimit të klasterave ekonomik të romeve/egjiptianeve (punësimi formal, start-upe riciklimit, etj), nxitjen e riciklimit brenda bashkive dhe përmirësimin e shërbimeve publike në sektorin e mbetjeve në nivel vendor”, thotë drejtori i qendrës EPER, Elvis Çela.
Edhe Virjoni thotë se shitja e mbetjeve është një biznes fitimprurës për të pasi të ardhurat që fiton ja mundësojnë jetesën familjes së tij të madhe.
Koha kur tregtonte rroba në tregun e rrobave të përdorura i përket të shkuarës. Prej saj mori shumë kosto, jo vetëm ekonomike por dhe shpirtërore e emocionale pasi humbi të gjitha fitimet në këtë biznes. Por shpresat për tu ringritur duket se po ndizen dhe ky projekt është një fillim i mbarë për të gjithë komunitetin e tyre.